Banorët e një fshati në Librazhd denoncojnë skandalin, kyçin shkollën
Protestë e një lloji të veçantë në fshatin Xhyrë të rrethit të Librazhdit, rreth 25 kilometra larg qytetit. Prej dy ditësh fshatarët i kanë vënë kyçin shkollës, duke mos lejuar fëmijët e tyre të vijojnë mësimet. Rreth 150 banorë të fshatit, për dy ditë me radhë kanë protestuar në oborrin e shkollës, me çelësat e dyerve të saj në xhep, të revoltuar ndaj sjelljes së turpshme të disa mësuesve të kësaj shkolle në sy të nxënësve. Kërkesa e tyre ka qenë kolektive dhe i është drejtuar të gjitha institucioneve të pushtetit vendor në rreth dhe në Prefekturën e Elbasanit. Një peticion me mbi 100 firma është nisur drejt Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, pasi nuk janë plotësuar kërkesat e tyre nga organet arsimore vendore.
Nuk janë ankuar për kushtet aspak normale të mjediseve shkollore, por për sjelljen e një grupi mësuesish, që ka cenuar rëndë figurën morale të mësimdhënësit, si dhe kanë ndikuar negativisht në edukimin e afro 300 nxënësve të kësaj shkolle. Siç edhe shkruhet në këtë peticion të firmosur, ata citojnë me emra mësuesit që deklamojnë skena dashurie në anekset e shkollës dhe në sy të fëmijëve, deri te pijet alkoolike që përdorin në orarin e mësimit, dehja e të cilëve para fëmijëve ka bërë që ata të ankohen drejtpërdrejtë te prindërit e tyre. Gjithmonë sipas peticionit, është kërkuar shkarkimi nga detyra si drejtues shkolle për Qazim Alliun, largimi nga detyra për mësuesit e Edmond Kurtin, Arben Koxhajn dhe mësueses Z.P., për figurë jo të mirë para nxënësve në të gjitha aspektet. Në letrën e tyre e shkruar "fshatçe" bëhet kërkesa për shkarkimin e tyre, jepen në detaje skenat idilike të mësuesve me njëri-tjetrin, por vetëm tre prej tyre e "kanë mbushur kupën" dhe që duhet të largohen sa më parë. Një kërkesë e tillë është bërë që në janarin e këtij viti, por organet kompetente, edhe pse kanë bërë ndonjë ndërrim drejtori, kanë zvarritur procedurat e marrjes së masave për këtë kolektiv mësuesish, që në mënyrë kolektive akuzohen edhe për disiplinë të ulët shkollore, për braktisje mësimi dhe indiferencë të theksuar në procesin mësimor-edukativ në shkollë. Sipas kryetarit të fshatit, Arif Popja, bashkëfshatarët e tij kanë tepër të drejtë, sepse mësuesit e kërkuar me emër për t‘u shkarkuar nuk janë të denjë të qëndrojnë më në këtë shkollë, pasi kanë degraduar figurën e mësuesit dhe kanë bërë që të skuqen faqet e nxënësve me veprimet jomorale në sy të tyre. I pyetur për këtë problem, vetë kreu i Drejtorisë Arsimore të rrethit të Librazhdit, Flori Haxhiaj, ka deklaruar se kërkesa për zëvendësimin e drejtorit të shkollës, Qazim Alliu, është përmbushur me kohë, duke vendosur në vend të tij Arben Koxhajn dhe sërish ky i fundit është zëvendësuar me Ilir Hoxhën si drejtues i shkollës, mësues po nga ky fshat. Ndërsa në lidhje me dy mësuesit e tjerë si të padëshiruar në fshat, Edmond Kurtin dhe mësuesen Z.P., për të parin është marrë vendimi për pushimin e tij, por nuk i është komunikuar, ndërsa mësueses i është dhënë paralajmërim për shkarkim. Në këto masa, ndoshta gjysmake, zor se protestuesit do t‘i dorëzojnë çelësat e shkollës apo do ta shuajnë protestën e tyre edhe në ditën e sotme.
gazeta-shqip
Krijoni Kontakt