Çelebiu i kulluar

Ka vepra në fushën e letrave (pavarësisht
gjinisë), të cilat, edhe pse bartin vlera të
padiskutueshme, nganjëherë duhet të
shoqërohen me një farë këshille
për atë që e merr sefte në dorë.
Këshillat zakonisht kanë të bëjnë
me metodikën e zgjedhur të të lexuarit,
orën e përshtatshme të
shfletimit, durimin deri në x faqe
(nëse gjëndrat e shijimit të aktivizohen
me vështirësi), apo dhe me
pikënisjen leximit (nganjëherë
dhe nga fundi). Në rastin e veprës
"Berati, 300 vjet më parë (Një studim
mbi Evlia Çelebiun mbi qytetin
dhe kështjellën e Beratit)", shkruar
nga Vasfi Samimi, ia vlen që
leximin ta nisësh nga pasthënia.
Kjo, jo se vepra nuk ta jep atë grishjen
e duhur për ta përpirë
sakaq, pasi ke shfletuar faqet e
para dhe je njohur me qëllimin e
veprës, porse në pasthënie, që
është në fakt biografia e autorit,
shkruar nga dikush që e ka njohur
nga afër, kupton se ke në dorë
mendjen dhe kulturën në trajtë
fletësh, të një prej njerëzve më
epokalë, nga ata që Shqipërisë sa
vijnë e i rrallohen për kilometra
katrorë dhe për numër banorësh.
Fjala është për dr. Vasfi Samimin,
që sipas përshkrimit që i bën autori
i pasthënies, dr. Laurant Bica,
kuptojmë që ishte ndër të fundmit
e atij brezi të artë të viteve të para
të shekullit të 20-të, që dijen, kulturën
e fisnikërinë qytetare e kishin
si të ishte një përbërës qelizor
në shtatin e tyre fizik, çka shpërfaqej
në identitetin e tyre mental
e shpirtëror çdo çast, sa ishin në
jetën e kësaj bote. Vasfi Samimi,
(ose Vasfi i Sinqerti, sipas kuptimit
të mbiemrit në turqisht), nga Visoka
e Beratit, është njohur si një
ndër kokat e veterinarisë dhe
zooteknikës shqiptare. Mik i
ngushtë me dr. Bilal Golemin në
drejtim të profesionit bazë, ai do
të ishte mik dhe i Faik Konicës,
Mit‘hat Frashërit dhe Aleksandër
Moisiut. I arsimuar
në Stamboll si
shumë korifenj
shqiptarë,
zotëronte 8 gjuhë të huaja shqiptare dhe kishte
shëtitur në shumë vende të botës. Dr. Laurent
Bica shkruan për të në pasthënie: "Në vitet ‘70,
unë Samiun e kam parë të shkojë e të bëjë një
bisedë për artin në Akademinë e Arteve të Bukura,
ku fliste për Aleksandër Moisiun, ashtu siç
dinte të fliste vetëm ai; e kam
parë në stadium të ndiqte
ndeshje sportive, atë që dikur e
njihte Stambolli si portier i
skuadrës së Fererbahçes; e kam
parë të shkojë në Arkivin e Shtetit
të japë mësim osmanisht;
e kam parë në Bibliotekën Kombëtare
të merret me përkthime
apo të shkruajë një artikull
studimor apo
gazetaresk...apo të pijë kafe me
Aleks Budën, me Dhimitër Shuteriqin;
të prezantojë në rrugë
autorin e librit "Raca shqiptare",
Jakov Milaj apo skulptorin Janaq
Paço, që kishte bërë monumentin
e Skënderbeut në
Krujë".
Dhe 26 vjet pas vdekjes së
Vasfi Samimit botohet një nga
veprat më impresionuese të tij,
lënë dorëshkrim fëmijëve, "Berati
300 vjet më parë (Një studim
mbi Evlia Çelebiun mbi qytetin
dhe kështjellën e Beratit)".
Në këtë vepër, Samimi ka materializuar
gjithë intelektin e tij në
fushën e letrave dhe specifikisht
në gjininë e përkthimit e studimit,
duke qenë një njohës i
thellë i osmanishtes, turqishtes,
gjuhëve të tjera lindore plot
koklavitje e ngjyrime, si persishtja
e arabishtja, apo dhe të gjuhëve
perëndimore, si gjermanishtja,
të gjitha në funksion të
"kullimit" gjuhësor dhe kuptimor
në përkthimin e veprës
madhështore të Evlia Çelebiut,
udhëtarit dhe vendepërshkruesit
të madh turk të shekullit
të 26-të, i krahasuar me Herodotin,
Ibn Batutin e Marko Polon.
Në fund të viteve ‘60, Samimi
do bënte një përkthim të vetin të Evlia
Çelebiut, kushtuar pikërisht përshkrimit të Beratit
e kështjellës së tij, shkëputur nga vepra 10-
vëllimshme në origjinal, "Sejahatanme".
Duke përmendur qëndrimet e ndryshme
kundrejt veprës së Çelebiut
në shekuj, diku injoruese e
diku të fryra e të ekzagjeruara,
Samimi
është thelluar më tepër në sprovat gjuhësore të
përkthimit të veprës së tij, që jo pak ka pasur indikacione
dhe në krijimin e opinioneve të deformuara
rreth figurës së udhëtarit legjendar turk
dhe të vendeve ku ai shkeli. Dy janë figurat, në
përkthimet e të cilëve Samimi has disa pasaktësi
gjuhësore në përkthimin e Evlia
Çelebiut: bashkëkombësi i tij,
Salih Vuçiterni dhe gjermani
Franz Babinger. Dhe si e përligj
sprovën e tij gjuhësore ballafaquese
Samimi? Në kapitullin
ku shtjellon qëllimin e studimit,
me një elegancë që shpreh një
kulturë të thellë gjuhësore, por
dhe filologjike, ai shprehet: Çdo
copë e çikërrimë që kërkohet të
zbulohet mund të lëshojë një
dritë të madhe, të gëzueshme,
sepse të gjitha këto gjëra të
copëtuara, të rrënuara, të mykura
e të shkrira kanë gjuhën e
tyre... Disa herë belbëzojnë si
fëmijë pa logjikë, por disa herë
edhe si një memec i mençur dëftojnë
gjëra të mëdha...". Ndaj, në
përkthimin që i ka bërë pjesës
"Shpjegime mbi qytetin e madh
të Beratit, qendra, qendra e
luftërave fetare, me kështjellë,
kopshte parajsore", dr. Vasfi
Samimi ka shënuar me numër
rendor çdo fjali, që, sipas tij, në
përkthimin e mëparshëm ka
pasaktësi gjuhësore. Shembulli
më sinjifikativ jepet në rastin
kur në përkthimin e S. Vuçiternit,
përkthimi i një fraze është
bërë i tillë: "Disa raja të popullit
të kësaj prefekture janë
tradhtarë". Por në përkthimin e
tij, dr. Samimi has fjalën kryengritës
më afër origjinalit, në vend
të tradhtarë. Ndërsa para së të
analizojë rastin e pasaktësive në
përkthimin gjermanisht të
Babingerit, ai vëren se
disa autorë të
Perëndimit (të
tillë që
k a n ë
shpërfillur veprën e Çelebiut, ose e kanë trajtuar
dobët atë), siç shprehet: "Nuk e njohin aq sa duhet
jetën, pulsin, botëkuptimin oriental dhe kështu
preferojnë të vënë sa më shumë pikëpyetje dhe
pikëçuditëse në kllapa". Më shumë se kundërshtues
ndaj përkthimeve të mëparshme, dr. Varfi
Samimi është më tepër thellues në
përmasën kuptimore të disa
fjalëve dhe fjalive, që mund të
kenë devijuar nga origjinali.
Sepse, shkruan ai, gjuha turke që
në fillim ishte shumë e thjeshtë
dhe kishte një trajtë popullore, më
vonë, nëpërmjet letërsisë, fesë dhe
aristokracisë u ngarkua aq shumë
me fjalë arabe e perse, saqë u nda
nga populli, u shkëput nga origjina,
duke krijuar një lloj zhargoni,
që nuk kishte të bënte me njerëzit
e thjeshtë. Ja, këtë pështjellim gjuhësor
ka marrë në konsiderate dr.
Samimi në studimin e tij krahasues,
një punë, që po të vëresh burimet
dhe literaturën e përdorur e
bart akademizmin dhe skrupulozitetin
në klasin më të lartë, bashkë
me faktin se ka pasur pranë të madhin
Vexhi Buharanë në këtë titanizëm
të pashoq. Vepra vjen e
botuar për herë të parë, pasi ka
qëndruar si dorëshkrim për shumë
vite. Aty, përpos pjesës akademikë,
mund të shijohen dhe njëherë
rrëfimet e Evlia Çelebiut mbi Beratin,
kalanë, Tomorin, urën e
Goricës, njerëzit dhe botën e tyre
të paqtë, anës Osumit.

gazeta-shqip 02/05/2007