“Vlera, besime, identitet”
- Veprimtari e Konferencës Evropiane të Kishave -
Me rastin e 50-vjetorit të Traktatit të Romës, udhëheqësit fetarë dhe pjesëmarrës nga 50 kisha dhe 28 vende nga e gjithë Evropa u takuan në datat 12 dhe 13 dhjetor 2006 në Bruksel me ftesë të Komisionit për Kishën dhe Shoqërinë të Konferencës së Kishave Evropiane. Takimi u zhvillua pikërisht në kohën kur debati për të Ardhmen e Evropës dhe të Traktatit Konstitucional Evropian është në një udhëkryq. Veprimtaria u hap mbasditen e datës 12 dhjetor, me temën “Vlerat evropiane - dialogu i kishave me institucionet politike evropiane”. Një sesion i dytë iu kushtua temës: “Mbi ç’vlera u ndërtua Evropa. Kontributi i kishave.”
Në datën 13 Konferenca vazhdoi me temën: “E ardhmja e projektit evropian”. Në të folës ishte edhe Kryepiskopi Anastas, që është edhe Zëvendëspresident i këtij organizmi, i cili mbledh në gjirin e vet 125 Kisha të krishtera të Evropës, si dhe 40 organizata të asociuara. KEK u themelua në vitin 1959.
Në fund Konferenca miratoi edhe një deklaratë të përbashkët, të cilën po e botojmë pjesërisht në këtë numër.
Letër e hapur nga udhëheqësit fetarë për liderët politikë të Evropës
Për një Evropë të bazuar mbi vlera dhe shpresa të përbashkëta
...Ne u takuam pikërisht në kohën kur debati për të Ardhmen e Evropës dhe të Traktatit Konstitucional Evropian është në një udhëkryq. Duke u përgatitur me kishat tona, për Asamblenë e Tretë Ekumenike në Sibiu të Rumanisë, në shtator 2007, gra dhe burra nga pothuajse të gjitha kishat e Evropës do të reflektojnë se në çfarë konsiston kuptimi i një Kishe në Evropën e sotme.
Ne besojmë, se besimi me anë të Jisu Krishtit, e vë shpresën tek Perëndia, i Cili është një faktor aktiv në realitetin e përditshëm. Trashëgimia shpirtërore e Krishterimit përbën një burim të fortë të inspirimit dhe të pasurimit për Evropën. Feja është një faktor i gjallë dhe konstruktiv për jetën publike. Ne duam të ndajmë me ju, liderët politikë të Evropës, shqetësimet dhe shpresat tona për të ardhmen e Evropës dhe rolin tonë brenda saj. Në mënyrë të veçantë, bindja jonë është se procesi i integrimit evropian, duhet të vazhdojë i bazuar në vlerat dhe vizionin e përbashkët.
1. Evropa - Një kontinent i bashkuar në diversitet
Me zhvillimin e integrimit evropian, vizioni dhe angazhimi për vlerat e përbashkëta u reflektuan në institucionet e krijuara nga ky proces. Këshilli i Evropës dhe OSBE kultivuan një Evropë të ndërtuar mbi respektin e të drejtave njerëzore, të lirisë fetare, të demokracisë dhe të shtetit të së drejtës. Pajtimi dhe solidariteti ishin gurët e themelit të asaj që është sot Bashkimi Evropian. Vlera thelbësore duhet të mbahen gjallë dhe të praktikohen si udhërrëfyese për krijimin e politikës. Sot pjesa më e madhe e popujve të Evropës gëzojnë lirinë dhe të drejtat themelore njerëzore dhe kanë kohë që nuk po përballen më me luftën dhe konflikte të dhunshme. Megjithatë pasojat negative të ndarjes së Evropës në të shkuarën janë ende të dukshme dhe nëse kërkohet kapërcimi i tyre, atëherë kërkohet realizimi i plotë i këtyre vlerave origjinale. Institucionet evropiane dhe shtetet anëtare kanë një rol në sigurimin dhe mirecurinë e këtyre vlerave.
Ndërkohë që pjesë të Evropës kanë lëvizur drejt një uniteti më të madh, diversiteti ngelet karakteristika e identitetit të kontinentit. Diversiteti i kulturave, traditave dhe identiteteve fetare duhet të respektohet.
Evropa nuk është sinonim i Bashkimit Evropian. BE ka përgjegjësi për të punuar ngushtë me të gjitha vendet evropiane dhe të sigurojë që politikat e fqinjësisë të orientojnë në marrëdhënie të drejta, të ndershme dhe mbështetëse me fqinjët e tij. Ne i nxisim politikanët e Evropës të ripërtërijnë angazhimin e tyre për të kërkuar një vizion të përbashkët evropian, vlera dhe politika të përbashkëta.
2. Evropa - Një kontinent i vlerave të përbashkëta
2.1 - Paqe dhe Pajtim
Integrimi evropian luan ende një rol kryesor në sigurimin e paqes dhe të pajtimit midis shteteve anëtare të Bashkimit Evropian. Zgjerimi i BE-së që pasoi fundin e Luftës së Ftohtë, çoi në shpresën se lufta dhe konfliktet e dhunshme midis shteteve evropiane as nuk mund të mendohen. BE luan një rol në rritje në parandalimin dhe zgjidhjen e konflikteve. Ne duam që BE të balancojë rritjen e tanishme të kapacitetit të tij ushtarak duke fuqizuar iniciativa joushtarake, siç janë vendosja e Institutit Evropian të Paqes për të investiguar, mbështetur dhe forcuar përpjekjen e përbashkët të vendeve evropiane në forma jo të dhunshme të parandalimit të konflikteve, ndërmjetësimit dhe të menaxhimit të konflikteve.
2.2 - Integrimi evropian
Integrimi evropian i fton njerëzit të zhvillojnë marrëdhënie dhe nuk kufizohet vetëm në dimensionet politike dhe ekonomike. Marrëdhëniet e thella dhe zgjerimi gjeografik janë të pandashme dhe duhet të ecin së bashku.
Perspektiva e BE-së ka ngjallur shpresa dhe ka iniciuar procese reformuese në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe në Turqi. Angazhimet ndaj parimeve të pranuara, ndaj Kartës themelore të të Drejtave të Njeriut dhe mbështetja për popullin janë thelbësore për asociimin dhe pranimin e proceseve që vijnë si rrjedhojë e tij.
Si njerëz prej traditave dhe kulturave të ndryshme në Evropë, që mblidhemi së bashku, ne duam që të kemi dialog ndërfetar dhe ndërkulturor. Evropa është shtëpia për popuj të shumë kombeve,kulturave dhe feve. Ne i ftojmë edhe fetë e tjera që të marrin pjesë në shqetësimet e përbashkëta. Evropa është gjithashtu një parajsë për emigrantët, refugjatët, azilkërkuesit. Rëndësia e personave që duhet të mbrohen për t’i shpëtuar persekutimeve, konflikteve të dhunshme dhe padrejtësive të strukturave ekonomike duhet të theksohet. Ne duam të ofrojmë një kontribut për “Vitin e dialogut ndërkulturor” në vitin 2008. Iniciativa të tilla janë të vyera, megjithatë nuk mjaftojnë. Ne i nxisim liderët politikë të mbështesin masat për një dialog të qëndrueshëm, afatgjatë dhe angazhohemi të punojmë bashkë me ju.
2.3 - Evropa dhe Globalizmi
Pasuria e Evropës bie në një kontrast të dukshëm me kushtet e popujve në shumë pjesë të rruzullit. BE dhe shtetet e tjera evropiane kanë përgjegjësi për të punuar për një ekonomi botërore të balancuar ku mbizotërojnë marrëdhënie të drejta tregtare, me politika të barabarta emigrimi dhe të marrë fund shfrytëzimi ekonomik. Veprimet evropiane të kohëve të fundit, i çojnë shumë njerëz të mendojnë se po punohet në drejtimin e kundërt me këtë synim.
Duhet të përmendim pabarazinë e ndarjes së pasurisë në Evropë: Kontrasti i pasurisë së Evropës me papunësinë e saj dhe diferenca e madhe midis të pasurve dhe të varfërve. Kishat dhe programet e tyre sociale duhet të shikojnë efektet e këtyre dukurive në nivelin bazë, ku shpeshherë këta organizma janë mbështetja e vetme për ata që janë privuar nga siguria e sistemeve të mirëqenies. Pasuria e Evropës gjithashtu ka kuptimin se ajo ka resurse për të “djegur”. Si përgjigje ndaj ndryshimeve të klimës, BE duhet të vazhdojë rolin e tij drejtues për garancinë se të gjitha shtetet pjesëmarrëse duhet të mbajnë angazhimet e tyre sipas protokollit të Kiotos. Gjithashtu është një nevojë urgjente zhvillimi i iniciativave ku energjia prodhohet nga burime ripërtëritëse.
2.4 - Evropa për njerëzit
Njerëzit ndihen të përjashtuar nga procesi kompleks i vendimmarrjes i institucioneve evropiane të BE. Kishat i mirëpresin iniciativat për të kryer dialog me qytetarët e BE, siç është “Plani D”, që kultivon demokracinë, dialogun dhe debatin. Megjithatë ne jemi të shqetësuar se kjo gjë nuk ka një impakt pavarësisht kohës së iniciimit të saj. Kishat përpiqen të shikojnë përpara për të mbështetur dhe marrë pjesë në iniciativën “Qytetarët e Evropës” dhe shpresojnë se do të bëhen përpjekje serioze për të filluar një dialog real me të gjithë sektorët e shoqërisë. Kjo duhet të japë efekte për të hapur një dialog transparent dhe të rregullt, të parashikuar në nenet 1-47 dhe 1-52 të Traktatit Konstitucional Evropian.
Kishat, duke u angazhuar në mënyrë aktive në procesin e Traktatit Konstitucional, i urojnë mirëseardhjen. Kisha u rikujton politikanëve se duhet të dëgjojnë zërat e njerëzve, në mënyrë të veçantë të atyre që e ndiejnë se u vihet më tepër theksi objektivave ushtarakë dhe se u kushtohen fonde të pamjaftueshme programeve që prekin fushën sociale. Ne angazhohemi se do të përpiqemi të kërkojmë në mënyrë aktive të lehtësojmë dialogun dhe të inkurajojmë pjesëmarrjen e njerëzve në nivel lokal anembanë Evropës, për të krijuar fytyrën e ardhshme të saj.
3. Evropa - Shpresë dhe Angazhim
Historia e Evropës është dalluar jo vetëm për luftërat dhe konfliktet e armatosura, në të cilat edhe vetë Kishat janë implikuar disa herë, por edhe për zhvillimet e reja në politikë, ekonomi, shkencë dhe kulturë. Rigjallërimi i besimit të krishterë duhet të ndihmojë shoqëritë e Evropës për të ruajtur identitetet e tyre dhe për të zhvilluar vlera, të cilat përbëjnë zemrën e kulturës evropiane.
Ne jemi të angazhuar të mbrojmë vlera bazë kundër shkeljeve të çdo lloji dhe për t’i rezistuar çdo përpjekjeje për të keqpërdorur fenë për qëllime politike. Për më tepër ne jemi të angazhuar, sa është e mundur të gjithë, për të komunikuar shqetësimet dhe vizionet tona tek institucionet evropiane. Në këtë mënyrë ne kërkojmë të ofrojmë kontributin tonë për të ardhmen e Evropës dhe për ta kthyer në një kontinent të shpresës. Ne e vëmë shpresën tonë në Perëndinë si thuhet në Letrën e Apostull Pavlit drejtuar Romakëve, që përmban shpirtin e Kartës Ekumenike: “Edhe Perëndia i shpresës ju mbushtë me çdo lloj gëzimi e paqeje me anë të besimit, që të teproni në shpresë me anë të fuqisë së Shpirtit të Shenjtë” (Rom. 15:13).
Ngjallja
Krijoni Kontakt