I njohur tashmë jo vetëm prej famës, por edhe imazhit.

Brenda këtij viti pritet që në dy kryeqytete të mëdha evropiane, në Paris e në Londër, të vendosen monumente të Heroit Kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeut. Me kërkesën e komuniteteve shqiptare atje, në Londër do të vendoset një bust-portret, punë e skulptorit Artan Peqini, ndërsa në Paris, vepra e plotë e Janaq Paços "Skënderbeu mbi kalë", që ndodhet në Krujë e Prishtinë. Konkurset që përcaktuan punët fituese u zhvilluan gjatë vitit të kaluar nga Galeria Kombëtare e Arteve me urdhër të Ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.

Tradicional për londinezët

Ka pamje heroike, hundë shkabë, mjekërderdhur e me përkrenaren dybrirëshe. Një pamje e tillë nuk ka si të mos tërheqë vëmendjen qoftë edhe të londinezit më indiferent. Me kërkesë të komunitetit shqiptar në Londër, në një nga rrugët e kryeqytetit anglez do të vendoset së shpejti një bust monumental i Skënderbeut. Vepra është gati. Imazhi që u është krijuar shqiptarëve prej shekujsh është respektuar në maksimum. Autori i veprës është skulptori Artan Peqini, i cili prej kohësh e ka nxjerrë nga duart veprën në allçi. "Është një portret, realizimi i të cilit nuk ka qenë edhe aq i thjeshtë. Kur vjen fjala për portretin e Skënderbeut, të gjithë ne skulptorët stepemi, sepse të gjithë kanë në mendje portretin e realizuar me mjeshtëri nga Odhise Paskali.

Duhet krijuar diçka ndryshe nga ky portret, por në të njëjtën kohë në përputhje me imazhin që të gjithë kanë për Skënderbeun prej historisë, apo letërsisë", - tregon Peqini. Vepra është e përmasave modeste, e lartë deri në 1 metër (100 x 70 x 60) dhe tashmë ka përfunduar edhe fazën e fundit të realizimit, derdhjen në bronz, pranë ndërmarrjes së derdhjes së veprave të artit. Për realizimin e këtij busti, të kërkuar me ngulm nga një shoqatë shqiptare në Londër, e quajtur "Eagle Club" u zhvillua edhe një konkurs rreth 9 muaj më parë. Konkursi u organizua nga Galeria Kombëtare e Arteve. Lajmi nuk u bë publik, por qarkulloi vetëm në qarqet artistike. Pas paraqitjes së boceteve, një komision i përbërë nga Rubens Shima, Genc Përmeti e Ylli Drishti, shpalli si fituese veprën e Peqinit në datën 7 korrik të vitit të shkuar. "Si skulptor mundohem të mos anashkaloj asnjë konkurs", - thotë Peqini.

Kryetari i komisionit, Rubens Shima, thotë se për të marrë pjesë në konkurs u ftuan disa artistë, të cilët kishin punuar edhe më parë mbi figurën e Skënderbeut. Sipas tij, punët e paraqitura ishin shumë cilësore, por u vendos për portretin e Peqinit, pasi "ka një ekspresion dhe plastikë, që krijon qartë fizionominë e heroit kombëtar". Përkrenarja gjithashtu është një "pasaportë" për figurën e heroit. Shpërblimi për skulptorin fitues është modest, 1.2 milionë lekë (të vjetra), ndërkohë që vetë vepra, sipas Peqinit, sigurisht kushton më shumë, duke pasur parasysh derdhjen në bronz, që është një proces i kushtueshëm.

Figura e plotë - Kloni i tretë i Paços në Paris

Nuk mund të jetë më monumental se kaq. Bashkëkombasit në Francë duhet të jenë të lumtur që në një nga sheshet e Parisit, heroi i zemrës do të shfaqet me gjithë madhështinë e vet. Është i hipur mbi kalë, ka parzmore, përkrenare edhe shpatë madje. Me kërkesë të komunitetit shqiptar në Francë, në bashkëpunim me Bashkinë e Parisit, një komision i ngritur me urdhër të ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, vendosi që vepra monumentale e skulptorit Janaq Paço, kushtuar Heroit Kombëtar, Skënderbeut, të vendoset në një nga sheshet e kryeqendrës franceze.

Sipas kryetarit të komisionit, Rubens Shima, (të tjerë anëtarë ishin Ferid Hudhri dhe Suzana Varvarica Kuka) bëhet fjalë për të njëjtin monument që ndodhet në Krujë prej vitit 1959 dhe që u vendos edhe në Prishtinë disa vite më parë. Sipas Shimës, duke qenë se konkurset për realizimin e veprave të tilla janë të kushtueshme, u përdor një praktikë, që përdoret edhe në vende të tjera të Evropës, pra bërjen e një kopjeje të një vepre të caktuar dhe zhvendosjen e saj në kryeqytete të ndryshme. "Ishim në dilemë mes Skënderbeut të Tiranës dhe atij të Krujës dhe në fund vendosëm për veprën e Paços, një figurë e plotë e heroit, që arrin deri në 12 metra e lartë", - thotë Rubens Shima. Gjithçka është vendosur në maj të vitit të shkuar, edhe pse pak ditë më parë Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve e paraqiti vendosjen e monumentit të Skënderbeut në Francë si një projekt të ri që do të realizohet gjatë këtij viti.

Skënderbeu i Paços pritet të vendoset në Paris, menjëherë sa Bashkia e atjeshme të vendosë për sheshin ku do të ngrihet monumenti. "Kemi kërkuar që të tregohet një vëmendje e veçantë për përzgjedhjen e vendit dhe pozicionit ku do të vendoset monumenti. Ai ka një këndvështrim ndryshe nga të tjerët dhe nëse pozicioni nuk është i menduar mirë, atëherë vepra duket e mangët", - vazhdon Shima, duke sjellë rastin e monumentit të vendosur në Prishtinë, i cili për shkak të vendosjes e ka humbur madhështinë e tij. Monumenti i Prishtinës do të kujtohet nga të gjithë, jo vetëm për pritjen që iu bë nga shqiptarët e Kosovës, por edhe incidentit të ndodhur me veprën. Gjatë zhvendosjes heroit iu thye shpata dhe përkrenarja, të cilat sigurisht që u restauruan menjëherë.

Shekulli/ G.S.