Maqedonasit në Shqipëri presin vend kryebashkiaku

Partia e maqedonasve në Shqipëri, që për herë të parë morën pjesë në zgjedhjet lokale, pret të fitojë një vend kryebashkiaku dhe më shumë vende këshilltarësh.



Këtë, sot për Makfaks-in, e deklaroi sekretari politik i "Aleancës Maqedonase për Integrim Evropian", Kimet Fetahu dhe shtoi se partia, në zgjedhjet lokale të së dielës, do të bëjë koalicion me socialdemokratët opozitar në disa komuna.

Sipas tij, tani për tani fitore të sigurtë ka kandidati partiak për kryebashkiak të Prespës së Vogël, Edmond Temellko, ndërsa pret vende këshilltarësh në Trebishë, Ballishtë, Korçë dhe komunat tjera.

"Partia e maqedonasve në Shqipëri, sonte në Pustec, do të mbajë mitingun përfundimtar", deklaroi Fetahu, i cili potencoi se tubime parazgjedhore janë mbajtur në rajonin Golobërd, në disa komuna më të vogla, në Tiranë, Korçë dhe qytete tjera ku jetojnë maqedonas.

Fetahu, lidhur me mbulimin medial të fushatës parazgjedhore, bëri të ditur se mediumet elektronike në Tiranë që kanë koncesion nacional, kanë refuzuar ta emetojnë klipin propagandues të përpunuar në dy gjuhë - në maqedonisht dhe në shqip.

"Edhe krahas faktit që ishim të gatsgëm të paguajmë emetim të shtrenjtë edhe përmes televizionit "Tup Channel", që konsiderohet si televizioni më i fuqishëm i pavarur në Shqipëri, megjithatë edhe ajo refuzoi kërkesën tonë", tha Fetahu.

Sipas tij, veprimin e këtillë televizionet e kanë arsyetuar me sqarimin se Komisioni Shtetëror Zgjedhor nuk ka lejuar emetimin e klipeve propaganduese politike në gjuhë tjetër, përveç shqipes./ 16 02 2007/V.H.