"Kuvendi të hetojë Berishën"
Braçe: Komision nga e para me më shumë fakte
Kryeministri Sali Berisha humb betejën përballë opozitës. Gjykata Kushtetuese dje ka shpallur si jo të ligjshëm vendimin e Kuvendit, për të mos e lejuar ngritjen e komisionit hetimor për familjen e kreut të qeverisë. Ashtu sikurse ka cilësuar antikushtetues komisionin e ngritur nga mazhoranca për hetimin e të gjithë krerëve të shtetit. I menjëhershëm ka qenë reagimi i Partisë Socialiste, e cila ka premtuar se do zgjerojë tanimë objektin e hetimit me prova të reja. Duke mos u tërhequr nga kërkesa e cilësuar si tërësisht e drejtë prej organit më suprem ligjor në vendin tonë. Deklarimet e reja të pasurisë do jenë pjesë e materialeve shtesë, që opozitarët do të debatojnë në komisionin hetimor.
Vendimi
Gjykata Kushtetuese ka marrë në shqyrtim një ankimim të Partisë Socialiste, e cila kundërshtonte vendimet e Kuvendit. Objekti i diskutimit mes anëtarëve të gjykatës ishte zgjidhja e mosmarrëveshjeve mes shumicës dhe pakicës në Parlament. Pasi ka analizuar kushtetueshmërinë e vendimeve, gjykata ka dalë me një konkluzion. Sipas tij, vendimi numër 59 i Kuvendit i marrë në shtator si propozim i shumicës, me objekt ngritjen e komisionit hetimor për pasuritë e shtetarëve, është në shkelje me Kushtetutën. Ndërsa vendimi numër 60, ku Kuvendi rrëzoi kërkesën e disa deputetëve të Partisë Socialiste për të hetuar pasuritë dhe lidhjet nepotike të familjes Berisha, ka rezultuar me shkelje ligjore. Vendimi i hap rrugën miratimit tanimë të komisionit hetimor për Kryeministrin si kërkesë e ligjshme e pakicës parlamentare. I vetmi kusht për Gjykatën Kushtetuese është mjaftueshmëria e provave dhe dyshimeve për të ndërmarrë nismën.
Reagimi
Një prej iniciatorëve të komisionit hetimor, deputeti Erion Braçe, reagoi dje menjëherë pas vendimit të Kushtetueses. Sipas tij, ajo çka u vendos ishte më se e drejtë, duke vënë në vend drejtësinë. Braçe, në prononcimin për "Shqip", konfirmoi se opozita tanimë ka një detyrim kushtetues, të çojë deri në fund nismën. Ai siguroi se shumë shpejt do të konkretizohet sërish kërkesa për komisionin hetimor. Braçe shtoi se objekti i hetimit, pas deklarimeve të reja të pasurive, është zgjeruar. "Janë shtuar flakareshat e Berishës me miliona euro, deklaratat e pasurisë së mbesës, kunatës dhe vajzës Argita Malltezi", konstatoi Braçe.
Përplasjet
Grupi parlamentar i Partisë Socialiste shumë muaj më parë kërkoi publikisht ngritjen e një komisioni hetimor për lidhjet nepotike dhe konfliktin e interesit në familjen kryeministrore. Ndërsa paraqiten shumë prova, mes të cilave edhe mosdeklarimi, sipas tyre, nga Kryeministri i një apartamenti të ri në të cilin banon. Mazhoranca nxitoi menjëherë, duke iu kundërpërgjigjur kësaj nisme të deklaruar nga pakica. Të djathtët depozituan pak orë para socialistëve në zyrën e Topallit një kërkesë për një komision hetimor për gjithë drejtuesit e shtetit, përfshirë këtu edhe kreun e qeverisë. Kjo nuk u pranua nga pakica, e cila insistoi në Kuvend që të miratoheshin të dyja komisionet hetimore. Me shumicë kartonësh Kuvendi rrëzoi kërkesën e të majtëve dhe miratoi komisionin e kërkuar nga shumica.
Dështimi
Komisioni hetimor për pasuritë e shtetarëve, i iniciuar nga shumica në pushtet dhe i miratuar nga Kuvendi, rezultoi një dështim i plotë. Që në fillim, deputetët e opozitës deklaruan bojkotin, duke zgjedhur të mos marrin pjesë në këto mbledhje. Kjo, për aq kohë sa shumica nuk kishte miratuar hetimin e familjes së Kryeministrit. Pavarësisht kësaj, komisioni në fjalë realizoi pak mbledhje, mes të cilave i kërkoi Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive të gjithë formularët e deklarimit. Përveç kësaj, komisioni nuk arriti të konkludonte në asnjë hetim konkret dhe shkoi drejt dështimit, duke treguar në një farë mënyre se e gjithë nisma ishte pasojë e luftës politike mes shumicës dhe opozitës për komisionet hetimore.
Berisha
Shifrat e pasurisë për vitin 2006
Kryeministri Sali Berisha ka deklaruar në formularin për vitin 2006 një depozitë bankare kursimi në emër të gruas Liri Berisha në masën 44774 lekë. Ai ka shënuar edhe një tjetër llogari rrjedhëse në bankë në emër të gruas në shumën 6593 lekë, një tjetër depozitë në emrin e tij në masën 191 lekë dhe një llogari rrjedhëse në masën 5137 lekë. Në një tjetër bankë, Liri Berisha ka deklaruar për vitin 2006 një shumë prej 351672 lekësh. Gjendja në kesh është e ndarë në dy pjesë: e para 800000 mijë lekë dhe tjetra 150000 mijë lekë. Të ardhurat vjetore nga paga si Kryeministër janë në masën 2469960 lekë, të ardhurat nga dietat me jashtë 3680 euro dhe të ardhurat nga paga e gruas, 401616 lekë. Kryeministri, në mbështetje të asaj çka është deklaruar prej tij, rezulton të mos ketë kryer asnjë transaksion bankar të madh apo ndonjë blerje e shitje kapitalesh të patundshme.
© Gazeta Shqip - 2006-2007
Krijoni Kontakt