NË KËRKIMIN E NJË VIZIONI KOMBËTAR
nga E. MEZINI
Megjithëse ditët festive ofrohen për dëfrim dhe shpenzime –normalisht- nuk mundet gjithashtu përveçse të kuptojmë rëndësinë e tyre të veçantë si një rast i mirë kur, për shkak të atmosferës të ngarkuar sentimentale, njerëzit e rëndësishëm të këtij planeti gjejnë shansin e apologjisë. Kështu, si çdo ndrim viti, edhe kësaj radhe shtypi botëror ofron bilancin mbi një gamë të gjerë temash. Raportet në fushën ekonomike, politike apo shkencore mbi vitin e kaluar janë mëse të zakonshme dhe kështu preferohen nga shumica e mediave. Njëkohësisht problemi i varfërisë afrikane si dhe shkatërrimet natyrore ofrohen për të na ndërgjegjësuar me pandërgjegjësinë tonë njerëzore. Hyrja e 2007-ës, në ndryshim nga vitet e tjera, u shoqërua gjithashtu nga deklarata e përbashkët midis Papës Venedikti i 16-të dhe Patriarkut Bartolome mbi të drejtat humane dhe mbi respektin reciprok ndërfetar si dhe u çiftëzua me nekrologjinë e të shumpërfolurit Sadam Husein. Duke na kujtuar akoma dhe një herë se Historia herë përparon dhe herë bën mbrapsht. Sidoqoftë ajo që nuk mundemi të vëjmë në dyshim është dëshira e njerëzimit të eci përpara dhe të harroj çdo pjesë të së kaluarës që i shkakton dhimbje (duke pasur parasysh se “synimi i lumturisë” mbetet vetia më e fortë njerëzore). Dhe nuk ka dyshim që Shqiptarët janë nga të parët që dëshirojnë ndryshimin, duke ditur se e kaluara dhe e tashmja vetëm lumturi nuk i’u sjell.
Shekulli i 21 është fakt dhe një kapitull i ri pret të shkruaj përsëri fatet e këtij kombi. Demokracia, tregu i lirë –megjithëse shfaqin shumë mangësira- dhe kontaktet e shumta të shoqërisë shqiptare me ato perëndimore kanë hedhur themelet e një historie që pritet të shkruhet ndryshe, sa shumë shpresdhënëse po aq sfiduese. Në të njëjtën kohë kur vlerat morale dhe qëllimet personale/materiale gërshetohen me lidhjet sociale dhe synimet kombëtare duke krijuar kështu ngjizjen nga e cila pritet të lindi shndërrimi rrënjësor i realitetit shqiptar. Faktikisht shumë ndryshime janë realizuar prej kohësh dhe shumë të tjera priten të turbullojnë sëshpejti përditshmërinë e qytetarit. Por përsëri mbeten pyetjet: Janë të mjaftueshmë këto ndryshime në një kohë kur bota ecën me shpejtësinë e internetit dhe me luksozitetin e “Airbus”? Sa e fortë është dëshira e ndryshimit dhe sa të gatshëm jemi ne Shqiptarët ta pranojmë? Si vjen ndryshimi?
Gjatë dhjetëvjeçarit të kaluar dy kriza politike dhe ekonomike (1989-1992, 1997-1998) sollën shoqërinë dhe shtetin shqiptar në pragun e humnerës/shpërbërjes duke detyruar edhe sociologun më optimist që t’i rishikoj përsëri qendrimet e tij reth harmonisë apo “kontratës” sociale dhe shpjegimet e tij reth lindjes apo vdekjes së shteteve. Sigurisht që vitet që pasuan sollën hapa serioze në demokratizimin e vendit dhe në sensibilizimin e politikanëve por një pyetje asnjëherë nuk u shtrua: Kush do ishte fati i atdheut nëse nuk ndodhej në oborrin e Bashkimit Europian por ndodhej diku tjetër, psh. në Kaukaz përkrah ish republikave komuniste/sovjetike? Sigurisht që këto pyetje si edhe paralelizimet e huaja të aspektit shqiptar me atë çeçen apo afrikan -ku luftrat midis fraksioneve janë dukuri e përditshme- konceptohen mëse provokuese nga publiku por megjithatë janë të nevojshme nëse synojmë ndërgjegjësimin. Pra disa aspekte social-politike veçse normale nuk mund të quhen dhe gjithmonë një shtet serioz synon tek qëllimi më i lartë duke i’u frikësuar njëkohësisht disfatit më të rrezikshëm (siç mund të quhet shpërbërja apo humbja e sovranitetit të një shteti).
Ajo thënja e çiltër e një politikani shqiptar se “realiteti i atdheut tonë të dobët e të varfër s'ka përgjigje për pyetjet e nevojat tuaja në rritje” jam i sigurtë se nuk zemëroi asnjë nga ata studentët të cilëve i’u drejtohej. Megjithatë çdo shtet e ka për detyrë të justifikoj ekzistencën e vet, sepse siç u përmend më sipër normaliteti është shumë relativ kur i referohet aspekteve politikoshoqërore. Pra çdo shoqëri ndjen gjithmonë nevojën të kultivohet me vlera, qëllime dhe shpresa të ndryshme të cilat i dhurojnë unitetin dhe harmoninë. Ky është edhe roli suprem i një shteti, të jet siguruesi i “kontratës sociale” dhe i strukturës që rethon këtë kontratë. Aq më tepër kur bëhet fjalë për shekullin e 21, ku deçentralizimi i fondeve, pushtetit dhe mjeteve krijojne vatra shpërbërjeje në çdo cep të globit.
Përpara këtyre fenomeneve, politikani, dipomati dhe publiku shqiptar ndjen mungesën e një busulle të mjaftueshme për të na rrëfyer drejtimin e duhur. Sepse në një botë kaq të ndërlikuar, siç duket bota në agimin e mijëvjeçarit të tretë, ky komb ka nevojë për një drejtim të fortë që të mundet të përballoj me sukses sfidat dhe të siguroj mbijetesën. Vetëm në rolin e drejtuesit kombëtar një shtet gjen justifikimin ekzistencial dhe fiton ligjshmërinë e miratimin social. Fatmirësisht apo fatkeqësisht bota në shekullin e ri vazhdon ende të menaxhohet mbi themelet e komb-shteteve dhe fatet e qytetarëve lidhen drejt per drejt me komb-shtetin të cilit i përkasin. Federatat apo perandoritë e kaluara që nuk treguan interesin e duhur mbi fenomenin nacionalist ishin të ndëshkuara të dështojnë. Jo sepse njerëzit nuk janë mësuar të jetojnë bashkë, në fund të fundit një organizim i gjërë qytetarësh apo një grupacion është i domosdoshëm, por sepse kur vijnë momentet e vështira të gjithë mundohen të hedhin diku fajet dhe është më e lehtë për njerëzit të fajësojnë të tjerët -“të huajt” apo “kulakët”- se veten.
Por meqënëse në këtë globin e reth 7 miliardë banorëve veprimtaria e vetmuar e çdo kombi përbën luks të tepruar -ose më mirë do ishte të thonim se është thjesht fantazi- kështu që domosdo nevojitet një farë omogjenizimi apo organizimi i bazuar në një përmbledhje më të madhe kombesh. Sepse probleme si ngritja e temperaturës globale, thatësira apo ç’përdorimi i tokave të kultivueshme dhe çështje si krimi i organizuar, terrorizmi apo përhapja e armëve të shkatërrimit masiv nuk mund të përballohen pa një lloj organizimi të përbashkët ndërkombëtar. Në të njëjtën kohë që zhvillimi i mëtejshëm ekonomik, përdorimi i burimeve energjetike dhe shfrytëzimi i pasurive të nevojshme natyrore/nëntokësore na imponojnë një ekonomi të globalizuar. Ky është edhe “basti i madh” i mijëvjeçarit të tretë : Do arrijnë popujt t’i bëjnë ball këtyre problemeve që imponojnë bashkpunim apo do përçahen –siç ndodh zakonisht- duke e humbur lojën?
Pra detyra e përbashkët e shteteve është që të gjejnë recetën e duhur e cila do i’u lejoj të ndërtojnë një bashkpunim rezultativ mbi themele të forta, mbi vlerat e përbashkëta dhe mbi respektin reciprok, që të mos vij një ditë momenti i vështirë kur çdokush fajëson të “huajin” apo “padronin” dhe të shkatërrohet kështu çdo formacion i domosdoshëm i bashkpunimit më të gjërë midis kombeve –europiane në rastin tonë. Kurse detyra e shtetit shqiptar në veçanti është përfaqësimi dinjitoz i kombit dhe negocimi serioz i cili do i dhuroj kombit shqiptar të drejta dhe detyrime të barabarta me kombet e tjera të familjes europiane. Ngase sfidat e reja i drejtohen kombit shqiptar, si dhe kombeve të tjera, kurse detyra e politikanit është të ndërgjegjësohet përballë rëndësisë të çdo aspekti dhe ta transmetoj këtë ndërgjegjësim edhe tek publiku/elektorati.
........................................
artikulli u publikua me 7 Shkurt 2007 tek gazeta Sot
Krijoni Kontakt