*Fjala e Ambasadores Marsi Ris në Konferencën Kombëtare për Barazinë Gjinore, Kohezionin Social dhe Shanset e Barabarta.

Dëshiroj të shpreh përgëzimet e mia personale për prezantimin e draftit të parë të Strategjisë Kombëtare për Barazinë Gjinore dhe Fuqizimin e Gruas dhe për organizimin e kësaj konference të rëndësishme kombëtare.
Ka nga ata që mund të thonë se unë ndodhem këtu sot për arsyen se jam grua, por kjo nuk do të ishte plotësisht e vërtetë. Unë ndodhem këtu sot sepse Shtetet e Bashkuara mbështesin fuqimisht parimin e barazisë gjinore dhe fuqizimit të gruas.
Hartimi i kësaj strategjie shënon një piketë kuptimplotë për gruan në Shqipëri, dhe për gjithë shoqërinë shqiptare, në fakt, dhe unë ju nxis që ta përfundoni atë sa më shpejt, në mënyrë që të mund të filloni me punën e rëndësishme të zbatimit të saj.
Unë dëshiroj që shkurtimisht të vë në dukje tre fusha me rëndësi kyç në të cilat sigurimi i barazisë gjinore sjell një përfitim të drejtpërdrejtë për shoqërinë si e tërë; dhe këto janë fuqizimi ekonomik, gra në qeverisje, si dhe shërbime sociale dhe shëndetësore.
Përvoja tregon se një përfshirje më e madhe e grave në jetën ekonomike të një vendi, si konsumatore dhe si zotëruese të bizneseve, është me rëndësi kyçe për rritjen ekonomike dhe zhvillimin.
Nuk është rastësi që zgjerimi i pjesëmarrjes së grave në ekonominë amerikane, si pjesë e forcës punonjëse dhe, më së fundmi, si zotëruese biznesesh, përkon dhe me rritjen e begatisë ekonomike.
Dhe shumë prej këtyre ndryshimeve kanë ndodhur gjatë jetës sime. Në fillimet e karrierës m’u dha mundësia të merrja pjesë në një konferencë biznesi në New York, duke qenë një nga dy gratë e vetme në atë sallë - ku kishte 798 burra. Sot, po ajo konferencë ka shumë të ngjarë të ketë një pjesëmarrje të barabartë të burrave dhe grave.
Në Shtetet e Bashkuara gratë zotërojnë afërsisht 9.1 milion nga 24 milion biznese të vogla, duke siguruar 27.5 milion vende pune dhe mbi $3.6 trillion dollarë të ardhura për ekonominë.
Një rol më aktiv i grave në qeverisje dhe në hartimin e politikave gjithashtu sjell përfitime, përfshirë dhe në luftën kundër korrupsionit. Unë shpresoj që zbatimi i kësaj strategjie do të sjellë me vete dhe rritjen e numrit të grave që marrin pjesë si kandidate në zgjedhjet e ardhshme. Studimet kanë treguar një lidhje të fortë ndërmjet pjesëmarrjes më të lartë të grave në qeverisje dhe niveleve më të ulëta të korrupsionit.
Gjithnjë e më shumë, organizata ndërkombëtare si Banka Botërore janë duke e pranuar si fakt që gratë jo vetëm që janë me rëndësi për zhvillimin ekonomik, por edhe për zgjidhjen e disa nga problemeve më të vështira sociale të shoqërisë.
Gratë jo vetëm që preken në një mënyrë të shpërpjestuar nga varfëria, por ato gjithashtu priren që t’i përçojnë edhe më shumë se burrat përmirësimet në jetët e tyre dhe ato të fëmijëve dhe komuniteteve të tyre. Rritja në të ardhurat e siguruara nga gratë në mënyrë tipike përkthehet në investime më të mëdha në arsimimin dhe kujdesin shëndetësor për fëmijët. Kjo është dhe arsyeja pse shumë prej strategjive për uljen e varfërisë në mbarë botën kanë për objektiv të tyre gratë.
Strategjia kombëtare që ju keni përgatitur ka për qëllim që të nxisë politika që ndreqin pabarazitë sociale, arsimore dhe ekonomike. Prandaj, zbatimi i saj jo vetëm do të ndihmojë në dhënien fund të pabarazisë gjinore, por dhe do ta sillte Shqipërinë më pranë komunitetit Euro-Atlantik ku ajo dëshiron të hyjë.
Ky vend ka gra të cilat janë të talentuara, të mirëarsimuara dhe të gatshme që t’i japin shoqërisë kontributin e tyre. Le t’u japim atyre një shans.




Shkëputur nga TiranaObserver