Të jetojmë sipas Kur’anit

http://admirim.blogspot.com/2006/10/...s-kuranit.html


Edhe në pjesën fetare të shoqërisë sonë ekzistojnë mendime të gabuara rreth Kur'anit dhe rolit të tij në jetën e muslimanit. Sipas disa besimtarëve, Kur'ani është një libër i cili vetëm duhet të lexohet në origjinal. Ata zakonisht citojnë thënien e të dërguarit të All-llahut, Muhammedit a.s., sipas të cilës për çdo shkronjë që lexojmë nga Kur'ani do të shpërblehemi me 10 sevape. Shpesh, ata që lexojnë Kur'anin në arabisht e bëjnë këtë në mënyrë mekanike dhe nuk e kuptojnë domethënien e tij. Normalisht, leximi i Kur'anit në origjinal është një nga mënyrat përmes të cilave mund të fisnikërohet shpirti. Por, a mjafton kjo dhe a është ky qëllimi i vetëm i ekzistimit të tij?


Drejt kuptimit


Për disa, kuptimi i Kur'anit është shumë i vështirë dhe për të arritur një gjë të tillë duhet të njohim me mijëra hadithe (thënie të Muhammedit a.s.), të njohim shumë mirë rrethanat shoqërore-historike që ekzistonin në kohën e shpalljes së tij, jetën e sahabëve (shoqëruesve të Muhammedit a.s.), historinë e gjeneratave që erdhën pas tyre, etj. Kështu që, sipas kësaj logjike, mënyra më e mirë për të kuptuar Kur'anin, është duke u kufizuar në literaturën tradicionale Islame, e cila pa dyshim ka akumuluar në veten e saj një numër të madh dijesh ndër shekuj. Mirëpo, kjo nuk është zgjidhje reale e problemit.


Së pari, duhet ta kemi të qartë se Kur'ani është Fjalë e Zotit dhe në disa ajete përmendet se ndër cilësitë e tij janë qartësia dhe kuptueshmëria (5:15, 12:1, 26:2, 36:69, etj.). All-llahu thotë:


"Ne Kur'anin e bëmë të lehtë për mësim, po a ka ndokush që merr mësim?" (54:17)


Poashtu, ne nuk duhet të harrojmë se një pjesë e vogël e popullit ka qasje në një literaturë të tillë dhe kufizimi vetëm në arritjet shkencore të dijetarëve muslimanë të mëparshëm do të shkaktonte një stagnim intelektual mjaft të madh. Veprat e tyre pak a shumë janë ndikuar nga rrethanat e kohëve në të cilat kanë jetuar, ndërsa Kur'ani si Fjalë e Krijuesit është Porosi Universale për njerëzimin. Prandaj, më shumë se kurrë muslimanëve shqiptarë u nevojitet ta kuptojnë Kur'anin. Ta bëjnë këtë duke lexuar interpretimin e kuptimit shqip të Kur'anit, i cili është mjaft i përhapur në bibliotekat shtëpiake të besimtarëve (por normalisht duke mos u kufizuar ekskluzivisht në të). Ta kuptojnë porosinë e tij në sferën e rrethanave shoqërore të kohës së sotme. Të kuptojnë parimet Kur'anore rreth drejtësisë, ekonomisë, shkencës, marrëdhënieve shoqërore. Të nxjerrin kuptime të reja nga ai, ta përdorin si udhëzues në të gjitha aspektet e jetës, nga ai të marrin kriteret për të mirën dhe të keqen. Ekziston një traditë që buron nga një keqinterpretim i madh, te ne dhe te shumë popuj të tjerë muslimanë: mushafi vendoset në vendin më të lartë në dhomë. Lexova diku se ndoshta këtë e bëjmë që të mos mund ta arrijë atë askush! Respekti i madh që ndiejmë ndaj Kur'anit është pa dyshim një vlerë pozitive, mirëpo ne do ta nderojmë atë më së shumti po qe se e mbajmë më afër zemrës, mundohemi ta kuptojmë dhe të jetësojmë porositë e tij.


Një grup tjetër i njerëzve, nuk interesohet fare rreth kuptimit të Kur'anit, duke u nisur nga logjika sipas të cilës gati çdo praktikë fetare që bëhet në emër të Islamit e ka burimin e saj në Kur'an. Edhe ky është një mendim mjaft i gabuar, paragjykues dhe me pasoja të mëdha shoqërore. Këta persona çdo sjellje negative apo në kundërshtim me rendin e ngritur shoqëror që e bëjnë ata që deklarohen se janë muslimanë e shndërrojnë në një pretekst për të sulmuar Kur'anin dhe Islamin. Prandaj, duhet ndikuar sa më shumë që të jetë e mundshme që të shpjegohen dhe të sqarohen keqkuptimet e tyre, duke i përdorur parimet Kur'anore.


Aplikimi në praktikë


Shoqëria jonë dhe bota në përgjithësi po përjetojnë kohë të vështira. Materializmi dhe devijimet e ndryshme fetare kanë ngulfatur besimin e shëndoshë dhe shpirtin e lirë të njeriut. Njeriu është shndërruar në rob të feve njerëzore e të rrejshme siç janë: modernizmi, globalizmi, kapitalizmi Darwinist, individualizmi, etj. etj. Po të bëjmë një krahasim ndërmjet kohës sonë dhe periudhës para shpalljes së Kur'anit, do të vërejmë se ato kanë një të përbashkët kryesore: rebelimin ndaj Zotit. Dhe, pikërisht ky rebelim ndaj Zotit është shkaktari i vuajtjeve të mëdha, degjenerimit moral e njerëzor. Është refuzimi i njeriut modern që të pyes veten: "kush jam, nga vij dhe ku do të shkoj?", ky mentalitet i cili e bën atë rob të kënaqësive të përkohshme të kësaj jete dhe e ul atë nga qenia më e ngritur e Zotit në një makinë të gjorë që "qëllim" të vetëm e ka luftën me të tjerët ,për të mbijetuar njëherë, pastaj për të vdekur dhe në fund, për t'u zhdukur definitivisht!


Burimet historike na tregojnë se çfarë revolucioni shoqëror bëri shpallja e Kur'anit në Arabinë e shekullit të 7-të. Nga një shoqëri ku adhurimi i idhujve, amoraliteti, alkoolizmi, dhuna ishin standarde, shoqëria arabe u shndërrua në një shoqëri të pastër moralisht, duke e ndjekur udhëzimin e Kur'anit. Dhe, tash, paramendoni po të aplikohej Kur'ani në praktikë në kohën tonë.


Njeriu do të mësonte se: asnjë send nuk është si All-llahu (Kur'an, 42:11), Ai është Zoti i botërave (1:1), s'ka zot tjetër pos Tij (2:255), Ai është një (112:1), askush nuk është i barabartë me Të (112:4), Ai është i Gjithëdijshëm dhe i Gjithëfuqishëm. Ai nuk u inkarnua në një njeri (5:72), Ai nuk ka as fëmijë as shokë (6:163, 25:2, 34:27). Njeriu do të kuptonte se bota nuk u krijua pa qëllim të caktuar (6:73, 30:8, 39:5, 44:38-39), se qëllimi i krijimit të tij është adhurimi i Zotit (51:56) dhe se këtë duhet ta bëjë duke iu bindur udhëzimit të Tij. Do të kuptonte se të gjitha të mirat Zoti i krijoi për t'i shërbyer atij (22:65, 31:20, 45:13) dhe se ai u krijua në formën më të bukur (95:4, 64:3, 40:64). Lidhja e njeriut me Krijuesin e tij duhet të jetë e drejtpërdrejtë (40:60). Islami është Feja (Sistemi Hyjnor) në të cilën thirrën të gjithë të dërguarit e Zotit (2:136, 3:84). Kjo jetë është e përkohshme (3:185, 6:32, 13:26, 47:36, 57:20) dhe çdo njeri do të ringjallet (2:28, 22:5-6, 22:66, 23:16, 41:39, 58:6, 80:22) dhe do të japë llogari për besimin e veprat e tij; derisa besimtarët do të përjetojnë kënaqësitë e pafundme të Parajsës (2:25, 2:82, 3:15, 3:107, 3:136, 3:198, 4:13, 4:57,...) mohuesit e të Vërtetës do të shijojnë dënimin e përjetshëm në Ferr (3:196-197, 4:97, 4:115, 4:140, ...). Muhammedi a.s. u dërgua si mëshirë për të gjitha krijesat (21:107); nuk ka dhunë/imponim në fe (2:256), vrasja e njerëzve të pafajshëm dhe vetëvrasja janë nga mëkatet e mëdha (5:32, 4:29), epërsia nuk vjen nga të qenit mashkull apo femër apo duke i takuar këtij apo atij populli, por nga besimi i shëndoshë (49:13).


Po të aplikohej Kur'ani, jetimët dhe të varfërit do të trajtoheshin mirë (93:9-10), amaneti do t'u kthehej pronarëve (4:58), nuk do të kishte shpifje dhe gënjeshtra (4:112, 24:11), do të bëheshin vepra të mira pa pritur të njëjtën gjë nga të tjerët, pa vet-lavdërim, por vetëm për ta fituar kënaqësinë e All-llahut (2:264, 76:6-11), do të mbretëronte drejtësia (4:135, 16:90), mashkulli dhe femra do të konsideroheshin të barabartë (4:124, 9:71-72, 33:35), do të ndihmoheshin të varfërit (2:219), do të silleshim mirë me prindërit (17:23), do të evitoheshin përgojimet (49:12), njerëzit do të frenonin mllefin e tyre (3:134), nuk do të harxhonin tepër (17:26-27, 7:31), do të shmangeshin nga gjërat e kota (23:3), do të zhdukej amoraliteti (17:32, 25:68), nuk do të luhej bixhozi (5:90-91), njerëzit do të thirreshin në rrugën e Zotit me urtësi e këshilla të mira (16:125), do të inkurajoheshin leximi e studimi (96:1-3) dhe aktiviteti ekonomik (62:10).


Në Kur'an All-llahu shpalli një Sistem të plotë në të cilin gjenden zgjidhje për të gjitha problemet e njeriut. Prandaj, duhet që sa më parë t'i qasemi atij me seriozitet, ta kuptojmë dhe ta zbatojmë. Duhet të zgjerojmë horizontin e kuptimit tonë të thënies së Muhammedit a.s. dhe të dimë se për kuptimin dhe zbatimin e çdo shkronje, çdo porosie të Kur'anit fitojmë nga 10 sevape. All-llahu thotë:


"Dhe ky është libër dobiprurës, Ne e zbritëm, përmbajuni këtij, ruajuni, ashtu që të mëshiroheni." (6:155)