Projekti "Shtraus" dhe " shansi i humbur"

Çfarë ndodhi në vitet ‘80, kur gjermanët dhe shqiptarët (ri)vendosnin marrëdhëniet diplomatike mes tyre



Gjatë ketije shkrimi trajtuam marrëdhëniet, apo më mirë këmbimet dypalëshe mes shqiptarëve e gjermanëve, kontributin e tyre të konsiderueshëm në shumë fusha, duke bërë kësisoj të mundur shpesh edhe njohjen, dhe pse jo duke ndikuar edhe në përparimin, sado modest, të vendit tonë, përkrah kombeve e shteteve të tjera evropiane.

Nga ana tjetër, u ndalëm më konkretisht në këmbimet e nivelin e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe shteteve të reja gjermane në realitetet që solli Lufta e Ftohtë, ku gjithashtu trajtuam në mënyrë kronologjike edhe problematikën që u bë, le të themi, "nyja gordiane" për vendosjen e lidhjeve diplomatike mes Tiranës e Bonit përgjatë gjithë viteve ‘70 e ‘80, deri sa mbërritëm në hapin final, pra vendosjen e tyre në vjeshtën e vitit 1987.

Por, pikërisht në vitet tetëdhjetë, të cekura disi tangent, meritojnë për shumë arsye, vëmendje të veçantë.

Na duhet të theksojmë se çdo gjë, në të dyja shkrimet e mëparshme, u referohet thuajse plotësisht burimeve mediatike e dokumentare gjermane, për të cilat ne, jo domosdoshmërish mund të binim dakord me të gjitha konstatimet që hasen atje, e mund të vihen re edhe lapsuse, sidomos në numrin e parë, ku përmendet shekulli i 17-të dhe në këtë kontekst, edhe "kurora e Bizantit", e cila sigurisht që nuk përkon me realitetet historike.

Nëse do t‘u riktheheshim pastaj sërish viteve tetëdhjetë, ia vlen të ndalemi në vlerësimet e shtypit, analizat e komentet e bëra asokohe, të cilat hedhin më shumë dritë mbi arsyet e shkaqet që çuan në vendosjen e këtyre marrëdhënieve në një moment aq të vonë, sa me të drejtë prej shumëkujt (megjithëse duhet pohuar se në këtë aspekt ka pasur edhe ndonjë teprim) cilësohen me keqardhje si "Shansi i humbur".

Në fakt, këtë përcaktim mban si titull edhe një libër (ese) botuar nga Y. Minxhozi në vitin 1999, i cili rreket të ndriçojë me fakte e dëshmi konkrete, duke pasur në qendër të vëmendjes, periudhën e dy vizitave "private" të personalitetit e mikut të madh të shqiptarëve, ish-kryeministrit bavarez, Franc Jozef Shtraus, përkatësisht në vitet 1984 e 1986.

Po ashtu edhe në një intervistë të fundit të dhënë në njërën prej mediave shqiptare ditët e fundit, nga i biri i tij, Maks Shtraus, sërish ajo çka ndodhi asokohe mes Shqipërisë e RFGJ-së konsiderohet po kështu pa mëdyshje si "Shansi i humbur". Po këtë përcaktim gjejmë gjithashtu po të rrëmojmë edhe në enciklopeditë apo referencat që i bëjnë homazh veprës së Shtrausit, ku një vend të veçantë, sigurisht, zënë dhe vizitat e tij të famshme në Shqipëri.

Por është pikërisht kjo periudhë kur në Tiranë u regjistrua edhe njëra nga vizitat më spektakolare të një personaliteti të huaj në Shqipëri, ish-ministrit të Jashtëm gjerman, Hans-Dietrich Genscher, gjithsesi, pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike zyrtare mes dy vendeve, e cila në fakt nuk përbën objektin e shkrimit tonë.

***


"Me tri milionë banorët e saj, Shqipëria është një vend i vogël. Volumi i xhiros së këmbimeve tregtare me të është po ashtu i vogël dhe në vitet e fundit ai ka treguar madje edhe një tendencë në ulje. Kjo pra është dhe situata e këmbimeve ekonomike mes dy vendeve nga gjysma dytë e viteve tetëdhjetë, të cilën na e paraqet një nga pasazhet e saj media gjermane asokohe. Më tej: A mos është Shqipëria, me të cilën Boni tashmë po vendos marrëdhënie diplomatike, një partner i parëndësishëm? Kjo është njëra ndër pyetjet kyçe të ngritura prej gjermanëve, e cila gjendet në studimet e analizat e tyre me këtë rast.

Qysh në shkurt 1982, një gazetar gjerman dhe njohës i mirë i Ballkanit, Heiko Flottau, në një shkrim për "Sueddeutsche Zeitung" të datës 12.02.1982, kësaj pyetjeje i përgjigjej kështu:

Boni, nëpërmjet eksporteve me Shqipërinë, me siguri nuk korr dot ndonjë përfitim të madh. Por në aspektin politik, në rastin e Shqipërisë, qysh prej tërheqjes së kinezëve është lënë pa shfrytëzuar një hapësirë e madhe. Rendi shoqëror e politik i Shqipërisë sigurisht që nuk u përgjigjet përfytyrimeve perëndimore. Ky rend, megjithatë, nuk ndryshon shumë nga ai i vendeve të tjera socialiste me të cilat Boni me kohë ka ndërtuar marrëdhënie e kontakte të mira. Në politikën e tij për të ruajtur sa mundet "status-quo"-në në Ballkan dhe të kufizojë kësisoj sa më shumë ndikimin e Moskës, Boni në radhë të parë mbështetet te Jugosllavia. Por nuk mund të ngremë asnjë dyshim se një Shqipëri tërësisht e pavarur nga Moska kontribuon në stabilitetin e Ballkanit, po aq sa dhe një Jugosllavi e paangazhuar. Do të kishte qenë një gabim i rëndë politik ta neglizhonim edhe më tej për një kohë të gjatë këtë fakt".

Ky është dhe një ndër përcaktimet që mbahet si lajtmotiv i gjermanëve për t‘u paraprirë hapave të tyre konkretë për normalizimin e marrëdhënieve me Shqipërinë. Duhet pohuar nga ana tjetër, se edhe Shqipëria e dinte shumë mirë që, megjithëse kishte marrëdhënie tashmë sërish të normalizuara e në një shkallë më të gjerë me ish-RDGJ -në, rolin kyç në të gjitha marrëdhëniet me gjermanët do ta luante vetëm Boni dhe jo Berlini Lindor.

Gjithashtu, në Tiranë, prej kohësh tashmë ishte artikuluar mendimi se populli gjerman kishte të drejtën e vet të patjetërsueshme të rronte në paqe e i bashkuar, gjë e cila deri diku binte në kundërshtim me traktatet e deriatëhershme dhe gjithashtu konsiderohej si një tabu.

Por ky qëndrim i Tiranës, që duhet thënë se në këtë rast gjente një referencë shumë të mirë për përmbushjen edhe të aspiratave kombëtare shqiptare që po ravijëzoheshin sërish në realitetet e reja pas vdekjes së Titos, gjithsesi kishte mbërritur edhe në veshët e gjermano-perëndimorëve, të cilët e shihnin si një detyrim të madh kushtetues arritjen e ribashkimit në një Gjermani të vetme dhe kësisoj e vlerësonin në maksimum qoftë edhe një mbështetje të vogël që vinte nga një vend si Shqipëria.

Nga ana tjetër, mosangazhimi i Shqipërisë në ndonjë bllok ushtarako-politik, shihej padyshim si një ogur i mirë për Bonin për sa u përket synimeve të tij për të mbajtur sa më larg Moskën dhe ndikimin sovjetik në rajon.

Në fakt, siç del edhe nga konstatimi i sipërpërmendur në mediat gjermane, qysh në vitin 1982, RFGJ-ja, por edhe i gjithë Perëndimi asokohe, për arritjen e këtij synimi mbështetej në radhë të parë te Jugosllavia (gjithsesi, tashmë jo më e Titos), por nuk mund të lihej jashtë vëmendjes, siç ishte bërë deri më tani, edhe Shqipëria.

Ndërkohë, për Shqipërinë asokohe gjenden edhe referenca të tilla në faqet e mediave të shkruara e dokumentet arkivore e studimore gjermane, që sigurisht të bëjnë të mendosh për një farë frike apo mosbesimi ndaj shqiptarëve, për shkak të standardeve të ulëta që ata kishin në demokraci dhe gjithashtu në mentalitetin e tyre të rrënjosur ndër shekuj. Kështu, ata në vazhdën e kësaj që sapo thamë, shkruanin:

A di të thotë ndokush më shumë për kontributin që gjermanët kanë dhënë ndër shekuj për ngritjen e vetëdijes kombëtare ndër shqiptarët dhe për konstituimin shtetëror të këtij vendi?

Kur bie ndonjë herë fjala për Shqipërinë në Gjermani, atëherë ajo vërtitet rreth një konteksti që të çorodit disi.

Shqipëria ngjan si një vend ku religjioni, vjedhësit e qentë madje u zhdukën me mjete të ashpra e të dhunshme; si një vend kryeneç, që është grindur me të gjithë të mëdhenjtë e kësaj bote, duke ia nisur nga Uashingtoni deri te Moska e Pekini dhe që ka preferuar të hidhet në një vetizolim total.

Si vend ku lufta e klasave është e konstituuar me ligj dhe ku praktikohet akoma gjakmarrja, si nxitës i lëvizjeve irredentiste që kërcënojnë për shembull ekzistencën e fqinjit të saj, Jugosllavisë, apo si "atdhe ideologjik" i grupeve të pastra marksiste-leniniste të Republikës Federale etj. Kuptohet se grupet ekstremiste majtiste si "Armata e Kuqe", apo grupime të tjera të ngjashme, të cilat ishin përfshirë në akte terrori në RFGJ gjatë fundviteve shtatëdhjetë, kishin bërë që të nxihej disi edhe imazhi i Shqipërisë si sponsor i menduar i tyre, a në mos të paktën si "atdhe shpirtëror ideologjik" i tyre.

Më tej, në vlerësimet e tyre për këtë hap më të fundit, pra vendosjen e marrëdhënieve mes dy vendeve, gjermanët theksojnë: Shqipëria është dhe vogël e popullsia e saj e pakët në numër, kurse industria e saj e prapambetur dhe ekonomia jo në nivele të dëshirueshme. Në politikën e jashtme Shqipëria duket se ka një rol të dorës së dytë, e izoluar nga pjesa tjetër e botës, e cila nga ana e saj duket sikur e ka mënjanuar atë me qëllim. A është një vend kaq i izoluar në pamje të parë, një partner i parëndësishëm? A ia vlen të kemi marrëdhënie diplomatike me të?

Këto janë pra disa nga pyetjet që lindin për këtë vend, me të cilin Republika Federale Gjermane tashmë po lidh marrëdhënie diplomatike. Një gjë është e sigurt: se ka pasur dikur kohë në të cilat Shqipëria për gjermanët ka qenë edhe më e panjohur, e madje më e huaj se sa sot. Këto kohë madje nuk janë shumë të largëta.

Dhe nëse marrëdhëniet e sapolidhura do të ndihmojnë që gjermanët t‘i njohin e kuptojnë më mirë shqiptarët- pasardhësit e banorëve më të hershëm të Ballkanit -atëherë ato ia kanë arritur në thelb qëllimit të tyre.


***



Në vizitën e tij të parë në Shqipëri, Franc Jozef Shtraus u largua me duar bosh dhe nga udhëheqja shqiptare nuk u arrit të merrej as dhe një premtim bosh për vendosjen e marrëdhënieve formale zyrtare. "...i bëra vetëm një vizitë kortezie zëvendëskryeministrit shqiptar, Manush Myftiu. Ajo s‘kishte asnjë rëndësi politike. Qëndrimi im në Shqipëri u kufizua kryesisht vetëm te disa vizita në qendra të ndryshme historike e arkeologjike të këtij vendi të çuditshëm". Kjo ishte ajo çka ai do të thoshte për vizitën e tij të parë për "Bild Zeitung" më 21 gusht 1984, për shembull, menjëherë pas vizitës së tij të parë.

Ndërkohë, vetëm tetë muaj pas vizitës së tij të parë në Tiranë vdes Enver Hoxha dhe gjërat në këtë aspekt sërish dukeshin të ngrira, pasi shqiptarët, çuditërisht, akoma këmbëngulnin tek e njëjta pikë, me gjithë sinjalet e shumta se tashmë vendosja e marrëdhënieve mes Tiranës e Bonit ishte vetëm një formalitet.

Nga fillimi i vitit 1986, në shtypin gjerman e atë të huaj nisi të shkruhej edhe mbi takimin e Vjenës mes përfaqësuesve gjermanë e atyre shqiptarë.

Mediat gjermane e kishin vlerësuar atë takim si një sukses, pasi ishte marrë paraprakisht premtimi i Tiranës për t‘i dhënë OK vendosjes së këtyre marrëdhënieve. Mirëpo gjërat nuk do të ecnin fjollë dhe sërish do të riniste për të disatën herë "telenovela e stërzgjatur e pretendimeve për reparacione", të cilën e artikulonte si në tym, në mënyrë të çuditshme, shefi fuqiplotë i delegacionit shqiptar për bisedimet me palën gjermane në Vjenë, Sofokli Lazri.

Kështu që edhe takimi, apo më mirë takimet e Vjenës, do të mbylleshin një herë e mirë pa asnjë rezultat e marrëdhëniet do të vendoseshin vetëm pas 18 muajsh, kur shumëçka kishte ndryshuar në objektivat e konceptimet e Gjermanisë, duke zhvendosur Shqipërinë disa kate më poshtë në axhendën e saj të veprimit politik.

Kjo, madje do të bëhej më evidente në vitet që pasuan, pasi ngjarje të mëdha të përmasave historike do të ndodhin për Gjermaninë, por edhe për Shqipërinë e mbarë njerëzimin.

Do të rrëzohej Muri i Berlinit, nga i cili nuk shpëtoi dot, në një farë mënyre, as Shqipëria.


Vizitat e Shtrausit

Kronikë e një dështimi të paparalajmëruar


Më 19 maj 1986, pak më shumë se dy vjet pas vizitës së tij të parë në Shqipëri, Franc Jozef Shtraus "zbarkon" në aeroportin e Rinasit me një avion të vogël, të cilin e drejtonte personalisht. Ndryshe nga hera e parë, kur ai kishte mbërritur në Shqipëri nga kufiri me Malin e Zi, domethënë Jugosllavinë. Në krah kishte me vete edhe atë që më vonë do të cilësohej si "Luani i Bavarisë", nxënësin e tij, Edmund Shtoiber, i cili pra do të ngjiste shkallët e karrierës e do të bëhej më pas Kryeministri i landit, e do të rivalizonte për postin e kancelarit federal vite më vonë edhe me Gerhard Shrëderin. Megjithëse në një intervistë të tijën për gazetën "Bild" të datës 20 maj 1986 ai shprehej se "...tashmë kishte ardhur koha për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve, pasi Shqipëria ka hequr dorë nga kërkesa e saj për dëmshpërblime", sërish në bisedat me Kryeministrin Çarçani, çuditërisht shfaqen pretendimet e mëparshme, duke i argumentuar ato me faktin se" Shqipëria, bashkë me vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me RFGJ-në, kërkon edhe një sadisfaksion moral, lidhur me të drejtën e saj të ligjshme për çështjen e njohjes së dëmeve që ajo ka pësuar nga Lufta e Dytë Botërore".

Duke kërkuar shpjegim për atë që shqiptarët kuptonin me termin "sadisfaksion moral", biseda më pas duket se e mërziti Shtrausin, i cili solli me vete edhe një projekt të vetin, që më pas duhej të bëhej realitet në kuadër të bashkëpunimit ekonomik gjermano-shqiptar.

Kështu, qeveria shqiptare duket se e la në hije çështjen e marrëdhënieve, e cila, siç thamë, nuk u mbyll dot me sukses në të dyja vizitat e Shtrausit, po u përqendrua vetëm te "projekti Shtraus", duke renditur menjëherë një listë emergjente nevojash ekonomike, të cilat duhej t‘i financonte qeveria bavareze.

Aty flitej për një projekt afatgjatë që kapte harkun e vitit 2020, vlera e të cilit varionte sipas ecurisë së projektit, nga 800 milionë deri në 2,5 miliardë marka gjermane. Por e gjitha kjo dukej si një komedi, pasi shqiptarët morën një shuplakë nga qeveria federale, e cila nuk mund të pranonte të lëvronte një ndihmë kaq të madhe, pa vendosur më parë marrëdhëniet diplomatike.

Këto marrëdhënie u vendosën vetëm në shtator të vitit 1987 (praktikisht në tetor), thuajse një vit e gjysmë pas ardhjes së dytë të Shtrausit në Tiranë. Ndërkohë, oferta e parë gjermane për të vendosur marrëdhënie me Shqipërinë ishte artikuluar plot tetëmbëdhjetë vjet më parë. Tashmë Shqipëria kishte humbur shumë kohë e bota ishte në prag të ndryshimit. Ajo e kishte kapur trenin e fundit, por ishte shumë vonë, me gjithë shpresat e mëdha të shqiptarëve.


Dr. Bashkurti: Diplomacia shqiptare, miope

Shtrausi parashikoi kolapsin e Bashkimit Sovjetik

Pas vdekjes së Enver Hoxhës, shumë analistë konstatojnë me të drejtë se interesimi për Shqipërinë u rrit së tepërmi, sidomos i vendeve perëndimore. Por, elita politike dhe diplomatike shqiptare ishte asokohe shumë e ngurtë dhe konservatore, pasi kishte vite që ishte shkëputur nga kontaktet me botën e jashtme. Ngaqë politika e shtetit të Enver Hoxhës ishte ajo vetizoluese- konstaton në njërën nga vëllimet e tij mbi zhvillimet e diplomacisë shqiptare ambasadori Lisen Bashkurti, asokohe edhe vëzhgues nga afër i atyre zhvillimeve -kjo reflektohej më pas edhe te diplomacia. Ishte shumë e vështirë të riaktivizoheshin linja, instrumente dhe njerëz të tjerë për ta çarë këtë rrugë. Por nuk ka dyshim se momenti më i rëndësishëm që dëshmon qartë iniciativën perëndimore ndaj vendit tonë asokohe është dhe mbetet interesimi i Gjermanisë Federale.

Në fakt, konstaton Bashkurti në veprën e tij, interesi i Shtrausit dhe i Gjermanisë nuk kufizohej vetëm për Shqipërinë. Para së gjithash, interesi i tyre ishte për Jugosllavinë. Qëllimi strategjik i Gjermanisë Federale ishte të bashkonte dy Gjermanitë, të ndara pas Luftës së Dytë Botërore. Pengesa bazë për arritjen e këtij qëllimi ishte pra Bashkimi Sovjetik, ndaj dhe ky vend duhej dobësuar jo me mjete ofensive e të dukshme, por në një mënyrë më fine. Kjo do të arrihej nëpërmjet dy rrugëve: dobësimit të tij të brendshëm nga pikëpamja ekonomike, por edhe nëpërmjet shkëputjes së aleatëve të tij rajonalë.

Shtrausi mund të konstatohet lehtësisht se kishte informacion të bollshëm mbi zhvillimet politike në Bashkimin Sovjetik. Ai kishte arsye të mendonte se kishte nisur degradimi i brendshëm politik dhe ekonomik. Por nuk hasej ky mendim ndërkohë te pala shqiptare, që besonte akoma se BRSS ishte një fuqi e madhe globale që vazhdonte të fuqizohej, duke u bërë më agresive në marrëdhëniet ndërkombëtare, konstaton Dr. Lisen Bashkurti.


Çfarë përfaqësonte Shtrausi?

Vetë Shtrausi ishte përfaqësues i një rryme politike konservatore që binte në kundërshtim me idetë e mbrojtura nga një rrymë më liberale e më tolerante ndaj Bashkimit Sovjetik e satelitëve të tij, të përfaqësuar më së shumti nga Vili Brandt apo dhe Hans Dietrich Genscher, i cili ishte ministër i Jashtëm në qeverinë federale të udhëhequr nga Helmut Kohl. Ai ishte për "prekjen e zonave të influencës sovjetike", le të themi kështu, duke u përpjekur të joshte sa më shumë pas vetes vendet e Evropës Qendrore e Lindore, që ai i ndjente se e shihnin Gjermaninë si shembullin e partnerit real ekonomiko-politik të së ardhmes.


Gjermanët dhe shqiptarët në 1987:

Për Jugosllavinë posttitiste jemi në një mendje


Një çështje tjetër që prekte interesin e dy palëve gjatë vizitave të Shtrausit ishte Jugosllavia posttitiste, ku këtë radhë pati dhe përputhje të plotë mendimesh mes Kryeministrit bavarez dhe linjës së politikës shqiptare asokohe. Në këtë rast, të dyja palët mendonin se Jugosllavia e pastitos do shkonte shumë shpejt drejt krijimit të tensioneve të mëdha të mbarsura me konflikte etnike, por edhe problemin e madh që shfaqej në horizont, të interesave që lidheshin me pagimin e borxhit dhe të kredive të mëdha që Jugosllavia u kishte marrë vendeve perëndimore dhe që po ballafaqohej me kërkesat insistuese të Fondit Monetar Ndërkombëtar.




"Në politikën e tij për të ruajtur sa mundet ‘status-quo‘-në në Ballkan dhe të kufizojë kësisoj sa më shumë ndikimin e Moskës, Boni në radhë të parë mbështetet te Jugosllavia. Por nuk mund të ngremë asnjë dyshim, se një Shqipëri tërësisht e pavarur nga Moska kontribuon në stabilitetin e Ballkanit, po aq sa dhe një Jugosllavi e paangazhuar. Do të kishte qenë një gabim i rëndë politik ta neglizhonim edhe më tej për një kohë të gjatë këtë fakt"

gazeta-shqip