Konferenca e Paqes e Parisit, Lidhja e Kombeve dhe Konferenca e Ambasadorëve

Çështja shqiptare pas Luftës së Parë Botërore (1918-1921)
“Shqipëria dhe çështja shqiptare pas luftës së parë botërore (1 nëntor 1918 - 9 nëntor 1921 - historia politike, statusi dhe kufijtë), është një përpjekje për të trajtuar historinë politike të Shqipërisë në një hark kohor që përfshin periudhën nga përfundimi i Luftës së Parë Botërore deri në përcaktimin e statusit ndërkombëtar të këtij shteti dhe kufijve të tij, më 9 nëntor 1921.

Përveç historisë politike, monografia merret gjerësisht me trajtimin diplomatik të Çështjes Shqiptare pas Luftës së Parë Botërore, gjegjësisht në Konferencën e Paqes së Parisit dhe në Konferencën e Ambasadorëve që e pasoi atë, deri në zgjidhjen përfundimtare në parim të çështjes së statusit dhe kufijve, më 9 nëntor 1921
Monografia përbëhet nga Hyrja, 12 Kapituj, Përfundimet dhe Bibliografia.

Punimi është fryt i një punë intensive dyvjeçare, kryer gjatë viteve 2005-2006, periudhë në të cilën autori qenë i atashuar pranë London School of Economics and Political Science , gjegjësisht pranë Center for the Study of Global Governance (CSGG), si Research Fellow. Kjo periudhë ka shërbyer për të bërë një kërkim intensiv pranë Public Record Office (National Archives) në Kew Gardens (Londër) dhe njëkohsisht për të shfrytëzuar bibliotekën më të pasur të shkencave politike dhe sociale të Mbretërisë së Bashkuar, pra, biblioteken e LSE dhe bibliotekën e School of Slavonic and East European Studies (University College of London).



Prof. Romeo Gurakuqi
Tri vitet që pasuan Luftën e Parë Botërore janë vitet në të cilat rinis procesi i themelimit të shtetit shqiptar, në aspektin e brendshëm institucional, ashtu edhe në planin ndërkombëtar: njohja e statusit dhe e kufijve të tij. Themi rinis, sepse përpjekjet e para të brendshme më 1912, 1913 dhe 1914, u fundosën nga trazirat sociale, politike dhe fetare, gjegjësisht nga kryengritja e Shqipërisë së Mesme dhe nga përpjekjet uzurpatore të Esad Pashë Toptanit, si dhe nga zhvillimet që pasuan fillimin e Luftës së Parë Botërore.

Pushtimet malazeze dhe serbe, e më pas ato austro-hungareze, franceze dhe italiane fshinë strukturat institucionale shtetërore të shtetit të parë shqiptar pas çlirimit nga Perandoria Osmane. Megjithatë, zonat austro-hungareze, franceze dhe italiane, nën të cilat u vendos pjesa më e madhe e Shqipërisë, pas dezintegrimeve që pësuan ushtritë malazeze dhe serbe, përjetuan periudha të qeta, në të cilat jeta sociale dhe kulturore e shqiptarëve pësoi zhvillime të konsiderueshme në orientimin përparimtar. Kjo vinte, sepse pushtimet respektive ndryshonin thelbësisht nga ai i vjetri otoman dhe nga pushtimet grabitçare të vendeve të reja ballkanike.

Bëhej fjalë kryesisht për zona strategjike okupimi, nën të cilat jeta ekonomike, kulturore dhe arsimore e shqiptarëve u zhvillua me ritme të kënaqshme, krahasuar me periudhën turke. Sidomos në zonën austro-hungareze dhe atë franceze, mund të themi që shqiptarët përjetuan një periudhë rilindjeje të dytë, në aspektin arsimor dhe kulturor. Në një farë mënyre, hyrja e trupave austro-hungareze u mirëprit nga një numër shqiptarësh për shumë arsye:

Së pari, këto trupa nxorën jashtë Shqipërisë dhe Kosovës trupat serbe dhe malazeze; së dyti, për shkak se kjo perandori ka qenë arkitektja kryesore e krijimit të shtetit shqiptar më 1912-13; Së treti, në Shqipëri austriakët garantuan një autonomi të kufizuar të brendshme, nën të cilën u krijua një administratë civile e përbërë nga shqiptarë dhe në gjuhën shqipe, u ndërtuan një numër rrugësh dhe urash, dekovili, u financuan dhe u mbajtën shkollat shqipe, u mbështetën botimet e librave dhe gazetave në gjuhën shqipe dhe studentët shqiptarë u dërguan në shkollat austriake.

Edhe në pjesën tjetër të Shqipërisë, në zonën e Korçës, që ndodhej nën fuqinë tjetër kundërshtare, Francën, pati zhvillime të ngjashme në aspektin e zhvillimit politik, kulturor dhe arsimor. Përndryshe, në zonën italiane zhvillime pozitive janë vënë re në aspektin e ndërtimit të disa linjave kryesore të komunikimit.

E gjithë kjo ndikoi që rinisja e vitit 1918 të mos ishte e ngjashme, në aspektin e brendshëm shqiptar, me atë të vitit 1912, por të mbështetej mbi një bazë më të gjerë të burimeve njerëzore, arsimore e kulturore.

Por gjithsesi, në pikëpamje ekonomike, Shqipëria paraqitej një vend që nuk e kishte kapacitetin e nevojshëm për të riprodhuar kapitalet e nevojshme për nxjerrjen e vendit nga situata nënzhvillimore. Një problem mjaft i rëndë që paraqitej në tërësi në shkallë vendi ishte prapambetja e saj arsimore dhe kulturore, e shkaktuar nga ndalimi i arsimimit në gjuhën shqipe gjatë keqqeverisjes së gjatë turke.

Ky nivel i ulët arsimor e bënte jashtëzakonisht të vështirë vendosjen e një sistemi qeverisjeje modern demokratik dhe parlamentar, për shkak të përhapjes së gjerë të analfabetizmit dhe pushtetit të pakufizuar që gëzonin bejlerët e krahinave të ndryshme të vendit. Një problem mjaft i mprehtë, me të cilin do të ballafaqohej vendi ka qenë problemi social, veçanërisht nevoja për një reformë agrare, e ndjeshme veçanërisht në jug të vendit, ku problemi agrar gërshetohej me atë fetar, për shkak se bejlerët e pronësuar nga ish perandoria, zotëronin pjesën më të madhe të tokave, ndërsa fshatarët e krishterë, shqiptarë apo grekë, nuk zotëronin asgjë.

Përndryshe, në aspektin ndërballkanik, Shqipëria u ballafaqua pak a shumë në mënyrë të ngjashme, me të njëjtat vështirësi dhe me të njëjtët aktorë, por që tashmë ndodheshin nën një kontroll më të rreptë prej Fuqive Aleate.

Periudha e marrë në shqyrtim në këtë monografi është ndër më të rëndësishmet e historisë kombëtare, pasi në drejtimin e populli shqiptar, u ofruan intelektualë dhe fisnikë të vërtetë, të shkolluar mirë, kryesisht në Perëndim, të cilët kuptuan drejt që me bashkim mund të rrisnin edhe gjërat e vogla, me mosbashkim edhe të mëdhajat mund t’i shkatërronin.

Është periudha në të cilën populli shqiptar, ndoshta për herë të parë, i përfaqësuar nga kjo klasë intelektuale dhe qytetare e përgjegjshme, diti të ndikojë mbi vendimmarrjen politike të brendshme e europiane, të ruajë të paktën Shqipërinë që kishte fituar më 1913 dhe të mundësojë përfshirjen në diskutim në planet diplomatike edhe të disa krahinave që u ishin marrë padrejtësisht në këtë vit.

Një rol veçanërisht të madh kanë dhënë në këtë drejtim patriotët shqiptarë që qenë shtrënguar të emigronin në SHBA pas vitit 1900. Sipas statistikave të regjistrimit, të cilat kemi pasur mundësinë t’i gjejmë në burimet arkivore britanike, pothuajse të gjithë emigrantët e kësaj periudhe ishin të krishterë ortodoks nga Shqipëria e Jugut. Të brumosur me filozofinë e lirisë, ata luajtën një rol të rëndësishëm në mbrojtjen e çështjes shqiptare pranë organizmave ndërkombëtare dhe pranë qeverisë së SHBA.

Një pjesë e tyre madje u kthye në Shqipëri me një qëllim të qartë dhe krejt ideal: ndryshimin rrënjësor të situatës në Shqipëri, nëpërmjet reformave të menjëhershme politike, institucionale dhe sociale, në mënyrë që të copëtonin dhe zvogëlonin pushtetin ekonomik dhe politik të bejlerëve.

Synimi kryesor ishte që forcat e reja intelektuale patriotike, me orientim demokratik dhe perëndimor, të fitonin një zë të rëndësishëm në përfaqësimin e vendit. Por një ndryshim i tillë i menjëhershëm do të rezultojë praktikisht i parealizueshëm. Një prej arsyeve të impaktit të kufizuar të kësaj nisme, duhet të kërkohet në mungesën e koordinimit efektiv mes nukleve me orientime të tilla përparimtare në Veri të vendit....

Atë që në fakt duhej ta bënte qeverisja shqiptare (qeverisjet e caktuara të periudhës 1918-1921), e bënë individë vullnetmirë dhe largpamës, që për fat të keq ishin të paktë. Një rol të rëndësishëm në mbruajtjen e një ndjenje të tillë ka luajtur Arqipeshkvi i Shkodrës, Imzot Jak Serreqi, i cili u kërkoi përfaqësuesve britanikë në Shkodër, marrjen nën mbrojtje nga ky shtet të Shkodrës dhe Shqipërisë. Ndërsa Mehmet Konica, Dr. Turtulli dhe Mid’hat Frashëri do të kërkojnë mbrojtjen amerikane dhe, në mungesë të saj, atë britanike...

Megjithatë, duke filluar nga periudha e marrë në studim, vërehet në fakt një rënie e politikave të mbështetura tek prijësit dhe të fortët rajonalë dhe fillimi i ndërtimit të politikave të prirura mbi bazën e interesave kombëtare. Është e vërtetë që ky proces tashmë i filluar nuk mund të kishte rikthim. Por, për shkak të bagazhit të prapambetur e shkallës së ulët kulturore që mbante trupi jetësor i vendit, ai është një proces zhvendosjeje progresive që nuk ecën lehtësisht në truallin shqiptar.

Thënë ndryshe, nga kjo kohë filluan të shihen sinjalet e para që besnikëria ndaj prijësve të ndryshëm filloi të konvertohet ngadalë në një besnikëri ndaj qeverisë qendrore. Mirëpo, vërtetë nga skena politike vërehet shuarja graduale e Esat Pashës, por fara që e kishte mbjellë pashain tiranas, ishte brenda vendit, dhe kushtet për riprodhime apo riciklime të ngjashme ishin ende pjellore në Shqipëri.

Të vetmet ndryshime pozitive që do t’i jepnin efektet më vonë, kanë qenë mosvarësia e mëtutjeshme e vendit nga Perandoria Otomane që i kishte hequr klasës së vjetër feudale mbështetjen politike të mëparshme, era e re që frynte në kontinentin e vjetër pas Deklaratës së famshme të presidentit Wilson, e cila nuk mundësonte më ndërtime sistemesh shtetërore obskurantiste. Një ndryshim shumë i rëndësishëm qenë vetë shqiptarët e rinj që po shkolloheshin në perëndim, apo në shkollat laike që drejtonte Kisha Katolike dhe vendet perëndimore në Shqipëri.

Kjo zhvendosje progresive e mekanizmit të funksionimit të politikës shqiptare dhe rajonale nga duart e vjetra, në duart e djalërisë shqiptare, është penguar nga rivaliteti i ashpër në territorin shqiptar në mes Mbretërisë së Italisë dhe Mbretërisë SKS, e në fund nga krijimi i një situate trazire të përhershme nga Greqia në Jug të vendit. Paria politike shqiptare nuk arriti të kapërcejë vështirësitë e krijuara nga ky rivalitet e ndërhyrje, nëpërmjet krijimit të një lobi zyrtar probritanik, apo proamerikan që do të mundësonte mbrojtjen nga Fuqi të tjera larg interesave rajonale.

Për të gjitha këto arsye, zëri në mbrojtje të Shqipërisë në Konferencën e Paqes në Paris nuk ka qenë një, e vizioni i rindërtimit të Shqipërisë se re nuk ka qenë ai që duhej të ishte. E gjithë kjo ka ndikuar në një ndjeshmëri minimale në vendimmarrjen e paqebërësve të mëdhenj, dhe në planin e brendshëm, në fragmentarizimin e qeverisjeve, si në planin hapësinor, ashtu edhe në atë kohor.

Mbi të gjitha, mosgjetja e konsensusit të brendshëm për të ndërlidhur Shqipërinë e viteve 1918, 1919, 1920 me Shqipërinë e viteve 1913, 1914 në pikëpamje institucionale, dëmtoi rëndë përpjekjet për rindërtim paqësor, logjik dhe të monitoruar të institucioneve kushtetuese shtetërore, krijoi pështjellim të brendshëm në atë që mund të quhet klasë politike shqiptare për një periudhë gati 10-vjeçare, krijoi hapësirë më të madhe për ndërhyrje të fuqive ballkanike dhe adriatikase në dëm të Shqipërisë dhe ndihmoi në zgjatjen edhe për tre vite të procedurave, fillimisht politike e më pas ligjore, të zgjidhjes së statusit ndërkombëtar dhe kufijve të shtetit shqiptar.

Paria shqiptare bëri një gabim të rëndë teknik në mbështetjen e kërkesës politike: ajo shkëputi çështjen e njohjes së statusit të Shqipërisë nga vetë Shqipëria si shtet tashmë i formuar, i njohur ndërkombëtarisht më 1913 dhe i institucionalizuar më 1914. Ne nuk mund të themi se një kërkesë e tillë nuk ka ekzistuar, por duke mos qenë e lidhur me të gjithë trashëgiminë e kësaj periudhe, me institucionin e Princit, statutin themeltar shtetëror të përvijuar aso kohë nga vetë Fuqitë (KNK),

qeverisjen etj., kërkesa e mësipërme humbte peshën, krijonte një vakuum të tejzgjatur institucional, linte shkas për rigjallërimin e aventurierëve apo lindjen e të rinjve, mundësonte keqinterpretime, krijonte destabilitet të tejzgjatur politik, ndërsa në planin e jashtëm i jepte një shkas më shumë intepretimit pozitiv të Traktatit të Fshehtë te Londrës e keqinterpretimeve më pas të vendimeve të karakterit operativ të Këshillit Suprem të Fuqive Aleate e ndërlidhjes gati të pafundme të çështjes shqiptare me Çështjen e Adriatikut. Mirëpo ata udhëheqës shqiptarë që e kanë menduar këtë kanë qenë të paktë, e mbi të gjithë ka munguar vullneti i përbashkët për të ndjekur, me ose pa princ Wied-in, legalitetin e vitit 1914.

Rivendosja e Turhan Pashës në krye të qeverisjes së re në dhjetor 1918 nuk e plotësonte dot të gjithë spektrin e kthimit të legalitetit të periudhës së Paraluftës. Mbi të gjitha, një qeveri e venë nën presion dhe në ndonjë parametër edhe nën kontroll nga njëra prej Fuqive të interesuara dhe nënshkruese të Traktatit të Fshehtë të Londrës, e bënte plotësisht infektive përpjekjen për rilindje dhe rikthim të legalitetit.

Ndryshe nga çfarë është shkruar deri më tani, autorit nuk i rezulton se shkalla e kontrollimit të Qeverisë së Përkohshme të Durrësit, nga autoritetet italiane të pushtimit, të ketë qenë deri nivelin e një qeverie kukull. Natyrisht, hapësira në të cilën e ka ushtruar veprimtarinë Qeveria e Përkohshme ka qenë krejtësisht e kufizuar dhe forca imponuese e ushtarakëve italiane ka qenë e madhe. Nga ana tjetër, baza mbi të cilën u ngrit kjo qeveri, ka qenë një lloj marrëveshje për ndihmë të ndërsjelltë në planin ndërkombëtar, gjë që është shkelur tërësisht nga pala italiane.

Politikanët shqiptarë të qeverisë së Durrësit e mbrojtën me dinjitetet të plotë çështjen kombëtare në të gjitha instancat ndërkombëtare, madje duke kundërshtuar edhe qëndrimin e Italisë. Por për shkak të situatës në terren, startit fillestar të saj, kjo qeverisje erdhi duke e humbur gradualisht efektivitetin dhe kuptueshmërinë, e ndërrimi i saj pas Kongresit të Lushnjës, ishte një veprim krejt i logjikshëm dhe përparimtar.

Kongresi i Lushnjës, në një farë mënyre, e la të hapur çështjen e rivendosjes së statusit të vitit 1914, por kjo gjë nuk u shoqërua me një vendosmëri më të madhe në rikthimin e legalitetit të periudhës në fjalë, duke përvijuar rrugën e bisedimeve të mëtëjshme politike, qoftë në planin e brendshëm, e mbi të gjitha në planin e jashtëm.

Gjithsesi, duhet të kemi parasysh se rrethanat politike të vitit 1920 nuk mundësonin debate të pafundme për të mbushur mendjet e të gjithë prijësve fisnorë për rrugën që duhej ndjekur. Momenti kërkonte zgjidhje të shpejta afatshkurta, me hapësira për ndërlidhje afatgjata institucionale. Vetë realiteti shqiptar paraqitej mjaft i ndërlikuar dhe nuk premtonte që një zgjidhje e përshtatshme dhe funksionale të arrihej në mënyrë të përnjëhershme. Në fakt, në pesë vitet që vijuan, Shqipëria përjetoi sistematikisht trazira politike, të cilat u mbyllën vetëm me vendosjen e dorës së fortë të Ahmet Zogut...

Duhet të nënvizojmë se për më se dy vite (nga muaji prill 1919-deri në nënshkrimin e Traktatit të Rapallos, 12 nëntor 1920), problemi i Shqipërisë nuk është trajtuar si një problem me vete, por si pjesë e problemeve madhore, me të cilat u morën paqebërësit e mëdhenj. Pse ndodhi një gjë e tillë? Duhet të kuptojmë se paravërsisht nga Doktrina e Re që Presidenti Wilson promovoi në përfundim të Luftës së Parë Botërore, një pjesë e rëndësishme e problemeve të mbartura dhe të lindura pas Luftës, vazhduan të trajtohen me parimet e Diplomacisë së Vjetër.

Dhe është e kuptueshme që në këtë moment tranzicioni mes dy konceptimeve të punës së diplomacive, sfidat të merrnin trajtime të dyfishta. Arsyeja e dytë ka të bëjë me faktin që, me fillimin e punës së Konferencës së Paqes, Aleatët nuk kishin arritur ndonjë marrëveshje të veçantë në lidhje me Shqipërinë. Për Çështjen Shqiptare, të përfshirë brenda Çështjes së Adriatikut, apo Çështjes Greke, nuk është arritur ndonjë rezultat konkret pozitiv gjatë gjithë vitit 1919. Kthesa e parë pozitive, që ka ndryshuar rrjedhën, së paku të trajtimit të problemit shqiptar, ka ardhur nga nota amerikane e 6 marsit 1920, në bazë të së cilës kërkohej që çështja shqiptare të mos përfshihej në diskutimet e përbashkëta në mes Italisë dhe Jugosllavisë.

Gjithashtu, presidenti Wilson nuk e aprovoi me këtë rast që tokat shqiptare në Veri dhe në Jug të përdoreshin si kompensime territoriale për toka që Jugosllavia dhe Greqia ishin privuar diku tjetër. Ndërhyrja e qeverisë amerikane përbën goditjen e parë të fuqishme ndaj Traktatit të Fshehtë të Londrës e njëkohësisht një zhvlerësim të parë të Marrëveshjes Tittoni-Veniselos. Në thelb, këmbëngulja e presidentit Wilson, në zbatimin e parimit të vetëvendosjes, çoi në kapitullimin e italianëve në lidhje me Shqipërinë, që në tre muajt e parë të vitit 1920. Kjo ndërhyrje bëri që plani britaniko-franco-italian për ndarjen e Shqipërisë të arkivohej dhe Konferenca e Paqes, të mbyllej pa arritur ndonjë marrëveshje për Shqipërinë...

Megjithëse Shqipëria shpëtoi nga pushtimi në Konferencën e Paqes, ajo vazhdoi të mbetej e pushtuar prej ushtrive të huaja. Në këtë moment, vendimtare ka qenë nisma e ndërmarrë nga udhëheqësit nacionalistë, për riorganizimin politik të vendit dhe fillimin e përgatitjeve ushtarake për çlirim. Kongresi i Lushnjës ndërtoi rrugën e Shqipërisë drejt shtetformimit:

Mbajtja e zgjedhjeve elektorale çoi në mbledhjen e së parës Asamble kombëtare legjislative në Tiranë, më 27 mars 1920 dhe fillimin e jetës parlamentare shqiptare; krijimi i një Regjence të përbërë nga katër shtyllat përbërëse fetare të Shqipërisë, ka shërbyer si një zgjidhje e mençur për të mbajtur të balancuar dhe të stabilizuar në këtë aspekt vendin; themelimi i Komitetit të Mbrojtjes Kombëtare shërbeu më pas si një institucion për vendosjen e integritetit të shtetit, një instrument i rëndësishëm për çlirimin e vendit, që hapi rrugën drejt largimit të italianëve nga Shqipëria dhe frenoi serbët nga përparimet e mëtejshme.

Një moment shumë i rëndësishëm i vitit 1920 ka qenë pranimi i Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve me 17 dhjetor 1920. Ky akt shërbeu si një moment i kthesës së plotë në të mirë të çështjes së Shqipërisë, mbasi Shqipëria u njoh si një shtet sovran dhe i pavarur. Ky pranim hap rrugën për diskutimin profesional të një problemi shumë të papërcaktuar në të drejtën ndërkombëtare të asaj kohe; dmth, pranimi i një vendi në Lidhjen e Kombeve a përbënte një akt të barazvlefshëm me njohjen e këtij vendi nga ana e po atyre shteteve që e kishin votuar në këtë organizëm ndërkombëtar?

Ky ka qenë fjalëkryqi që Fuqitë Aleate u përpoqën t’i japin përgjigje juridike dhe politike. Natyrisht, ky problem thjesht teknik nuk ka qenë i vetmi në pengesat që duhej të zgjidhnin Fuqitë Aleate për Shqipërinë, por gjithsesi, zgjidhja e kësaj nyje juridike lehtësoi gjykimin politik dhe asnjanësoi të gjitha përpjekjet e vendeve të interesuara për ta mbajtur Shqipërinë një territor të varur politikisht dhe ushtarakisht.

Mjaft i rëndësishëm mbetet analizimi i qëndrimit britanik. Bëhet fjalë për një Fuqi Aleate pa interesa të drejtpërdrejta në Shqipëri, por një fuqi e vendosur në një pozicion udhëheqës në zgjidhjen e problemeve të mbartura nga Lufta e Parë Botërore, e kësisoj, e interesuar për t’i siguruar stabilitet kontinentit në vjetër në tërësi. Duhet të nënvizojmë se që nga fillimi i Konferencës së Paqes, e në vijim deri në zgjidhjen e statusit të Shqipërisë, vërejmë një rrjedhë të caktuar të qëndrimit të FO në lidhje me Shqipërinë. Në faqet e librit njihemi me hollësi për qëndrimin që ka mbajtur në kohë të ndryshme FO, dhe njëkohsisht me dinamiken e këtij qëndrimi.

Kjo rrjedhë është e përcaktuar nga nevoja për të ruajtur raportet e vendosura me fuqitë kryesore aleate me interesa në rajon dhe Shqipëri, për të pasur të njëjtën përkrahje më pas, në hapësirat ku Mbretëria e Bashkuar mbronte interesat e veta perandorake. Kështu për shembull, fillimisht, politika e jashtme e FO është drejtuar nga nevoja për të mbështetur Francën në planin e Konferencës, e cila, nga ana e saj, mbështeste mëtimet greke dhe jugosllave. Më pas, një rol veçantë në ndjekjen e një orientimi progrek të FO pati mbrojtja që kryeministri Veniselos i bëri çështjes greke në Konferencën e Paqes.

Ndryshimi i qëndrimit britanik ka qenë krejt gradual, shpesh herë me hapa edhe prapa, varësisht zhvillimeve të problemeve madhore në lidhje me çështjen shqiptare, dhe ndërlidhur me fillimin e zbatimin nga ana e FO të parimeve të Diplomacisë së Re.

Megjithatë, duhet të thuhet se që në fillim britanikët nuk kanë qenë në të mirë të mëtimeve të padrejta të jugosllavëve për sa i përket Shqipërisë së Veriut, ndërsa për sa i përket Shqipërisë së Jugut, ky qëndrim ka qenë në të mirë të dhënies së pjesës më të madhe të Shqipërisë së Jugut Greqisë, por është rrotulluar 360 gradë, në fund të periudhës, së bashku me ndryshimin e qëndrimit të diplomacisë franceze e varësisht kundërshtimit serioz të diplomacisë amerikane në këtë çështje.

Për sa i përket Shqipërisë së Jugut një ndikim të veçantë ka pasur marrja e informacioneve të besueshme, veçanërisht nga konsulli Eyres, se popullsia e këtij rajoni ishte e kënaqur me qeverisjen e qeverisë shqiptare të Tiranës gjatë vitit 1921, dhe se popullsia ortodokse shqiptare ishte një realitet ekzistues, madje mazhoritar në këtë krahinë. Kur në fund të muajit prill 1921 qeveria shqiptare i kërkoi Këshillit të Lidhjes së Kombeve t’u jepte një zgjidhje përfundimtare problemeve që kishin lidhje me Shqipërinë dhe çështja u kalua për shqyrtim në Konferencën e Ambasadorëve, diplomacia britanike, me sa kuptohet, e kishte ndarë mendjen në dhënien sa më parë të zgjidhjes së problemit dhe i vetmi shqetësimi procedural për te, mbetej ai i zgjidhjes juridike të problemit.

Në planin politik probleme më vete paraqitej edhe kapërcimi i këmbënguljeve të fundit e të pasinqerta të Italisë, dhe mundësia e goditjeve të papritura, të minutës së fundit, prej anës së shteteve të papërgjegjshme ballkanike (Greqia dhe Mbretëria SKS). Është vendi këtu të bëjmë një dallim thelbësor në mes Greqisë dhe Mbretërisë SKS: Qenia e Veniselos-it në krye të qeverisë greke u ka mundësuar Aleatëve një kontroll të plotë të politikës greke në lidhje me Shqipërinë e Jugut, duke shmangur plotësisht veprimet e pakontrolluara ushtarake të ekstremistëve.

Krejt e kundërta ka ngjarë me qeverinë e Beogradit, e cila, e kontrolluar nga klanet më të fuqishme serbomëdha, ka qenë plotësisht e pamenaxhueshme për Fuqitë Aleate në politikën e veprimet ushtarake ndaj Shqipërisë së Veriut. Ndryshimi dhe serioziteti me të cilën e trajtoi diplomacia britanike, e drejtuar nga Earl Curzon-i, çështjen shqiptare në muajt e fundit para zgjidhjes përfundimtare, pat si rezultat kërkesën këmbëngulëse dhe refuzimin e Lord Curzon-it që çështja shqiptare të vazhdohej të trajtohej si pjesë e zgjidhjes së përgjithshme të problemeve të Adriatikut dhe Ballkanit.

Ndërsa, për sa i përket Italisë, duhet të themi se, kur ajo hoqi dorë përfundimisht prej Traktatit të Fshehtë të Londrës së vitit 1915 (edhe kjo është relative, sepse politika e jashtme italiane ndaj Shqipërisë ka ndryshuar mjaft edhe brenda të njëjtit kabinet qeveritar), po mendojmë, kur erdhi në pushtet Giovani Giolitti, ajo mbështeti kufijtë e Shqipërisë së vitit 1913, mbasi këto kërkesa përkonin me interesat e saj, që kishin të bënin me eliminimin e ndikimit jugosllav apo grek në bregun lindor të Adriatikut.

Megjithatë, në tërësi, madje edhe në momentet më të fundit, kur çështjes shqiptare po i jepej zgjidhja, duhet të themi se diplomacia italiane nuk është sjellë në mënyrë të sinqertë, qoftë me Fuqitë Aleate negociatore e, para së gjithash, me aspiratat e popullit shqiptar. Kanë qenë pikërisht ndërhyrjet e Lordit Curzon-it që në tre muajt e fundit, para përcaktimit të statusit, arritën të shpërbëjnë nga njëra-tjetra, pjesën e ligjshme dhe të sinqertë të qëndrimeve të Italisë, nga pjesa e pasinqertë, që synonte kufizimin e pavarësisë së Shqipërisë.

Mund të thuhet se rënia e politikës së jashtme italiane në lidhje me Shqipërinë, në planin e autoritetit të Fuqisë së Madhe negociatore, ka qenë e plotë. Përndryshe, nga pikëpamja e synimeve të saj minimale (kufizimi i ndikimit grek dhe serb në Shqipëri), ajo politikë ia ka arritur qëllimit. Politikëbërësit italianë në lidhje me Shqipërinë, në të gjithë veprimtarinë e tyre trevjeçare bënë një seri gabimesh, në gjykimet dhe analizat e tyre.

Këto gabime nisin me përpjekjet për ta vënë në kontroll të paarsyeshëm dhe përkundrejt interesave kombëtare shqiptare, qeverinë e Durrësit, kthimin e Shqipërisë në një placdarm për agresion të nacionalistëve malazezë kundër Mbretërisë SKS, këmbëngulja e pafundme për zbatimin e klauzolave të Traktatit të Londrës, apo përpjekja për ta mbajtur pjesore hijen e këtij traktati famëkeq, përpjekjet për të ndaluar mbajtjen e Kongresit të Lushnjës në të mirë të qeverisë tashmë të kontrolluar plotësisht të Durrësit dhe në fundin e serisë së qëndrimit të saj, përpjekja për të ndikuar në përmbysjen e qeverisë së Sulejman Delvinës duke financuar përpjekjen e dështuar të përkrahësve të Esad Pashës dhe përgjithësisht përpjekja për ta zgjatur pa fund për interesat e veta në planin e diplomacisë së Fuqive të Mëdha, çështjen e statusit të Shqipërisë.

Të gjitha këto sa thamë më sipër, janë tregues jo vetëm të humbjes së besimit në politikën italiane nga ana e shqiptarëve, por, para së gjithash, janë tregues të një politike dritëshkurtër, aspak racionale dhe mjaft egoiste...

Zgjidhja teknike është një odise e vërtetë, që do të zgjasë edhe për disa vite të tjera. Duke filluar nga vitit 1922, të gjitha trupat jugosllave dhe greke u larguan nga territori i Shqipërisë. Por Shqipërisë do t’i duhej të priste deri më 30 korrik 1926, kur Greqia, Mbretëria SKS, së bashku me Britaninë e Madhe, Francën dhe Italinë, të nënshkruanin marrëveshjen përfundimtare që njihte kufijtë e Shqipërisë. Gjithashtu, problemeve të papjekurisë së brendshme të institucioneve demokratike në Shqipëri, vazhduan t’i bashkëngjiten me intensitete të ndryshme intrigat italiane dhe jugosllave, të cilat bënë që procesi i stabilizimit shtetëror të jetë një proces shumë i vështirë.

Autori
Romeo Gurakuqi është profesor i Historisë Moderne Botërore në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi” dhe i të Drejtës Publike, në Universitetin Evropian të Tiranës. Njëkohsisht, ai është Visiting Fellow pranë London School of Economics and Political Science (Center for the Study of Global Governance). Autor i monografisë “Kryengritja e Malësisë së Mbishkodrës e vitit 1911”, i teksteve bazë universitare : “Historia e Kohës së Re 2 (Qytetërimi Perëndimor) 1775- 1871”, “Historisë së Kohës së Re 3, (Qytetërimi Perëndimor) 1871-1918” (në bashkautorësi me Menduh Dërguti), “Hyrje në Studimin e Historisë”, (në bashkautorësi me Walter Höflechner dhe Gëzim Hoxha), dhe autor i një numri artikujsh studimorë kushtuar historisë politike dhe diplomatike të Shqipërisë në periudhën 1912-1914, etj. Nga vitit 1998, Romeo Gurakuqi drejton revisten shkencore “Phoenix”, organ i Qendrës së Studimeve Shqiptare “Ernest Koliqi”.

Koha Jone