Moore: Kosova e pavarur, pa veriun
Analisti Patrick Moore mendon se veriu i Kosovës mbetet i lidhur me Serbinë
Sipas tij SHBA-të me aleatët të marrin rolin prijës
Analisti i radios “Europa e Lirë”, Patrick Moore, deklaron se SHBA-të me aleatët duhet të marrin rolin prijës në Kosovë. Ai është optimist në lidhje me qëndrimin që mund të mbajë Rusia në Këshillin e Sigurimit në lidhje me miratimin e paketës së propozuar nga i dërguari special i OKB-së, ndërmjetësi Marti Ahtisari. Për të ardhmen e Kosovës, ai pranon se është shumë realist dhe beson tek pavarësia.
“Parashikoj që në një periudhë të ardhshme të kemi shtetin e pavarur të Kosovës, por duket se pa pjesën veriore. Veriu me gjasë praktikisht dhe mbase faktikisht do të lidhet me Serbinë. Dilema konsiston në sa vijon: nëse kjo realizohet, atëherë do të shtrohet pyetja se çfarë do të bëhet me Luginën e Preshevës. Rrjedhimisht, ka shumë çështje të hapura dhe përvoja e viteve 90 dëshmon se nuk është mençuri të bëhet parashikim i gjërave”, tha Moore.
Shumë vëzhgues thonë se zvarritja dhe paqartësia rreth statusit të Kosovës mund të çojnë drejt një konflikti. Ditë më parë sekretarja amerikane e shtetit Kondoliza Rajs tha se zgjidhja e statusit të Kosovës do të jetë rrugë e vështirë. Cili është komenti i juaj?
Këto pohime janë të drejta. Pa qartësi dhe pa stabilitet politik, kemi situatë shumë shpërthyese ekonomike dhe sociale. Pa qartësi dhe stabilitet politik nuk do të ketë investime të jashtme dhe rrjedhimisht as zbutje të problemit të papunësisë.
Niveli i lartë i papunësisë krijon rrënjët e jostabilitetit shoqëror dhe social dhe kjo është një e vërtetë që ka të bëjë jo vetëm me Kosovën dhe Ballkanin, por me gjithë botën. Për të zgjidhur këtë çështje, përkatësisht për të evituar shtyrjet e mëtejme, duhet që si prijëse në këtë çështje të dalin Shtetet e Bashkuara.
Krahas Rusisë janë edhe disa vende tjera evropiane siç është Rumania, Sllovakia dhe të tjera që nuk janë në favor të pavarësimit të Kosovës. A mendoni se kjo situatë, pa vendim të qartë për statusin në Këshillin e Sigurimit, mund të shkaktoj përçarje në Bashkimin Evropian dhe rrjedhimisht të pamundësoi jo vetëm njohjen, por edhe vendimin për prani tjetër civile ndërkombëtare pas largimit të UNMIK-ut?
Muajve të fundit Rusia është duke zhvilluar një politikë obstruksioniste në marrëdhëniet ndërkombëtare. Rrjedhimisht nuk jam optimist sa i përket vendimit në Këshillin e Sigurimit. Mund të jetë që Moska është këmbëngulëse në rastin e Kosovës si përpjekje për të bërë marrëveshje nga e cila do të përfitonte diku tjetër. Nëse Rusia do të bllokoj vendimin në Këshillin e Sigurimit, roli i Kombeve të Bashkuara do të bëhet krejtësisht jo efektiv.
Druaj se rreth çështjes së Kosovës edhe vendet e Bashkimit Evropian do të mbeten të përçara, për shkak të interesave të ndryshme nacionale. Kjo mund të jetë ose jo racionale, por është realitet politik. Supozoj se Bashkimi Evropian sërish do të jetë i paaftë për të vepruar. Rrjedhimisht, siç e kemi parë në vitet 90, Shtetet e Bashkuara bashkë me Britaninë e Madhe dhe aleatët më të ngushtë sërish duhet të marrin rolin prijës.
Radikalët serbë thonë se në rast të pavarësimit të Kosovës, ata do të shpallin pavarësinë e pjesës veriore të Kosovës? A mendoni se në këtë rast situatat mund të kthehet te vitet e 90-ta kur çdo gjë kishte filluar në ish Jugosllavi?
Gjërat janë shumë të paqarta dhe të pasigurta për të dhënë përgjegje në këtë pyetje. Mendoj se Beogradi nuk do të intervenoj ushtarakisht, sepse po bëri diç të tillë do të humbasë çdo shpresë për bashkëpunim me Bashkimin Evropian dhe NATO-n. Udhëheqja në Beograd nuk ka as vullnetin dhe as makinerinë ushtarake që e dispononte Millosheviçi në vitet e 90-ta.
Megjithatë nëse Serbia nuk intervenon dhe pjesa veriore nuk shpallë pavarësinë, nuk përjashtoi mundësinë që bashkësia ndërkombëtare t'u thotë kosovarëve në Prishtinë që atyre t'u lejojnë shkuarjen. Pra pranoni humbjen e veriut dhe ne do t'u ofrojmë ndihmë më të madhe ekonomike dhe politike dhe gjithsesi njohje të shpejt të pavarësisë dhe sovranitetit të plotë të Kosovës.
Grupi i Kontaktit nga të gjitha palët ka kërkuar respektimin e kufinjve aktualë. Në këtë rast nëse pjesa veriore do t'i bashkohej Serbisë, a mendoni se situata në Luginën e Preshevës mund të mbetet e qetë dhe stabile, duke mos përmendur pjesët tjera të ish Jugosllavisë, për shembull Bosnjën?
Kjo çështje është cilësuar si Kuti e Pandorës që në fakt ka errësuar zgjidhjen e statusit të Kosovës tash sa vite. Mendoj se politikisht është realiste dhe në harmoni me natyrën njerëzore që nëse serbët e veriut shkëpusin atë pjesë, atëherë edhe shqiptarët në Luginën e Preshevës, me ndihmën e shqiptarëve nga jashtë, të marrin gjërat në duart e veta gjithashtu.
Jeni optimist apo pesimist sa i përket zgjidhjes finale për Kosovën?
Kisha për të thënë se jam realist. Parashikoj që në një periudhë të ardhshme të kemi shtetin e pavarur të Kosovës, por duket se pa pjesën veriore. Veriu me gjasë praktikisht dhe mbase faktikisht do të lidhet me Serbinë. Dilema konsiston në sa vijon: nëse kjo realizohet, atëherë do të shtrohet pyetja se çfarë do të bëhet me Luginën e Preshevës. Rrjedhimisht ka shumë çështje të hapura dhe përvoja e viteve 90 dëshmon se nuk është mençuri të bëhet parashikim i gjërave.
Intervistoi: Melazim KOCI
Krijoni Kontakt