Rupert Smith, drejtori I fondacionit “Butrinti” rrëfen marrëdhënien e tij me autoritetet e parkut kombëtar

Në Butrint, emërime politike

Nga Londra
Muhamed Veliu

Interesi i britanikëve për Shqipërinë është i kahershëm, që në kohën kur Lord Bajroni
do të shkelte për herë të pare tokën shqiptare në vitin 1809, pasuar më pas nga britanikja Edith Durham. Mbyllja hermetike e vendit tone gjatë regjimit komunist bëri që interesi
i britanikëve të vazhdonte së ekzistuari, por nuk mund të shkonte më gjatë se sa soditja e dritave të Sarandës nga ata në bregun tjetër të Korfuzit. Ishte viti 1993 kur dy lordë britanikë, ai Rothchilde dhe Lord Sainsbury, krijuan fondacionin "Butrinti". Krahas dëshirës për ta ruajtur këtë perlë shqiptare në mes të Evropës, nuk dihet nëse ka pasur ndonjë interes tjetër që vëmendja e këtyre dy britanikëve të kthehej nga Butrinti.
Është për t'u pranuar se falë përkushtimit të shqiptarëve dhe mbështetjes së këtij fondacioni, kjo pasuri kombëtare e jona nuk do të ishte në këtë gjendje që është sot.
Fondacioni "Butrinti" i ka zyrat në një bllok apartamentesh të shtrenjta në rrugën "James". Përballë tyre ndodhet një ndërtesë dykatëshe, e cila përdoret nga Lordi Rothchilde si zyrë pune. Në këto 13 vite ekzistencë fondacioni ka ndërruar dy drejtorë. Fillimisht drejtimin e tij e mori në dorë Pr. Richard Hodges, pasuar më pas nga Dani Renton. Këtë fillim janari në krye të fondacionit do të vihej Rupert Smith. Bekgraundi i tij është një kombinim i fushës së mësuesisë klasike latine dhe greke, me atë të biznesit
të restoranteve, por arkeologjia për ta ka qenë një pasion i kahershëm, gjë e cila ka bërë që ai të vizitojë në çdo cep të botës vende arkeologjike. Smith ka braktisur plotësisht profesionin e tij, për t'u vënë totalisht në shërbim të fondacionit, madje ai tani jeton mes Tiranës dhe Sarandës.


Vizita

Drejtori Smith, megjithëse ka vetëm pak muaj në këtë detyrë, i është përveshur punës për të çuar më përpara projektet e fondacionit "Butrinti". Sipas tij, gjatë këtij viti fillimisht vëmendje do t'i kushtohet studimit për nevojat aktuale të parkut, pasuar me disa programme trajnimi për arkeologët. Ambicia më e madhe për këtë vit është hapja e
muzeut baptistian, zbuluar më parë, por që tani nuk është i vizitueshëm nga publiku. Për këtë Smith deklaron: "Jemi shumë të vendosur që këtë vit ky muze, i cili tani është i mbuluar me rërë për t'u mbrojtur, të vizitohet nga publiku. Kur e pyesim për problemet, ai pozon për një moment, vë buzën në gaz e thotë se problemi më i madh është menaxhimi i fondeve nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, pasi ato lëvrohen me
vonesë për t'u përdorur nga parku".

Politika dhe Butrinti

Një nga programet e tjera financuar nga fondacioni "Butrinti", është
ai i trajnimit të stafit aktual të parkut. Ndryshimi i qeverive u reflektua deri në Butrint. Vetë Smith pohon gjatë bisedës me "Shqip" se marrëdhëniet e fondacionit "Butrinti" me ministrinë, e drejtuar deri pak më parë nga zoti Bujar Leskaj, janë shumë të mira, gjë e cila duket se do të vazhdojë edhe me pasuesin e tij, Pango. Por, i pyetur lidhur me largimin nga detyra të disa ish-punonjësve që janë trajnuar më parë në Amerikë dhe Qipro, të zëvendësuar me punonjës nga Tepelena- siç shkruante revista "Mapo"
disa javë më parë -drejtori Smith duket i rezervuar. "Nuk jam aspak në dijeni të një fakti të tillë. Më trego se cilët janë ata persona?", është përgjigjja e tij. I themi se ata janë
Demir Kroi, specialist trajnuar nga Banka Botërore në Amerikë në Parkun Kombëtar të Ticonderoges, apo Enkela Qëndro me ArdiolaAlikaj, të dyja diplomuar për arkeologji dhe trajnuar në Qipro për turizëm kulturor. Burime nga Butrinti thonë se shkarkimi i tyre është bërë pasi këta persona ishin njerëz që kanë punuar me drejtorin e shkarkuar,
Auron Tare, i cili ka pasur marrëdhënie kontradiktore me fondacionin "Butrinti". "Nëse kjo është çështja, mendoj se fondacioni 'Butrinti' nuk të bëjë fare me këto ndryshime të ndodhura kur janë ndërruar drejtorët nga pala shqiptare. Këto pretendime për ndikimin tonë në largimin e tyre nga puna janë të pabaza". Ngulmojmë të marrim një përgjigje nëse largimi i njerëzve të trajnuar dhe zëvendësimi i tyre me njerëz që nuk kanë
asnjë ide rreth arkeologjisë është një diçka që shqetëson fondacionin "Butrinti". Sipas Smith, zëvendësimet politike janë një pjesë e shoqërisë shqiptare që, sipas tij, nuk
është aspak e drejtë. "Njerëzit me eksperiencë duhet të vazhdojnë të mbahen në punë dhe të japin kontributin e tyre", shton ai pa dashur të shkojë më tej së sqaruari se tani vetë atij do t'i duhet të punojë me njerëz pa eksperiencë. Thënë ndryshe, disa qindra e mijëra paund shpenzime për trajnimin e tyre. Në bashkëpunim me drejtuesit e parkut, fondacioni "Butrinti" ka hartuar një plan menaxhimi së bashku me Drejtorinë e Parkut Kombëtar për vitin 2007, kërkuar nga UNESCO. Mësohet se plani është përpiluar pa përfshirjen e banorëve lokalë. Drejtori i fondacionit e pranon një gjë të tillë dhe sqaron se kjo ka ndodhur për mungesë kohe. "Plani që kemi hartuar dhe do t'i dërgohet UNESCO-s nuk është drafti final. Për këtë, atij mund t'i bashkëngjiten kapituj të tjerë, ku njëri prej tyre do të jetë për mendimet e komunitetit. Marrëdhëniet e fondacionit me drejtorin Ylli Cerrova Pas largimit të Auron Tares nga detyra e drejtorit të Parkut Kombëtar në Butrint, duket se marrëdhëniet e tanishme të fondacionit "Butrinti" me drejtorin e ri, Ylli Cerrova, janë të ndërtuara mbi një shtrat të mbuluar me dafina. I pyetur nëse pala britanike është e kënaqur me dedikimin e drejtorit të ri, i cili krahas kësaj pune vazhdon të japë leksione në Universitetin e Elbasanit si pedagog, drejtori Smith deklaron se "fondacioni 'Butrinti' po bashkëpunon në mënyrë të suksesshme me zotinm Cerrova. Po, e di, vijoi Smith, që ai
ka angazhime të tjera në Elbasan". Ndërkaq, janë përfolur shumë pagesat shtesë që i ka bërë fondacioni "Butrinti" drejtorit të parkut të Butrintit, zotit Cerrova, për akomodimin
e tij përveç rrogës së shtetit, çka sipas ligjit shqiptar përbën një akt korruptiv. Një fakt i tillë është trajtuar edhe nga revista e mirënjohur "The Economist" pak kohë më parë. Drejtori Smith pranon se fondacioni "Butrinti" ka bërë disa pagesa të tilla. "Po, është e vërtetë se ne i kemi bërë disa pagesa suplementare për projekte të veçanta stafit menaxhues të parkut. Për ne një gjë e tillë është e drejtë, pasi në ato raste kur fondacioni 'Butrinti' kërkon përfshirjen e palëve të tjera, ne paguajmë. Nëse një gjë e tillë është në kundërshtim me ligjin shqiptar, atëherë është një diçka që ne do ta shohim". Lidhur me largimin nga detyra të ish-drejtorit Auron Tare, i cili ka pasur kontradikta me drejtuesit e mëparshëm të fondacionit "Butrinti" e sidomos me profesor Hodges, drejtori aktual Smith pranon se kjo ka qenë një lëvizje politike. "Di që drejtori Tare u largua nga kjo detyrë kur u ndërruan qeveritë. Më duket si një lëvizje politike. Di që fondacioni 'Butrinti' kishte marrëdhënie të mira në fillim me zotin Auron Tare dhe këto marrëdhënie nuk ishin të mira në fund",përgjigjet Rupert Smith.