PDK kërkon komision hetimor

Arbër Vllahiu
Korrespondent i BBC-së në Prishtinë



Grupi parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) i ka dorëzuar Kuvendit të Kosovës një kërkesë për krijimin e një Komisioni parlamentar për të hetuar përfshirjen e mundshme të, siç thuhet, anëtarëve të qeverisë kosovare në krimin e organizuar.
PDK ka thënë se pret që edhe organet e hetuesisë të fillojnë të hetojnë këtë rast.
Në kërkesën e tij, Grupi Parlamentar i PDK-së ngul këmbë që komisioni të merret me hetimin e një varg çështjeve që thotë se lidhen me krimin e organizuar dhe përfshirjen e mundshme të anëtarëve të Qeverisë së Kosovës në atë rrjet.
Në kërkesë veç tjerash thuhet se hetimet duhet të përfshijnë implikimet e mundshme të anëtarëve të kabinetit qeveritar në rastet e krimeve ordinere, të vrasjeve, krimeve ekonomike dhe një varg krimesh të tjera.
Anëtari i kryesisë së kësaj partie, deputeti Enver Hoxhaj ka bërë me dije se kërkesa e partisë së tij ka për qëllim vendosjen e praktikës së transparencës së institucioneve të Kosovës.
PDK kohë më parë i ka dorëzuar misionit të OKB-së në Kosovë një të ashtuquajtur dosje për qeverinë kosovare, në të cilin jepen, siç thuhet, hollësi të implikimit të mundshëm të anëtarëve të qeverisë në krim të organizuar.
Dosja e PDK-së është përfolur në opinionin e Kosovës, por anëtarët e saj kanë refuzuar të japin më shumë hollësi për akuzat që kanë drejtuar nga qeveria e Kosovës.
Veç tjerash, PDK ka kërkuar zbardhjen e disa rasteve të shpërthimeve, pëfshirë edhe atë ndaj kolonës së presidentit të Kosovës kohë më parë dhe mundësinë e përfshirjes së ndonjë anëtari të qeverisë së Kosovës në siç thuhet, grupet paramilitare.
Dorëzimi i dosjes për qeverinë në UNMIK, tha Enver Hoxhaj, është bërë për faktin se administrate ndërkombëtare është ajo që ka kompetenca për t’u marrë me këtë problematikë.
Sidoqoftë, kjo dosje e PDK-së ka disa ditë që përflitet në mediat kosovare.
Madje përfolja ka shkuar larg duke ndërlidhur persona të caktuar të qeverisë me raste të ndryshme.


marre nga, BBC