Inspektorët e shëndetit tërheqin vëmendjen për përdorimin e lëngjeve të frutave të prodhimit në masë. Sa të vërteta janë etiketat premtuese për vitamina të shumta?

Lëngjet e frutave, që qarkullojnë me shumicë në çdo njësi tregtare janë kthyer në një domosdoshmëri për organizmin tonë. Por sa të vërteta janë të gjitha reklamat për vitaminat e shumta dhe cilësitë ushqimore që fshihen në një shishe apo kuti me lëng frutash të gatshme? Sa duhet të besojmë në premtimet e etiketës dhe çfarë fshihet pas termave kimike të përdorura në përmbajtjen e produktit? Pikërisht një inspektim i ditëve të fundit zbulon se lëngjet e frutave, akoma edhe ato të markave më prestigjioze, nuk janë kaq të shëndetshme sa thuhet në etiketë, për organizmin. Një kuti me lëng pjeshke, mund të ketë në përmbajtje edhe pak lëng molle. Natyrisht që këtë konsumatori e zbulon vetëm nëse lexon përmbajtjen me shkronja të vogla në një kënd të kutisë. Lëngu i rushit, i një kompanie përsëri të njohur, që premton se bëhet fjalë për produkt të bazuar në fruta, përmban në fakt vetëm 6% nga frutat dhe pjesa tjetër është glukoz dhe sheqer. Me dhjetëra “nektare” frutash dhe pije freskuese që nuk shënojnë në etiketë kaloritë dhe kimikatet e shtuara, ose edhe nëse janë të shënuara, nuk kanë në asnjë rast shenjën e detyruar të BE-së “E”. Përkrah këtij realiteti të hidhur të lëngjeve të frutave, kaq të besuara nga konsumatorët, sidomos në këto ditë të nxehta, bashkohen edhe paralajmërimet e mjekëve dhe specialistëve të shëndetit. Një pije me sasi të vogël frutash që plotësohet me ujë dhe sheqer nuk i ofron asgjë pozitive organizmit, madje për fëmijët e vegjël është mjaft e dëmshme. Të shumta janë lëngjet e frutave që lënë një shije të hidhur në gojë. Arsyeja është një surprizë aspak e këndshme. Shumica e këtyre produkteve i dedikojnë këtë shije të hidhur, sheqerit në kombinim me substancat kimike që i japin ngjyrë më të bukur, shije të ëmbël që afron me atë të frutave, e njëkohësisht e kthejnë në një produkt që të shëndoshë dhe të dëmton. Në 100 ml lëng pjeshke apo portokalli, të reklamuar si produkt origjinal frutash, brumi i vërtetë i pjeshkës apo portokallit zë nën 50% të sasisë. Veçse askush nuk pi në përgjithësi një gotë lëng frutash në ditë, përderisa në ditët e nxehta, sasia e pijeve freskuese me fruta është të paktën 330 ml. Vetëm me një gotë lëng portokalli, pjeshke apo dardhe kaloritë që merr organizmi janë 131-180, ndërkohë që një frut ka 70-75 kalori. Ndryshimi qëndron edhe në faktin se me një gotë lëng frutash nuk mund të ngopet organizmi i njeriut, ndërsa me dy fruta përfiton kohë deri në kohën e drekës apo të darkës. Një tjetër problem në pijet freskuese me fruta është edhe ekzistenca në etiketat e tyre të shenjës “E” (përdoret për substanca kimike të dëmshme për organizmin), përkrah termit kimik të tyre, që është i padeshifrueshëm për shumicën e popullit të thjeshtë. Ndërkaq, janë të shumta lëngjet e frutave që përmbajnë edhe të tjera esenca apo shije, të cilat nuk shënohen aspak në etiketë.
Por si duhet të veprojë konsumatori i thjeshtë, që dëshiron të freskohet. Sidoqoftë, lëngjet e frutave vazhdojnë të konsiderohen më të shëndetshme sesa pije freskuese si coca cola dhe fanta. Specialistët sugjerojnë përdorimin sa më të kufizuar të këtyre pijeve në përgjithësi, akoma edhe kur premtojnë lëng të freskët 100%. I vetmi lëng frutash që përmban të gjitha kaloritë e ushqyeshme dhe që nuk dëmton aspak është ai që përgatisim në shtëpi, me fruta të blera vetë. E në pamundësi të një lëngu të freskët frutash, duhet lexuar me kujdes etiketa dhe të përdoren sa më pak, sidomos nga fëmijët.