Letra e Kishës së Romës drejtuar Kishës së Korinthit,
zakonisht quhet

Letra e parë e Klementit.


Kisha e Perëndisë, që jeton si koloni në Romë, drejtuar kishës së Perëndisë, që jeton si koloni në Korinth - ndaj jush që jeni thirrur dhe shenjtëruar prej vullnetit të Perëndisë, nëpërmjet Zotit tonë Jesu Krisht. Hiri i plotë dhe paqja qoftë e juaja prej Perëndisë së madh nëpërmjet Jesu Krishtit.

1. Të dashur miq, për shkak të fatkeqësive të papritura dhe të njëpasnjëshme dhe aksidenteve që kemi hasur , e pranojmë, kemi qenë paksa të ngadaltë në kthimin e vëmendjes drejt grindjeve tuaja. Ne i referohemi skizmës së neveritshme dhe jo të shenjtë, konsideruar të huaj prej atyre të cilët Perëndia i ka zgjedhur, ku disa jobesëmirë dhe kokëfortë janë flladisur në një marrëzi të tillë që emri yt i mirë, një herë e një kohë kaq i famshëm dhe i dashur për ne të gjithë, ka rënë në famëkeqësinë më të rëndë. 2. A ka qëndruar ndokush me ju pa vërtetuar shkëlqyeshmërinë dhe qëndrueshmërinë e besimit tuaj, pa admiruar besimin tuaj të ndjeshëm dhe të respektueshëm të krishterë, pa admiruar shpirtin tuaj plot me mikpritje të pakufizuar, pa nderuar njohuritë tuaja të përsosura dhe të vlefshme? 3. Sepse ju gjithmonë veproni pa anësi dhe eci sipas ligjeve të Perëndisë. Ju iu bindët drejtuesve tuaj dhe u dhatë të moshuarve respektin e duhur. Ju disiplinuat mendjet e te rinjve në përmbajtje dhe denjësi. Ju mësuat gratë tuaja për të kryer çdo gjë pa fajësi dhe me ndërgjegje të plotë, dhe t’u japin burrave të tyre ngrohtësinë që duhet. Ju i mësuat ato të qëndrojnë me anë të ligjit të bindjes dhe të drejtojnë shtëpitë e tyre me denjësi dhe me dëshirë.

2. Ju ishit të përulur dhe pa pretendime, u bindeshit urdhërave më tepër se sa krijonit të tillë, me më tepër gëzim jepnit sesa merrnit . Të gëzuar me pjesët e Krishtit dhe të njëmendshëm për to, ju e mbajtët fjalën e tij me kujdes në zemrat tuaja dhe kaluat vuajtjet e tij përpara syve tuaj. 2. Si pasojë, mbizotëronte ndër ju një paqe e thellë dhe e pasur, dhe dëshira e palodhur për vepra të mira, dhe Shpirti i Shenjtë ishte mbi të gjithë ju. 3. Ju ishit përplot me këshillues të shenjtë dhe me zell për besim, ju i shtrinit duart tek Perëndia i tërëfuqishëm, duke i kërkuar mëshirë nëse në mënyrë të pavullnetshme ratë në mëkat. 4. Ditë e natë ju punuat për gjithë vëllazërinë, në mënyrë që prej besimit dhe ngushëllimeve tuaja, shumica e të zgjedhurve të tij të mund të shpëtohej. 5. Ju keni qenë të sinqertë, pa djallëzi dhe nuk i mbajtët mëri askujt. 6. Çdo rrebelim dhe skizmë ishte e urryer për ju. Ju vajtonit për gabimet e të afërmit tuaj dhe të metat e tyre i konsideronit dhe tuajat. 7. Asnjëherë s’u penduat për të mirat që bëtë dhe ishit “gati për çdo punë të mirë” . 8. Të stolisur me sjelljen tuaj të virtytshme dhe të respektueshme, ju bëtë gjithçka me frikën e Tij. Porositë e Perëndisë ishin të shkruara në fletët e zemrës suaj .

3. Ju ishte dhënë çdo lavdi dhe mburrje, dhe ndodhi ajo që është shkruar: “I dashuri im hëngri, piu, u majm e u trash dhe filloi të shkelmojë” . 2. Nga kjo u ngrit rivaliteti dhe cmira, grindja, rebelimi, persekutimi dhe anarkia, lufta dhe robëria. 3. Dhe kështu “të pandershmit” u ngritën “kundër atyre që mbaheshin me nder” , ata pa famë kundër të famshmëve, të marrët kundër të zgjuarve, “të rinjtë kundër të vjetërve” . 4. Për këtë arsye, drejtësia dhe paqja janë larg jush, qëkur secili ka braktisur frikën e Perëndisë dhe rritet i verbër në besimin e tij dhe i ka dhënë fund ecjes sipas rregullave të porosive të tij, ose për t’u sjellë në një mënyrë të denjë për Krishtin. Për më tepër, secili ndjek epshin e zemrës së tij djallëzore, duke ringjallur atë pandershmëri dhe rivalitet jo të shenjtë prej të cilit me të vërtetë “vdekja erdhi në botë” .

4. Dhe Shkrimi shkon kështu: “Me kalimin e kohës, Kaini i bëri një ofertë frutash të tokës Zotit; por Abeli, i ofroi edhe ai të parëlindurit e kopesë së tij dhe dhjamin e tyre. 2. Dhe Zoti e çmoi Abelin dhe dhuratën e tij, por nuk pranoi Kainin dhe ofertën e tij. 3. Dhe kështu Kaini u pezmatua shumë dhe fyryra e tij mori një pamje të dëshpëruar. 4. Atëherë Zoti i tha Kainit: “Pse je pezmatuar dhe pse fytyra jote është dëshpëruar? Nëse ke bërë një flijim të drejtë, por të ndarë jo në mënyrë të drejtë, a nuk ke mëkatuar? Ki kujdes. 5. Vëllai yt do të kthehet ndaj teje dhe ti do të sundosh mbi të” . 6. Dhe Kaini i tha vëllait të tij Abelit: “Eja të shkojmë në fushë”. Dhe ndodhi që ndërsa ishin në fushë Kaini sulmoi vëllanë e tij, Abelin, dhe e vrau” . 7. E shikoni vëllezër, rivaliteti dhe cmira janë përgjegjëse për zemërimin. 8. Për shkak të rivalitetit, stërgjyshi ynë Jakobi u largua me të katra nga prania e vëllait të tij, Esaut. 9. Ishte rivaliteti i cili i shkaktoi Jozefit të përndjekje deri në vdekje e rënie në skllavëri. 10. Rivaliteti e detyroi Moisiun të largohej prej pranisë së Faraonit, mbretit të Egjiptit, kur ai dëgjoi njërin prej njerëzve të grupit të thoshte: “Kush të bëri ty drejtues ose gjykatës mbi ne? Do që të më therësh sikurse dje there egjiptianin?” 11. Për shkak të rivalitetit Aaroni dhe Miriami u përjashtuan prej kampit. 12. Rivaliteti flaku Datanin dhe Abiramin të gjallë në Had sepse u revoltuan kundër Moisiut, shërbëtorit të Perëndisë. 13. Për shkak të rivalitetit Davidi jo vetëm shkaktoi cmirën e të huajve, por edhe u përndoq prej Saulit, mbretit të Izraelit.

5. Por, duke kaluar prej shembujve në antikitet, le të vijmë tek heronjtë më pranë kohërave tona. Le të marrim shembujt më të mirë të brezit tonë. 2. Për arsye të rivalitetit dhe cmirës shtyllat më të mëdha dhe më të drejta [të Kishës] u përndoqën dhe luftuan deri në vdekje. 3. Le të vendosim para syve tanë apostujt madhështorë. 4. Pjetrin , i cili për arsye të zilisë së pandershme, jo vetëm një apo dy herë, por shpesh duroi vuajtje dhe si rrjedhim, duke dëshmuar , shkoi në vendin e lavdishëm që meritonte. 5. Për shkak të rivalitetit dhe grindjes Pali tregoi si të fitonte çmimin për durim dhe qëndrueshmëri. 6. Shtatë herë u lidh me zinxhirë; u internua, u qëllua me gurë, u bë lajmëtar [i ungjillit] në Lindje dhe Perëndim, dhe fitoi famën e madhe të cilën besimi i tij e meritonte. 7. Në tërë botën mësoi drejtësinë, dhe duke arritur kufijtë e Perëndimit ai dha dëshmi para drejtuesve. Dhe kështu, i liruar prej kësaj bote, u ngrit në vendin e shenjtë dhe u bë shembull i madh i durimit dhe qëndrueshmërisë.

6. Këtyre njerëzve të cilët bënë jetë të tilla kaq të shenjta, iu bashkua një grumbull njerëzish të zgjedhur, të cilët, për shkak të rivalitetit, qenë viktima të shumë veprave të dhunshme dhe torturave, e më vonë u bënë shembujt më të lartë midis nesh. 2. Për shkak të rivalitetit gra u persekutuan në rolin e Danaeve dhe Dirkesë . Viktima të shpifjeve të tmerrshme dhe blasfemive, ato ndoqën me siguri garën e besimit për në mbërritje, dhe, me gjithë dobësitë e tyre fizike, fituan një çmim të madh. 3. Ishte rivaliteti që i largoi gratë prej burrave dhe zhvlerësoi thënien e atit tonë Adam: “Kjo është kockë e kockave të mia dhe mishi i mishit tim” . 4. Rivaliteti dhe grindja kanë përmbysur shumë qytete dhe kanë çrrënjosur shumë kombe të mëdhenj.

7. Po i shkruajmë këto, të dashur miq, jo vetëm me qëllim që t’ju këshillojmë, por dhe të kujtojmë veten. Ne jemi në të njëjtën arenë dhe marrim pjesë në të njëjtën përpjekje. 2. Që sot e tutje ne duhet të hedhim tutje interesat tona boshe dhe të pavlera dhe të kthehemi në rregullin e lavdishëm dhe të shenjtë të traditës sonë . 3. Le të vëmë re çfarë është e mirë, çfarë është e kënaqëshme dhe e pranueshme prej atij i cili na krijoi. 4. Le të ngulim sytë tanë në gjakun e Krishtit dhe le të kuptojmë sa i çmuar është për Atin e tij qëkur hodhi mbi ne shpëtimin dhe solli hirin e pendimit ndaj tërë botës. 5. Le të shohim tërë brezat, dhe që prej një brezi në tjetrin të vështrojmë se Zoti “ka ofruar një mundësi pendimi” ndaj atyre të cilët janë të gatshëm të kthehen tek ai. 6. Noeja predikoi pendimin dhe ata që ia vunë veshin u shpëtuan. 7. Jonai predikoi shkatërrimin e Ninevitëve, dhe kur ata u penduan për mëkatet e tyre, ata u pajtuan me Perëndinë nëpërmjet lutjeve të tyre dhe fituan shpëtimin, megjithëse nuk ishin popull i Perëndisë.

8. Lajmëtarët e hirit të Perëndisë folën mbi pendimin nëpërmjet Hirit të Shenjtë, 2. por dhe vetë Zoti i gjithësisë foli për pendimin me një betim: “Për sa jetoj, thotë Zoti, nuk dëshiroj vdekjen e mëkatarit, por pendimin e tij”. 3. Ai shtoi, gjithashtu, këtë rishqyrtim zemërgjerë: “Pendohu, o shtëpi e Izraelit, për pandershmëritë e tua. Thuaju bijve të popullit tim, mëkatet tuaja do të shtrihen nga toka në qiell dhe do të bëhen më të kuqe se gjaku dhe më të zeza se thesi i lirit dhe ju duhet të ktheheni me tërë zemrën tuaj dhe të thoni: “Atë!” Unë do t’u kushtoj vëmendje sikurse të ishin të shenjtë” . 4. Dhe në një vend tjetër thuhet kështu: “Lahuni dhe bëhuni të pastër: pastroni shpirtrat prej pandershmërisë para syve të mi. Jepini fund pandershmërisë, mësoni të silleni mirë, përkushtojini veten drejtësisë, shpëtoeni prej gabimit, ngrini lart të drejtat e jetimit dhe jepini të drejtë gruas së ve. Dhe ejani, le të arsyetojmë së bashku, thotë Zoti; dhe nëse mëkatet tuaja janë të purpurta, do t’i bëj ato të bardha si bora, dhe nëse janë të kuqe, do t’i bëj si leshi i bardhë. Dhe nëse do të më kushtoni vëmendje, do të hani gjërat e mira të tokës. Por nëse nuk do të më kushtoni vëmendje, shpata do tu përlajë. Kështu ka folur goja e Zotit” . 5. Meqenëse, pra, deshi tërë këto, deshi të ishte një mundësi për t’u penduar, dhe ai e konfirmoi këtë nëpërmjet vullnetit të tij të madh.

9. Kështu, le të biem në një mendje me këtë qëllim të lavdishëm dhe le të përkulemi para tij si lutësit për mëshirën dhe mirësinë e tij. Le të kthehemi në dhembshurinë e tij dhe të hedhim tutje aventurat e rrezikshme, grindjet dhe rivalitetin që drejton në vdekje. 2. Le t’i kthejmë sytë ndaj atyre që i kanë shërbyer lavdisë së tij. 3. Le të marrim Enokun, për shembull, i cili meqenëse provoi drejtësinë me anë të bindjes së tij, u shndërrua dhe nuk vdiq kurrë. 4. Noeja siguroi besnikërinë në punën e tij misionare dhe predikoi një lindje të re në botë. Nëpërmjet tij, si rrjedhim, Zoti shpëtoi ato krijesa të gjalla që hynë në mënyrë të paqëshme në arkë.

10. Abrahami, i mbiquajtur “miku”, provoi besnikëri duke iu bindur fjalëve të Perëndisë. 2. Ishte bindja e cila e bëri atë të linte vendin e tij, farefisin dhe shtëpinë e babait të tij, në mënyrë që duke u larguar nga një vend shpirtvogël, një farefis i keq dhe një shtëpi e parëndësishme, ai të mund të trashëgonte premtimet e Perëndisë. 3. Ai i tha: “Largohu prej vendit tënd, prej farefisit tënd dhe shtëpisë së atit tënd dhe shko në tokën të cilën do të ta tregoj. Dhe unë do të të bëj të madh midis kombeve dhe do të të bekoj, dhe do ta bëj emrin tënd të njohur, dhe ti do të bekohesh. Dhe do të bekoj ata që do të të bekojnë dhe do të mallkoj ata që do të të mallkojnë dhe tërë fiset në tokë do të bekohen prej teje” . 4. Dhe përsëri, kur u nda prej Lotit, Perëndia i tha: “Ngri sytë dhe shiko Veriun, Jugun, Lindjen dhe Perëndimin, sepse tërë tokën që do të shikosh do të ta jap ty dhe farës tënde përgjithmonë. 5. Dhe do ta bëj farën tënde si pluhuri i tokës. Nëse dikush mund të numërojë pluhurin e tokës, edhe fara jote do të numërohet” . 6. Dhe përsëri ai thotë: “Perëndia drejtoi Abrahamin jashtë dhe i tha: Ngri sytë në qiell dhe numëro yjet, nëse ke mundësi. Aq do të jetë dhe numri i farës tënde! Dhe Abrahami besoi Perëndinë dhe kjo bëri të lartësohej si një vepër e drejtë” . 7. Për shkak të besimit dhe mikpritjes së tij një djalë iu dhurua në moshë të vjetër, dhe ai me bindje e ofroi atë si flijim ndaj Perëndisë në një prej kodrave që Ai përcaktoi.

11. Për shkak të mikpritjes dhe përkushtimit të tij fetar Loti u shpëtua prej Sodomës kur tërë vendi u ndëshkua me zjarr dhe squfur. Në këtë mënyrë Zoti bëri të qartë se nuk braktis ata që vënë shpresat tek Ai, por shpërndan ndëshkim dhe torturë ndaj atyre që i kthejnë kurrizin. 2. Më vonë, për të qenë të sigurt, gruaja e tij u bë shembull. Pas largimit nga qyteti së bashku me të, ajo ndryshoi mendje dhe si pasojë ajo u bë shtylla e kripës që ekziston dhe sot. Në këtë mënyrë u bë e dukshme ndaj të gjithëve që kanë dy mendje dhe atyre që vënë në dyshim fuqinë e Perëndisë, se janë të ndëshkuar, dhe u bë paralajmërim ndaj të gjithë brezave.

12. Për shkak të besimit dhe mikpritjes Rahabi e përdalë u shpëtua. 2. Kur spiunët u dërguan në Jeriho prej Jozueut, birit të Nunit, mbreti i tokës mori vesh se ata kishin ardhur për të spiunuar në vendin e tij. Si rrjedhim ai dërgoi njerëz për t’i kapur, për t’i arrestuar dhe për t’i vrarë. 3. Rahabi mikpritëse i mori, i fshehu në një dhomë lart nën kërcejtë e lirit. 4. Kur njerëzit e mbretit mësuan për këtë, i thanë: “Njerëzit që spiunojnë vendin tonë ishin në shtëpinë tënde. Nxirri ata jashtë, ky është urdhëri i mbretit”. Por ajo menjëherë u përgjegj: “Njerëzit që ju kërkoni erdhën në shtëpinë time, por menjëherë u nisën dhe janë në udhën e tyre”, dhe u tregoi drejtimin e kundërt. 5. Dhe ajo u tha njerëzve: “Jam plotësisht e sigurt që Zoti Perëndi jua ka dhënë ju në dorë këtë vend; frika dhe terrori juaj ka rënë mbi tërë njerëzit e këtij vendi. Kur ju të vini të merrni këtë vend, më shpëtoni mua dhe shtëpinë e babait tim”. 6. Dhe ata i thanë: “Do të ndodhë sikurse the. Kur ti të mësosh për ardhjen tonë, do të mbledhësh së bashku nën çatinë tënde tërë familjen dhe ata do të shpëtohen. Por kushdo që do të ndodhet jashtë shtëpisë do të shkatërrohet”. 7. Dhe në vazhdim i dhanë një shenjë: ajo duhet të varte një copë me ngjyrë të kuqe prej shtëpisë së saj. Me anë të kësaj ata e bënë të qartë se prej gjakut të Zotit shpengimi do të vinte për ata që besojnë në Perëndi dhe shpresojnë në të. 8. Ju shihni, të dashur miq, se jo vetëm besimi, por dhe profecia është shembulluar tek kjo grua.

13. Atëherë vëllezër, jini të përulur dhe çlirohuni prej shtirjeve dhe krenarisë, marrëzisë dhe mërzitjes. Le të veprojmë si na udhëron Shkrimi. Shpirti i Shenjtë thotë: “Njeriu i zgjuar nuk duhet të shpërthejë diturinë e tij, i forti forcën, i pasuri pasurinë. Por lëreni atë që lëvdohet të lëvdohet për Zotin; dhe kështu ai mund ta kërkojë Atë, dhe do të veprojë drejt” . Veçanërisht le të përmendim fjalët e Jesu Krishtit, të cilat ai shqiptoi për të mësuar durim dhe respekt. 2. Për këtë ai tha: “Mëshironi që të mëshiroheni. Falni që ju të faleni. Si të silleni ndaj të tjerëve, ashtu ata do të sillen ndaj jush. Siç do të jepni, do t’u jepet. Siç do të gjykoni, ashtu do të gjykoheni. Siç do të tregoni mirësi, ju do të merrni mirësi. Në masën që do të jepni, kjo do të jetë masa që do të merrni” . Le t’i qëndrojmë kësaj porosie dhe këtyre vendimeve e me qëllim që t’i bindemi fjalëve të tij të shenjta dhe të përulemi 4. Dhe Shkrimi i Shenjtë thotë: “Mbi kë do të kthej shikimin tim, përveç mbi atë që është i përulur, që ka frymë të penduar dhe dridhet nga fjala ime?”

14. Eshtë e drejtë dhe e shenjtë vellezër që t’i bindemi Perëndisë në vend që të pasojmë këta mendjemëdhenj dhe të çrregullt të cilët marrin udhëheqjen e rivalitetit të pa dëshiruar. 2. Nuk do të na shkaktohet ndonjë e keqe e rëndomtë, por një rrezik i madh, nëse në mënyrë të paarsyeshme japim veten tonë ndaj drejtimeve që të çojnë në grindje dhe kryengritje, dhe armiqësohemi me atë që është e drejtë. 3. Le të jemi të mirë me njëri-tjetrin, me dhembshuri dhe butësi ndaj atij që na krijoi. 4. Për këtë është shkruar: “E mira do të banojë tokën dhe të pafajëshmit do të qëndrojnë mbi të. Por ata që shkelin ligjin do të shkatërrohen prej saj” . 5. Dhe përsëri thuhet: “Pashë një njeri pa perëndi, të lartësuar, të pandershëm, të ngritur dhe lartësuar si kedrat në Liban. Por unë shkova tutje, dhe, shih, ishte venitur! Dhe kërkova për vendin e tij dhe nuk munda ta gjej. Ruani pafajësinë dhe një sy hapur për drejtësi, sepse njeriu i paqshëm që do të ketë pasardhës” .

15. Le të bashkojmë veten me ata që me shpresëtari i janë përkushtuar paqes, dhe jo me ata që janë paqësorë me hipokrizi. 2. Diku thuhet: “Ky popull më nderon me buzët e tij, por zemra e tij është larg prej meje” . 3. Dhe përsëri: “Ata bekuan me gojën e tyre, por mallkuan me zemrën e tyre” . 4. Dhe përsëri thuhet: “E deshën me gojën e tyre, por e mashtruan me gjuhë. Zemra e tyre nuk u drejtua ndaj tij dhe ata nuk qenë besnikë ndaj marrëveshjes së tij. 5. Kështu që buzët mashtruese që flasin me djallëzi kundër të drejtëve le të bëhen memece” . Dhe përsëri: “Zoti shkatërroftë tërë buzët mashtruese dhe gjuhën që flet në mënyrë të tepërt dhe ata që thonë: “Ne do të lëvdojmë gjuhët tona; gjuhët janë tonat; kush është Zot mbi ne?” 6. Për shkak të mjerimit të të varfërve dhe rënkimit të atyre në nevojë tani do të ngrihem, thotë Zoti. Do t’i vë në një vend të sigurt: Do të veproj me guxim për këtë çështje” .

16. Krishti u përket të përulurve, jo atyre që lartësojnë veten mbi këtë tufë. 2. Skeptri i madhështisë së Perëndisë, Zoti Jesu Krisht, nuk erdhi me madhështinë e krenarisë apo me mendjemadhësi, megjithëse e kishte mundësinë. Por erdhi me përulësi, siç i tha Shpirti i Shenjtë. 3. Në Shkrim lexohet: “Zot, kush besoi çfarë dëgjuam? Dhe kujt i është zbuluar krahu i Zotit? Para tij ne shpallëm se ishte si fëmijë, si një rrënjë në tokë të etur. Ai nuk ka figurë ose lavdi. Ne e pamë, ai nuk kishte as figurë, as bukuri. Por pamja e tij qe e turpshme, e mangët kur e krahasuam me shtatin e njeriut. Ai ishte njeri i plagosur e i munduar dhe provoi të duronte dobësinë. Meqenëse fytyra e tij qe kthyer mënjanë, ai u çnderua dhe nuk u përfill. 4. Ai mbart mëkatet tona dhe vuan dhimbje për ne. Dhe ne menduam se Ai ka dhembje, është plagosur dhe i nënshtrohet vuajtjes; por Ai u plagos për shkak të mëkateve tona dhe vuajti prej paudhësive tona 5. Për të na sjellë paqe Ai u ndëshkua: me anë të plagosjes së Tij ne u shëruam. 6. Si delja, kemi shkuar në rrugë të gabuar: secili prej nesh qe në rrugën e vet të gabuar. 7. Dhe Zoti dha veten e Tij për mëkatet tona; dhe nuk e hap gojën për të këqijat që vuan. Si delja Ai është nisur për t’u vrarë; është memec si qengji para kasapëve, e kështu nuk e hap gojën. Me poshtërimin ndëshkimi i Tij përfundoi. 8. Kush do të na tregojë për origjinën e Tij? Jeta e Tij u mor prej toke. 9. Për shkak të shkeljeve të bëra prej popullit tim Ai shkoi drejt vdekjes. 10. Dhe unë do t’i jap djallëzinë si ofrim për varrimin e Tij, dhe pasurinë për vdekjen e Tij. Ai nuk bëri asnjë padrejtësi dhe asnjë mashtrim nuk u gjend në gojën e Tij. Dhe vullneti i Perëndisë është që të pastrojë Atë prej plagëve. 11. Nëse bëni një flijim për mëkatin, shpirti juaj do të shikojë pasardhës të shumtë në të ardhmen. 12. Dhe vullneti i Zotit është të përfundojë me mundimin e shpirtit të tij, t’i tregojë dritën dhe ta formojë me kuptueshmëri, të shfajësojë një njeri të drejtë që sjell shumë të mira. Dhe Ai vetë do të mbartë mëkatet e tyre. 13. Për këtë arsye Ai do të ketë shumë trashëgimtarë dhe Ai do të ndajë plaçkën e të fortëve, sepse jeta e Tij u dha deri në vdekje dhe Ai u numërua midis shkelësve. 14. Dhe Ai ishte Ai i cili mbarti mëkatet e shumë njerëzve dhe u dha për shkak të mëkateve të tyre” .
15. Dhe përsëri ai vetë thotë: “Unë jam një krimb dhe jo njeri, një turp i qenies njerëzore dhe i përçmuar prej tërë njerëzve. 16. Të gjithë ata që më panë, më tallën, ata hapën gojët dhe tundën kokat, duke thënë: “Ai shpresoi tek Zoti. Ta lëmë ta shpëtojë Ai, ta lëmë Atë ta shpëtojë, meqenëse ai kënaqet me Të!” E shihni, miq të mi të dashur, cili është shembulli që na është dhënë. Sepse nëse Zoti tregoi kaq përulësi, çfarë duhet të bëjmë ne që u lindëm nën zgjedhën e hirit të Tij? 17. Le të bëhemi imitues të atyre që jetuan “në lëkurë dhënsh e dhish” duke shpallur ardhjen e Krishtit; dhe e kemi fjalën për Elian dhe Elishën, gjithashtu dhe për Ezekielin, profetët, dhe bashkë me ta dhe ata që na janë të njohur. 2. Abrahami u njoh se u quajt mik i Perëndisë, por duke madhështuar lavdinë e Perëndisë tha: “Unë jam baltë dhe hi” . 3. Madje për Jobin shkruhen këto: “Jobi ishte i ndershëm dhe i drejtë, i sinqertë, shpresëtar dhe rrinte larg çdo të keqeje” . 4. Por ai vetë akuzon vetveten duke thënë: “Askush nuk është i pastër prej mëkatit, qoftë edhe nëse jeta e tij zgjat një ditë” . 5. Moisiu u quajt “shpresëtar në gjithë shtëpinë e tij” . Dhe nëpërmjet tij Perëndia dënoi egjiptianët me anë të plagëve dhe fatkeqësive. Por ai, megjithëse u lavdërua shumë, nuk u mburr, por i tha ferrës, kur i jepej porosi nga Perëndia: “Çfarë jam unë që më dërgon? Unë kam zë të pafuqishëm dhe jam i ngathët në të folur” . 6. Dhe diku tjetër thotë: “Unë jam avull që ngrihet prej poçes”.

18. E çfarë mund të themi për Davidin e famshëm? Perëndia tha për të: “Zbulova një njeri pas zemrës sime, Davidin birin e Jeseut: e kam vajosur me mëshirë të përjetëshme” . 2. Por ai gjithashtu i thotë Perëndisë: “Ki mëshirë mbi mua, o Perëndi, sipas mëshirës tënde të madhe, dhe sipas bollëkut të dhembshurisë sate pastro mëkatin tim. 3. Më laj të tërin prej padrejtësive dhe më pastro prej mëkatit, sepse unë e kuptoj paudhësinë time dhe mëkati im ndodhet përpara meje kurdoherë. 4. Kundër teje mëkatova dhe bëra ligësi përpara syve të tu. Përfundimi është që ke të drejtë kur flet dhe i shfajësuar kur gjykon. 5. Isha krijuar në padrejtësi dhe në mëkat më lindi nëna ime. 6. Ti ke dashur të vërtetën: ti më ke zbuluar misteret dhe të fshehtat e urtësisë tënde. 7. Ti do të më spërkatësh me hisop dhe unë do të pastrohem. Do të më lash dhe unë do të bëhem më i bardhë se dëbora. 8. Ti do të më bësh të dëgjoj gëzim dhe ngazëllim; kockat e përulura do të gëzohen. 9. Ktheje fytyrën tënde prej mëkateve të mia dhe shfaros tërë paudhësitë e mia. 10. Krijo tek unë një zemër të pastër, o Perëndi, dhe përtëri një shpirt të drejtë deri në palcë. 11. Mos më hidh larg pranisë tënde dhe mos e hiq prej meje Shpirtin tënd të Shenjtë. 12. Kthemë gëzimin e shpëtimit tënd dhe më forco me shpirtin tënd drejtues. 13. Do t’u mësoj të pandershmëve udhët e tua dhe të paperëndishmit do të kthehen tek ti. Shpëtomë prej gjakrash, o Perëndi, Perëndia e shpëtimit tim. 14. Gjuha ime do të gëzohet në drejtësinë tënde. 15. Ti do të hapësh gojën time, o Zot, dhe buzët e mia do të shpallin lavdërimin tënd. Se po të kesh dashur therore, unë do të ta kisha dhënë. 16. Ti nuk do kënaqesh në ofrimet e djegura. 17. Sakrifica për Perëndinë është shpirti i thyer: një zemër të thyer dhe e përulur, o Perëndi, ti nuk do ta përbuzësh” .

19. Përulësia dhe nënshtrimi i bindur i kaq shumë heronjve kaq të famshëm na ka përmirësuar jo vetëm ne, por dhe etërit para nesh dhe të gjithë ata që kanë marrë profecitë e Tij në frikë dhe sinqeritet. 2. Meqenëse ne kemi përfituar prej shumë veprave të mëdha dhe të lavdishme, le të vrapojmë drejt qëllimit të paqes, që na u dorëzua që prej fillimit. Le të përqendrojmë sytë tanë tek Ati dhe Krijuesi i gjithësisë dhe të përqafojmë dhuratat e tij të shkëlqyeshme dhe madhështore të paqes e të mirësisë ndaj nesh. 3. Le ta shikojmë atë në mendjet tona dhe të shikojmë me sytë e shpirtrave tanë në qëllimin e tij të durueshëm. Le të mendojmë sa i duruar në zemërim është ai ndaj gjithë krijesës.

20. Qiejtë lëvizin në drejtim të Tij dhe paqësisht i binden. 2. Ditë e natë ndjekin rrugën që u ka caktuar, pa hyrë në rrugën e njëri-tjetrit. 3. Dielli, hëna dhe kori i yjeve rrokullisen në harmoni në udhët e tyre të drejtuara sipas porosisë së Tij dhe asnjëherë nuk shmangen. 4. Me anë të vullnetit të Tij, pa përçarë ose ndryshuar ndonjë gjë, Ai ka urdhëruar tokën të bëhet e frutshme në stinët e përshtatshme dhe sjell ushqim të bollshëm për njerëzit, egërsirat dhe për çdo gjë të gjallë mbi të. 5. Thellësitë e pa shkelura, të pafundme dhe të papërshkrueshme të zonave të nënbotës, i nënshtrohen të njëjtit urdhër. 6. Shtrati i detit pa kufi është ndërtuar sipas Tij për të mbajtur ujërat e mbledhura, kështu uji nuk rrjedh jashtë kufijve që e rrethojnë, por bën atë që urdhëron Ai. 7. Sepse Ai tha: “ Kaq larg do të vini, dhe valët e tua do të thyhen brenda teje” . 8. Oqeani, të cilin njerëzit nuk mund ta kalojnë, dhe botët përtej tij qeverisen nga i njëjti urdhër i Mjeshtrit. 9. Stinët, pranvera, vera, vjeshta, dhe dimri, në paqshmëri i japin udhë njëra-tjetrës. 10. Erërat prej pikave të vështira kryejnë shërbimin e tyre në kohën e duhur dhe pa pengesë. Burimet shumëvjeçare të krijuara për kënaqësi dhe shëndet, dhurojnë papushim gjinjtë e tyre për njerëzit, që këta të jetojnë. Krijesat më të vogla shkojnë së bashku në harmoni dhe paqe. 11. Tërë këto gjëra, Krijuesi i madh dhe Mjeshtri i gjithësisë urdhëroi të ekzistojnë në paqe dhe harmoni. Kështu, Ai derdhi të gjitha të mirat mbi gjithçka, por me më shumë bollëk mbi ne, të cilët kemi marrë strehim në dhembshurinë e Tij nëpërmjet Zotit tonë Jesu Krisht, 12. të cilit i qoftë lavdia dhe madhështia për jetë të jetëve. Amin .

21. Prandaj kini kujdes, miq të dashur, se mos bekimet e Tij të shumta kthehen në ndëshkim, nëse nuk bëjmë me një mendje sa janë të mira dhe të pëlqyeshme për Atë, por të jetojmë siç i takon atij. 2. Sepse Ai thotë diku: “Shpirti i Zotit është një llambë e cila kërkon thellësitë e fshehura të zemrës” . 3. Le të kuptojmë sa pranë është Ai dhe se asnjë prej mendimeve tona ose ideve që kemi nuk i shpëton të vënit re. 4. Eshtë e drejtë pra të mos braktisim vullnetin e tij. 5. Në vend të ofendojmë Perëndinë, le të ofendojmë njerëzit e marrë dhe budallenj të cilët ngrenë lart veten e tyre me krenari në fjalime të bukura. 6. Le të nderojmë Zotin Jesu Krisht, gjaku i të cilit na u dha neve. Le të respektojmë ata të cilët na drejtojnë. Le të nderojmë më të moshuarit. Le të rrisim të rinjtë nën frikën e Perëndisë. Le të drejtojmë gratë tona ndaj asaj që është e mirë. 7. Le të tregojnë moralin e dashur të qashtërisë, le të tregojnë modestinë e përnjëmendshme të tyre. Le të shfaqin me anë të heshtjes së tyre respektin që u takon. Le ta japin dashurinë e tyre jo me parapëlqime, por me shenjtëri le të duan njësoj ata që i tremben Perëndisë. 8. Le t’i lëmë fëmijët tanë të bëjnë një përgatitje të krishterë. Le t’i lëmë të mësojnë vlerat që Perëndia i jep përulësisë, çfarë fuqie ka dashuria e pastër për Të, sa mirë dhe shkëlqyeshëm është të kesh frikë Atë dhe si kjo nënkupton shpëtim për të gjithë sa jetojnë në frikën e Tij me shenjtëri dhe mendje të pastër. 9. Ai është kërkuesi i mendimeve dhe dëshirave, fryma e të cilit ndodhet brenda nesh dhe kur Ai dëshiron, mund ta heqë.

22. Dhe të gjitha këto i siguron besimi tek Krishti; sepse Krishti, nëpërmjet Shpirtit të Shenjtë, na fton: “Ejani bijtë e mi, dëgjomëni. 2. Do t’u mësoj frikën e Zotit. Cili njeri dëshiron jetën dhe dëshiron të shijojë ditë të mira? 3. Mbaje gjuhën larg të këqiave dhe buzët larg prej shqiptimit të mashtrimit. 4. Përmbahu prej së keqes dhe bëj të mira. 5. Kërko paqe dhe rend pas saj. 6. Sytë e Zotit janë mbi të drejtët dhe veshët e Tij janë të hapur ndaj kërkesave të tyre. Por fytyra e Zotit është kthyer kundër atyre që bëjnë ligësi, për të çrrënjosur kujtimin e tyre prej dheut. 7. Njeriu i drejtë thërriti dhe Zoti e dëgjoi dhe e shpëtoi nga vuajtjet. 8. Të shumta janë mjerimet e mëkatarit, por mëshira e Tij do të përqafojë ata të cilët shpresojnë tek Zoti” .

23. Ati i mëshirshëm dhe mirëbërës ka dhembshuri mbi ata që e kanë frikë dhe me mirësi dhe dashuri Ai dhuron hiret e Tij ndaj atyre që i drejtohen me zemër të sinqertë. 2. Për këtë arsye nuk duhet të jemi dyshues dhe shpirtrat tanë nuk duhet të dyshojnë dhuratat e Tij të shkëlqyera dhe të lavdishme. 3. Le t’i kthehemi vargut të Shkrimit që thotë: “Fatkeqë janë dyshuesit, ata të cilët dyshojnë në shpirtin e tyre dhe thonë: “I kemi dëgjuar këto gjëra edhe në kohërat e etërve tanë, dhe shikoni, ne u plakëm dhe asgjë prej tyre nuk ka ndodhur”. 4. Të marrë! Krahasoni veten me një pemë. Merrni për shembull një hardhi: së pari gjethon, pastaj jep një syth, pastaj një gjethe, pastaj një lule, dhe pastaj rrush të thartë, dhe në fund një frut të pjekur” . Vini re që fruti i pemës arrin pjekurinë në një kohë të shkurtër. 5. Kështu, shpejt e papritur, qëllimi i Tij do të përmbushet, sikurse dëshmon dhe Shkrimi: “Me të shpejtë Ai do të vijë dhe jo me vonesë, dhe Zoti do të vijë papritur në tempullin e Tij pa vonesë, madje dhe më i Shenjti që ju prisni” .

24. Le të kuptojmë, të dashur miq, si Mjeshtri në mënyrë të vazhdueshme tregon se do të ketë një ringjallje të ardhshme. Prej kësaj e bëri Zotin Jesu Krisht frutin e parë duke e ngritur prej vdjekjes. 2. Le të vëmë re, të dashur miq, për ngjalljen në stinët e natyrshme. 3. Dita e nata na shfaqin ngjalljen. Nata kalon dhe dita vjen. Dita ikën dhe nata kthehet. 4. Merrni si shembull të lashtat. Si dhe në ç’mënyrë bëhet mbjellja? 5. Mbjellësi hedh farat në tokë . Kur bien në tokë, janë të thata e të zhveshura dhe vdesin. Por pastaj kujdesi i mrekullueshëm i Zotit i ngre prej kalbjes dhe prej një fare, shumë rriten dhe japin fruta.

25. Le të vëmë re shenjën e dallueshme që vjen nga Lindja, prej të afërmve, që është Arabia. 2. Është një zog që quhet feniks. Ështe i vetmi i këtij lloji dhe jeton pesëqind vjet. Kur koha e vdekjes është pranë, bën për vdekjen një fole prej temjami, mirre dhe erëzash të tjera; dhe kur fundi vjen, hyn dhe vdes brenda. 3. Prej mishit të tij që dekompozohet prodhohet një krimb, i cili ushqehet prej lëngjeve të krijesës së vdekur dhe zhvillon krahë. Kur është plotësisht i rritur, merr folenë që mban kockat e të mëparshmit dhe i mbart ato prej Arabisë në qytetin egjiptian quajtur Heliopolis. 4. Dhe në mes të ditës, kështu që çdokush mund ta shikojë, shkon tek altari i diellit dhe e vendos atje, dhe kthehet përsëri pas. 5. Priftërinjtë atëherë shohin datat e rregjistruara dhe zbulojnë se ka ardhur pasi u plotësuan pesëqind vjet .

26. A duhet të mendojmë se është e madhe dhe e habitshme nëse Krijuesi i gjithësisë do të ngjallë ata të cilët i kanë shërbyer Atij në shenjtëri dhe në bindje të lindur të një besimi të mirë, kur Ai përdor një zog për të ilustruar madhështinë e premtimit të Tij? 2. Ai thotë diku: “Do të më ngjallësh dhe unë do të të lavdëroj” dhe: “Unë rashë dhe fjeta, u ngrita sepse ti je me mua” . 3. Dhe përsëri Jobi thotë: “Dhe ti do ta ngjallësh këtë mish timin, që ka duruar tërë këto” .

27. Me këtë shpresë, atëherë, le të bashkojmë veten me Atë, i cili është besnik ndaj premtimeve dhe i drejtë në gjykimet e Tij. 2. Ai, i cili na urdhëron të përmbahemi prej gënjeshtrës, nuk gënjen vetë. Asgjë nuk ëshë e pamundur për Perëndinë përveç gënjeshtrës . 3. Atëherë le të rindezim besimin tonë tek Ai dhe të ngulisim në kokë se asgjë nuk shtrihet pas Tij. 4. Me anë të fjalës së Tij madhështore Ai krijoi gjithkahnajën, dhe me anë të fjalës së Tij mund ta sjellë atë në fund. 5. “Kush do t’i thotë Atij: “Çfarë bëre?” ose kush do t’i rezistojë forcës së Tij të madhërishme?” Ai do të bëjë gjithçka, kur të dojë dhe si të dojë. Dhe asnjë prej gjërave të urdhëruara nga Ai nuk do të dështojë. 6. Çdo gjë është e hapur para Tij dhe asgjë nuk i shpëton vullnetit të Tij. 7. “Qiejtë shpallin lavdinë e Perëndisë dhe kupa qiellore shpall veprën e duarve të Tij. Dita i thotë fjalë ditës; dhe nata i jep njohje natës. Dhe nuk janë as fjalë as fjalime, dhe zërat e tyre nuk dëgjohen” .

28. Meqenëse Ai shikon dhe dëgjon çdo gjë, duhet t’i frikësohemi dhe të çlirojmë veten prej dëshirave të pandershme dhe nga këto punë të këqia. Duke vepruar kështu ne do të mbulohemi nga mëshira e Tij prej gjykimeve që do të vijnë. 2. Ku mund t’ia mbathim larg prej dorës së Tij? Çfarë bote është ajo që pret dikë që tradhëton Atë? Shkrimi thotë diku: 3. “Ku të shkoj e ku të fshihem prej pranisë sate? Nëse shkoj lart në qiell, Ti je atje. Nëse zbres në fundet e tokës, atje është dora jote e djathtë. Nëse bëj diçka të keqe në thellësi, shpirti yt është atje” . 4. E ku pra, ku mund të shkojë dikush, ose ku mund të arratiset prej Atij që përmban gjithçka?

29. Ne, atëherë, duhet t’i drejtohemi shenjtërisht me shpirtrat tanë, duke ngritur lart drejt Tij duart e pastra, duke dashur Atin tonë të mirë e të dhembshur, që na ka krijuar si pjesën e zgjedhur të Tij. 2. Sepse është shkruar: “Kur më i Larti ndau kufijtë e kombeve, kur Ai shpërndau bijtë e Adamit, Ai përcaktoi kufinjtë e kombeve për t’u përshtatur me numrin e ëngjëjve të Perëndisë . Pjesë e Perëndisë u bë populli i Tij, Jakobi: Izraeli ishte trashëgimi që i ra Atij” . 3. Dhe në një vend tjetër thuhet: “Vini re, Zoti merr për vete një komb midis kombeve, ashtu si dhe njeriu merr frutet e para të shirjes; dhe të Shenjtat e të Shenjtave do të vijë prej atij kombi” .

30. Meqenëse ne jemi pjesa e shenjtë, le të bëjmë gjithçka, që na çon në shenjtërim. Duhet të largohemi prej shpifjeve, turpit dhe veseve të papastra, dehjes, trazirave, epsheve të ndyra, shkeljes së urryer të kurorës dhe krenarisë. 2. “Sepse Perëndia”, thuhet në Shkrim, “i kundërshton krenarët, por u jep hir të përulurve” . 3. Ne duhet të bashkojmë veten me ata të cilëve u është dhënë hiri i Perëndisë. Duhet të veshim veten me pajtim, duke qenë të përulur, të përmbajtur, larg thashethemeve dhe përgojimeve dhe të shfajësuar prej veprave tona, jo prej fjalëve. 4. Sepse thuhet: “Ai që flet shumë do të dëgjojë shumë si përgjigje. Mos vallë ai që flet shumë quhet i drejtë? 5. Bekuar qoftë ai që lindi prej gruaje dhe jetoi pak. Mos u bëj i madh duke folur shumë” . 6. Duhet të lëmë Perëndinë të na lartësojë dhe jo të lartësojmë veten. Perëndia urren vetëlavdëruesit. 7. Le të duartrokasin të tjerët veprat tona, sikurse bënë dhe paraardhësit tanë. 8. Pandehja, kokëkrisja dhe nxitimi janë tipare të atyre që janë të mallkuar prej Perëndisë. Por maturia, përulësia dhe thjeshtësia janë veçoritë e atyre që Perëndia ka bekuar.

31. Atëherë le t’i përkushtohemi të bekuarit të Tij dhe të shohim se cilat janë rrugët që të çojnë atje. Le të hapim tregimin e së kaluarës së lashtë. 2. Përse u bekua ati ynë Abraham? A nuk ishte sepse veproi në drejtësi dhe vërtetësi përmes besimit? 3. Isaku e kuptoi plotësisht se çfarë do të ndodhte dhe me gëzim flijoi veten. 4. Në përulësi Jakobi u largua prej vendit të tij për shkak të vëllait. Ai shkoi te Labani dhe u bë skllavi i tij, dhe atij iu dhanë dymbëdhjetë skeptërat e fiseve të Izraelit.

32. Dhe nëse dikush do të shikojë zemërhapur në secilin shembull, ai do të kuptojë madhështinë e dhuratave që jep Perëndia. 2. Prej Jakobit rrodhën tërë priftërinjtë dhe Levitët, të cilët i shërbyen altarit të Perëndisë. Prej tij vjen dhe natyra njerëzore e Jesu Krishtit. Prej tij kanë ardhur mbretërit, drejtuesit dhe qeverisësit e Judesë. Lavdia e fiseve të tjera buroi prej tij. Perëndia premtoi: “Fara jote do të jetë si yjet në qiell” . 3. Kështu të tërë fituan nder dhe madhështi, jo nëpërmjet vetes, veprave të tyre ose gjërave të drejta që ata bënë, por nëpërmjet vullnetit të Tij. 4. Dhe ne pra, që me anë të vullnetit të Tij jemi thirrur në Jesu Krishtin, nuk shfajësohemi prej vetes sonë, diturisë ose mprehtësisë, përkushtimit fetar, ose veprave të shenjta me anë të zemrës sonë, por me anë të atij besimi me anë të të cilit Perëndia ka shfajësuar tërë njerëzit që prej fillimit. E Tij qoftë lavdia në jetë të jetëve. Amin.

33. Atëherë, vëllezër çfarë duhet të bëjmë? Mos duhet të ndalojmë së bëri mirë dhe të braktisim dashurinë? Zoti nuk na lejon një gjë të tillë në asnjë mënyrë! Për më tepër, ne duhet të jemi energjikë në të bërë “çdo punë të mirë” me seriozitet dhe dëshirë të madhe. 2. Sepse vetë Zoti dhe Mjeshtri i universit gëzohet me veprat e Tij. 3. Kështu, me anë të fuqisë së madhërishme Ai krijoi qiejtë dhe me anë të urtësisë së Tij të padepërtueshme i renditi. Ai ndau tokën prej ujërave që e rrethonin dhe i vendosi sipas vullnetit të tij. Me urdhërin e Tij ai solli në jetë krijesat e gjalla të cilat enden në të; dhe pas krijimit të detit dhe krijesave të cilat banojnë në të, Ai krijoi kufijtë me anë të fuqisë së Tij. 4. Mbi të gjitha, me anë të duarve të tij të shenjta dhe të pastra, Ai formoi njeriun sipas ikonës së Tij, më të shkëqyeshmen dhe më të madhen arritje të Tij. 5. Për këtë Perëndia tha: “Le të bëjmë njeriun sipas përngjasimit dhe shëmbëlltyrës sonë. Dhe Perëndia bëri njeriun: Ai e krijoi mashkull dhe femër” . 6. Dhe kështu, kur Ai i përfundoi të gjitha, Ai e lartësoi, e bekoi dhe tha: “Shtohuni dhe shumohuni!” 7. Ne duhet të vemë re se të drejtët janë stolisur me vepra të mira dhe Zoti stolis veten me veprat e mira dhe gëzohet. 8. Duke patur, atëherë, këtë shembull, pa hezitim duhet të japim veten tonë ndaj vullnetit të Tij dhe të vëmë tërë forcat për të vepruar drejtësisht.

34. Punëtori i mirë pranon bukën e fituar me kokën e tij lart; dembeli dhe moskokëçarësi nuk mund ta shikojnë punëdhënësin në fytyrë. 2. Atëherë duhet të kemi dëshirë të madhe për të bërë të mira; sepse çdo gjë vjen prej Tij. 3. Ai na paralajmëron: “Shihni, Zoti po vjen. Ai po sjell me vete shpërblimin e Tij, për të paguar secilin sipas punës së bërë” . 4. Ai na lejon ne që besojmë tek Ai me tërë zemrën tonë të mos plogështohemi ose të mos jemi të shkujdesur në çdo “punë të mirë” . 5. Ai duhet të jetë lavdia dhe sigurimi ynë. Ne duhet t’i nënshtrohemi vullnetit të Tij. Duhet të vëmë re sesi turmat e engjëjve të Tij qëndrojnë të gatshëm për t’i shërbyer vullnetit të Tij. 6. Shkrimi thotë: “Dhjetë mijë herë dhjetë mijë qëndruan para Tij, dhe mijëra e mijëra i shërbyen dhe thirrën: I shenjtë, i shenjtë, i shenjtë është Zoti i Fuqive: e tërë krijesa është plot me lavdinë e Tij” . 7. Ne, pra, gjithashtu, duhet të mblidhemi së bashku për adhurim, në pajtim dhe besim të dyanshëm dhe t’i thërrasim në një gojë të vetme, me qëllim që të ndajmë premtimin e Tij të lavdishëm. 8. Sepse Ai thotë: “Syri nuk ka parë dhe veshi nuk ka dëgjuar dhe në zemrën e njeriut nuk ka hyrë ndonjëherë çfarë Ai ka përgatitur për ata të cilët e duan Atë” .

35. Sa të mrekullueshme dhe të bekuara janë dhuratat e Perëndisë, të dashur miq! 2. Jetë me pavdekshmëri, shkëlqim me drejtësi, e vërtetë me mirëbesim, besim me siguri, përmbajtje me shenjtëri! Dhe këto janë ato që kupton mendja jonë. 3. Atëherë çfarë është përgatitur për ata që e presin? Krijuesi dhe Ati i përjetësisë, i tërëshenjti, vetëm Ai e di sa të mëdha dhe të mrekullueshme janë. 4. Ne pra, duhet të vendosim tërë forcat që të jemi në të numrin e atyre që e presin Atë me durim, e kështu të bëhemi pjesëtarë të dhuratave të premtuara prej Tij. 5. Dhe si do të bëhet kjo të dashur miq? Nëse mendja jonë është përqendruar me besë tek Perëndia, nëse kërkojmë çfarë kënaq Atë, nëse bëjmë atë që është në përshtatje me vullnetin e Tij të pastër dhe pasojmë të vërtetën, pasi të çlirojmë veten nga tërë padrejtësitë, ligësitë, kopracia, grindja, shpirtligësia, mashtrimi, thashethemet, përgojimi, urrejtja ndaj Perëndisë, krenaria, shtirjet, mendjemadhësia dhe mosmikpritja . 6. Sepse Perëndia urren ata që nuk veprojnë në këtë mënyrë; dhe jo vetëm ata që bëjnë gjëra të tilla, por dhe ata që i mbështesin. 7. Dhe Shkrimi thotë: “Por Perëndia i tha mëkatarit: Përse flet mbi porositë e mia dhe ke dhjatën time në buzët e tua? 8. Ti e urreve disiplinën dhe u ktheve krahët fjalëve të mia. Nëse pe një vjedhës, shkove bashkë me të dhe u bashkove me kurorëshkelësit. Goja jote u mbush me poshtërsi dhe gjuha jote endi mashtrim. U ule atje dhe përgojove vëllanë tënd duke vendosur një pengesë në udhën e birit të nënës tënde. 9. Këto bëre, dhe unë qëndrova i heshtur. Ti mendove, i paligjshëm, se unë u bëra si ti. 10. Unë do të të fajësoj dhe do të të tregoj veten tënde të vërtetë. 11. Mbaji mend këto gjëra, ti që harron Perëndinë, se do të të mbërthejë ty si një luan dhe nuk do të ketë njeri të të ndihmojë. 12. Një sakrificë lutjeje do të më lëvdojë, dhe kjo është rruga për t’i treguar atij shpëtimin tek Perëndia” .

36. Kjo është mënyra, të dashur miq, në të cilën gjejmë shpëtimin, Jesu Krishtin, Kryepriftin e ofrimeve tona, mbrojtësin dhe ndihmuesin e dobësive tona. 2. Nëpërmjet Tij ne kundrojmë lartësitë e qiellit. Tek Ai ne shikojmë të pasqyruar fytyrën e pastër dhe të shkëlqyeshme të Perëndisë. Nëpërmjet Tij sytë e zemrave tona janë hapur. Nëpërmjet Tij marrëzitë tona dhe botëkuptimi i errët vjen në dritë. Nëpërmjet Tij Zoti ka shprehur vullnetin se ne duhet të shijojmë dije të përjetshme; “rrezatimi i madhështisë hyjnore të të cilit është kaq më i lartë se i engjëjve, sa ç’është i ndryshëm emri që trashëgoi” . 3. Sepse është shkruar: “ Ai që bën engjëjt erëra dhe shërbëtorët e Tij gjuhë zjarri” . 4. Por për birin e tij, ja se çfarë tha Mjeshtri: “Ti je biri im: sot të kam lindur. Më kërko dhe do të të jap kombet për trashëgim dhe fundet e botës do jenë nën pushtetin tënd” . 5. Dhe përsëri Ai i thotë: “Qëndro në të djathën time derisa të bëj armiqtë e tu fron për këmbët e tua” . 6. Cilët quhen “armiqtë”? Ata të cilët janë të pandershëm dhe kundërshtojnë vullnetin e Tij.

37. Me zellshmëri, pra, vëllezër, duhet të marshojmë nën urdhërat e tij të patëmetë. 2. Le të vëmë re se me çfarë disipline, gatishmërie dhe bindjeje mbartin urdhërat ata të cilët shërbejnë nën gjeneralët tanë. 3. Jo gjithkush është gjeneral, kolonel, kapiten, rreshter, e kështu me rradhë. Por “secili në rradhën e tij” mbart urdhërat e perandorit dhe të gjeneralëve. 4. I madhi nuk mund të ekzistojë pa të voglin; sikurse dhe i vogli nuk mund të ekzistojë pa të madhin. Të gjitha janë të lidhura bashkë; dhe kjo ka një përparësi. 5. Merrni, për shembull, trupin tonë. Koka nuk mund të funksionojë në rregull pa këmbët. Në mënyrë të ngjashme, as këmbët nuk bëjnë dot pa kokën. “Pjesët më të vogla të trupit tonë janë më të nevojshme për të” dhe janë të vlefshme ndaj trupit në tërësi. Po, të gjitha pjesët veprojnë në pajtim, dhe janë të bashkuara ndaj një bindjeje të vetme për të mbrojtur tërë trupin.

38. Duke vazhduar me këtë, ne duhet të mbrojmë gjithashtu trupin tonë të krishterë në tërësinë e tij. Secili duhet t’i nënshtrohet të afërmit, në varësi të dhuratave të tij të veçanta. 2. I forti të kujdeset për të dobëtin, i pasuri të ndihmojë të varfërin; i varfëri të falenderojë Perëndinë që i dha dikë për ta ndihmuar. Njeriu i ditur duhet të tregojë diturinë e tij jo në fjalë, por në vepra. I përuluri nuk duhet të mburret për përulësinë e tij, por duhet t’ua lërë të tjerëve rastin për ta përmendur atë. Ai i cili është i përmbajtur trupërisht nuk duhet të ngrerë hundën përpjetë. Ai duhet të dijë se përmbajtja është një dhuratë e dhënë prej tjetërkujt. 3. Duhet të kujtojmë, vëllezër, prej çfarë lënde u krijuam, çfarë lloj krijesash ishim dhe si hymë në botë, prej çfarë varri errësire na solli në botën e tij Ai që na krijoi, pasi përgatiti të mirat që me kaq zemërgjerësi bëri për ne, para se të lindnim. 4. Që atëherë ne i kemi borxh gjithçka, ne i detyrojmë falenderime të panumërta. E Tij qoftë lavdia në jetë të jetëve. Amin.

39. Njerëzit e pamend, të çmendur, të pakuptueshëm, të paditur na tallin duke dashur të lartësojnë veten e tyre me mendimin e tyre. 2. Por ç’mund të bëjë një vdekatar? Çfarë fuqie ka një krijesë tokësore? 3. Për këtë është shkruar: “Nuk kishte formë para syve të mi, por dëgjova një frymëmarrje dhe një zë. 4. Ç’thoshte? Mundet një vdekatar të jetë i pastër para Zotit? Ose mundet një njeri të jetë pa faje për veprimet e tij, nëse ai nuk beson në shërbëtorët e Tij dhe gjen diçka të gabuar tek engjëjt e Tij? 5. As parajsa nuk është e pastër në vështrimin e Tij: lëri vetëm ata të cilët jetojnë në shtëpi balte - nga e njëjta baltë prej së cilës jemi krijuar. Ai i qëllon ata si një flutur nate; dhe ata pushojnë së ekzistuari që prej agimit deri në mbrëmje. Ata humbin dhe nuk mund të ndihmojnë vetveten. 6. Ai u fryn dhe ata vdesin për mungesë të diturisë. 7. Thërrisni dhe shikoni nëse dikush do të kujdeset për ju, ose nëse do të shikoni ndonjë prej engjëjve të shenjtë. Zemërimi shkatërron një njeri budalla, dhe zilia është vdekja e atij në gabim. 8. Kam parë budallain të zërë rrënjë, por papritur shtëpia e tij është zhdukur. Bijtë e tij do të jenë larg shpëtimit. 9. Do të tallen tek dera e të vegjëlve dhe nuk do të ketë njeri t’i shpëtojë. Atë që kanë përgatitur, të drejtët do ta hanë; dhe ata nuk do të shpëtohen prej fatkeqësive” .

40. Tani që kjo është e qartë dhe ne kemi hedhur një vështrim në thellësitë e njohurive hyjnore, duhet të bëjmë me rradhë gjithë sa jemi porositur, në kohën e përshtatshme. 2. Urdhëroi të kryheshin therore dhe shërbime; dhe kërkoi që këto të bëheshin jo pa kujdes dhe në mënyrë të çrregullt, por në kohërat dhe stinët që Ai caktoi. 3. Ku dëshiron Ai të kryhen dhe nga kush, Ai vetë i përcaktoi me anë të vullnetit të Tij të lartë, kështu çdo gjë do të bëhej në mënyrë të shenjtë dhe me miratimin e Tij, dhe duhet të jetë e pranueshme sipas vullnetit të Tij. 4. Ata, gjithashtu, që japin blatimet e tyre në kohën e caktuar, fitojnë miratimin dhe bekimin e Tij. Sepse ata ndjekin porositë e Zotit dhe nuk mëkatojnë. 5. Kryepriftit i janë dhënë detyra të veçanta: priftërinjve u është përcaktuar vend i veçantë, ndërsa levitëve u janë paracaktuar detyra të veçanta. Laiku është i lidhur prej porosive të laikëve.

41. “Secili prej nesh”, vëllezër, “sipas rradhës së vet” , duhet të fitojë miratimin e Perëndisë dhe të ketë një ndërgjegje të pastër, pa shkelur rregullat e shërbimit tonë, por duke i përmbushur me respekt. 2. Jo gjithkund, vëllezër, blatohen flijimet e ndryshme - ato ditoret, blatimet e vullnetit të lirë dhe ato të mëkateve dhe ligësive - përveç në Jeruzalem. Qoftë dhe atje, flijimet nuk bëhen kudo, por vetëm përballë vendit të shenjtë, tek altari, pasi kryeprifti dhe shërbestarët e tjerë të përmendur kanë kontrolluar që flija është pa të metë. 3. Ata, pra, që veprojnë në kundërshtim me vullnetin e Tij, vuajnë dënimin e vdekjes. 4. E shikoni, vëllezër, sa më tepër njohuri na jepen, aq më tepër rreziqe na kërcënojnë.

42. Apostujt e morën ungjillin për ne prej Jesu Krishtit; Jesui, Krishti, u dërgua prej Perëndisë. 2. Si rrjedhim, Krishti është prej Perëndisë dhe apostujt prej Krishtit. Në të dy shembujt procedura e urdhërave varet prej vullnetit të Perëndisë. 3. Dhe kështu apostujt, pas marrjes së urdhrave dhe të të qenurit plotësisht të sigurt për ngjalljen e Zotit tonë Jesu Krisht dhe të sigurt për fjalën e Perëndisë, shkuan, edhe me mbështetjen e Shpirtit të Shenjtë, të predikojnë lajmin e mirë se Mbretëria e Perëndisë do të vijë. 4. Ata predikuan në vende e qytete dhe emëruan zëvendësit e tyre të parë, pasi i provuan prej Shpirtit, për të qenë peshkopët dhe dhjakonët e besimtarëve të ardhshëm. 5. Kjo nuk ishte e re, pasi Shkrimi kishte përmendur peshkopët dhe dhjakonët shumë kohë më parë. Kjo është arsyeja që diku në Shkrim thuhet: “Do të emëroj peshkopët e tyre në drejtësi dhe dhjakonët e tyre në besim” .

43. Mos vallë është ndonjë çudi e madhe që ata të Krishterë të cilëve Perëndia u besoi një detyrë të tillë do të kenë emëruar punonjësit e lartpërmendur? Sepse dhe Moisiu i bekuar, gjithashtu, “i cili ishte një shërbëtor besnik në tërë shtëpinë e Perëndisë” , shkroi në librat e shenjtë gjithë porositë që iu dhanë, dhe pjesa tjetër e profetëve pasuan rrugën e tij duke dëshmuar ligjin e tij. 2. Tani që lindi rivaliteti për priftërinë dhe fiset filluan të grindeshin se kush do të nderohej me këtë privilegj lavdie, Moisiu urdhëroi krerët e dymbëdhjetë fiseve t’i sillnin purtekat në të cilat ishin shkruar emrat e secilit fis. I mori këto, i bashkoi dhe i lidhi me unazat e krerëve të fiseve, dhe i vendosi purtekat në tendën e dëshmisë, në altarin e Perëndisë. 3. Dhe pastaj e mbylli tendën dhe e dyllosi sikurse bëri dhe me purtekat. 4. Dhe pastaj tha: “Vëllezër, fisi, purteka e së cilit do të nxjerrë sythe, do të jetë i zgjedhur prej Perëndisë për priftërinë dhe shërbimin e Tij”. 5. Të nesërmen, herët në mëngjes, mblodhi tërë Izraelin, gjashtëqind mijë vetë, dhe krerëve të fiseve u tregoi çelësat e dyllosur, dhe hapi tendën e dëshmisë dhe mori purtekat. Dhe u zbulua që purteka e Aaronit kishte çelur jo vetëm sytha, por po jepte fruta. Si mendoni të dashur miq? 6. Nuk e dinte Moisiu më përpara se çdo të ndodhte? Sigurisht! Por veproi në mënyrë që të parandalonte anarkinë në Izrael, kështu emri i të vetmit Perëndi të vërtetë mund të lavdërohej. E Tij qoftë lavdia në jetë të jetëve. Amin.

44. Tashmë apostujt tanë, falë Zotit Jesu Krisht, e dinin se do të kishte mosmarrëveshje mbi titullin e peshkopit. 2. Ishte kjo arsyeja, si dhe për faktin se u ishte dhënë njohje për të ardhmen, që ata emëruan shërbesëtarët që përmendëm. Për më tepër, ata më vonë shtuan se nëse vdesin, të tjerë burra të provuar duhet të marrin shërbesën . 3. Nën këtë dritë, ne e shohim si shkelje të drejtësisë largimin nga shërbimi të atyre që ishin vendosur qoftë nga ata [d.m.th. apostujt], qoftë më vonë dhe me miratimin e gjithë kishës, prej të tjerëve me denjësinë e duhur, dhe të cilët, duke gëzuar miratimin e të gjithëve, i shërbyen pa faj tufës së Krishtit me përulësi, qetësi dhe thjeshtësi. 4. Sepse do jetë mëkat i madh nëse përjashtojmë prej peshkopatës njerëz që kanë ofruar therore me pafajësi dhe shenjtëri. 5. Me të vërtetë të lumtur janë presbiterët të cilët kanë fjetur dhe që përfunduan një jetë të frutshme me detyrë të përmbushur. Ata nuk kanë frikë se dikush do t’i heqë prej vendeve të tyre të sigurta. 6. Por ne shohim se ju keni hequr prej shëbesës një numër njerëzish, me gjithë sjelljen e mirë dhe shërbimin e përmbushur me nder dhe ndërgjegje.

45. Dhe rivaliteti juaj vëllezër, prek ato pjesë që kanë lidhje me shpëtimin tonë. 2. Ju keni studiuar Shkrimin e Shenjtë që përmban të vërtetën dhe është frymëzuar prej Shpirtit të Shenjtë. 3. Ju kuptoni që nuk ka asgjë të gabuar ose ndonjë keqdrejtim në të. Nuk do të gjeni njerëz të drejtë që janë mohuar prej njerëzve të shenjtë. 4. Të drejtët, për të qenë të sigurt, janë përndjekur prej njerëzve të pandershëm. Ata janë burgosur, por prej të ligjve. Janë qëlluar me gurë prej shkelësve të ligjit, janë therur prej njerëzve të nxitur prej rivalitetit të neveritshëm dhe të pandershëm. 5. Megjithatë, në vuajtje të tilla, ata ofruan vetëm madhështi. 6. Çfarë duhet të themi vëllezër? Mos Danieli ra në grackën e luanëve prej atyre që respektonin Perëndinë? 7. Apo Anania, Azaria, ose Mishaeli u mbyllën në furrën përvëluese prej njerëzish te përkushtuar ndaj adhurimit të mrekullueshëm ndaj më të Lartit? Mos qoftë kështu! E kush qe që i bëri këto gjëra? Njerëz të urryer, kryekëput të pandershëm, të cilët arritën në një zemërim të tillë sa të vënë në vuajtje ata që i shërbenin Perëndisë me dëshirë shpresëtare dhe të panjollë, sepse nuk e dinin se i Larti është mbrojtësi më i madh i atyre që me zemër të pastër adhurojnë emrin e Tij të tërëmirë, të cilit i përket lavdia, në jetë të jetëve. Amin. 8. Por ata që vuajtën me besim, trashëguan lavdi dhe nder. Ata u lartësuan, dhe Perëndia i skaliti në kujtesën e Tij për jetë të jetëve. Amin.

46. Vëllezër, ne duhet të ndjekim shembuj të tillë. 2. Sepse është shkruar: “Ndiqni shenjtorët, se ata që ndjekin shenjtorët do të shenjtërohen” . 3. Sërish thuhet në një tjetër vend: “Në shoqërinë e të pafajshmëve do të jesh i pafajshëm, në shoqërinë e të zgjedhurve do të jesh i zgjedhur, dhe në shoqërinë e njeriut mashtrues do të jesh hileqar” . 4. Atëherë le të ndjekim të pafajshmin dhe të drejtin; sepse ai është i zgjedhuri i Perëndisë. 5. Pse ka mes jush rivalitet, zemërime, përçarje, skizmë dhe luftë? 6. Mos vallë nuk kemi një Perëndi, një Krisht dhe një Shpirt të hirit që vërshoi mbi ne, dhe një thirrje në emrin e Perëndisë? 7. Pse shqyejmë dhe grisim me forcë pjesët e Krishtit dhe ngremë krye kundër trupit tonë? Pse arrijmë në një shkallë të tillë çmendurie saqë harrojmë se jemi pjesë të njëri - tjetrit? Kujtoni fjalët e Zotit tonë që tha: 8. “Mjerë ai njeri; do ishte më mirë për të të mos kishte lindur, sesa të skandalizojë një nga të zgjedhurit e mi; do ishte më mirë për të të lidhte rreth tij një gur mulliri dhe të hidhej në det, sesa të prishë një nga të zgjedhurit e mi” . 9. Skizma juaj ka larguar shumë vetë, ka mërzitur shumë, shumë vetë janë në dyshim dhe të gjithë neve na ka vënë në pikëllim. Dhe qëndrimi juaj vazhdon të jetë i njëjtë!

47. Merrni letrën e të bekuarit apostull Pal. Cila ishte gjëja parësore që ai ju shkroi “kur filloi të predikonte ungjillin?” 3. Për të qenë i sigurt, nën drejtimin e Shpirtit, ai ju shkroi ju për veten, Kefan dhe Apollonin, sepse edhe atëherë ju kishit krijuar dallime. 4. Dallimi në atë kohë ishte mëkat më pak serioz, meqenëse ju ishit partizanët e famshëm të apostujve dhe të njeriut që ata kishin provuar. 5. Por mendoni tani cilët janë ata të cilët ju drejtuan në rrugë të gabuar dhe zvogëluan nderin tuaj dhe dashurinë tuaj vëllazërore. 6. Është e pandershme, jashtëzakonisht e pandershme dhe e padobishme për edukimin tuaj të Krishterë, të dëgjosh që për shkak të një apo dy individëve Kisha e fortë dhe e lashtë e Korinthit ndodhet në revoltë kundër presbiterëve të saj. 7. Ky lajm, për më tepër, ka ardhur jo vetëm tek ne, por dhe tek ata që nuk pajtohen me ne . Rezultati është që emri i Zotit është blasfemuar për shkak të budallallëkut tuaj dhe ju jeni në rrezik.

48. Duhet t’i japim shpejt fund kësaj. Duhet të shtrihemi përdhe përpara Mjeshtrit tonë dhe t’i lutemi me lot të ketë mëshirë për ne, të pajtohet dhe të na sjellë përsëri praktikën e shenjtë dhe të nderuar të dashurisë vëllazërore. 2. Kjo është porta e të drejtëve që hap udhën drejt jetës, sikurse është shkruar: “Hapni portat e drejtësisë për mua, që unë të hyj dhe t’i lutem Zotit. 3. Kjo ëshë porta e Zotit: të drejtët do të hynë nëpërmjet saj” . 4. E ndërsa janë shumë porta të hapura, porta e të drejtëve është porta e Krishterë. Bekuar qofshin të gjithë ata që hyjnë nëpërmjet saj dhe drejtojnë udhën e tyre “në shenjtëri dhe drejtësi” , duke bërë gjithçka pa rrëmujë. 5. Le të jetë njeriu besnik, të jetë në gjendje të marrë “dijeje” , të jetë i zgjuar në gjykimin e fakteve, të jetë i pastër në vepra. 6. Por, sa më madhështor të shfaqet, aq më i përulur duhet te jetë, aq më i gatshëm për të kërkuar të mirën e përbashkët, më tepër sesa të mirën vetjake.

49. Cilido që ka dashurinë e Krishtit duhet të përmbushë porositë e Krishtit. 2. Kush mund të përshkruajë kufijtë e dashurisë së Perëndisë? 3. Kush mundet të shprehë bukurinë madhështore të Tij? 4. Lartësitë në të cilat dashuria drejton janë përtej përshkrimit. 5. Dashuria na bashkon me Perëndinë. “Dashuria fsheh një shumicë mëkatesh” . Dashuria banon me gjithçka dhe është gjithmonë e durueshme. Nuk ka asgjë të shëmtuar rreth dashurisë, asgjë kryelartë. Dashuria nuk njeh skizmë apo revoltë. Dashuria bën gjithçka në harmoni. Prej dashurisë, tërë të përzgjedhurit e Perëndisë u bënë të përsosur. Pa dashuri asgjë nuk mund të kënaqë Perëndinë. Zoti na pranoi me anë të dashurisë. 6. Për shkak të dashurisë që Ai pati për ne dhe në përkim me vullnetin e Perëndisë, Jesu Krishti, Zoti ynë, dha gjakun e Tij për ne, dha trupin e Tij për trupin tonë dhe jetën e Tij për ne.

50. Shihni, vëllezër, sa madhështore dhe e habitshme është dashuria, dhe si përsosmëria e saj tejkalon çdo lloj përshkrimi. 2. Kush është në gjendje të zotërojë atë, përveç ata të cilëve Perëndia u ka dhënë privilegjin? Atëherë le t’i lutemi mëshirës së Tij për të na dhuruar dashuri pa paragjykimet njerëzore dhe të na krijojë me patëmeta. 3. Tërë brezat, prej Adamit deri në ditët e sotme kanë vdekur, por ata të cilët me anë të hirit të Perëndisë janë bërë të përsosur në dashuri, kanë vend midis shenjtorëve, të cilët do të shfaqen kur të vijë Mbretëria e Krishtit. 4. Sepse edhe është shkruar: “Shkoni në dhomat e brendshme të shtëpive tuaja për ca kohë, derisa zemërimi im të kalojë, dhe unë do të kujtoj një ditë të mirë dhe do t’u ngre prej varreve tuaja” . 5. Të lumur jemi ne, të dashur miq, nëse do të mbajmë porositë e Perëndisë në harmoni dhe dashuri, kështu që nëpërmjet dashurisë mëkatet tona do të falen. 6. Sepse është shkruar: “Të lumur janë ata, padrejtësitë e të cilëve janë falur dhe mëkatet e të cilëve janë mbuluar. I lumur është njeriu, mëkati i të cilit nuk do të numërohet prej Zotit dhe në buzët e të cilit nuk ka mashtrim” . 7. Ky është bekimi i cili u është dhënë atyre që Perëndia i zgjodhi nëpërmjet Jesu Krishtit, Zotit tonë. E Tij qoftë lavdia në jetë të jetëve. Amin.

51. Atëherë le të kërkojmë falje për dështimet tona dhe për gjithçka që kemi bërë nëpërmjet nxitjes së kundërshtarit (djallit). Dhe ata të cilët janë krerët e revoltës dhe mosmarrëveshjeve duhet të kenë për qëllim shpresën e përbashkët. 2. Natyrisht, ata që jetojnë në frikë dhe dashuri do të vuanin vetë më parë se të lejonin të vuanin të afërmit. Ata parapëlqejnë ta durojnë vetë ndëshkimin, sesa të sjellin në qortim traditën tonë me emër dhe me harmoni të drejtë. 3. Është më mirë për një njeri të rrëfejë mëkatet e tij, sesa të ngurtësojë zemrën, në të njëjtën mënyrë sikurse bënë rebelët kundër Moisiut, shërbëtorit të Perëndisë. Vendimi kundër tyre ishte bërë i qartë. 4. “Ata shkuan të gjallë në Had” dhe “vdekja do të jetë bariu i tyre” . 5. Faraoni, shpura e tij dhe të gjithë princat e Egjitptit dhe “koçitë e luftës me kalorësit e tyre” u gllabëruan në Detin e Kuq dhe u zhdukën, dhe kjo vetëm pasi ngurtësuan zemrat e tyre, pasi Moisiu, shëbëtori i Perëndisë, kishte bërë shenja dhe mrekullira në Egjipt.

52. Zoti, vëllezër, nuk ka nevojë për asgjë. Ai nuk do asgjë prej askujt, përveç se t’i lutet Atij. 2. I zgjedhuri i tij Davidi thotë: “Do ti lutem Zotit; dhe kjo do ta kënaqë Atë më tepër sesa një viç me brirë dhe thundra. Le të shikojnë të varfërit këtë dhe të gëzohen” . 3. Dhe përsëri thotë: “Ofrojini Perëndisë sakrificën e lutjes dhe përmbusheni betimin tuaj ndaj më të Lartit. Më bëni thirrje ditën e hidhërimit dhe do t’ju shpëtoj, dhe ju do të më lëvdoni. Për flijim Perëndia kërkon një shpirt të thyer” .

53. Të dashur miq, ju njihni Shkrimet e Shenjta – ju i njihni ato mirë – dhe ju keni studiuar profecitë e Perëndisë. Këto që shkruajmë, i shkruajmë me qëllim që t’i kujtoni. 2. Kur Moisiu u ngjit në mal dhe qëndroi dyzet ditë e dyzet net në kreshmim dhe përulje, Perëndia i tha: “Zbrit poshtë shpejt prej këtej, sepse njerëzit e tu, të cilët i drejtove jashtë tokës së Egjiptit, kanë shkelur ligjin. Ata shpejt u kthyen prej rrugës që i porosite të merrnin. Ata kanë krijuar idhuj për veten e tyre” . 3. Dhe Zoti i tha: “Të kam folur një herë, po, dy herë të kam thënë se i kam parë këta njerëz dhe vura re se janë kokëfortë. Më lër t’i shfaros dhe do të fshij emrin e tyre nën qiell, dhe do të krijoj një komb të madh e të mrekullueshëm, shumë më të madh se ky” . 4. Dhe Moisiu u përgjegj: “Jo, jo Zot. Fali mëkatet e njerëzve të mi, përndryshme më zhduk dhe mua prej librit të jetës” . 5. O dashuri e madhe! O përsosuri e paarritshme! Shërbëtori flet haptas ndaj Zotit të tij. Ai lutet të falë njerëzit e tij, ose kërkon që dhe ai të zhduket së bashku me ta.

54. Cili prej jush, pra, është trim? Cili është i mëshirshëm? Cili është plot me dashuri? 2. Le të thotë: “Nëse për fajin tim revolta, grindja dhe skizma është ngritur, unë do të largohem, do të shkoj larg ku të dëshironi ju, do të bëj atë çka bashkësia më urdhëron. Vetëm tufa e Krishtit të jetojë në paqe me presbiterët e emëruar”. 3. Ai që do të veprojë kështu, do të fitojë për veten lavdi të madhe përpara Krishtit dhe do të mirëpritet kudo. “Toka me tërë bollëkun e saj i përket Zotit” . 4. Këtë kanë bërë dhe do të bëjnë ata që ndjekin qytetin e Perëndisë, dhe nuk kanë asnjë keqardhje.

55. Le të marrim disa shembuj idhujtarësh : në kohëra kolere, shumë mbretër dhe drejtues të nxitur prej profecive, kanë dhënë jetën me qëllim që të shpëtonin nënshtetasit e tyre me anë të gjakut të tyre . Shumë prej tyre janë larguar nga qytetet e tyre që kryengritjet të merrnin fund . 2. Ne dimë që shumë prej tanëve kanë burgosur vetveten si shpërblim për lirimin e të tjerëve. Shumë kanë shitur veten dhe çmimin e kanë dhënë për të ushqyer të tjerët. 3. Shumë gra, të fuqizuara prej hirit të Perëndisë, kanë kryer vepra të denja sikurse dhe burrat. 4. Juditi e bekuar, kur qyteti i saj ishte nën rrethim, iu lut pleqve ta lejonin të largohej drejt kampit të armikut. 5. Kështu ajo vuri veten në rrezik, dhe për dashurinë e vendit të saj dhe për njerëzit e ngujuar ajo u nis. Dhe Zoti dha Holofernin në duar gruaje. 6. Në jo më pak rrezik Estheri, gruaja me besim të përsosur, rrezikoi veten me qëllim të shpëtonte dymbëdhjetë fiset e Izraelit kur ishin gati për t’u shkatërruar. Nëpërmjet kreshmimit dhe përulësisë ajo iu lut Zotit që sheh gjithçka, Perëndisë së përjetëshme; dhe Ai vuri re përulësinë e shpirtit të saj me të cilën ajo iu lut Zotit të gjithësisë, Perëndisë së përjetëshme, dhe shpëtoi njerëzit, për hir të të cilëve ajo doli përpara rrezikut.

56. Kështu dhe ne duhet të ndërhyjmë për të gjithë që kanë rënë në mëkat, që t’u dhurohet mirësi dhe përulësi dhe ata të mund t’i nënshtrohen, jo neve, por vullnetit të Perëndisë. Në këtë mënyrë mund të provojnë frutshmërinë dhe përsosmërinë kur Perëndia dhe shenjtorët do t’i kujtojnë me mëshirë. 2. Duhet të pranojmë ndreqje, të dashur miq. Askush nuk duhet ta mohojë. Paralajmërimet që i japim njëri-tjetrit janë të mira dhe tërësisht të dobishme. Ato na lidhin me vullnetin e Perëndisë. 3. Kështu thotë Fjala e Shenjtë mbi të: “Zoti më ka disiplinuar rreptësisht dhe nuk më ka dhënë tek vdekja. 4. Zoti disiplinon atë që do, dhe ndëshkon çdo bir i cili pranon” . 5. Thuhet: “njeriu i drejtë do të më disiplinojë me mëshirë dhe do të më qortojë. Le të mos lejoj që vaji i mëkatarëve të më vajisë kokën” . 6. Dhe përsëri thuhet: “I lumtur është ai që Zoti e qorton. Mos hidh poshtë paralajmërimin e të Shenjtit. Ai shkakton dhimbje dhe pastaj i përmirëson të gjitha. 7. Ai godet, por duart e Tij shërojnë. 8. Gjashtë herë do të të shpëtojë prej nevojës; dhe në të shtatën e keqja nuk do të të prekë. 9. Në skamje do të të shpëtojë nga vdekja; në luftë do të të heqë prej majës së shpatës. 10. Prej kamzhikut të gjuhës Ai do të të fshehë dhe ti nuk do të frikësohesh prej ligësive kur ato të vijnë. 11. Do të qeshësh me të pandershmit dhe të paligjtë dhe nuk do të frikësohesh prej bishave të egra. 12. Bishat e egra do të të lënë në paqe. 13. Atëherë do të shohësh që shtëpia jote do të jetë e paqëshme dhe tenda në të cilën banon do të jetë e sigurt. 14. Do të shohësh gjithashtu se fara jote do të jetë e madhe dhe fëmijët e tu si bari i fushave. 15. Do të mbërrish në varrin tënd si gruri i pjekur i korrur në stinën e përshatshme, ose si pirgu në sheshin e shirjes i grumbulluar në kohën e duhur” . 16. Shikoni, të dashur miq, sa të mbrojtur janë ata që disiplinohen prej Zotit. Po, Ai është si atë i Mirë, dhe na disiplinon që rezultati i disiplinës së tij të shenjtë të nënkuptojë mëshirë për ne.

57. Kjo është arsyeja pse ju që jeni përgjegjës për kryengritjen duhet t’u nënshtroheni presbiterëve. Duhet të përulni zemrat dhe të disiplinoheni, kështu pendoheni. 2. Ju duhet të mësoni bindjen dhe t’i jepni fund krenarisë së shfrenuar, t’i vini fre gjuhëve krenare. Është mirë për ju të keni një vend pa rëndësi, por të lavdërueshëm në tufën e Krishtit, sesa të tregoheni të famshëm dhe të përjashtoheni prej shpresës së Krishtit. 3. Për këtë thuhet në Urtësinë e shkëlqyer: “Shikoni, do t’u shpall shprehjen e Shpirtit tim: Unë do t’u mësoj fjalën time. 4. Meqenëse unë thirra dhe ju nuk më dëgjuat, meqenëse unë derdha fjalët e mia dhe ju nuk më kushtuat vëmendje, nuk përfillët planet e mia dhe nuk iu bindët qortimeve të mia, unë do të qesh në shkatërrimin tuaj. Dhe do të gëzohem kur shkatërrimi të bjerë mbi ju, kur paniku papritur do t’ju zotërojë, dhe katastrofa të bjerë si uragan, ose kur përndjekja dhe rrethimi të vijë mbi ju. 5. Të pandershmit do të më kërkojnë, por nuk do të më gjejnë. Ata urryen diturinë dhe nuk zgjodhën frikën e Zotit. Ata nuk patën dëshirë t’i kushtonin vëmendje këshilltarëve të mi, dhe u tallën me qortimet e mia. 6. Për këtë arsye ata do të hanë frutin e rrugës që morën dhe do të mbushen me mosbesim. 7. Për arsye se ata padrejtësuan të drejtët, ata do të theren, dhe shkatërrimi do të vijë mbi të pabesët. Por ai që do të më dëgjojë, do të banojë në shpresë të sigurt dhe do të jetojë qetësisht, i lirë prej frikës së çdo fatkeqësie” .

58. Kështu, le t’i bindemi emrit të Tij të shenjtë dhe të lavdishëm dhe të largohemi prej kërcënimeve të cilat Urtësia ka parashikuar kundër të pabindurve. Në këtë mënyrë do të jetojmë në paqe, duke patur besim në më të shenjtin emrin e Tij të mrekullueshëm. 2. Pranoni këshillën tonë dhe kurrë nuk do të pendoheni. Sepse siç Perëndia jeton, siç jeton Zoti Jesu Krisht dhe Shpirti i Shenjtë (mbi të cilin të zgjedhurit besojnë dhe shpresojnë), njeriu i cili me përulësi dhe pa u penduar bën atë që Perëndia e ka urdhëruar dhe porositur, do të rradhitet dhe shkruhet në rradhët e atyre që do të shpëtohen prej Jesu Krishtit. Nëpërmjet Tij qoftë lavdia për Perëndinë, në jetë të jetëve. Amin.

59. Nëse, nga ana tjetër, do të ketë disa që do të tregohen të pabindur ndaj atyre çfarë Perëndia u tha nëpërmjet nesh, ata duhet të kuptojnë se do të vënë veten në mëkat dhe jo në rrezik të papërfillshëm. 2. Ne nga ana jonë nuk do të jemi përgjegjës për një mëkat të tillë. Por do të lutemi me lutje të vendosura që Krijuesi i gjithësisë të mbajë të pacënuar tërësinë e numrit të të zgjedhurve në mbarë botën, nëpërmjet Birit të dashur Jesu Krishtit, nëpërmjet të cilit ai na çoi “prej errësirës në dritë” , prej padijes në njohjen e emrit të Tij të lavdishëm , 3. në shpresën tek emri yt që është më i vjetër se tërë krijesa. Ti ke hapur “sytë e zemrave tona” që ne të kuptojmë se Ti je i vetmi “i larti i të lartëve dhe përherë do të prehesh i shenjtë mes të shenjtëve” . “Ti përule krenarinë e mendjemadhit, qeverise planet e kombeve, ngrite lart të përulurin dhe përule krenarin. Bëre të pasur dhe të varfër; Ti vret dhe sjell në jetë; Ti vetëm je roja i shpirtrave dhe Perëndia i çdo mishi” . Ti shikon në thellësi ; Ti shikon mbi veprat e njeriut; Ti ndihmon ata në rrezik dhe “ruan ata në dëshpërim” . Ti je krijuesi i çdo shpirti dhe shikon mbi ta. Ti shton kombet në tokë dhe prej të tërëve zgjodhe nëpërmjet Jesu Krishtit, birit të dashur, ata që të duan. Nëpërmjet Tij na mësove, na bëre shenjtorë dhe na nderove. 4. Ne të kërkojmë, Zot, të jesh “ndihmuesi dhe mbrojtësi ynë” . Shpëto ata që ndodhen në hidhërim; ngri të rënët; ndihmo nevojtarët; shëro të sëmurët; kthehu tek njerëzit e tu të cilët gabojnë; ushqe të uriturit; liro robërit tanë; ringjall të rënët; inkurajo ata që kanë humbur zemrën. “Lëri tërë kombet të kuptojnë se Ti je i vetmi Perëndi” , që Jesu Krishti është biri yt dhe “që ne jemi njerëzit e tu dhe delet e tufës sate” .

60. Me atë ç’ka bëre, shfaqe strukturën e përjetëshme të botës. Ti, o Zot, bëre botën. Ti që i je besnik tërë brezave, i drejtë në gjykim, i mrekullueshëm në forcë dhe madhështi, i ditur në krijim, i kujdesshëm në qëndresën e krijimit, i dukshëm në mirësi, i mirë me ata që të besojnë, “i mëshirshëm dhe i dhimbshëm” , fal mëkatet, pandershmëritë dhe dështimet tona. 2. Mos llogarit çdo mëkat të skllevërve dhe skllaveve të tua, por na pastro me pastërtinë e së vërtetës tënde dhe “udhëhiq hapat tona, me qëllim që të ecim me zemra të shenjta dhe të bëjmë atë ç’ka është më e mirë dhe e kënaqshme për Ty” dhe për udhëheqësit tanë. 3. Po, Zot, “kthe fytyrën tënde rrezatuese drejt nesh” në paqe, “për të mirën tonë,” me qëllim që ne të mbrohemi “me anë të dorës tënde të fuqishme” dhe të shpëtohemi prej çdo mëkati “prej krahut tënd të ngritur” . Shpëtona prej tërë atyre që na urrejnë pa ndonjë arsye. 4. Na jep ne dhe gjithë atyre që jetojnë në tokë harmoni dhe paqe, sikurse bëre dhe me etërit tanë, kështu që kur ata që të thërresin me respekt “në besim dhe vërtetësi” t’i binden emrit tënd të gjithëfuqishëm dhe të gjithëmirë.

61. Ti, Zot, u dhe udhëheqësve dhe kryetarëve tanë këtu në tokë pushtetin mbretëror nëpërmjet fuqisë sate madhështore dhe të papërshkrueshme, kështu që ne, duke parë nderin dhe lavdinë që iu dha prej teje, t’u bindemi atyre dhe të mos kundërshtojmë vullnetin tënd. Dhuroju atyre, o Zot, shëndet, paqe, harmoni dhe qëndrueshmëri, që ata të mos turpërojnë administrimin dhe qeverisjen që Ti u ke dhënë. 2. Sepse Ti, o Zot qiellor, “Mbreti i përjetësisë” , u jep bijve të njerëzve lavdi, nder dhe autoritet mbi njerëzit e tokës. Drejto planet e tyre, o Zot, në lidhje me atë “çfarë është e mirë dhe të kënaq” , kështu ata të mund të administrojnë autoritetin që u ke dhënë me paqe, vëmendje dhe nderim, dhe kështu të fitojnë mëshirën tënde. 3. Të lutemi, Ty që je i vetëm dhe në gjendje për të bërë këto dhe gjëra më të mira për ne, nëpërmjet kryepriftit dhe rojes së shpirtrave tanë, Jesu Krishtit. Nëpërmjet Tij qoftë lavdia dhe madhështia ndaj teje, tani e në të gjithë brezat e në jetëve të jetëve. Amin.

62. Ne kemi shkruar mjaft për ju, vëllezër, mbi çfarë i ka hije fesë sonë dhe çfarë është më e dobishmja ndaj atyre të cilët duan ndershmëri dhe dëshirojnë të kenë një jetë të drejtë dhe të virtytshme. 2. Ne, me të vërtetë, prekëm çdo pikë të besimit tonë, pendimin, dashurinë e vërtetë, vetpërmbajtjen, mendjekthjelltësinë dhe durimin. Ne ju kujtuam se me ndershmëri duhet të kënaqni Perëndinë me drejtësinë tuaj, besnikërinë dhe zemërbutësinë. Ju duhet të jetoni në harmoni, duke mos krijuar pakënaqësi, në dashuri, paqe dhe maturi të vërtetë, sikurse stërgjyshërit tanë, të cilët i përmendëm më parë, fituan pëlqimin me anë të qëndrimit të tyre të përulur ndaj Atit, Perëndisë Krijues, dhe ndaj tërë njerëzve. 3. Dhe këto jua kujtuam me kënaqësi të madhe, sepse e dinim mirë se po u shkruajmë burrave besimtarë dhe shumë të ditur që janë të dhënë pas fjalëve të doktrinës së Perëndisë.

63. Është pra e drejtë që me kaq dhe të tillë shembuj, të përkulni qafën dhe pasi të plotësoni detyrimin e bindjes, të bashkoheni me ata që janë caktuar udhëheqës të shpirtrave tuaj, në mënyrë që pasi të qetësohemi nga mbajtja e një qëndrimi të pamend, të vijmë tek qëllimi që qëndron para nesh, me qashtërsi, pa asnjë të metë. 2. Sepse do të na bëni jashtëzakonisht të lumtur nëse ju tregoni bindje ndaj çfarë u kemi shkruar nëpërmjet Shpirtit të Shenjtë, dhe nëse, duke ndjekur përgjërimin e letrës sonë për paqe dhe harmoni, pastroni vetet tuaja prej rivalitetit tuaj pasionant dhe djallëzor.
3. Po ju dërgojmë, për më tepër, persona të besueshëm dhe të matur, të cilët prej rinisë në pleqëri kanë jetuar mes nesh jetë të paprekura. Ata do të jenë dëshmitarë mes nesh. 4. E bëmë këtë me qëllim që t’ju lemë të kuptoni se shqetësimi ynë ka qenë dhe është që të keni paqe të shpejtë midis jush.

64. Dhe tani, Perëndia dhe Mjeshtri i “shpirtrave” dhe Zoti i “çdo mishi” , i cili zgjodhi Jesu Krishtin dhe ne nëpërmjet Tij “të jenë njerëzit e tij” , çdo shpirti që ka thirrur emrin e Tij të shenjtë dhe madhështor, le t’i japë besim, frikë, paqe, durim, zemërbutësi, përmbajtje, pastërti dhe mendjekthjelltësi. Kështu mund të fitojmë miratimin e tij nëpërmjet kryepriftit dhe mbrojtësit Jesu Krisht. Nëpërmjet Tij qoftë lavdia, madhështia, fuqia dhe nderi, tani e në të gjithë shekujt. Amin.

65. Jini të shpejtë të ktheni delegatët tanë në paqe dhe gëzim, Klaudin, Efebin dhe Valerio Bitën së bashku me Fortunatin , që të na sjellin lajmin e kësaj paqeje dhe harmonie që ne kemi lutur me kaq dëshirë dhe që shpejt të gëzohemi dhe ne për qëndrueshmërinë tuaj.
2. Hiri i Zotit tonë Jesu Krisht qoftë me ju dhe kudo me të gjithë ata që Perëndia i thirri nëpërmjet Tij. Nëpërmjet Tij qoftë lavdia, nderimi, fuqia, madhështia dhe froni i përjetësisë, që në shekuj e deri në shekuj të shekujve. Amin.

Letra e Romakëve drejtuar Korintasve .