Ndriçohet cep më cep me projektorë
Për simbolin e historisë, simbolin ku janë gërshetuar kulturat dhe kanë lulëzuar qytetërimet, Kalaja Rozafa në Shkodër, tani nuk ka më errësirë, pasi dhe gjatë natës ajo do të ndriçohet nga projektorë të fuqishëm dhe drita në çdo cep. Fondi që ka dhënë bashkia e qytetit për të realizuar ndriçimin e Kalasë Rozafa, është 29 milionë lekë të vjetra. Projekt ky që realizohet për herë të parë në qytetin e Shkodrës. Për ndriçimin e kalasë janë vendosur 173 projektorë me fuqi 500 vat secili prej tyre, të cilët do të ndriçojnë të gjithë perimetrin e mureve të jashtme. Gjithashtu në qendër të oborreve të kalasë janë instaluar 10 projektorë të tjerë me fuqi prej 1000 vatësh secili, por ky investim është paraprirë vetëm pak kohë më parë, duke vendosur edhe 28 fenerë që ndriçojnë rrugën që të çon për në kala. Nga numri i përgjithshëm i projektorëve të instaluar në kala, rreth 83 projektorë do të bëjnë ndriçimin nga pjesa e jashtme, ndërsa pjesa tjetër do të bëjë të mundur ndriçimin e mureve të brendshme dhe të oborreve të kalasë. E veçanta e këtij investimi është se për herë të parë në një objekt të tillë me përmasa gjigande, siç është Kalaja e Shkodrës, do të përdoren teknikat bashkëkohore të ndriçimeve të jashtme me ulje drite. Kjo gjë do të bëjë që kalaja jo vetëm do të ketë një pamje madhështore, por ajo mund të vizitohet edhe gjatë natës nga vizitorë të ndryshëm. Me gjithë fuqinë e madhe të instaluar në këtë objekt, vlen të theksohet se ajo nuk do të ndikojë në rritjen e ngarkesës në banesat e lagjes përreth kalasë, pasi furnizimi i saj është i shkëputur dhe ushqehet nga një kabinë më vete që ndodhet në ambientet e brendshme të kalasë. Në ceremoninë e organizuar me këtë rast ishte i pranishëm ministri i Kulturës, Ylli Pango, i cili bashkë me kryebashkiakun e qytetit të Shkodrës Lorenc Luka, prenë shiritin e inaugurimit. Pas prerjes së shiritit Pango u shpreh se financimi prej 2,9 milionë lekësh që Bashkia Shkodër ka investuar për ndriçimin e Kalasë Shkodër, ka qenë një nga objektivat që qeveria ka parashikuar për 7 parqet arkeologjike që ndodhen në vendin tonë. Pas parkut të Butrintit ishte radha e kalasë së Shkodrës që të përfitonte nga granti i qeverisë, qëllimi i së cilës është rritja e nivelit të prezantimit sa më dinjitoz të pasurive tona kulturore dhe historike, si dhe rritja e kapaciteteve turistike.
Sipas ministrit Pango, puna e ministrisë së tij është e drejtuar në dy objektiva: a- kompletimi i sinjalistikës turistike, b- vënia në eficencë të plotë të zyrave turistike në qytetet kryesore.
Me investimet që qeveria ka parashikuar për Shkodrën, është shprehur ministri, kam bindjen se ajo do të jetë në radhë e para për zhvillimin e turizmit dhe thithjen e sa më shumë turistëve të huaj dhe vendas. Gjatë 6-mujorit të dytë të këtij viti qeveria sërish ka planifikuar fonde shtesë nga buxheti i shtetit për objektet muzeale.
Sipas kryetarit të Bashkisë Shkodër, Lorenc Luka, pas kalasë së Shkodrës radhën e ka rruga muzeale "13 dhjetori", Kisha e Shirqit dhe shumë objekte muzeale dhe kulturore të Shkodrës. Qëllimi i këtyre investimeve është ruajtja dhe pasurimi i vlerave kulturore të një qytetërimi të hershëm që qyteti i Shkodrës ka privilegjin ta ketë si "një qytet djep kulture".
© Gazeta Shqip - 2006-2007
Krijoni Kontakt