Nocioni "shqiptar" në veprën e Karl May-it

Shumëkush ka dëgjuar të flitet për romanin e famshëm të Karl May-it, "Udhëtim në vendin e shqiptarëve" e madje ka shumë të tjerë që, megjithëse nuk e njohin gjermanishten, e njohin shumë mirë titullin e romanit të tij të famshëm në gjermanisht "Durch das Land der Skipetaren". Për sa i përket kësaj vepre (shkruar në vitin 1992), ajo në fakt është vetëm një pjesë e një cikli, të cilat i përkasin të ashtuquajturave "Tregime udhëtimesh". Por ajo që ne na intereson në këtë shkrim, është të sjellim një aspekt shumë pozitiv e që njihet si një meritë e veçantë e Karl May-it. Përmendja e emrit "shqiptar" (Skipetar) - bërë prej tij që në titullin e librit e pastaj edhe në përmbajtjen e veprës së tij, gjë që, siç del edhe nga vëzhgimi e hulumtimi i shumë veprave të tjera të mëvonshme, u bë dhe pikënisja e shumë autorëve të tjerë, jo vetëm në botën gjerman-folëse, por edhe atë anglosaksone (e atë botërore më vonë) për të njohur më shumë shqiptarët e Shqipërinë, me emrin e tyre të vërtetë. "Ai - thekson dikush - nuk është se është i pari që e futi këtë nocion në gjuhën gjermane, por ai ka meritën ekskluzive për popullarizimin e saj, falë dhe titullit tepër domethënës në krye të librit". Dikush tjetër shkruan: …ndikimin e Karl May-it, që e shndërroi emërtimin "Schkypetaren" në një nocion shumë popullor - të cilin ai nuk mund ta ketë shpikur vetë - nuk duhet ta nënvlerësojmë, dhe sigurisht se ishte ai i pari, që e futi atë në Evropë, e prej andej, ai u shpërnda më pas në të gjithë botën letrare anglosaksone".

Por, për ta trajtuar më gjerë dhe më konkretisht këtë tezë që ngritëm, le të sjellim në kujtesë e të shohim se ç‘shkruan në një kritikë të detajuar (të para disa viteve) me këtë rast, me titull "Mbi shqiptarët dhe arnautët - Imazhi i shqiptarëve dhe i Shqipërisë në veprën e Karl May-it", studiuesi gjerman, historiani Dr. Michael Schmidt-Neke, aktualisht nënkryetar i Shoqatës së Miqësisë Gjermani-Shqipëri dhe anëtar i Shoqatës "Karl May": …asnjë titull romani nga ato të May-it nuk është thithur e interpretuar në mënyrë kaq intensive sa ›Durch das Land der Skipetaren‹ (Udhëtim në vendin e shqiptarëve). Gjenerata autorësh, të cilët kanë botuar vepra të njohura mbi Shqipërinë, janë bazuar e lidhur në përzgjedhjen e fjalëve të bëra nga May - thotë studiuesi gjerman. Vetëpërcaktimin e shqiptarëve si "shqiptarë", Karl May kurrsesi, nuk është se e ka futur i pari në përdorim në gjuhën gjermane, por me siguri që ai ka meritën ekskluzive për popullarizimin e saj, falë dhe titullit tepër domethënës në krye të librit. Shqiptarët në shekullin e 17-të zëvendësuan emrin "arbër" me atë "shqiptar", gjë që me shumë gjasa, përshkruan dikë që flet qartë. Etimologët - konstaton më tej kritiku gjerman - që e lidhin atë me fjalën "shqipe" (d.m.th., shqiponjë), i përkasin romantikës kombëtare dhe prej shumë kohësh, ata nuk merren më shumë seriozisht. Në hapësirën gjermanofolëse, ajo fillimisht (deri pak pas 1900-tës) u mor si një formë e huazuar nga italishtja, duke u përdorur më shumë me emërtimin "Albanesen", që më pas u transformua në "Albanier", e cila vetë, në konkurrencë me fjalën "Albaner", pothuajse humbi në favor të kësaj të dytës.

"Vetëpërcaktimi i shqiptarëve me këtë fjalë, pra "Schkipetaren" është përdorur në një titull libri për herë të parë nga Xylander, në vitin 1835, në njërën nga monografitë e para të botuara për gjuhën shqipe në gjermanisht", thekson më tej dr. Schmidt-Neke.

Kjo shprehje (d.m.th., ky emërtim) gjeti vend gjithnjë e më shumë nëpër librat e përmbledhjet në gjermanisht, kushtuar kryesisht Ballkanit: Robert fliste në vitin 1844 për "Skipetars"; Kohl ndërkohë e vinte në diskutim madje që në këtë rast të bëhej fjalë për një fjalë shqipe; Gopceviç përdorte në vitin 1881 fjalën me germa diakritike: "Skipetaren".


"Shqiptar" vetëm në gjermanisht e serbisht

Por, në një mënyrë që arriti të kishte ndikim të gjerë në publik, këtë fjalë si përcaktim për emrin e një populli, May e futi fillimisht në vitet 1887-88 në "Fjalorin themelor gjerman", ku me mbishkrimin "Durch das Land der Skipetaren" u mbyll dhe cikli i botimeve me kapitullin e fundit të vëllimit të 4, plotësisht pastaj edhe i pesti dhe në fund edhe i gjashti. May, në aspektin gjuhësor, nuk është konsekuent: përveç fjalës "Skipetar" haset edhe forma tjetër më korrekte "Schkipetar", që në shumës pastaj, normalisht bëhet, ashtu sikurse në titull, "Skipetaren", porse shpesh e hasim të një forme jo të rregullt, siç është "Skipetars". Më tej ,kritiku i May-it thekson një fakt shumë interesant e lehtësisht të verifikueshëm në ditët e sotme:

Në asnjë gjuhë tjetër - thekson ai - përveç gjermanishtes (dhe serbishtes ndoshta, ku kjo fjalë ka një konotacion pezhorativ, d.m.th., ku zyrtarisht përdoret fjala ›albanci‹), fjala "shqiptar", edhe në literaturën mbi Shqipërinë, nuk ka njohur dot një përhapje kaq të gjerë.


Luhatjet dhe ndikimi i veprës së May-it

Ndikimi i titullit të librit dhe përmendja e emrit të këtij populli nga Karl May këtu - pa pretendimin se ai ka përmbushur drejt gjithçka - arrihet fare qartë nëpërmjet disa shembujve shumë domethënës: pak pas vdekjes së Karl May-it, në Berlin doli në dritë vëllimi i 3-të i "Reisen und Abenteuer" (Udhëtime dhe aventura) i Dr. Franz Sättler me titull "Bei den Arnauten" (Tek arnautët); Libri në fjalë i kushtohej në fakt veprës së Karl May-it, duke i paraprirë me disa vargje homazh nga Sättler.

Ai mund të lexohet si i vetmi nga personazhet e panumërt e elementët e veprimit të pafund që krijoi May, ku ai vetë merr rolin e tregimtarit në vetën e parë, të të gjithëpushtetshmit Kara Ben Nemsi, duke luftuar kundër kusarëve e kaçakëve shqiptarë. Fotot e udhëtimeve, që e tregojnë autorin dhe gruan e tij në ambiente të ndryshme shqiptare, duken mëse komike. E megjithatë, njohuritë e Sättler-it (një orientalisti) për vendin, njerëzit e gjuhën, duken se kanë qenë disa herë më të mira sesa ato të vetë May-it. Etnografi Hugo Adolf Bernatzik - thekson ai - është autor i një prej librave më të njohur e që ka njohur më shumë tirazh mbi Shqipërinë. Për botimet e mëvonshme, ai e ndërroi titullin e veprës së tij nga "Vendi i harruar i Evropës" (në origjinal: Europas vergessenes Land) në "Albanien - Das Land der Schkipetaren" (Shqipëria - vendi i shqiptarëve). Me gjithë formën korrekte në aspektin gjuhësor - ai ishte gjithsesi një huazim nga titulli shumë popullor i veprës së Karl May-it. Jo në titull, por në përmbajtjen e librit, vepra e May-it zuri megjithatë një vend të qartë në aspektin e vlerave historike - thekson më tej kritiku Schmidt-Neke, duke sjellë një shembull mëse interesant: I dërguari special i Hitlerit për Ballkanin gjatë kohës së Luftës së Dytë Botërore, një lexues i ethshëm i May-it, Hermann Neubacher, në kujtimet e tij me këtë rast, i referohet përcaktimeve të May-it për miqësinë që ushqenin shqiptarët në përgjithësi për gjermanët.


Në gjurmët e Karl May-it

Jonny Behm (pseudonimi për Elisabeth Joost) nisi nën moton "Balkan, Bakschisch und Basare" (në shqip: Ballkani- Bakshish dhe pazare) - dy reportere në gjurmët e Karl May-it në vitet ‘30-të, të cilat përshkuan itinerarin nga Kotori (Mal i Zi) deri në Edirne (Turqi). Në vitin 1976, doli në dritë një përmbledhje me reportazhe mbi vendet që ishin përmendur në veprat e May-it; Josef Nyary, nën shoqërimin e vëzhgimin e njerëzve të paguar nga shteti shqiptar, ndërmori një udhëtim "Nëpër vendin e shqiptarëve". Ndërkohë, në ish-RDGJ, Karl May, deri aty nga viti 1980, hasi në refuzim të plotë. Kjo, gjithsesi, nuk pengoi që publikimet që bënin fjalë për Shqipërinë, të mos i referoheshin titullit të famshëm të Karl May-it. Më tej, studiuesi gjerman, dr. Schmidt-Neke, citon shembuj të tjerë që përforcojnë edhe më shumë tezën e ngritur në krye të shkrimit tonë: "Das Land der Skipetaren" i Kurt Rueckmann për shembull, i referohet parathënies së May-it dhe citon në kapitullin e parë të librit të tij, pjesë ekskluzive nga May, për t‘u distancuar më pas papritur nga rrëfenjat e tij me aventura dhe duke kritikuar mungesën e informacionit te gjermanët, që i kishte çuar, sipas tij, "miliona gjermanë" në vlerësime të gabuara për Shqipërinë.

Kështu, nën titullin "Im Land der roten Skipetaren" (Në vendin e shqiptarëve të kuq), Detlef Schneider, asokohe kryeredaktor i Organit të Partisë Komuniste-Marksiste Leniniste Gjermane, "Roter Morgen" (Mëngjesi i kuq) pro-enverist e sigurisht, shumë pro-shqiptar në atë kohë (dhe plotësisht i ndaluar nga qeveria e ish-RDGJ-së), në vitin 1980 botoi pikëpamjen e tij propagandistike mbi vendin dhe njerëzit e Shqipërisë. Në parathënien e tij me këtë rast, ai i referohet tekstualisht paraqitjes fiksionale e romantike të bërë një shekull më parë nga Karl May; ndërkohë që vetë May-it dhe reportazheve të shumta negative asokohe rreth Shqipërisë, ai sigurisht që iu kundërvu, duke shfaqur një pamje, sipas tij, realiste e të një Shqipërie ndryshe.


Përqasja historike

Në aspektin e përqasjes historike që ofron, thotë kritiku gjerman, shumë interesante duket të jetë nga ana tjetër, monografia e oficerit të Vehrmaht-it gjerman dhe më vonë ambasadorit austriak në Jugosllavi e Shqipëri, Valther Peinsipp, mbi të drejtën zakonore shqiptare. Qysh në titull "Das Volk der Schkypetaren" (Populli i shqiptarëve) sërish del në pah asosacioni i njohur. Përpjekja e pabazuar shumë në shkencë, dhe as në përdorimin e të folmes popullore, për ta shpjeguar nocionin "Schkypetaren" vetëm me fiset shqiptare në veri të vendit, duket shumë e veçantë. Ai e cilëson librin e Karl May-it, si motiv të interesave të tij rreth Shqipërisë dhe shkruan më tej: "Sipas mendimit tim, ndikimin e Karl May-it, që e shndërroi emërtimin "Schkypetaren" në një nocion shumë popullor - të cilin ai nuk mund ta ketë shpikur vetë - nuk duhet ta nënvlerësojmë, dhe që sigurisht se ishte ai i pari, që e futi atë në Evropë, e prej andej, ai u shpërnda më pas në të gjithë botën letrare anglosaksone".


Klishetë e përcjella nga Karl May

Autori i studimit në fjalë, më tej na fton të hyjmë më thellë në veprën e Karl May-it e të zbulojmë një aspekt kritik mbi përcjelljen e imazhit të Shqipërisë e shqiptarëve nga Karl May, i cili ka ndikuar në shumë raste sipas tij - edhe negativisht - në ngulitjen e klisheve jorealiste mbi popullin tonë. Kështu, më tej, studiuesi gjerman thekson paditurinë e vënë re për një fenomen të rrallë ndër shqiptarët, nga ana e ish-oficerit të Vehrmaht-it gjerman, Valther Peinsipp, në një pjesë të monografisë së tij. "Për sa i përket rrëmbimit të nuseve - shkruan kritiku - ai nuk di të thotë shumë, pasi pohon se nuk ka pasur mundësi të jetë atje aq shpesh i pranishëm, "sa ç‘të krijohet përshtypja kur lexon rreshtat e romanit të Karl May-it". Kjo është jashtëzakonisht domethënëse për një pjesë të konceptimit të veprës së May-it: të gjitha klishetë, që mund të lexohen diku, d.m.th., që mund të hasen në kinema apo TV, lidhen katërcipërisht dhe në mënyrë të pashmangshme me veprën e May-it. Pasi në asnjë vend në veprën e May-it, nuk bëhet ndonjëherë fjalë për rrëmbim të nuseve ndër shqiptarë.


"Skipëtarët" e Karl May-it, hasen ngado

Edhe në vitin 1986 - megjithëse me pak dyshim - në parathënien e një guide turistike të botuar nga Shoqata e Miqësisë Gjermani-Shqipëri citohet: "Kujt nuk i vjen ndër mend menjëherë Karl May, kur bie fjala për shqiptarët?". Apo në vitin 1989, kur një artikull i shkurtër në një libër udhëtimesh, që përmblidhte me pak fjalë imazhin e shqiptarëve në botë, duke u titulluar: "Dhe sërish ›Në vendin e shqiptarëve‹". Përpos këtyre që përmendëm më lart, në mesin e viteve ‘80-të, në Austri botohet një reportazh me titull "Reportazh nga vendi i shqiptarëve", i Paul Lendvai dhe një libër me përmbajtje informative gjeografike plot ilustrime, nga Norbert Stanek e që titullohej: "Albanien - Land der Skipetaren" (Shqipëria - vend i shqiptarëve) dhe në Gjermani ndërkohë një libër turistik nga Gerhard Gürsch, titulli i të cilit ishte, le të themi, në kundërkohë me veprën e May-it, pasi nxirrte në pah mjetet moderne të qarkullimit: "Mit Bus und Bahn durchs Land der Skipetaren" (Me autobus dhe tren nëpër vendin e shqiptarëve).

Edhe historianët e artit e arkeologët duket se nuk ia dalin dot pa u mbështetur te përcaktimi tashmë mitik i bërë më shumë se një shekull më parë nga Karl May: kështu për shembull, një ekspozitë e çelur në vitin 1988 e që për herë të parë tregonte në detaje objekte të thesareve të rralla arkeologjike shqiptare në Gjermani, titullohej "Albanien - Schätze aus dem Land der Skipetaren" (ose në shqip: Shqipëria - thesare nga vendi i shqiptarëve), dhe historiani i artit Guntram Kochs, u paraqit në një ekspozitë tjetër me informoacione mbi Shqipërinë, duke e titulluar atë "Arti dhe kultura në vendin e shqiptarëve" (Në gjermanisht: Kunst und Kultur im Land der Skipetaren). E në këtë vazhdë, nuk po përmendim - thotë autori i kritikës në fjalë - artikujt e panumërt të gazetave e revistave, që citojnë pjesë apo i referohen titullit të veprës së Karl May-it.


Letërsia dhe imazhi i Shqipërisë

"Por, sigurisht, në një pjesë shumë të madhe, është pikërisht lëmi i letërsisë, ai që është prekur më shumë nga përcaktimet, përshkrimet apo emërtimet që ka bërë Karl May dikur, kur bie fjala për Shqipërinë e shqiptarët", shkruan kritiku gjerman, një njohës shumë i mirë edhe i historisë, kulturës e mentalitetit shqiptar. Ata (në më të shumtën e rasteve me të drejtë) arrijnë në përfundimin se tregimet e Karl May-it, është libri i vetëm që shumica e lexuesve gjermanë kanë pasur në dorë. Me përqasjen e tyre, ata duan të provojnë se edhe sa do të zgjasë pra ky imazh i dhënë tashmë prej shumë kohësh për shqiptarët nga May në veprën e tij, krahasuar me (në shumicën e kohës me ish-RPSSH-në) Shqipërinë moderne të ditëve të sotme. E kështu që klishe të ndryshme, të rrënjosura thellë si: gjakmarrja, prapambetja, bujaria e tepruar, ekonomia plotësisht agrare, paaftësia për të ngritur në këmbë një shtet kombëtar, rrëmbimi i nuseve, Islami në Evropë, apo popull kusar, si riprodhime negative, bëjnë kontrast të dukshëm me anët pozitive siç janë për shembull; zhvillimi industrial, modernizimi social, shteti i stabilizuar kombëtar, sekularizmi etj. Klishetë duken kësisoj si shumë subjektive (nënkupto false), d.m.th., ose plotësisht fiktive e që i përkasin kështu një të shkuare plotësisht të harruar.

Dr. Schmidt-Neke arrin në përfundimin se në fund, veprat e Karl May-it dhe pikërisht në radhë të parë edhe "Durch das Land der Skipetaren", shërbejnë kështu si burim i parapëlqyer klishesh.


Përmbajtja e librit

"Durch das Land der Skipetaren", të cilin Karl May e shkroi në vitin 1892, bën pjesë në "Ciklin e Orientit" me gjashtë vëllime (më konkretisht, vëllimi 5), shkruar prej tij në dy dekadat e fundit të shekullit të 19-të. Më tej, në këtë seri bëjnë pjesë edhe "Nëpër shkretëtirë" (Vëllimi I), "Në Kurdistanin e egër" (Vëllimi 2), "Nga Bagdadi në Stamboll" (Vëllimi 3), "Në shpellat e Ballkanit" (Vëllimi 4), "Shyti" (Vëllimi 6). Shumica e skenave të tij, kësisoj sigurisht, vendosen në rajonet e Azisë së Vogël, Afrikës Veriore, ndërkohë që Ballkani apo Evropa Juglindore (d.m.th., pjesa evropiane e ish-Perandorisë Osmane, asokohe), zë një vend relativisht më të vogël. Konkretisht, vëllimi i pestë i këtij cikli me tregime, është ai që i kushtohet ekskluzivisht Shqipërisë e shqiptarëve (por gjithashtu edhe vëllimi pasardhës), megjithëse autori nuk shkeli kurrë vetë në ato zona dhe pikërisht kjo ka bërë që shumë kritikë, me të drejtë, edhe ta akuzojnë për fantazi të tepruar e larg realitetit. Në njërën nga shpjegimet që i bën përmbajtjes së veprës së Karl May-it, "Në vendin e shqiptarëve", një botues gjerman thotë, ndër të tjera: Në vendin e shqiptarëve, zona që sot i përket Maqedonisë - jugut të ish-Jugosllavisë dhe Shqipërisë, udhëtarëve u duhet të kalojnë shumë rreziqe. Kara Ben Nemsi, Haxhei Halef Omar dhe shoqëruesit e tyre vihen në ndjekje të Shytit, prijësit mistik të një bande kaçakësh shqiptarë, që i ka kallur frikë e tmerr tërë Ballkanit. Çurak, një i besuar i Shytit, josh me ndihmën e të arratisurit për herë të dytë Mubarek, Kara Ben Nemsin dhe dy shoqëruesit e tij, duke i futur në grackë në një shpellë. Ai ia del që të çlirohet sërish, ku pas kësaj Çurak vritet dhe Mubareku mbetet i plagosur. Por, ata ndiqen nga mirditorët, pjesëtarët e njërit prej fiseve më të njohura e më trima ndër arnautët, siç quheshin asokohe shqiptarët nën Turqi. Është i vëllai i Çurak, që ndjek kësisoj Kara Ben Nemsin për të marrë gjakun e të vëllait të vrarë. Por Kara Ben Nemsi e mund kundërshtarin e vet në dyluftim dhe ia fal më pas atij jetën me zemërgjerësi. Si shenjë të asaj që gjakmarrja pra, mes tyre duhet të marrë fund, mirditori i dhuron atij taksën e gjakut. Pak pas kësaj, të pajtuarit futen në grackë të re, krijuar nga një spiun i Shytit, nga e cila ia dalin me shumë zgjuarsi të lirohen. Jo shumë larg nga rajoni malor i Shar-Dagut, ku ata mendojnë se e ka dhe vendndodhjen Shyti, ata ia dalin të marrin vesh në detaje mbi jetën e bëmat e këtij prijësi mistik kaçakësh, të cilin deri më atëherë, askush nuk kishte guxuar ta shihte në fytyrë.



Kush ishte Karl May?

Ai shkroi në ndihmë të popujve të shtypur

Karl May është padyshim shkrimtari i romaneve me udhëtime më i lexuar në hapësirën gjermanfolëse dhe vepra e tij ndoshta më e lexuara pas Biblës së Martin Luther-it. Megjithëse ai shkroi më shumë se 150 vjet më parë, për gjeneratat e reja, librat e tij vazhdojnë të jenë shumë të dashur. Shumë nga romanet e tij kanë gjetur dhe rrugën e ekranizimit dhe skenën e teatrove, duke tërhequr shumë vëmendje, sidomos gjatë viteve ‘50-‘60 të shekullit të shkuar. Karl May lindi më 25 shkurt 1842, si i pesti ndër 14 fëmijët e një familjeje tejet të varfër, nga një zonë në afërsi të qytetit të Dresdenit, në lindje të Gjermanisë. Ai punoi si mësues qysh në moshën 19-vjeçare, por e humbi sërish vendin e tij të punës vetëm pak javë më pas. Nga vështirësitë e jetës, ai u desh të vuante edhe tetë vjet burg, si pasojë e zgjedhjes së gabuar që bëri ato vite, duke kryer akte odrinere si vjedhje, rrahje etj.

Pas lirimit nga burgu në vitin 1874, May i hyri profesionit të shkrimtarit, pasi zbuloi se kishte talent për këtë punë. Në fillim ai shkroi disa novela të shkurtra dhe më pas disa romane anonime. Por fama e tij erdhi kur ai shkroi "Tregime me udhëtime", që i botoi për herë të parë në vitin 1892. May, duke folur në vetën e parë, rrëfen për aventurat e bëmat e heroit të vet në vende ekzotike, para së gjithash në "Perëndimin e egër" të Amerikës Veriore dhe në orient. Ai ia doli që këto raporte fiktive (pasi ai nuk kishte shkelur vetë në ato vende, në të cilat zhvilloheshin ngjarjet e veprës së tij) të përcilleshin në mënyrë shumë sugjestionuese te lexuesit, dhe rajonet gjeografike ku jetonin popuj të ndryshëm, në libër të shfaqeshin plot fantazi me aq shumë ngjyra, saqë tregimet "Winnetou", "Old Surehand", "Në shkretëtirë" - megjithëse vlerat e tyre letrare për shumë kritikë janë të debatueshme - për gjeneratat e sotme vlerësohen si shumë informative, interesante dhe plot jetë. Edhe tendenca humane në librat e tij dhe ndikimi që ata patën në ndihmën për popujt e shtypur asokohe (siç ishin indianët e Amerikës, sidomos dhe kurdët për shembull) e bënë atë të gëzonte epitete të tilla si "Shekspiri i të rinjve" e një nam pozitiv ndër shumë lexues në një shtrirje kohore që e tejkalon disa herë epokën në të cilën ai shkroi. Veprat e tij njohin edhe shumë ekranizime të nisura qysh në vitet ‘20 të shekullit të shkuar, e vazhdojnë deri në vitet ‘80 në formën e serialeve TV apo të filmave për kinema. Vdiq në vitin 1912, në Radebeul, pranë qytetit të Dresdenit. Një shoqatë edhe një muze(ngritur qysh në vitin 1927), prej kohësh mbajnë emrin e tij, për të nderuar veprën që ai la pas.