• Prezantimi i fuoristradës së re u organizua si ceremoni, në të cilën morën pjesë politikanë, përfaqësues të trupit diplomatik, institucioneve fetare, medias, biznesit e qytetarë të ndryshëm.

Me një spektakël të rrallë, H.L. Group Albania ka prezantuar pranë ambienteve të saj në autostradën Tiranë-Durrës, modelin më të fundit të automjetit “BMW X5”. Prezantimi i fuoristradës së re u organizua si ceremoni, në të cilën morën pjesë politikanë, përfaqësues të trupit diplomatik, institucioneve fetare, medias, biznesit e qytetarë të ndryshëm. Të ftuarit u përshëndetën nga pronari i kompanisë H.L. Group, Harri Lena, i cili i falënderoi për pjesëmarrjen dhe bëri një prezantim të shkurtër të aktivitetit në Shqipëri të markës së fuqishme gjermane të prodhimit të makinave BMW. Më pas, të pranishmit ndoqën spektaklin prezantues, që i parapriu zbulimit të makinës së re, e cila është promovuar njëkohësisht në të gjithë Europën.

Të rejat

Ka mjaft risi, modeli i fuoristradës më të preferuar për shqiptarët. Është e paktë të thuhet se ai përbën në shumë drejtime mishërimin e standardeve krejtësisht të reja në fushën e fuoristradave. Në të shkrihen organikisht së bashku motorët me katër ose gjashtë cilindra, një sistem unik amortizimi, teknologjia ekskluzive “xDrive” e kombinimit të katër rrotave lëvizëse, etj. Tashmë, BMW e re “X5” është e vetmja fuoristradë, që bashkon “sistemin aktiv të drejtimit” dhe sistemin “adaptive drive”, që është një kombinim i kontrollit të stabilitetit të automjetit me kontrollin elektronik të ecjes në rrugë të lagësht. Makina është e pajisur edhe me goma të një teknologjie të re në seri. Eleganca e fuqishme e dizajnit të jashtëm, së bashku me ambientin e brendshëm elastik dhe elegant, thekson qartë karakterin dinamik të BMW-së së re. Ato prezantohen për publikun me motorë 4.8 litra V8 (350 kuaj fuqi) ose 3 litra, gjashtë cilindra në vijë të drejtë me 260 kuaj fuqi.

Modeli

Që nga viti 1999, kur u hodh për herë të parë në treg, numërohen 580.000 “BMW X5” të shitura në mbarë botën. Performanca e veçantë i siguroi modelit një sukses të jashtëzakonshëm. Që tani grupi gjerman synon ta çojë më tej, duke arritur me të vërtetë majat e mundësisë së industrisë bashkëkohore automobilistike. Veç të tjerash, makina e re është e pajisur në seri edhe me sistem automatik këmbimi të gjashtë marsheve, përveç faktit që hapësira më e gjerë ofron lirisht vendosjen dhe qëndrimin në të të shtatë pasagjerëve. Grupi BMW është një prej prodhuesve më të suksesshëm të makinave anembanë botës. Me rreth 120.000 punonjës dhe mijëra partnerë dhe kontraktore biznesi ndërkombëtarë, BMW është gjithashtu një nga punëdhënësit më të mëdhenj. Besimi i BMW në konceptin e lëvizshmërisë individuale moderne theksohet nga partneritetet dhe filialet e shumta ndërkombëtare, si dhe mbi 100 importues.
Kompania “H.L. Group Ltd”, një partner i pavaruar i BMW AG është pjesë e rrjetit botëror të BMW dhe ndan me të këtë histori unike suksesi. Në showroom-in e kompanisë në qytetin e Tiranës, importon dhe shet automobila BMW të një performance luksi, automjete aktiviteti sportiv, makina “Mini” dhe motorë të një klasi të lartë. Tre vjet më parë, kompania “H.L. Group Ltd” filloi me angazhimin për të garantuar mbështetjen e plotë të klientit dhe servisin ekspert para dhe pas dorëzimit të makinës, me një staf të specializuar sipas standardeve ndërkombëtare të BMW.

Gazeta Shqiptare.