Haradinaj niset për në Hagë
BBC
Ramush Haradinaj ka thënë se shkon me plot vetëbesim në Hagë
Me një aeroplan special, ish kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj është nisur të hënën në mëngjes për në qendrën e paraburgimit në Tribunalin Ndërkombëtar të Hagës për krime lufte në ish Jugosllavi.
Zoti Haradinaj është përcjellë deri në Aeroportin e Prishtinës nga familjarët dhe miqtë e tij, të cilët i kanë uruar kthim të shpejtë në Kosovë.
Procesi gjyqësor ndaj zotit Haradinaj do të fillojë më 5 mars.
Prokuroria e Tribunalit të Hagës e akuzon ish kryeministrin kosovar dhe kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj për shkelje të ligjeve e të zakoneve të luftës në vitin 1998, në kohën kur ai ishte komandant i ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në zonën e Dukagjinit.
Para nisjes për në qendrën e paraburgimit në Hagë, z.Haradinaj ka zhvilluar takime përshëndetëse me krerët e institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, ka vizituar familjen e tij në fshatin Gllogjan të Deçanit dhe ka mbajtur një fjalim para Këshillit Drejtues të partisë së tij, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.
Përmes një letre drejtuar qytetarëve të Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se shkon me plot vetëbesim në Trubunalin e Hagës i bindur se do të dëshmojë pafajësinë e tij.
Ai ka thënë se po shkon duke e ditur se Kosova do të bëhet shtet i pavarur dhe sovran dhe anëtar i familjes së shteteve.
Duke folur para Këshillit Drejtues të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, zoti Haradinaj kërkoi nga qytetarët e Kosovës që të distancohen nga veprimet e dhunës.
"Ne nuk kemi situatë me shkatërru në Kosovë, nuk kemi mundësi, nuk na lejohet, me ndërtu është vështirë, por është drejtë, me shkatërru është lehtë por është e padrejtë", tha zoti Haradinaj.
Udhëheqësit e institucioneve të Kosovës kanë shprehur bindjen e tyre të thellë në pafajësinë e ish kryeministrit Ramush Haradinaj.
Ata kanë çmuar rolin dhe kontributn e tij në procesin e zgjidhjes së statusit të Kosovës si dhe në proceset tjera në të cilat po kalon vendi.
Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi i premtoi zotit Haradinaj se do të punohet në ndërtimin e shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka nisur një fushatë për mbështetjen e ish kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj.
Fushata "Me Ramushin" ka për qëllim sensibilizimit e opinionit public dhe vëmendjen për procesin me të cilin do të ballafaqohet zotit Haradinaj.
Zëdhënësja e kësaj fushate, Shqipe Breznica tha se kjo është vazhdimësi e fushatës së mëhershme për Ramush Haradinajn.
Me kërkesë të palës mbrojtëse, Ramush Haradinaj qe liruar përkohësisht në qershor të vitit 2005 deri në fillimin e procesit gjyqësor kundër tij. Ai ka qëndruar tre muaj në qendrën e paraburgimit në Hagë dhe para trupit gjykues ka deklaruar se është I pafajëshëm.
Bashkë me të akuzohet edhe dy pjesëtarë të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Lah Brahimaj dhe Idriz Balaj.
Krijoni Kontakt