LUFTA E UÇK-së ISHTE LUFTË KUNDËR PUSHTIMIT…
Konferencë për media, rreth pakos për statusin e Kosovës
Prishtinë 28 janar 2007
Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së së bashku me SHIL të UÇK-së dhe SHFD të UÇK-së në një konferencë për media, shprehën qëndrimin rreth planit të Ahtisarit për statusin e Kosovës, që pritet të zyrtarizohet me 2 shkurt 2007. Deklarata që u lexua në konferencë është me sa vijon:
1) Edhe pse nuk është bërë publik në tërësi Dokumenti i Ahtisarit për statusin e Kosovës, përmbajtja e botuar në disa media ndërkombëtare nuk shpreh në mënyrën e duhur vullnetin e qytetarëve të vendit për shtet të pavarur dhe sovran.
2) Ne presim që bashkësia ndërkombëtare ta njohë luftën tonë Çlirimtare dhe ta pranojë shtetin e pavarur e sovran të Kosovës.
Pas luftës heroike të popullit, të udhëhequr nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, pas gjakut të derdhur nga dëshmorët e lirisë, pas gjymtyrëve të lëna në vijat e frontit nga invalidët e luftës, në Kosovë nuk do të pranohet asgjë më pak se pavarësia e plotë.
Gjenocidi serb mbi popullin tonë dhe ndërhyrja e forcave demokratike përkrah UÇK-së, e ka bërë të qartë këtë qysh në vitin 1999. Krimet e papara të forcave serbe mbi popullatën civile, gjaku i më shumë se 15 mijë të vrarëve e të masakruarve, mijëra të zhdukur, për fatin e të cilëve ende nuk dimë asgjë, gjaku i 2 mijë e 200 dëshmorëve, gjymtyrët e 2 mijë e 500 invalidëve të luftës, e kanë vulosur të ardhmen e Kosovës dhe nuk duhet të ketë asnjë hamendje në këtë drejtim. Kosova duhet të pranohet në familjen e kombeve të bashkuara si subjekt i barabartë me të gjitha shtetet e tjera. Në të kundërtën, tërheqim vërejtjen se procesi do të vështirësohet, duke e vënë në pikëpyetje gjithë investimin e bërë në vitet e pasluftës. Faktorët ndërkombëtarë e dinë se nuk mund të nëpërkëmbet e ardhmja e një populli që e ka vulosur atë me gjakun e bijve e bijave të veta. I kuptojmë shqetësimet e ndërkombëtarëve për pozitën e pakicave në Kosovë, por Kosova tashmë e ka dësahmuar se i pranon ato si pasuri të shoqërisë dhe vlerave të saj.
3) I bëjmë thirrje bashkësisë ndërkombëtare që në vendimin për Kosovën ta ketë parasysh gjakun e dëshmorëve dhe të mijëra qytetarëve të flijuar për lirinë e vendit të tyre. Tani që presim ardhjen e Ahtisarit në Prishtinë, dëshirojmë t’i kujtojmë edhe një herë atij se lufta e UÇK-së ishte luftë kundër pushtimit, e jo siç janë përpjekur ta paraqesin qarqe të caktuara, rebelim kundër regjimit të Millosheviqit.
4) Vendi ynë duhet të ketë ushtrinë e vet, jo si kërcënim ndaj të tjerëve, por për sigurinë e vet dhe për mbështetjen e proceseve të paqes në rajon e më gjerë. KFOR-i duhet ta mbështesë një forcë aleate në Kosovë.Kemi thënë se e mirëpresim praninë e NATO-s, por edhe ajo duhet t’i pranojë vlerat tona ushtarake. Këtë e ka dëshmuar UÇK-ja gjatë luftës, dhe TMK-ja pas perfundimit të saj. Ndryshe, TMK-ja është edhe institucioni që ka bërë më së shumti në përmbushjen e standardeve të caktuara nga bashkësia ndërkombëtare. Këtë vlerësim e kanë bërë edhe vetë ndërkombëtarët. Prandaj duhet të avancohet misioni i saj në bërthamë të ushtrisë së ardhshme të vendit. Në këtë pikë, ne i tërheqim vërejtjen edhe Ekipit të Unitetit që të mos lejojë të ndodhë ndonjë gabim. Kosova e pavarur duhet të ketë edhe ushtrinë e vet.
5) Pavarësia është zgjidhja e vetme e cila do t’i mundësonte Kosovës zhvillim dhe prosperitet. Ne jemi të vetëdijshëm se Kosova është në gjendje të rëndë ekonomike. Këtë e thonë të gjithë, edhe ndërkombëtarët edhe vendorët. Por, jemi të vetëdijshëm gjithashtu se shkaku kryesor i këtij moszhvillimi është mungesa e pavarësisë. Dikur ishte pushtimi nga ana e Serbisë, sot është mungesa e subjektivitetit ndërkombëtar.
Krijoni Kontakt