Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 8
  1. #1
    R[love]ution Maska e Hyllien
    Anëtarësuar
    28-11-2003
    Vendndodhja
    Mobil Ave.
    Postime
    7,708

    Ish-kryebashkiaku Zilja: Piramidat e grekët dogjën Vlorën

    Ish-kryebashkiaku Zilja: Piramidat e grekët dogjën Vlorën


    • Gëzim Zilja

    Më 27, 28 dhe 29 janar “Gazeta Shqiptare”, nën titullin “Libër i Ndaluar” botoi pjesë nga libri i autorëve James Pettifer dhe Miranda Vikckers, autorë të dy librave për Shqipërinë dhe Kosovën. Të dy autorët e mësipërm kanë botuar në vitin 1997, librin me titull “Albania- from anarchy to a Balkan Identity”. Libri u botua në shqip në vitin 1998 nga shtëpia botuese “Toena” me përkthimin shumë të mirë nga Xhevat Lloshi. Libri, të cilit atëherë ju bë një publicitet jo i pakët megjithë pasaktësitë dhe interpretimet jo korrekte në disa raste, u shit shpejt. Autorët rreken të shpjegojnë gjithë proceset politike dhe shoqërore në Shqipëri nga vitet ‘90 deri në zgjedhjet e majit ’96. Në dhjetë faqet e fundit të librit voluminoz, me titullin “Në vend të pasthënies” autorët merren me ngjarjet e vitit ’97, duke i parë nën këndvështrimin e tyre. Me sa duket libri i ri “The Albanian questions reshaping the Balkan”, është vazhdim i faqeve të librit të botuar në vitin ’97.
    Në faqet e gazetës thuhet se libri do të botohet pas 18 shkurtit, që të mos ndikojë në zgjedhjet elektorale, sipas porosisë së autorëve. Nga sa lexova në tre numrat e gazetës nuk pashë materiale sekrete të shërbimeve të huaja, aq më shumë fakte e dokumenta të reja. Materialet janë marrë nga shtypi i kohës dhe nga pandehma ose supozime të vetë autorëve, ku konstatohen pa vështirësi edhe të pavërteta dhe interpretime të gabuara. Sidoqoftë, botimi i librit në gazetë është një publicitet jo i keq për autorët. Nuk do shumë mendje gjithashtu të kuptohet se libri i ka shërbyer tashmë fushatës elektorale pavarësisht se libri do të botohet shqip pas 18 shkurtit.
    Në vitin ’97, në pjesën më të madhe të ngjarjeve në Vlorë, por edhe më gjerë, kam qenë dëshmitar okular. Në detyrat që kam kryer atë kohë si Kryetar Bashkie dhe deputet, më është dashur të takojë shumë njeërz nga presidenti Berisha, kryeministri Meksi, Kryeparlamentari, i ndjeri Pjetër Arbnori, antarë të “Forumit për Demokraci”, të Komiteteve të Shpëtimit Publik, të opozitës së atëhershme, gazetarë vendas e të huaj dhe gjithfarë kusarësh e kriminelësh të lloit Zan Caushi & co. Duke e quajtur detyrë qytetare kam shkruajtur dy libra për ato ngjarje, që janë pritur me interes nga lexuesit shqiptar brenda dhe jashtë kufijve. Kam parë me sytë e mi se ç’ndodh kur shteti merr rrokullimën, kur pozita nuk është e aftë të drejtojë dhe opozita do me çdo çmim pushtetin, kur politikanët hedhin pushkën majëkrahu, për të “çliruar” Shqipërinë, kur krimi merr rrugët dhe kriminelët e bandave mund të të vrasin thjesht se nuk ju pëlqen fytyra jote. Kam ndjekur me vëmendje shtypin e kohës, të vendit dhe të huaj dhe kam parë të shkruhet e vërteta, ashtu si dhe jo e vërteta. Duke patur si qëllim të shkruhet e vërteta, po jap disa mendime rreth asaj, që është botuar në faqet e gazetës në pritje të botimit të librit.

    Kryengritja e Jugut, me partizanë antifashistë, kundër Veriut e Berishës


    Nga ajo që lexon në tre numrat e gazetës, të krijohet përshtypja se në vitin 1997 populli shqiptar i Jugut, i organizuar në formacione luftarake model të Luftës së Dytë Botërore, u ngrit në një kryengritje të armatosur kundër regjimit diktatorial të Berishës. Ky është dhe konkluzioni përfundimtar. Në gazetën e datës 29 janar autorët shprehen: “… Gjithsesi rënia e shtetit nuk erdhi si pasojë e mafias apo krizës së piramidave. Ndryshimi mes atyre që mund ishin trazira në disa qytete dhe një kryengritjeje të madhe, që çoi në rrëzimin e qeverisë u shkaktua nga fakti se jugorët që e urrenin qeverinë, ishin të aftë të ndërtonin një model kryengritjeje partizan edhe respektoi figurat e liderve me një edukatë të stërvitur ushtarake partizane dhe me aftësi themelore ushtarake në të gjithë popullatën e rritur. Kjo u shoqërua me efektin çlirues të rrimarjes së të drejtës të armëve, në një kulturë shqiptare ku mbajta e armëve kishte qenë me rëndësi historike…”. Duke shpresuar në një përkthim serioz të citimit të mësipërm, ngelet që autorët e librit të shpallin heronjë të Shqipërisë ata që organizuan kryengritjen e armatosur të Jugut, kundër Veriut dhe të bëjnë propozime për dekorimin e tyre. Është me të vërtetë për të ardhur keq që autorë të tillë me emër, të bëjnë interpretime utopike, jo të vërteta. Le të shpresojmë që nuk janë të qëllimshme dhe të vazhdojmë në fletët e përkthyera të gazetës. Në ’97 shteti ra, u gjunjëzua dhe u bë inegzistent në disa zona të Shqipërisë së Jugut, por kjo jo rezultat i një lufte partizane, apo i luftës së Veriut me Jugun. Të tjerë faktorë të brendshëm dhe të jashtëm ndikuan, që ndodhën ngjarjet e vitit ‘97 me pasojat që dihen tashmë.

    Jo vetëm një njeri, as veriorët


    Nuk mendoj se është një pakujdesi, apo padituri e autorëve, trajtimi i revoltave të vitit ’97 si një luftë e Veriut kundër Jugut, ku Veriu personifikohet në figurën “diktatoriale” të Berishës dhe Jugu në antifashistët dhe luftëtarët e luftës së dytë botërore.
    Ngjarjet e vitit ’97, janë shumë komplekse, duke përfshirë edhe figurën tepër autoritare të presidentit të atëhershëm, dhe disa veprime të pajustifikuara të qeverisë. Ishin një sërë faktorësh të brendshëm e të jashtëm, që çuan në shpërbërjen e shtetit dhe armatosjen e popullsisë. Por në gjithë ato ngjarje të shikosh fajtor një njeri të vetëm, “Nacionalistin agresiv, diktatorin Sali Berisha dhe veriorët e tij” nuk është as reale dhe as objektive.
    Si një organizim i ri ekonomik dhe politik, qeveria demokratike e ndërtuar rishtas pas një diktature 45 vjeçare, do të paraqiste mjaft dobësi, jo vetëm se drejtuesit e saj vinin gati të gjithë nga shkollat komuniste, por edhe sepse nuk ishte e lehtë të ndryshoje sjelljet e njerëzve, karshi shtetit të ri kapitalist që po ndërtohej. Korrupsioni, padituria, autoritarizmi i lidershipit, varfëria proverbiale materiale e shpirtërore, mungesa e plotë e eksperiencës në ekonominë e tregut etj, do të bënte që ecja e Shqipërisë në rrugën e demokracisë të ishte plot zig-zake dhe gabime, ndonjëherë foshnjarake, por me kosto shumë të lartë.
    Një nga këto gabime të paqëllimshme, që unë mendoj se ndodhën nga padituria dhe indiferentizmi i qeveritarëve, por të pafalshme e me kosto shumë të lartë, ishte lejimi i firmave piramidale në Shqipëri, mosmarrja e masave në kohën e duhur nga qeveria për të parandaluar të keqen, megjithë paralajmërimin shumë të vonuar të FMN-së në tetor ’96, si dhe të Ministrit të Financave të asaj kohe Ritvan Bode. Falimentimi i “Sudes” dhe mbyllja e “Gjallicës” tronditi besimin e huadhënësve. Të mësuar për 40 vjet me rradhë, që çdo problem edhe atë më të imtin, tua zgjidhte “Partia”, pa u menduar aspak se ato ishin mardhënie midis personash e firmash private, huadhënësit ju vërsulën shtetit, duke e bërë atë përgjegjës për gjithçka. Duke parë ngathtësinë dhe paaftësinë e qeverisë në zgjidhjen e problemit, njerëzit dolën në rrugë fillimisht në Vlorë, Lushnje dhe Tiranë. Qeveria përdori kërbaçin e policisë, që nuk mund të godiste për njëmijë arsye turmat, të cilat kërkonin paratë, madje megjithë përqindjet. Më 28 janar 1997 futet në lojë “Forumi për Demokraci” një përzierje partish dhe të pavarurish dhe disa ditë më vonë opozita e majtë. Nga fillimshkurti ’97, deri në 29 qershor ’97, ditë kur fitoi opozita, nuk u zunë më në gojë paratë, por rrëzimi i Berishës dhe marrja e pushtetit nga të majtët me çdo kusht. Këtë fakt e vënë në dukje edhe autorët e librit kur thonë “…Menjëherë PS tentoi të merrte në dorë situatën dhe bëri thirrje për protesta kombëtare…”. Dhe më tej:”…Lëvizja që sinjalizoi një shenjë ogurzezë për qeverinë, ishte kur mbështetësit e qeverisë në Jug të vendit, filluan të bashkoheshin me demonstruesit në rrugë…”. Nuk pati bashkime të tilla veç në raste shumë sporadike. Sapo protestat filluan të bëheshin të organizuara nga opozita, antarët e PD-së shikoheshin si armiq dhe rëndom rriheshin, linçoheshin dhe jo rrallë asgjësoheshin, si kundërshtarë politikë, vlerësim tipik enverist për armikun e klasës. Përmendja më tepricë në libër me qindra herë e fjalëve “Berisha” e “Veriorë” me vend e pavend, nuk e fsheh dot të vërtetën. Kryeministri i asaj kohe Aleksandër Meksi e akuzoi opozitën, se ajo po manipulonte turmën, për të ardhur në pushtet me dhunë.
    Presidenti, Qeveria e Meksit, Parlamenti, gjithë institucionet e varura dhe të pavarura, duke i dhënë pa mëdyshje dhe “pjesën e majme” të saj opozitës së atëhershme, ka secili pjesën e vet në veprimet ose mosveprimet që sollën ditët e turpit të vitit ’97. Teprimet në këtë libër nuk mendoj se janë bërë nga padituria apo mungesa e fakteve.
    Pushtet e punëtorëve dhe fshatarëve apo Komitetet e Shpëtimit Publik
    Në libër thuhet “…Në jug linjat e PS-së së vjetër dhe Sigurimit e përhapën pushtetin në rradhët e punëtorëve dhe fshatarëve në lokalitete të reja, disa të organizuara nën kontrollin e komiteteve popullore… Këto komitete në përgjithësi bazoheshin në organizimet e PS-ve vendore të cilat i panë ato si e vetmja mënyrë për të shpëtuar demokracinë shqiptare…”.
    Se çfarë janë pushtetet e punëtorëve dhe fshatarëve apo sovjetët, shqiptarët e dinë mirë, por pse mallëngjehen kaq shumë autorët nga një dukuri e tillë, tre vjet para se të hynte shekulli i 21!? Nuk mund të shpëtohej demokracia sado e brishtë apo e ndërtuar keq, nga ish-komunistët dhe ish-Sigurimisat e Shtetit diktatorial të Hoxhës. Me të vërtetë çuditesh. Komunistët dhe gjeneralët e Enver Hoxhës nga Gozhita, Qilimi e deri te Aleks Andoni, organizuan rebelimin në Jug, por ata nuk e patën problem të ngrenë flamurin grek në Himarë, Delvinë e Sarandë. Marrja e pushtetit me dhunë, në çdo demokraci është e dënueshme me ligj. Populli humbi paratë, bashkë me të edhe toruan, por të tjerë ustallarë e armatosën, të brendshmit, pra opozita, për të marrë pushtetin dhe të jashtmit për të prurë një qeveri protyre. Sulmi i armatosur i komandove greke në postën ushtarake të Peshkëpisë dhe arrestimi i disa pjestarëve të Omonias, që mbanin armë dhe kryenin veprime në kundërshtim me ligjet shqiptare, i kishte ftohur mardhëniet e qeverisë shqiptare me atë greke. Por kjo do të thoshte më pak eksporte, më pak investime greke, më pak ekspasion dhe si rjedhim më pak para të firuara nga tregu u lirë dhe i pakontrolluar shqiptar. Për këtë Greqia ishte e interesuar që “Komitetet fshatare e puntore” të binin një qeveri progreke. Nuk ka ndodhur në historitë moderne dhe post-moderne që revolucionet fshatare dhe puntore të bien demokracinë. Ato si rregull e çojnë demokracinë shumë prapa dhe instalojnë pushtete të korruptuara e të dhunshme.
    Për këta njerëz që do të vendosnin pushtetin demokratik të puntorëve dhe fshatarëve thuhet: “…Figurat eksmilitare që ishin spastruar nga ushtria gjatë qeverisjes së Berishës ishin shpesh të dukshme si i ashtuquajturi gjeneral Gozhita në Gjirokastër. Këta njerëz kishin lidhje direkte me traditën e ushtrisë partizane që datonte nga lufat e dytë botërore….
    Rebelimi po përhapej dhe në pjesët e tjera të Jugut ashtu si kishin bërë forcat antifashiste pas vitit 1943 dhe nëse nuk ndalonte kërcënonte seriozisht Tiranën…”
    Se ç’lidhje kishin traditat e lufës partizane me udhëheqsit e KSHP-ve nga Skënder Sera, tek Gozhita e deri tek Zan Caushi, këtë mund ta shpjegojë vetëm Miranda Vikersi me Xheims Petiferin. Por Tirana nuk ishte e pushtuar as nga fashistët italianë e as nga nazistët gjermanë, që do të çlirohej nga luftëtarët partizanë jugorë. Në Tiranë vazhdonte të qeveriste ndoshta edhe keq, një qeveri e zgjedhur në mënyrë demokratike.
    Por në librin e botuar në vitin ’98: “Shqipëria nga anarkia në identitetin ballkanik” ata shprehen krejt ndryshe. Atje thonë: “…Forcat speciale u çarmatosën, u shpërndanë armët e marra nga kazermat e policisë dhe nisi kështu të krijohej një ushtri popullore sipas modelit klasik marksist… “ (Shqipëria, nga anarkia në identitet ballkanik, faqe 311). Lufta e dytë botërore u zhvillua kundër nazizmit dhe nuk ishte aspak një luftë e tipit m-l, që zhvillohet nga proletariati për të përmbysur borgjezinë. Ose njera ose tjetra. Autorët nuk duhet të harrojnë se çfarë kanë shkruar për këto ngjarje në librin e parë të tyre shtatë vjet më parë.
    Në vitin ’97 nuk flitej për luftë civile dhe shqiptarët të djathtë apo të majtë nuk mund të binin në një situatë të tillë, megjithëse ajo u nxit dhe u kërkua nga qarqe të caktuara antishqiptare brenda dhe jashtë vendit. Edhe politikanë të majtë, që i përkrahën protestat, madje edhe armatosjen dhe krijimin e KSHP-ve, në shumicë, ishin kundër vëllavrasjes dhe luftës civile. Nëqoftëse kishte koka të nxehta në Shqipëri, që ndoshta e kërkonin një përplasje të armatosur midis forcave qeveritare dhe atyre opozitare, populli nuk ra në atë kurth dhe marrëveshja e 9 Marsit 1997, që autorët e librit çuditërisht nuk e përmendin fare, tregoi se shqiptarët ishin në gjendje të zgjidhnin problemet e tyre me bisedime në tavolinë e jo me luftë vëllavrasëse.

    Marrje pushteti me dhunë apo shpëtimi i demokracisë

    Në libër shpjegohen shkaqet e lindjes së Komiteteve të Shpëtimit Publik dhe detyrat që ata morën përsipër. Autorët shprehen: “...Këto komitete në përgjithësi bazoheshin në organizimet e PS-ve vendore, të cilat i panë ato si e vetmja mënyrë për të shpëtuar demokracinë shqiptare kundër rregullave militare apo vendosjen e diktaturës…”
    Shumë qartë shprehet në këto rreshta detyra e KSHP-ve dhe drejtimi i tyre nga antarët e PS-ve vendore. Por pak më poshtë po aty, autorët shprehen : “…Sekuencat ekzakte të 2-3 marsit, ishin më pak të rëndësishme sesa fakti që të dy palët filluan luftën për pushtet mbi themelet militare. ..” Ose njera ose tjetra. Ose lufta me mjete lufte, topa, mitraloza e kallashë, që autorët i cilësojnë me hollësi, bëhet për të shpëtuar nga diktatura e Berishës ose bëhet për të marrë pushtetin. Faktet treguan që gjithë presioni me armë i KSHP- ve dhe kërcënimet për pushtimin e Tiranës nuk u bënë për të prurë demokracinë e vërtetë. Ato u bënë siç do e shohim më poshtë për të prurë kryengritësit-komitetas-socialistë në pushtet, sipas teorisë së marrjes së pushtetit më dhunë dhe për të vendosur një qeveri progreke. Sa për demokracinë, shqiptarët që dinë, por edhe ata që nuk dinë shkrim e këndim e kanë kuptuar me kohë, që është një rrugë e gjatë, por që nuk bëhet duke zëvëndësuar qeveritë me luftë të armatosur por me votë të lirë.
    Në vitin’97 në Shqipëri nuk pati luftë civile, as fetare.
    Vihet re në faqet e librit një këmbëngulje e madhe, që ngjarjet e vitit ’97 të trajtohen si një luftë civile me ushtri nga dy palë, të armatosura deri në dhëmbë me armatime të lehta dhe të rënda, me gjeneralë, kapterë dhe ushtarë, me front dhe prapavijë. Por jo vetëm kaq. Autorët përpiqen me mjaft mjeshtëri, jo duke dalë fare hapur t’i japin kësaj lufte karakter fetar të Jugut ortodoks me veriun myslyman dhe katolik. Arrihet deri në absurditete të tilla duke futur në “lojë” priftin katolik Rrok Mirdita, që gjoja u paska bërë thirrje italianëve për ndërhyrje të armatosur kundër kryengritësve. Ndërkohë anashkalojnë ndërhyrjet e fqinjit jugor. Ka fakte të panumërta të ndërhyrjes së segmentëve ultranacionalistë grekë, duke përfshirë edhe mjaft priftërinjë e politikanë, në ato ngjarje. Këtë nuk e mohojnë as autorët e librit, por me kujdes mundohen të venë shenjën e barazisë midis mids ndërhyrjeve italiane e ato greke.
    Në gazetat greke të ’97-ës, shkruhej me ngazëllim se erdhi dita që Vorio Epiri të bashkohej më dheun amë, Greqinë. Gazeta e revista të tilla si “Katheimerini”, “Pondiqi”, “Avgi”, “Eleftero Tipos”, “Stohos” “Dimokratiko Logos”, “Elefteri Ora”, “To Vima”, “Ta Nea” dhe me dhjetëra kanale televizive lokalë e kombëtarë, deklaronin për beteja imagjinare që po zhvilloheshin në Shqipërinë e Jugut dhe për gjeneralë me origjinë greke, që po bashkojnë Epirin e Veriut me Greqinë ( për median greke, janar-qershor ’97 mund të lexoni gjërësisht në librin e autorit të artikullit, me titull “Vrasës dhe Shpëtimtarë” ) Gazeta “Stohos” e datës 5 Mars 1997 shkruante: “…Oficerët vorio-epirotë drejtojnë oficerët e Kiço Mustaqit ish-ministër i mbrojtjes së Shqipërisë. Ngrihet flamuri dhe shpallet autonomia në Himarë dhe Tepelenë. Shtabi i andartëve të Epirit të Veriut bën thirrje: Tani autonomi. Mos na tradhëtoni prapë...”
    Duhet theksuar me këtë rast se koka e kryengritësve të Jugut erdhi nga Greqia. Aleks Andoni, Arbër Qilimi, Zan Caushi, Gramoz Ruçi, Luçiano, Kiço Mustaqi, Albert Shyti e dhjetëra të tjerë zbritën nga Greqia dhe burgjet e Greqisë.
    Po le të kthehemi te e ashtuquajtura luftë civile e përshkruar nga autorët e librit. Në rreshta të lodhshme shkruhet: “…Në mëngjesin e 6 marsit tanke dhe transportues, filluan të lëviznin dhe operacioni sigurisë filloi në Jug të vendit. 400 ushtarakë rrethuan Delvinën. Më 8 mars qeveria dërgoi helikopterë me forcat speciale për të çarmatosur qytetin (Gjirokastër), por shefi i policisë lokale drejtoi një sulm në rajonin e tij të policisë dhe më pas u hapën depot dhe populli veçanërisht të rinjtë u armatosën plotësisht…” Hajde histori hajde! Po si ka mundësi që forcat speciale të shkojnë të çarmatosin qytetin kur ky nuk është armatosur ende? Sepse vetë autorët e librit thonë, që më pas u hapën depot dhe populli u armatos. Çudi e madhe apo zell i pakontrolluar? Autorët e librit e dinë shumë mirë sesa helikopterë kishte në dispozicion flota ajrore shqiptare dhe që më së shumti ishin grumbull hekurishtesh sesa makina fluturuese luftarake. Në Gjirokastër shkoi vetëm një helikopter me një ekuipazh prej pesë vetash, që pa zbritur në tokë u rrethua nga njerëz të armatosur, që plagosën pilotin Veli Përleka në këmbë me dy plumba. Më poshtë autorët marrin mundimin e madh të përshkruajnë një luftë të zhvilluar midis palëve ku nuk mungojnë operacionet luftarake me pjesmarrjen e aeroplanëve, helikopterëve ushtarakë, tankeve, mortajave, armëve të rënda, antitankeve, mitrolozëve e kallashnikovëve. Pastaj si në gazetat greke të marsit ’97 jepet pushtimi apo çlirimi i qyteteve (vini re! ) të Jugut nga Veriorët, kapja rob e “veriorëve”, etj etj. Nuk harrohet të përmendet edhe xhamia e vetme në jug “….. ajo e Këlcyrës që ishte një qytet pro mysliman, pro PD-së që sapo ishte ndërtuar me fondet e drejtuesit të PD-së Azem Hajdari, i cili do të vdiste në verë të vitit 1998..”
    Fjalët pro mysliman dhe pro PD-së për një xhami në Këlcyrë, ku autorët nuk harrojnë të shkruajnë, se atje janë varrezat e ushtarëve grekë, tingëllojnë aspak objektive dhe antishqiptare. Ato qindra kisha ortodokse në Jug që mbinë si kërpudhat pas shiut, janë ndërtuar me paratë e kishës ortodokse greke, me qëllimin e mbrapshtë jo fetar, për helenizimin e atyre trevave.
    Në janar të vitit 1997, pas rënies së firmave piramidale, populli doli në protesta për të kërkuar paratë. Qeveria e papërgatitur e trajtoi si një krizë të thjeshtë dhe mendoi se mund ta menaxhonte me anë të forcës duke bërë strucin, se ato ishin vetëm mardhënie midis firmave private dhe individëve. Ngjarjet rrodhën me shpejtësi, por policët dhe ushtarakët e shtetit shqiptar nuk kishin moralin dhe nuk ishin të motivuar që të përlesheshin me demonstruesit. Shumë prej tyre kishin humbur paratë në firma. Në asnjë rast ata nuk ishin të armatosur dhe nuk shtinë kundër turmave dhe as morën urdhër për të qëlluar apo për të vrarë protestuesit siç pretendohet nga autorët e librit. Përkundrazi, në më të shumtën e rasteve policët e paarmatosur u bënë objekt i dhunës së protestuesve dhe bandave të armatosura. Vetëm në Vlorë bandat e armatosura vranë 15 policë. Në qytetet kryesore u sulmuan dhe ju vu zjarri një pjese të madhe të institucioneve, duke përfshirë edhe biblioteka, muze, kopshte e shkolla, megjithëse atje nuk kishte para. Në këto kushte shteti në Gjirokastër, Vlorë, Delvinë, Sarandë, Përmet Tepelenë e gjetkë, pushoi së ekzistuari. Komitetet e Shpëtimit morën përsipër të qeverisnin, por e vetmja punë që bënë mirë ishte sigurimi në shifra të larta i fitores së opozitës në zgjedhjet e 29 qershorit Ashtu si do të ndodhte në çdo shtet të botës, kur qeveria bie, atje gëlojnë bandat e hajdutëve dhe kriminelëve. Jugu u bë shesh beteje për bandat e armatosura që në rivalitet midis tyre dhe jo rrallë në bashkëpunim edhe me komitetet e shpëtimit, terrorizuan gjithë Jugun, duke grabitur, vjedhur e vrarë policë e kundërshtarë. Atje nuk kishte palë dhe nuk ndodhi luftë civile midis Veriut dhe Jugut. Pati rënie të shtetit, përleshje bandash dhe Komitetet e opozitës që morën drejtimin e bashkive në mënyrë të paligjshme pa arritur kurrë t’i drejtonin realisht.

    Po ultranacionalistët grekë?

    Ishin më të interesuarit që e keqja të ndodhte. Duhet thënë se qëndrimi i qeverisë greke në deklaratat e saj, ishte mjaft i rezervuar dhe korrekt, por ajo nuk lëvizi as gishtin e vogël të dorës, për të ndaluar ultranacionalistët grekë dhe median të ndihmonte rebelët t’i vinin zjarrin Jugut të Shqipërisë, duke shpresuar në një aneksim të Jugut, ose të paktën në vendosjen e një qeverie progreke që edhe autorët e librit e pohojnë më se një herë. Mjaft politikanë grekë, pa përfillur qeverinë shqiptare filluan “shëtitjet” pa vizë dhe takimet me krerët e komiteteve të shpëtimit dhe bandave të ndryshme, si me Qilimin e Sarandës, Gjolekën e Tepelenës, Gozhitën e Gjirokastrës, apo Shytin e Vlorës. Këto ecejake dhe të tjera lëvizje bën që kryeministrja turke, Tansu Çiller të bëntë deklaratën e famshme para medias dhe shtypit turk, më 16 mars 1997: “…Turqia është e vendosur të ruajë integritetin e Shqipërisë dhe nuk mund të qëndrojë pasive ndaj ngjarjeve që kërcënojnë copëzimin e Shqipërisë. Përkeqësimi i situatës në Shqipëri, është i palejueshëm dhe do të ishte një turp për Europën. Nga ana e saj Turqia është e gatshme të bëje gjithçka për stabilitetin e gjendjes në Shqipëri…”
    Duke i parë ngjarjet e vitit ’97 si një luftë civile midis Veriut dhe Jugut të Shqipërisë, duke i ngarkuar të gjitha gabimet e ngjarjeve të atij viti një njeriu të vetëm me emrin “Berisha” dhe “veriorëve të tij”, duke mos marrë parasysh gjithë ata faktorë të brendshëm dhe të jashtëm që ndikuan në shuarjen e përkohëshme të shtetit shqiptar, autorët e librit jo vetëm i largohen të vërtetës, por gabojnë rëndë.
    Disa pasaktësi që çojnë në keqinerpretime
    Po citojmë disa pasaktësi me komente të shkurtra sipas rëndësisë.
    “…SHIK-u i frikshëm nisi operacionet për arrestimin e liderve të protestave dhe më 31 janar njoftoi se kishte arrestuar 250 aktivistë opozitës…”
    Asnjëherë nuk është dhënë një njoftim i tillë dhe autorët nuk e thonë burimin, që të mund të jenë të besueshëm. Ka patur lista të arrestuarish jo nga shik-u por nga policia, në datat 29-30 dhe 31 janar 1997. Emrat janë të personave, që sulmuan dhe dogjën bashkitë, prefekturat, shkollat, kopshtet etj. në Lushnjë e Vlorë në datat 24 dhe 26 janar. Disponohen kaseta të filmuara dhe fakte të tjera për këto akte të dhunshme. Nuk është fjala për demonstruesit në rrugët e qyteteve, por për zjarrvënës të institucioneve të shtetit. Në cilin vend të botës do të ndodhte ndryshe kur zjarrëvënësit e institucioneve shtetërore, qofshin edhe të opozitës të liheshin të lirë? Numri 250 natyrisht është i zmadhuar ose një dëshirë e autorëve.
    “…Në qytetin verior të Shkodrës rreth 40 mijë demonstrues morën rrugët kundër Berishës. Kryebashkiaku Hamdi Ura…”
    Nuk ka pasur asnjëherë 40 mijë demonstrues në shkurt apo mars të vitit ‘97 që të marshojnë kundër Berishës apo Partisë Demokratike në Shkodër. Sa për kryebashkiakun e Shkodrës është matematikisht e sigurt, që quhej Bahri Boriçi. Mezi mblodhi dy autobuza me shkodranë në 28 shkurt të vitit 1997 dhe i pruri në Vlorë, ditën që u krye sulmi mbi godinën e shik-t në Vlorë.
    “…Hapja e zjarrit solli për pasojë vrasjen e dy personave. 10 shkurt, Vlorë…”
    Më 10 shkurt Vlora u gdhi e rrethuar nga forca të shumta policore të ardhura nga Tirana, të vendosura kryesisht gjatë bulevardit Vlorë-Skelë dhe në kryqëzime. Ishte një veprim i nxituar dhe jo i menduar nga ana e e Qeverisë Demokratike. Nuk ishte ajo zgjidhja për të ndaluar protestat. Shumë vlonjatë, duke përfshirë edhe protestues, të revoltuar nga ky “shtetrrethim” i papritur u përleshën me ato forca duke i rrahur paq. Në raste të veçanta, ju hoqën uniformat dhe i dogjën në mënyrë demonstrative. Por duhet thënë që të gjithë forcat policore të ardhura nga Tirana, ishin të paisura me shkop gome dhe pjesërisht me mburoja plastike dhe skafandra. Nuk u qëllua me armë kundër njerzve të revoltuar. U vra nga ana e protestueve Artur Rustemi me armë zjarri, por që kurrë nuk u zbulua nga kush u godit dhe për çfarë arsye.
    “…Media kishte hedhur dyshime se Xhon Mejxhër dhe ministri Dagllas Hurd dhe antarë të tjerë të qeverisë kishin marrë dhurata nga presidenti Berisha gjatë një vizite në Londër, të cilat ishin vjedhur nga muzeumet shtetërore shqiptare…”
    Nga titujt e gazetës pritej të dilnin të dhëna nga CIA për këtë akuzë, por aty kishte vetëm pandehma.
    Autorët e librit përdorin shpesh një gjuhë të tillë hamendjesh si: Ishin hedhur dyshime, U hapën fjalë, Thuhej se ishte i korruptuar, etj etj. Në një studim serioz që ka të bëjë me ngjarje, data e persona të lartë të politikës, nuk flitet me hamendje e me supozime. Ose i ka vjedhur ose nuk i ka vjedhur në muze, ose ishin të shtrenjta ose ishin të lira. Këto lloj supozimesh që e lënë lexuesin të mendojë çfarë të dojë përbëjnë shpifje ose dezinformim. Ka një sqarim të plotë në median e kohës, për këtë problem nga njerëzit që u akuzuan.
    “…Nën një zhvillim kërcënues në 3 mars, në Vlorë turmat morën arsenalet e armëve të ushtrisë dhe filluan të formojnë ushtri lokale. Skena ishte krijuar tani për një konflikt Veri-Jug…”
    Si e dinin dhe mbi ç’baza arsyetojnë autorët që armët u morën për të sulmuar Veriun dhe kujt i hynte në punë ky konflikt? Më poshtë nuk jepet asnjë fakt apo arsye që armatosja u bë për të sulmuar Veriun. Aq shpesh i përmendin autorët e librit fjalët Veri-Jug, veriorë e jugorë, sa të duket sikur papushim të qëllojnë me një çomangë të madhe në kokë, për të të dëmtuar se s’bën, diku në një cep, sado të vogël të trurit. Të krijohet përshtypja sikur Shqipëriza jonë, ka në përbërje dy raca të ndryshme njërëzish, njera në Veri, që ngjason sipas tyre me Berishën: agresivë, të dhunshëm, të lidhur me sërbin dhe tjetra në Jug, ku autorët megjithëse nuk shprehen haptazi, janë më të zgjuar, më racionalë, pak komunistë por gjithsesi me shumicë greqishtfolës. Më keq nuk ka ku shkon.
    Duke lexuar e rilexuar ato që janë shkruar në libër e janë përcjellë të përkthyera në “Gazetën Shqiptare”, me gjithë ato informacione, dezinformacione, pandehma e supozime për shqiptarët, për shërbimet e huaja, për shtetet e huaja, veçanërisht Amerikën, Italinë e Greqinë, duket sikur fatet e Shqipërisë dhe të shqiptarëve janë të paracaktuara. Politikanët e Shqipërisë janë të detyruar të ndjekin politika pro “ikx” ose “ypsilon” shteti me hir apo me pahir me ryshfet apo me kërcënim me kulaç apo me kërbaç. Pastaj ç’të mbetet për Shqipërinë e dashur, që për 15 vjet po endet sa andej këndej në kërkim të Perëndimit, që herë afrohet e herë largohet pa pyetur për dëshirat e vetë shqiptarëve.
    *Ish-kryetari i
    Bashkisë Vlorë
    "The true history of mankind will be written only when Albanians participate in it's writing." -ML

  2. #2
    R[love]ution Maska e Hyllien
    Anëtarësuar
    28-11-2003
    Vendndodhja
    Mobil Ave.
    Postime
    7,708
    Interesante kjo pjesa qe thote per gjith kryengritesit qe cuditerisht kane ardhur nga Greqia te tere. Hmmm.

    Kush e dogji biblioteken e Vlores dhe te Sarandes ?
    Kush i vodhi thesaret arkeologjike ne Durres dhe Butrint ?
    Kush i vodhi ikonat e kishave ?

    dhe se fundi, kush i ka vjedh ato dreq paresh qe shqipoja shkrete kishte vite qe mblidhte duke punu si qen ne emigrim ?
    "The true history of mankind will be written only when Albanians participate in it's writing." -ML

  3. #3
    Perjashtuar Maska e thorgal
    Anëtarësuar
    20-05-2002
    Vendndodhja
    me zemer ne Shqiperi
    Postime
    296
    Nqs deshironi te informoheni per ate cka ndodhur ne 97 nepermjet nje kendveshtrimi te paanshem dhe me te vertete profesional mund te shihni doklumentarin qe Top Chanel dhe Sokol Balla kane bere nje vit me pare

    http://video.google.it/videoplay?doc...0&q=p2palbania

  4. #4
    i/e regjistruar Maska e zeus
    Anëtarësuar
    27-05-2003
    Vendndodhja
    Këtu
    Postime
    944
    -------------------------------------------

    Kjo video më sipër nuk sjell asnjë element të ri dhe/ose interesant për çmendurinë e vitit '97.

    -------------------------------------------
    Në botë ka 10 lloje njerëzish: ata që kuptojnë sistemin binar, dhe ata që nuk e kuptojnë!

  5. #5
    Perjashtuar Maska e thorgal
    Anëtarësuar
    20-05-2002
    Vendndodhja
    me zemer ne Shqiperi
    Postime
    296
    Zeusi di gjithcka natyrisht ... gjithsesi ky dokumentar s'eshte bere per Zeusin eshte bere per ate qe s'e dine gjithe te verteten

  6. #6
    i/e regjistruar Maska e zeus
    Anëtarësuar
    27-05-2003
    Vendndodhja
    Këtu
    Postime
    944
    ---------------------------------------------------

    Më shumë se Sokol Balla di zeusi në fakt! Po në forum nuk besoj se u intereson shumë njerëzve sesa mund të di unë ose ti. Thjesht unë kam një tjetër koncept për një dokumentar "te paanshem dhe me te vertete profesional".
    Që të jem i sinqertë me ty po të them se shkrimi i mësipërm më dha përshtypjen e një reklame për Sokol Ballën dhe TopChannel. Mua më vjen keq për këto realizime kaq të dobëta të televizioneve tona! Janë bërë shumë emisione për Vlorën (që shoku/zoti Balla e quan "provincë") po asnjë nuk e ka vrarë mendjen të analizojë shkaqet dhe pasojat. Dalin vetëm politikanë që bëjnë deklarata (që nuk mund të jenë të paanshme) dhe personazhe që sot e kësaj dite nuk e kanë nxjerrë inatin e pasojave që u shkaktoi viti '97 (si psh Tritan Shehu).
    Nqs ka akoma ndonjë shqiptar që nuk dallon krismat e kallashit nga zhurma e fishekzjarreve, ath ky dokumentar do i hyjë në punë!

    ---------------------------------------------------
    Në botë ka 10 lloje njerëzish: ata që kuptojnë sistemin binar, dhe ata që nuk e kuptojnë!

  7. #7
    Perjashtuar Maska e thorgal
    Anëtarësuar
    20-05-2002
    Vendndodhja
    me zemer ne Shqiperi
    Postime
    296
    Zeus vellai zbrit nga ai qielli a "sistemi binar" dhe miresetevish ne forumin e njerezeve qe vazhdojne akoma ne shekullin e 21 me parullen "c'thote partia ben populli" dhe kur te zbresesh me thuaj faleminderit qe solle ketu dicka objektive per qytetin tone, qe i afrohet realitetit ndoshta jo ashtu sic do te doje ti por ne maksimumin e mundesive qe jep vendi yne dhe televizionet tona dhe leri denglat
    KAQ
    Ndryshuar për herë të fundit nga D@mian : 11-02-2007 më 16:54

  8. #8
    i/e regjistruar Maska e Brari
    Anëtarësuar
    23-04-2002
    Postime
    18,826
    cdo vlonjat (beratas,lushnjar, tepeleno sarando gjirokastrit) po te shkruaj ato cka ka pare e degjuar me sy e veshet e veta.. ben histori..

    nejse..

    -------


    Intervista/ Flet një nga protagonistët e ngjarjeve

    Ylli Vejsiu: Ju rrëfej prapaskenat e marsit 1997

    Qamil XHANI

    Kanë kaluar plot 10 vite. E megjithatë, mbi ca ngjarje koha nuk ka të njëjtin rritëm të harrimit, aq më shumë kur e vërteta duket se i fshihet historisë. Kështu duket se ndodh dhe me vitin e mbrapshtë 1997. Dëshmitë nuk mungojnë, protagonistët janë ende gjallë, por zbardhja e ngjarjeve duket se do të vonojë edhe ca kohë. E, ajo që duket se ka pak efekt është vetëm kujtesa. Kujtesa, që të paktën, ajo që ndodhi të mos përsëritet më. Kështu mendon dhe Ylli Vejsiu, një nga protagonistët politikë të atyre ditëve të nxehta politike. Sipas tij, tragjedia mund të ishte shmangur nëse palët do ishin treguar më të gatshëm për konsensus. Në një intervistë për gazetën “Tirana Observer”, Vejsiu rrëfen dhe nënshkrimin e marrëveshjes së madhe të 9 marsit. Një marrëveshje, që sipas tij, shpëtoi vendin dhe tregoi se politikanët kur duan dinë të jenë bashkëpunues.
    Zoti Vejsiu, mbushen dhjetë vjet nga ngjarjet e rënda të vitit 1997. Ju jeni partizan i tezës se, ajo që harrohet është e destinuar të përsëritet apo ngjarjet e vitit 1997 janë një kapitull që nuk duhet të ngacmohen dhe hapen kurrë?
    Unë mendoj që ngjarjet e vitit 1997 nuk duhet të arkivohen në histori, për vet faktin se ato janë një shembull i qartë sesi në një moment tepër të vështirë forcat politike arrijnë një kompromis të madh politik, një marrëveshje të madhe për të mirën e vendit, në një moment kur klima politike ishte tepër e acaruar dhe rrezikohej integriteti i vendit. Në ato kohë mediat më prestigjioze e paraqisnin hartën e Shqipërisë të ndarë më dysh me lumin Shkumbin dhe në mes të mbushur me gjak. Në këtë kuptim, them që ka qenë një meritë e madhe e ish-Presidentit Berisha, i cili arriti të ulë në një tryezë gjithë forcat politike dhe të bënte një marrëveshje të madhe, duke sakrifikuar dy gjëra: E para, pushtetin. Ua dha pushtetin kundërshtarëve politikë duke filluar nga qeveria, pra nga Kryeministri. Së dyti, duke pranuar dhe dorëheqjen si President për zgjedhjet e parakohshme. Ai mund të ishte larguar si President, por sipas dëshmive personale ka qëndruar deri në fund sepse mendonte që Shqipërisë i duhej një institucion i tillë për të mos rënë vendi në kaos. Unë e kam krahasuar veprimin e Berishës me atë të mbretit Solomon, që përmendet në testamentin e vjetër, i cili mbahet si mbreti më i mençur: Përpara tij u paraqitën dy gra me një fëmijë, ku secila pretendonin se ishte i saj. Solomoni nxori shpatën dhe tha “unë po e ndaj fëmijën përgjysmë dhe po ja jap gjysmën njërës dhe gjysmën tjetrës që t’u kënaq të gjithëve”. Atëherë nëna e vërtetë tha “që jepja asaj tjetrës, vetëm mos e ndaj më dysh”. Kështu që dhe Berisha për mendimin tim, preferoi që Shqipëria të mos ndahej më dysh, preferoi që t’i jepte opozitës pushtetin vetëm që vendi të mos ndahej.
    Për gjithë shkatërrimin dhe vrasjet e 1997-s pati një komision që hetoi shkaqet që çuan deri në një gati luftë civile. Mendoni se ky komision arriti ta zbardhë plotësisht të vërtetën?
    Nuk mendoj se ky komision ia arriti qëllimit, për dy arsye: E para, sepse këto ngjarje kanë qenë mjaft të komplikuara dhe është vështirë të zbardhen, ndoshta duhet një kohë më e gjatë sesa kaq, pasi janë shumë faktorë që janë ndërthurur. E dyta, unë kam mendimin e përgjithshëm që komisionet parlamentarë nuk zgjidhin gjë, janë pa efekt. Ai ishte një komision me figura të spikatura dhe hodhi dritë mbi disa gjëra, por shkaktarët dhe arsyet e vërteta ende nuk janë zbardhur. Ndoshta duhet ende kohë, ndoshta duhen të tjera dokumente. Më duhet të përmend me këtë rast një thënie të ish-ministrit të ndjerë, Safet Zhulali, që tha se “kjo është një dosje e zezë, e cila nuk duhet hapur”. Këtu ka gjëra enigmë që po të hapen do të bënin më shumë dëm.
    Si e komentoni një konkluzion të thënë në atë kohë, që për ngjarjet e 97-s është faji i opozitës, domethënë i socialistëve që i stimuluan dhe i organizuan, por edhe i demokratëve që i lejuan?
    Unë mendoj se humbja e parave në fajde shkaktoi zemërimin e ligjshëm, revoltën e kreditorëve dhe kjo duket veçanërisht në qytetet, ku humbja ishte më e madhe. Në këtë mes janë dy palët fajtore. Qeveria në atë kohë duhet të kishte vepruar më me shpejtësi më me vendosmëri që t’u zinte grykën firmave piramidale dhe jo t’i toleronte, duke u dhënë dënimin më të ashpër drejtuesve të firmave. Ndërsa përgjegjësia e opozitës për mendimin tim është se ajo diti ta shfrytëzojë këtë revoltë për t’u vënë në krye dhe për ta kanalizuar zemërimin e tyre në kërkesa politike që arritën kulmin më 9 mars.
    Përse një grup politikanësh, por edhe përfaqësues të mediave e interpretuan në raste të veçanta se, ajo që ndodhi ishte një konflikt Veri-Jug, kur ne të gjithë e dimë që një gjë e tillë kurrë nuk ekzistonte?
    Nuk jam plotësit dakord me mendimin se ishin të huajt ata që ndikuan në ngjarjet e 1997-s. Nuk më duket se duhen kërkuar pasojat e asaj që ndodhi diku tjetër, kur dihet që ishte politika jonë ajo që arriti deri në atë pikë. Por në bazë të kujtimeve që kam nga ajo kohë, nuk mund të përjashtoj që ndikime të tilla mund të këtë pasur. Nuk mund të mos pranoj faktin që, kjo u ushqye nga disa media që paralajmëronin ngjarje që do të ndodhnin disa ditë më vonë dhe dërgonin kamera televizive për të filmuar ato ngjarje. Nuk mund të përjashtoj po ashtu faktin që zëvendësministri grek në atë kohë, duke thyer çdo lloj rregulli, vinte në jug të Shqipërisë dhe bënte takime me qarqe të tjera, të cilat kërkonin të stimulohej rebelimi dhe revolta.
    Sipas jush, cila mund të ishte zgjidhja politike përpara këtyre ngjarjeve në mënyrë që ato të shmangeshin?
    Po, politika mund ta kishte shmangur këtë gjë me zgjedhjet e 26 majit. Unë e kam thënë dhe herë të tjera, se PD-ja që fitoi këto zgjedhje me manipulime, për të hir të së vërtetës mund t’u ishte përgjigjur sugjerimeve të ndërkombëtarëve me përsëritjen e zgjedhjeve në disa zona ku kishte më shumë probleme. Në këtë mënyrë, ajo e ruante ende shumicën, por edhe opozita do të lëshonte pe në kërkesat e saj. Ky ishte një shans i humbur që më pas u interpretua keq nga gjithë institucionet ndërkombëtare. Krijoi një mosbesim më të madh ndaj pozitës dhe opozitës, dhe erdhi më vonë si një shkaktar politik që e agravoi situatën. Tjetër, siç thashë dhe më lart, qeveria duhet t’u kishte vënë fre firmave piramidale, duke qenë se kishte informacion nga ndërkombëtarët se këto firma përbënin një rrezik për ekonominë e vendit. Unë vetë kam dalë në atë kohë në televizion dhe kam thënë se situata e krijuar nga këto firma ishte një situatë sëmundjeshmërie, e cila duhet të merrte fund sepse do të krijonte kaos. Po ashtu them se, nëse do ishte dhënë më parë dorëheqja e qeverisë, situata nuk do të kishte arritur të acarohej. Duhej që të mos kalonte aq kohë sa kërkesa për dorëheqjen e Kryeministrit të pasohej nga kërkesa për dorëheqjen e Presidentit. Këto janë veprime politike që e relaksojnë gjithmonë situatën.
    Ju jeni një nga protagonistët e marrëveshjes së 9 marsit, e cila është debatuar shumë nga politika pas firmosjes. Si e vlerësoni pas kaq vitesh këtë marrëveshje?
    E vlerësoj si një marrëveshje historike. Dhe, nuk mund të harroj orët e bisedimeve gjatë arritjes së marrëveshjes, kur mund të them se akujt që ekzistonin në atë kohë mes opozitës dhe PD-së u shkrinë fare dhe të dy kampet sinqerisht luftonin që të kapërcenin situatën. Më kujtohet një detaj që është shumë domethënës. Neritan Ceka ishte një nga kundërshtarët më të ashpër të Berishës, dukej sikur kishte një urrejtje të pashembullt mes tyre. Ndërkohë në momentin që Berisha po firmoste deklaratën e përbashkët, Ceka i afrohet i vë dorën në sup dhe me një afrimitet që nuk mund të imagjinohej mes tyre i thotë: “Doktor e di që fëmijët tanë janë në një klasë në shkollën “Sami Frashëri”. Berisha i përgjigjet “E di, e di”. Është një detaj gati i parëndësishëm, por të mos harrojmë se këta ishin dy kundërshtarët gati më të ashpër në atë kohë.
    Nëse më vonë marrëveshja e Pajtimit Kombëtar nuk funksionoi siç u projektua atë ditë, ky nuk është faji as i Berishës dhe as i qeverisë që u krijua. Është faji i situatës kaotike ku kish arritur vendi. Situata ishte kaotike dhe kish degjeneruar në diçka ku politika i kish humbur kontaktet me pjesën e inatosur të popullit. Por po të kishte funksionuar siç duhet edhe zgjedhjet e 29 qershorit mund të kishin qenë më të qeta.
    Cilat mendoni se ishin shkaqet që çuan në këtë marrëveshje, presioni i opozitës apo lëshimi i mazhorancës?
    Natyrisht presioni i opozitës nuk mund të përjashtohet. Por më duket se është merita e Berishës, i cili u tregua tolerant, i ftoi në tryezë kundërshtarët e tij. Nuk duhet të përjashtoj se ishte dhe një mundim i Berishës, të cilit iu desh të kapërcente mbi veten dhe të bëhej protagonist i kësaj marrëveshjeje. Sigurisht nuk mund të përjashtohet dhe kontributi i ndërkombëtarëve. Fakti që një ditë pas marrëveshjes erdhi në Shqipëri ministri i Jashtëm i Italisë, tregoi se kishte protagonistë të huaj që e dëshironin një marrëveshje të tillë.
    Unë them se 9 marsi bën gjithmonë apel, sepse është një ngjarje e madhe, sepse aktualiteti i saj nuk mund të përjashtohet. E kam fjalën për frymën e bashkëpunimit. Madje, në një farë mënyre Berisha ka filluar frymën e saj. Sipas mendimit tim, ai për hir të arritjes së standardeve në zgjedhje mund të ketë sakrifikuar pak nga fitorja, duke mos arritur që demokratët të merrnin një rezultat më të mirë në zgjedhjet e 18 shkurtit. Kjo më duket se është një lloj lëshimi që na kujton atë kohë, gjithmonë e kam fjalën për anën e bashkëpunimit për vendin. Ajo që ka rëndësi për mua, është se ngjarjet e këtij viti nuk kërkojnë 9 marse të tjerë, por frymën e bashkëpunimit e tolerancë, kompromis. Presim ngjarje të mëdha këtë vit, siç është zgjedhja e Presidentit, gjë që nuk mund të arrihet pa një kompromis. Për këtë jam i mendimit se Berisha do të tregohet në lartësinë duhur, shpresoj që dhe aktorët e tjerë do ta bëjnë këtë gjë. Po ashtu dhe referomi i drejtësisë dhe reformat ekonomike kërkojnë konsensus nga të gjithë dhe më duket se ka një shembull për të arritur kompromisin, ky është 9 marsi.
    Cili është mendimi juaj se ende sot në politikë janë aktivë një pjesë e politikanëve aktorë të ngjarjeve të vitit 1997, si nga e majta dhe nga e djathta?
    Unë për nga natyra jam tolerant dhe jam i prirur që të harroj defektet e të kaluarës, nëse personazhet që mund t’i kem vlerësuar negativisht në të kaluarën, sot militojnë dhe japin kontributin e tyre për të mirën e demokracisë dhe vendit. Në këtë kuptim nuk dua të përmend asnjë nga emrat e së majtës apo të djathtës që në atë kohë mund të kenë luajtur një rol të dyshimtë, nëse ata sot vërtetë do të angazhohen dhe do të japin një vizion të ri të qëndrimit të tyre dhe të kontributit politik.

    .................................................. ................................. Krye

    tirana observer

Tema të Ngjashme

  1. Video e ushtarëve grekë në Internet indinjon shqiptarët
    Nga Ingenuous në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 207
    Postimi i Fundit: 22-09-2011, 14:58
  2. Greqia u jep shtetësinë minoritarëve
    Nga DYDRINAS në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 411
    Postimi i Fundit: 12-03-2008, 06:59
  3. Dosja antishqiptare e Greqisë, 1912-2007
    Nga BARAT në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 645
    Postimi i Fundit: 15-10-2007, 19:27
  4. Gjergj Kastrioti sipas pikëpamjeve antishqiptare
    Nga Davius në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 77
    Postimi i Fundit: 28-04-2006, 12:45
  5. Refimet e adjutantit te Mbretit Zog
    Nga Albo në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 20
    Postimi i Fundit: 12-03-2003, 03:11

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •