26 spiunë të Sigurimit, punonjës të Ambasadës Amerikane Friday, 13 April 2007
Geri Kokalari, i ka dërguar një letër konfidenciale ambasadores Marsi Ries si dhe Departamentit Amerikan të Shtetit, ku bën të ditur një fakt tronditës për prezencën e ambasadës amerikane në Shqipëri. Sipas letrës mjaft konfidenciale që është dërguar në adresë të ambasadës amerikane janë konkretisht 26 punonjës të kësaj ambasad që kanë qenë anëtarë të partisë Komuniste Shqiptare. Kokalari thotë se gjatë procesit të punësimit të tyre atyre u është dhënë një formular dhe një ndër pyetjet është ajo nëse kanë qenë anëtarë të partisë Komuniste apo edhe ndonjë organizate fashiste dhe këta të fundit edhe pse janë përgjigjur “jo” rezulton të mos jetë e vërtetë.Gazeta “SOT” ka arritur që të sigurojë këtë letër konfidenciale e cila tashmë është në dorën e Marsi Ries, por emrat janë po aq konfidencialë. Dihet vetëm që janë 26 persona, ishë anëtarë të partisë Komuniste që janë punonjës të ambasadës amerikane. Dihet vetëm që i personi i fundit në këtë listë është edhe rezident në Boston.
Letra
Geri Kokalari i shkruan ambasadores amerikane në Shqipëri se: “Më është tërhequr vëmendja lidhur me faktin se disa nga ish-punonjësit e Ambasadës Amerikane në Tiranë kanë qenë anëtarë të Partisë Komuniste Shqiptare. Nga këndvështrimi im për t’u bërë punonjës në këtë ambasadë të gjithë kanë plotësuar më parë një formular kualifikimi të Departamentit të Shtetit, OMB Nr. 1405-0029. Seksioni 35 i këtij formulari shtron pyetjen: Jeni ju tani, ose keni qenë ndonjëherë anëtar i Partisë Komuniste ose i ndonjë organizate komuniste ose fashiste? Nga këndvështrimi im personat e listuar më poshtë mund të kenë qenë anëtarë të Partisë Komuniste të Shqipërisë dhe mund të jenë përgjigjur “jo” në seksionin 35 të formulari të përshkruar më poshtë. Nëse kjo është e vërtetë, atëherë këta persona kanë bërë një paraqitje jo të denjë në një aplikim punësimi me një agjenci të qeverisë amerikane dhe nëse është kështu unë marr përsipër të them se ky është një fakt i kryer”. Kokalari e vazhdon arsyetimin e tij lidhur me mundësinë e anëtarësisë së tyre në Partinë Komuniste si ata, por edhe të tjerë mund të kenë patur lidhje me Kadri Hazbiun. Duke e konsideruar atë si arkitektin e Sigurimit të Shtetit Shqiptar në kohën e diktaturës, Kokalari i shpreh shqetësimin Ries, se ish komunistët mund të kenë tashmë në këtë ambasadë spiunët e tyre. “Punonjësit ne Ambasadë dhe ka mundësi që edhe të tjerë, të ishin direkt të varur nga Kadri Hazbiu, kur ai ka shërbyer si Ministër i Brendshëm nën regjimin e diktatorit komunist Enver Hoxha. Në këtë pozicion Hazbiu ishte gjithashtu edhe në krye të sigurimit sekret shqiptar, operacion policie që vepronte si inteligjencë dhe ushtri e fortë për regjimin brutal të Enver Hoxhës. Siç është e ditur tashmë, pjesa më e madhe, në mos të gjithë, të gjithë njerëzit që punonin nën pozicionin e Hazbiut, u konsideruan "sigurimi" dhe shërbyen si bërthamë e aparatit të inteligjencës për Partinë Komuniste Shqiptare. Çfarë është shqetësuese për këtë situatë nëse ky informacion është i vërtetë, është fakti se ka mundësi që anëtarë të ish-qeverisë komuniste të kenë futur spiunë në Ambasadën Amerikane”, shkruan Kokalari. Më tej në letër përmendet edhe kryeministri Berisha, por edhe ish kryeministri Fatos Nano, si ish anëtarë të Partisë Komuniste dhe i konsideron ata si dy prej spiunëve në ambasadë. “Kjo mund të jetë shumë e rëndësishme sepse mund të thotë që këta individë mbajnë lidhje të ngushta me qeverinë shqiptare (Kryeministri Sali Berisha ishte anëtar i partisë komuniste) kanë shërbyer si një rrjet inteligjent brenda ambasadës tuaj. Për më tepër, kjo gjë mund të shpjegojë gjithashtu të dhënat që ish-kryeministri Fatos Nano kishte burime inteligjence brenda Ambasadës për shkak të faktit se ai ka qenë një anëtar kyç i ish-regjimit komunist dhe mban lidhje të ngushta me “ish-sigurimin", vazhdon letra. Në përfundim të saj Kokalari sqaron edhe arsyet e letrës dhe informacionit që jep. “Si qytetar i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, unë pyes nëse ju e investigoni këtë çështje dhe përcaktoni nëse ndonjë nga informacionet që dhamë më lart kishte ndonjë gjë të bazuar në fakt real. Vëmendja juaj e menjëhershme dhe përgjigja kërkohet me shumë respekt”, përfundon letra e Geri Kokalarit.
>
Krijoni Kontakt