Chati, “armiku” i kohës së të rinjve
Interneti, mjeti më i përdorur nga të gjithë. Jo vetëm kaq, por edhe udhërrëfyesi i zbehjes së shumë paqartësive informative. Shpeshherë kjo lojë argëtuese shndërrohet në mani.
Nëpërmjet internetit e gjithë bota paraqitet para syve tuaj, krahas pasurimit të mendjes me informacione të ndryshme nga fusha të çdo lloji; ai luan edhe një funksion çlodhës, nëpërmjet lojnave të ndryshme që ndodhen në memorien e tij. Deri në këtë pikë gjithçka shkon për mrekulli, por ka edhe momente që lojëra dhe rrugë të ndryshme komunikimi me njerëz të njohur dhe të panjohur të shndërrohen në “vrasës” së kohës. I tillë është edhe chati, që kohët e fundit është shndërruar në tendencën e kohës. Mjafton të shkosh në internet-kafe dhe do të vëresh dhjetëra të rinj, të gozhduar përballë monitorit dhe tastierës me orë të tëra, duke chatuar. Punonjësit e këtyre kafe-interneti thonë se ”shumica e frekuentuesve të rregullt janë persona, kryesisht të grupmoshave të reja, që e përdorin internetin jo për informacion, por për të komunikuar me njerëz të ndryshëm në chat”. Kjo është e qartë, thonë ata, sepse fjala e parë që pyesin me shumë preokupim është nëse punon chati.
Ja si bëhesh “skllav” i chatit
Fillimisht, nisë si një lojë e zakonshme, e këndshme, të argëtohesh duke komunikuar me njerëz të ndryshëm. Nuk kalon shumë, kur ta merr një pjesë të mirë të kohës, thonë shumë prej aplikantëve të rregullt të chateve të llojeve të ndryshëm. Elvisi, 24 vjeç, thotë se ”fillimisht nuk tërhiqesha nga kjo formë komunikimi, madje nuk hyja ndonjëherë. Mora shkak nga një shoku im, i cili rrinte me orë të tëra përballë kompjuterit, duke biseduar në mënyrë virtuale. Por nuk kaloi shumë, kur chati m’u shndërrua në një “virus” të pandarë, edhe pse kisha shumë punë. Minimumi i kohës që i kushtoja kësaj forme komunikimi ishte dy orë”. Ai shton se ka më shumë se dy vite që chaton rregullisht. Ndërsa Alma, 24 vjeç, studente, thotë se “të chatosh është një formë çlodhëse dhe argëtuese, pse jo, edhe çlirim stresi pasi, nëpërmjet komunikimit me më shumë se 6 persona njëkohësisht, dëgjon batuta të ndryshme, që të bëjnë të qeshësh, edhe nëse je shumë e mërzitur”. Por gjithsesi, jam e ndërgjegjshme që në një farë mënyre sensi kohë të humbet pasi, nëse je në një bisedë të këndshme nuk e lë dot në mes, shton ajo.
Argëtimi
Pjesa më e madhe e chatuesve janë të bindur që kjo formë komunikimi virtual me të panjohur është argëtuese, pasi shprehesh lirshëm, pa komplekse dhe, në shumicën e rasteve, thua atë që nuk mund t’ia thoshe dot në sy asnjë personi. Por ata shtojnë se edhe gënjen lirshëm, si për emrin, moshën dhe profesionin, pasi këtë komoditet ta jep prezantimi me pseudonim. Ata thonë që, nëpërmjet kësaj mënyre komunikimi, njerëzit lënë shpesh takime dhe frekuentohen edhe për kafe. Edhe psikologët e këshillojnë si formë komunikimi, pasi çliron stresin, por jo shpesh, sepse mund të të krijojë varësi.
Interneti dhe fillimet e tij
Fillimet datojnë rreth viteve 60 dhe kanë lindur si përpjekje e ushtrisë amerikane për t’u lidhur me rrjet networks në bazat e saj nëpër Amerikë. Më pas, filluan universitetin me njëri-tjetrin dhe më vonë universitetet shërbyen si ISP për studentët dhe profesorët; kjo me qëllim që të bëhej një shkëmbim sa më i madh informacioni. Rreth viteve 70 filloi dhe komercializmi i internetit, por mund të dërgohej vetëm posta elektronike, dhe ishte shumë e shtrenjtë. Ndërsa në vitet 90 pati bumin e vet me komercializmin e plotë; firmat e fillimit startuan me dy veta dhe me kapital fillestar 500 000 dollarë pushtuan bursat e botës, si dhe punësuan me mijëra veta. Yahoo filloi më 90-n nga dy japonezë, me kapital fillestar prej. 1 000 000 dollarësh, dhe tani vlefta e saj është mbi 3 000 000 000 dollarë në bursë.
Leontina Nika
Krijoni Kontakt