Kapet në Tiranë gjermani që hodhi në erë 100 apartamente


Hergert Koroveshi
28-04-2007

Norbert Wagne u arrestua në banesën e marrë me qera, ku strehohej prej 3 muajsh. U dënua me 15 vjet në Gjermani


TIRANË- Ai kishte hedhur në erë një ndërtesë me 100 apartamente, duke plagosur rëndë 2 persona e lënë pa shtëpi 40 familje, për të përfituar sigurimin prej 1.3 milionë eurosh. Quhet Norbert Wagne, është 44 vjeç dhe prej 3 muajsh strehohej në Tiranë, pasi ishte dënuar me 15 vjet nga një gjykatë e vendlindjes. Wagne u arrestua të enjten në mbrëmje në ndërtesën ku jetonte me qera dhe pritet të ekstradohet në Gjermani, ku duhet të vuajë dënimin e dhënë nga gjykata e qytetit të Halle në landin e Saksen-Anhaltit.Policia kriminale e landit gjerman kishte mësuar vetëm 3 muaj më parë që ai fshihej në Tiranë dhe në shkurt ajo ka nisur materialet për policinë e kryeqytetit dhe një agjent, që duhej të bënte arrestimin e të kërkuarit. Në sitin e saj zyrtar, policia gjermane kishte ofruar 50 mijë euro për këdo që do të informonte rreth vendndodhjes së Wagnerit, por askush nuk kishte arritur të gjente informacion, derisa iu zbulua një biletë udhëtimi për në Shqipëri.

Zjarri

Norbert ishte sipas policisë gjermane, pronar i ndërtesës, apartamentet e të cilës i kishte lëshuar me qera, por duket se paratë që merrte nuk i mjaftonin. Kështu ai ka vendosur të fitojë njëherë e mirë gjithë shumën që i kushtonte banesa, rreth 1.3 milionë euro e në këtë mënyrë të bëhej i pasur. Policia arriti të mësonte pas zjarrit se Norbert Wagne, më 21 dhjetor 2002 kishte manipuluar tubacionin e gazit për ngrohje që përdorte ndërtesa, në mënyrë që kjo e fundit të shpërthente një ditë pas ndërhyrjes. Planet deri këtu i kanë shkuar mirë. Gazi ka shpërthyer dhe ndërtesa është djegur e gjitha, madje kanë përfunduar të djegur rëndë edhe dy persona, njëri prej të cilëve për një kohë të gjatë qëndroi në koma. Veç ndërtesës që u shkatërrua përfundimisht, flakët goditën edhe një ndërtesë ngjitur, ndërsa shkatërruan edhe disa makina. Hetimet rreth çështjes në fjalë, që fatmirësisht ishte mbyllur pa viktima, e çuan policinë te pronari i ndërtesës i cili më pas u arrestua, por me anë të garancisë fitoi lirinë me kusht, që të paraqitej në gjykatë, gjë që nuk ndodhi.

Arratisja

Duket se sapo ka lënë dyert e gjykatës, Wagne i është drejtuar kufijve dhe pasi është larguar nga Gjermania është strehuar ku të mundej, ndërsa në janar ka ardhur në Tiranë, ku edhe është strehuar gjatë kësaj kohe. Nuk është e qartë se çfarë bënte Wagne në kryeqytetin shqiptar, por policia gjermane njofton se e ka zbuluar atë, pasi në kufi ka përdorur leje- kalimin. Në Tiranë ai erdhi thuajse 12 muaj pasi gjykata e Halle kishte vendosur ta dënonte me 15 vjet heqje lirie, për akuzat e "tentativës së vrasjes", "shkatërrimit të pronës", "plagosjes së rëndë" dhe "mashtrimit me siguracionet". Përveç leje-kalimit, Wagneri është tradhtuar edhe nga një biletë e blerë në Shqipëri, çka solli identifikimin e vendndodhjes së tij në vendin tonë.

Shekulli