Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 2
  1. #1
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,122
    Postimet në Bllog
    17

    Për një Evropë të bazuar mbi vlera dhe shpresa të përbashkëta

    “Vlera, besime, identitet”

    - Veprimtari e Konferencës Evropiane të Kishave -

    Me rastin e 50-vjetorit të Traktatit të Romës, udhëheqësit fetarë dhe pjesëmarrës nga 50 kisha dhe 28 vende nga e gjithë Evropa u takuan në datat 12 dhe 13 dhjetor 2006 në Bruksel me ftesë të Komisionit për Kishën dhe Shoqërinë të Konferencës së Kishave Evropiane. Takimi u zhvillua pikërisht në kohën kur debati për të Ardhmen e Evropës dhe të Traktatit Konstitucional Evropian është në një udhëkryq. Veprimtaria u hap mbasditen e datës 12 dhjetor, me temën “Vlerat evropiane - dialogu i kishave me institucionet politike evropiane”. Një sesion i dytë iu kushtua temës: “Mbi ç’vlera u ndërtua Evropa. Kontributi i kishave.”

    Në datën 13 Konferenca vazhdoi me temën: “E ardhmja e projektit evropian”. Në të folës ishte edhe Kryepiskopi Anastas, që është edhe Zëvendëspresident i këtij organizmi, i cili mbledh në gjirin e vet 125 Kisha të krishtera të Evropës, si dhe 40 organizata të asociuara. KEK u themelua në vitin 1959.

    Në fund Konferenca miratoi edhe një deklaratë të përbashkët, të cilën po e botojmë pjesërisht në këtë numër.



    Letër e hapur nga udhëheqësit fetarë për liderët politikë të Evropës


    Për një Evropë të bazuar mbi vlera dhe shpresa të përbashkëta



    ...Ne u takuam pikërisht në kohën kur debati për të Ardhmen e Evropës dhe të Traktatit Konstitucional Evropian është në një udhëkryq. Duke u përgatitur me kishat tona, për Asamblenë e Tretë Ekumenike në Sibiu të Rumanisë, në shtator 2007, gra dhe burra nga pothuajse të gjitha kishat e Evropës do të reflektojnë se në çfarë konsiston kuptimi i një Kishe në Evropën e sotme.

    Ne besojmë, se besimi me anë të Jisu Krishtit, e vë shpresën tek Perëndia, i Cili është një faktor aktiv në realitetin e përditshëm. Trashëgimia shpirtërore e Krishterimit përbën një burim të fortë të inspirimit dhe të pasurimit për Evropën. Feja është një faktor i gjallë dhe konstruktiv për jetën publike. Ne duam të ndajmë me ju, liderët politikë të Evropës, shqetësimet dhe shpresat tona për të ardhmen e Evropës dhe rolin tonë brenda saj. Në mënyrë të veçantë, bindja jonë është se procesi i integrimit evropian, duhet të vazhdojë i bazuar në vlerat dhe vizionin e përbashkët.

    1. Evropa - Një kontinent i bashkuar në diversitet

    Me zhvillimin e integrimit evropian, vizioni dhe angazhimi për vlerat e përbashkëta u reflektuan në institucionet e krijuara nga ky proces. Këshilli i Evropës dhe OSBE kultivuan një Evropë të ndërtuar mbi respektin e të drejtave njerëzore, të lirisë fetare, të demokracisë dhe të shtetit të së drejtës. Pajtimi dhe solidariteti ishin gurët e themelit të asaj që është sot Bashkimi Evropian. Vlera thelbësore duhet të mbahen gjallë dhe të praktikohen si udhërrëfyese për krijimin e politikës. Sot pjesa më e madhe e popujve të Evropës gëzojnë lirinë dhe të drejtat themelore njerëzore dhe kanë kohë që nuk po përballen më me luftën dhe konflikte të dhunshme. Megjithatë pasojat negative të ndarjes së Evropës në të shkuarën janë ende të dukshme dhe nëse kërkohet kapërcimi i tyre, atëherë kërkohet realizimi i plotë i këtyre vlerave origjinale. Institucionet evropiane dhe shtetet anëtare kanë një rol në sigurimin dhe mirecurinë e këtyre vlerave.

    Ndërkohë që pjesë të Evropës kanë lëvizur drejt një uniteti më të madh, diversiteti ngelet karakteristika e identitetit të kontinentit. Diversiteti i kulturave, traditave dhe identiteteve fetare duhet të respektohet.

    Evropa nuk është sinonim i Bashkimit Evropian. BE ka përgjegjësi për të punuar ngushtë me të gjitha vendet evropiane dhe të sigurojë që politikat e fqinjësisë të orientojnë në marrëdhënie të drejta, të ndershme dhe mbështetëse me fqinjët e tij. Ne i nxisim politikanët e Evropës të ripërtërijnë angazhimin e tyre për të kërkuar një vizion të përbashkët evropian, vlera dhe politika të përbashkëta.


    2. Evropa - Një kontinent i vlerave të përbashkëta

    2.1 - Paqe dhe Pajtim

    Integrimi evropian luan ende një rol kryesor në sigurimin e paqes dhe të pajtimit midis shteteve anëtare të Bashkimit Evropian. Zgjerimi i BE-së që pasoi fundin e Luftës së Ftohtë, çoi në shpresën se lufta dhe konfliktet e dhunshme midis shteteve evropiane as nuk mund të mendohen. BE luan një rol në rritje në parandalimin dhe zgjidhjen e konflikteve. Ne duam që BE të balancojë rritjen e tanishme të kapacitetit të tij ushtarak duke fuqizuar iniciativa joushtarake, siç janë vendosja e Institutit Evropian të Paqes për të investiguar, mbështetur dhe forcuar përpjekjen e përbashkët të vendeve evropiane në forma jo të dhunshme të parandalimit të konflikteve, ndërmjetësimit dhe të menaxhimit të konflikteve.

    2.2 - Integrimi evropian

    Integrimi evropian i fton njerëzit të zhvillojnë marrëdhënie dhe nuk kufizohet vetëm në dimensionet politike dhe ekonomike. Marrëdhëniet e thella dhe zgjerimi gjeografik janë të pandashme dhe duhet të ecin së bashku.

    Perspektiva e BE-së ka ngjallur shpresa dhe ka iniciuar procese reformuese në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe në Turqi. Angazhimet ndaj parimeve të pranuara, ndaj Kartës themelore të të Drejtave të Njeriut dhe mbështetja për popullin janë thelbësore për asociimin dhe pranimin e proceseve që vijnë si rrjedhojë e tij.

    Si njerëz prej traditave dhe kulturave të ndryshme në Evropë, që mblidhemi së bashku, ne duam që të kemi dialog ndërfetar dhe ndërkulturor. Evropa është shtëpia për popuj të shumë kombeve,kulturave dhe feve. Ne i ftojmë edhe fetë e tjera që të marrin pjesë në shqetësimet e përbashkëta. Evropa është gjithashtu një parajsë për emigrantët, refugjatët, azilkërkuesit. Rëndësia e personave që duhet të mbrohen për t’i shpëtuar persekutimeve, konflikteve të dhunshme dhe padrejtësive të strukturave ekonomike duhet të theksohet. Ne duam të ofrojmë një kontribut për “Vitin e dialogut ndërkulturor” në vitin 2008. Iniciativa të tilla janë të vyera, megjithatë nuk mjaftojnë. Ne i nxisim liderët politikë të mbështesin masat për një dialog të qëndrueshëm, afatgjatë dhe angazhohemi të punojmë bashkë me ju.

    2.3 - Evropa dhe Globalizmi

    Pasuria e Evropës bie në një kontrast të dukshëm me kushtet e popujve në shumë pjesë të rruzullit. BE dhe shtetet e tjera evropiane kanë përgjegjësi për të punuar për një ekonomi botërore të balancuar ku mbizotërojnë marrëdhënie të drejta tregtare, me politika të barabarta emigrimi dhe të marrë fund shfrytëzimi ekonomik. Veprimet evropiane të kohëve të fundit, i çojnë shumë njerëz të mendojnë se po punohet në drejtimin e kundërt me këtë synim.

    Duhet të përmendim pabarazinë e ndarjes së pasurisë në Evropë: Kontrasti i pasurisë së Evropës me papunësinë e saj dhe diferenca e madhe midis të pasurve dhe të varfërve. Kishat dhe programet e tyre sociale duhet të shikojnë efektet e këtyre dukurive në nivelin bazë, ku shpeshherë këta organizma janë mbështetja e vetme për ata që janë privuar nga siguria e sistemeve të mirëqenies. Pasuria e Evropës gjithashtu ka kuptimin se ajo ka resurse për të “djegur”. Si përgjigje ndaj ndryshimeve të klimës, BE duhet të vazhdojë rolin e tij drejtues për garancinë se të gjitha shtetet pjesëmarrëse duhet të mbajnë angazhimet e tyre sipas protokollit të Kiotos. Gjithashtu është një nevojë urgjente zhvillimi i iniciativave ku energjia prodhohet nga burime ripërtëritëse.

    2.4 - Evropa për njerëzit

    Njerëzit ndihen të përjashtuar nga procesi kompleks i vendimmarrjes i institucioneve evropiane të BE. Kishat i mirëpresin iniciativat për të kryer dialog me qytetarët e BE, siç është “Plani D”, që kultivon demokracinë, dialogun dhe debatin. Megjithatë ne jemi të shqetësuar se kjo gjë nuk ka një impakt pavarësisht kohës së iniciimit të saj. Kishat përpiqen të shikojnë përpara për të mbështetur dhe marrë pjesë në iniciativën “Qytetarët e Evropës” dhe shpresojnë se do të bëhen përpjekje serioze për të filluar një dialog real me të gjithë sektorët e shoqërisë. Kjo duhet të japë efekte për të hapur një dialog transparent dhe të rregullt, të parashikuar në nenet 1-47 dhe 1-52 të Traktatit Konstitucional Evropian.

    Kishat, duke u angazhuar në mënyrë aktive në procesin e Traktatit Konstitucional, i urojnë mirëseardhjen. Kisha u rikujton politikanëve se duhet të dëgjojnë zërat e njerëzve, në mënyrë të veçantë të atyre që e ndiejnë se u vihet më tepër theksi objektivave ushtarakë dhe se u kushtohen fonde të pamjaftueshme programeve që prekin fushën sociale. Ne angazhohemi se do të përpiqemi të kërkojmë në mënyrë aktive të lehtësojmë dialogun dhe të inkurajojmë pjesëmarrjen e njerëzve në nivel lokal anembanë Evropës, për të krijuar fytyrën e ardhshme të saj.


    3. Evropa - Shpresë dhe Angazhim

    Historia e Evropës është dalluar jo vetëm për luftërat dhe konfliktet e armatosura, në të cilat edhe vetë Kishat janë implikuar disa herë, por edhe për zhvillimet e reja në politikë, ekonomi, shkencë dhe kulturë. Rigjallërimi i besimit të krishterë duhet të ndihmojë shoqëritë e Evropës për të ruajtur identitetet e tyre dhe për të zhvilluar vlera, të cilat përbëjnë zemrën e kulturës evropiane.

    Ne jemi të angazhuar të mbrojmë vlera bazë kundër shkeljeve të çdo lloji dhe për t’i rezistuar çdo përpjekjeje për të keqpërdorur fenë për qëllime politike. Për më tepër ne jemi të angazhuar, sa është e mundur të gjithë, për të komunikuar shqetësimet dhe vizionet tona tek institucionet evropiane. Në këtë mënyrë ne kërkojmë të ofrojmë kontributin tonë për të ardhmen e Evropës dhe për ta kthyer në një kontinent të shpresës. Ne e vëmë shpresën tonë në Perëndinë si thuhet në Letrën e Apostull Pavlit drejtuar Romakëve, që përmban shpirtin e Kartës Ekumenike: “Edhe Perëndia i shpresës ju mbushtë me çdo lloj gëzimi e paqeje me anë të besimit, që të teproni në shpresë me anë të fuqisë së Shpirtit të Shenjtë” (Rom. 15:13).

    Ngjallja

  2. #2
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,122
    Postimet në Bllog
    17
    Fjala e Kryetarit të Komisionit Evropian në Asamblenë Ekumenike të Sibiut, 6 shtator 2007

    Diversiteti i pajtuar në një Evropë të bashkuar

    Hirësi, Fortlumturi.
    Zonja dhe Zotërinj,

    Jam i gëzuar që marr pjesë në këtë veprimtari dhe falënderoj organizatorët për këtë ftesë. Për mua është njëkohësisht nder dhe kënaqësi t’i drejtohem kësaj Asambleje të rëndësishme. Prania ime këtu, si Kryetar i Komisionit Evropian, në këtë Asamble të tretë kushtuar Evropës, feve dhe emigracionit, shpreh angazhimin e komunitetit të madh të krishterë në procesin e integrimit evropian.

    Nuk mendoj se është e nevojshme të tregohet rëndësia e nismës së ndërmarrë në vitet ‘80, nga Konferenca Evropiane e Kishave, që çoi në organizimin e asambleve ekumenike, së bashku me Këshillin e Konferencave Episkopale të Evropës. Mjafton të kujtojmë që Asambleja e parë bëri të mundur takimin e parë midis të krishterëve të gjithë Evropës, pas ndarjes në vitin 1054. Mjafton gjithashtu të themi që Karta Ekumenike, e nënshkruar në Strasburg në vitin 2001, në vazhdim të Asamblesë së vitit 1997, është dokumenti ekumenik më i përhapur dhe më i diskutuar në Evropë.

    Komisioni Evropian ka qenë gjithmonë i kujdesshëm ndaj angazhimit të Kishave të Krishtera dhe veçanërisht të Konferencës Evropiane të Kishave, e cila që nga fillimet, ka shoqëruar dhe nxitur aventurën e madhe të ndërtimit evropian. Komisioni Evropian ka pasur gjithmonë një dialog të frytshëm me të gjitha Kishat. Pjesëmarrja ime në këtë takim, në përgjigje të ftesës së Konferencës Evropiane të Kishave dhe Këshillit të Konferencave Ipeshkvnore të Evropës, është një lidhje në vargoin e një procesi të gjatë të dëgjimit dhe respektit reciprok midis Komisionit dhe feve kryesore të pranishme në Evropë.

    Tema e bashkimit evropian, me të cilën po merret kjo Asamble, ka dhe një ngarkesë të fortë simbolike. ...Kuptimi i pranisë sime këtu, për t’ju folur për të ardhmen e Bashkimit Evropian, është gjithashtu i lidhur me kontributin specifik të Kishave dhe komuniteteve fetare, që njihet në mënyrë të qartë edhe nga Traktati i Reformimit. Roli i fesë në jetën publike është sot objekt i një debati të gjerë. Nëse pranojmë se politika është e pandarë nga etika siç është për mua - atëherë duhen dëgjuar me kujdes mesazhet e besimeve, në një kuadër institucional të kujdesshëm ndaj të gjithë komponentëve të shoqërisë.

    Kontributi i Kishave në procesin e bashkimit evropian është akoma më i dukshëm ngaqë shfaqet nëpërmjet shpirtit ekumenik. Ekumenizmi është gjithashtu, një lëvizje unifikimi dhe bashkimi i ndjeshmërive të ndryshme, i traditave dhe i personave me besime të ndryshme, por të hapur ndaj mbarë botës. Por është gjithashtu një gjendje shpirtërore, që shpreh thirrjen për bashkim të popujve.

    Ekumenizmi mund të kontribuojë kështu për konsolidimin e vlerave me të cilat identifikohen një numër i madh i qytetarëve evropianë.

    ...Në vitin 1980, Papa Joani Pavli II, deklaronte: “Si i krishterë dhe sigurisht, si katolik, nuk mund të marrësh frymë vetëm me një mushkëri; duhet të kesh dy mushkëri, domethënë atë Lindore dhe atë Perëndimore”. Këto dy mushkëri të një organizmi të vetëm, janë tradita bizantine orthodhokse dhe tradita latine perëndimore, dy forma kulture të pandashme...

    Kishat dhe komunitetet fetare mund të kontribuojnë dhe kontribuojnë efektivisht, për një kuptim më të mirë midis njerëzve, duke promovuar respektin reciprok, në kuadrin e vlerave të thella të përbashkëta....

    Evropa është dhe do të jetë gjithmonë e më shumë një kontinent multietnik, multikulturor dhe multifetar. Evropa e bashkuar dhe e zgjeruar është e përbërë nga realitete të reja, për shembull, nga një numër gjithmonë e më shumë i rëndësishëm komunitetesh myslimane, hindu, budiste dhe sik, që i japin një fizionomi të re. Në vend të blloqeve të ndara, Evropa e bashkuar përbën një organizëm të vetëm, që merr
    frymë sërish “me tërë mushkëritë”, pra me të dyja mushkëritë.

    Pajtueshmëria e ndërthurur midis elementeve të ndryshme, na mundëson përfytyrimin e kontinentit si një të tërë, rezultat i një identiteti kulturor të përbashkët, themeluar mbi një bashkësi vlerash të pranuara nga të gjithë. Unë e kam thënë shpesh, evropianët kanë rrënjë të thella, të trashëguara nga popujt dhe kulturat që i kanë paraprirë. Këto rrënjë janë vlerat evropiane. Ky identitet evropian i përbashkët, është përmbledhur në mënyrë të admirueshme nga poeti Pol Valer, që e përcaktoi shpirtin evropian si rezultat i një trashëgimie të trefishtë, shprehur në triadën “Athinë, Romë, Jerusalem”, domethënë filozofia, e drejta dhe feja; triada e arsyes, e ligjit dhe e moralit, që ka qenë në origjinë të asaj që ne sot e quajmë qytetërim evropian.

    Në historinë e këtij qytetërimi, krishterimi dhe dëshmitë e tij të ndryshme kanë qenë një forcë bashkuese, që ka bërë të mundur integrimin e prurjeve të popujve keltë, gjermanikë, sllavë etj.,si kontributin e madh të qytetërimit islamik. Evropa është gjithashtu e lidhur thellësisht me humanizmin dhe demokracinë, që ajo i ka “shpikur”. Respekti për të ndyshmen, hapja ndaj tjetrit dhe toleranca janë të rrënjosura thellë në kulturën evropiane. Ato janë vula jonë e njohjes. Por respekti për të ndryshmen mbetet thellësisht respekt për parimet për të cilat Bashkimi Evropian nuk mund të bëjë kompromis: liria e shprehjes, liria e besimit dhe liria e krijimtarisë. Siç nuk mund të bëjmë kompromis me kundërshtimin tonë të plotë ndaj dënimit me vdekje, që është plotësisht kundër me vlerat tona.

    Një Bashkim i reduktuar vetëm në përmasat gjeografike dhe ekonomike nuk do të arrinte unitetin. Vetëm ndarja e vlerave të përbashkëta mund t’i japë mish një entiteti politik si Bashkimi Evropian, i konceptuar si një komunitet vlerash dhe jo thjesht si një grup interesash. Një komunitet vlerash që mishërohen në një shumëllojshmëri kulturash dhe traditash që pasurohen reciprokisht, në kuadrin e një Evrope të zgjeruar dhe të hapur, të aftë për të hedhur urat drejt rajoneve të tjera të botës dhe për të dialoguar me kultura dhe besime të tjera. Pra, një komunitet vlerash që mishërohen në një komunitet personash, familjesh dhe popujsh, por gjithashtu edhe në institucione dhe politika konkrete...

    Bota po ndryshon shumë shpejt dhe Evropa duhet të evoluojë në harmoni me të. Shekulli i 21-të do të ketë detyrat dhe sfidat e veta. Këtu kam parasysh veçanërisht ndryshimet klimatike, demografike apo sigurinë e burimeve energjetike. Për të përballuar gjithë këto sfida Bashkimi Evropian duhet të përmirësojë funksionimin e tij institucional dhe metodat e punës. Duhet të modernizohet.

    Me traktatin e ri modifikues Bashkimi do të mundë të mbrojë dhe të promovojë vlerat e veta të përbashkëta dhe interesat e tij jetësore në shkallë botërore...

    ...Dimensioni fetar është gjithashtu i pranishëm në traktat dhe dialogun që Bashkimi Evropian ka bërë, sidomos nëpërmjet Komisionit, me kishat dhe organizatat jokonfesionale, tashmë ka marrë qartësisht një karakter “të hapur, transparent dhe të rregullt”.

    Unë jam i sigurt se Evropa do të mund të mbështetet në kontributin tuaj për të kapërcyer ndarjet dhe të arrijë unitetin e dëshiruar.

    Jose Manuel Barroso
    Kryetar i Komisionit Evropian

Tema të Ngjashme

  1. Islami: Feja që përhapet më së shpejti në Evropë
    Nga Klevis2000 në forumin Komuniteti musliman
    Përgjigje: 18
    Postimi i Fundit: 30-01-2009, 21:03
  2. "BRIGEL IK" - Është koha për ndryshime.
    Nga Qerim në forumin Sporti nëpër botë
    Përgjigje: 140
    Postimi i Fundit: 22-03-2006, 16:42
  3. Muhamedi, Nje Perpjekje Perendimore Per Te Kuptuar Islamin
    Nga forum126 në forumin Komuniteti musliman
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 06-02-2006, 10:44
  4. Evropa dhe Islami: Perspektiva dhe e ardhmja
    Nga ~Geri~ në forumin Komuniteti musliman
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 07-08-2005, 13:37
  5. Frika, Shpresa, Sinqeriteti, Mbeshtetja
    Nga ~Geri~ në forumin Komuniteti musliman
    Përgjigje: 3
    Postimi i Fundit: 04-08-2005, 13:34

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •