Zëri i Amerikës në 65-vjetorin e tij dhe përballë ndryshimesh

Shon Maroni

Uashington
24-02-2007



Zëri i Amerikës shënon sot 65 vjetorin mes planeve për zgjerimin e programeve për Lindjen e Mesme, Korenë e Veriut dhe Amerikën Latine.

Agjencia e qeverisë amerikane që mbikqyr Zërin e Amerikës, Bordi i Guvernatorëve thotë se projekt-buxheti i tij për vitin 2007 prej afro 700 milionë dollarësh është përqendruar në disa nga rajonet më të trazuara të botës.

Ky plan parashikon shtimin e buxhetit për transmetimet televizive në drejtim të Iranit, Afganistanit dhe Pakistanit, për zgjerimin e programeve spanjisht për Venezuelën si edhe fonde për emisione të reja të Zërit të Amerikës dhe Radios Azia e Lirë për Korenë e Veriut.

Megjithatë projekt-buxheti parashikon ndërprerjen e transmetimeve në radio në disa gjuhë, përfshirë programet e radios në shqip, si edhe emisionin anglisht të Zërit të Amerikës “News Now”.

Vendimi i debatueshëm për ndërprerjen e transmetimeve të radios në anglisht merret, ndërkohë që Rusia, Kina dhe televizioni arab al-Jazeera po i zgjerojnë programet e tyre të televizionit dhe internetit në anglisht. Në fillim të këtij muaji Bordi i Guvernatorëve tha se buxheti pasqyron angazhimin e agjencisë për programet në gjuhën angleze, sepse përpjekjet do të përqendrohen në zgjerimin e mbulimit të lajmeve përmes internetit dhe programeve Special English.

TRANSMETIMET E ZERIT TE AMERIKES FILLUAN ME 1942

Ato i drejtoheshin Evropës - në atë kohë të pushtuar nga nazizmi. Që nga ajo kohë, Zëri i Amerikës është kthyer në një shërbim transmetimi që përfshin, radion, televizionin dhe internetin me mbi 1000 orë emisione çdo javë dhe ka një audiencë botërore prej 115 milion njerëzish.

Emisioni i parë i Zërit të Amerikës përmbante një mesazh në gjermanisht që i drejtohej Evropës së pushtuar nga nazizmi. Folësi William Harlan Hale iu drejtohej me këto fjalë dëgjuesve: "Lajmet mund të jenë mira ose të këqia. Por ne do t’ju themi të vërtetën."

Drejtori Dan Austin thotë se ky angazhim ka qenë edhe udhërrëfyesi i Zërit të Amerikës gjatë këtyre 65 vjetëve. "Ne u themi njerëzve faktet ashtu si janë dhe kjo ka rëndësi sepse ata nuk e dëgjojnë këtë nga burime të tjera. Sot në botë ka miliona njerëz për të cilët ne ende jemi burim shprese dhe lirie. Për ne kjo është një përgjegjësi e jashtëzakonshme."

Zëri i Amerikës sot transmeton si radio në 45 gjuhë dhe si televizion në 25 gjuhë.

Zëri i Amerikës po ndryshon krahas ndryshimeve që ndodhin në botë por ai vazhdon të bazohen në Kartën e miratuar nga Kongresi dhe të kthyer në ligj mëse 30 vjet më parë. Karta i kërkon Zërit të Amerikës të jetë një burim i besueshëm lajmesh – të jetë e saktë, objektive dhe gjithpërfshirëse. Në programet e tij, Zëri i Amerikës, si stacion i financuar nga qeveria, e ka për detyrim që të paraqesë një tabllo të balancuar dhe të gjithanëshme të Amerikës.

Bordi i Guvernatorëve që mbikqyr Zërin e Amerikës, thotë se ka në plan që në muajt dhe vitet e ardhshëm të zhvendosë një pjesë të fondeve drejt teknologjive të reja dhe drejt një audience që është me rëndësi kritike për luftën kundër terrorizmit.

Ndryshimet e propozuara mund të çojnë në eliminimin e disa emisioneve të radios në anglisht dhe në gjuhë të tjera të ish Bashkimit Sovjetik, të Azisë juglindore dhe të Ballkanit, duke përfshirë edhe shqipen.

Drejtori Dan Austin thotë se teknologjia e re, e cila përfshin site më të përparuara interneti, do të kapë një audiencë më të gjerë dhe do të ndihmojë si udhërrëfyese për Zërin e Amerikës në shekullin e 21. "Nuk ka dyshim se Interneti do të jetë një faktor gjithnjë e më i rëndësishëm në mënyrën me të cilën njerëzit marrin informacionin tonë. Dhe ne do të jemi aty për ata. Me anë të Internetit ne mund të transmetojmë materiale në audio dhe në video, madje mund t’u përcjellim njerëzve edhe fjalën e shkruar, diçka që nuk e bënim dot më parë."

Drejtori Austin thotë se që nga Lufta Botërore e deri te Lufta e Ftohtë dhe ajo kundër terrorit, audienca mbetet përparësie numër një e Zërit të Amerikës. "Ju mund të vazhdoni të mbështeteni tek ne për lajme dhe informacione objektive dhe të paanëshme. Nevoja për informacione të tilla kurrë nuk ka qenë më e madhe dhe ne do të jemi aty për t’jua përcjellë juve këto informacione."

Pavarësisht nga ndryshimet në teknologji dhe në strukturën e emisioneve, thotë ai, ky angazhim do të mbetet i pandryshuar edhe për 65 vitet e ardhshëm.

MISIONI MBETET I NJEJTE

Transmetimi i parë i Zërit të Amerikës në gjermanisht më 24 shkurt të vitit 1942u pasua shumë shpejt me transmetime në gjuhë të tjera, si në frëngjisht, italiasht dhe anglisht. Dhe deri në fund të atij viti, Zëri i Amerikës transmetonte në thuaj 25 gjuhë të ndryshme.

Por transmetimet e radios tonë gjatë luftës së ftohtë ishin më shumë sesa lajme dhe informacion për ata njerëz që luftonin për liri.

Disa prej programeve më popullore të Zërit të Amerikës kanë qënë ato muzikore, veçanërisht muzika xhez e Amerikës.

Gjatë viteve 60-të, Zëri i Amerikës njoftoi rreth ndryshimeve që ndodhën në Amerikë, nga lëvizja e luftës civile, në luftën e Vietnamit e deri në zukseset në shkencë e teknologji. "Unë jam Ed Hiki i Zërit të Amerikës në Kejp Kanaveral të Floridës. Shtetet e Bashkuara do të bëjnë përpjekjen e tyre të parë për dërgimin e njeriut në hapësirë".

Fluturimi i shkurtër i Allën Shepërd në vitin 1961 ishte vetëm fillimi. Tetë vjet më vonë, mbi 615 milion njerëz, një rekord i paparë ndonjëherë në historinë e transmetimeve radiofonike, dëgjuan Zërin e Amerikës dhe astronautin Nill Armstrong nga sipërfaqja e hënës.

Që prej fillimit, transmetimet e Zërit të Amerikës janë bazuar në standartet e shtypit të lirë: të jenë të sakta, objektive dhe të gjithanshme. Këto vlera, bashkë me misionin e radios për të pasqyruar pikpamje të balancuara dhe gjithpërfshirëse të Amerikës dhe politikave të saj, u sanksionuan në Kartën e Zërit të Amerikës, e cila u shndërua në ligj në vitin 1976. Dhe gjatë gjithë këtyre dekadave, dëgjuesit e kanë ndjekur Zërin e Amerikës në kohë shprese .... dhe në kohë tragjedie.

Projekt-buxheti i administratës së presidentit Bush për vitin e ardhshëm financiar do t’u jepte fund një numër transmetimesh në pjesë të ndryshme të botës. "Në se do të kishim fondet, do të doja që të gjitha transmetimet të vazhdonin, thotë drejtori i Zërit të Amerikës, Dan Austin. Por ne po përjetojmë kohë të vështira buxheti në çdo agjenci qeveritare prandaj duhet të caktojmë përparësi. Dhe përparësia kryesore është transmetimi në rajone të rëndësishme në mënyrë që të arrihet një audiencë sa më e madhe”.

Brus Gregori, drejtor i Institutit të Diplomacisë Publike në Universitetin Xhorxh Uashington, thotë se ka ende nevojë për shumë transmetime të Zërit të Amerikës, përfshirë edhe anglisht në gjithë botën.“Në se transmetimet jepen në kohë të favorshme, dhe në se sinjali dhe programet janë të mira e tërheqëse për audiencën, dhe në se ekziston nevoja për lajme dhe informacione rreth Amerikës, atëhere transmetimet duhet të vazhdojnë”.

Dhe ndërsa gjuhët dhe format e transmetimit mund të ndryshojnë, misioni i Zërit të Amerikës mbetet i njëjtë si gjatë 65 vjetëve të kaluara ashtu edhe në të ardhmen.

VOA