Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 3
  1. #1
    Perjashtuar Maska e Sabriu
    Anëtarësuar
    29-12-2005
    Postime
    1,283

    Armiqtë e shqiptarëve: Në kërkim të themelit të politikës

    Enis Sulstarova , dhjetor 2006-janar 2007



    Fqinjët tanë janë cmirëzinj vetëm ndaj faktit që ekzistojmë. Ata kërkojnë të
    na e grabisin mendimin e ekzistencës sonë. Le të mendojmë dhe të punojmë për
    vete dhe të mos ketë asnjë ndryshim midis toskëve dhe gegëve, ne jemi të
    gjithë shqiptarë dhe duhet të formojmë një Shqipëri të bashkuar.
    Abdyl Frashëri

    Do të ishte qesharake të besosh se një popull i pambrojtur ka veç miq dhe
    një llogaritje e çmendur të supozosh se ndoshta armiku mund të mallëngjehet
    nga mungesa e qëndresës
    Karl Shmit

    Një përkufizim i politikës

    Karl Shmiti në esenë Koncepti i politikës shkruan se kategoritë themelore
    politike janë "miku" dhe "armiku" dhe thelbi i sjelljes politike të një
    kolektivi njerëzor është dallimi midis miqve dhe armiqve (Schmitt, 1996:
    26). Ai arrin në këtë përfundim duke e veçuar sferën e politikës nga sfera
    të tjera të veprimtarisë njerëzore, pikësëpari morali, estetika dhe
    ekonomia. Për përcaktimin e armikut të tij, një kolektiv nuk niset nga
    karakteristikat morale, apo estetike të armikut, ose thjesht nga interesa
    ekonomike, armiku as nuk përcaktohet nga ndonjë i tretë neutral. Armikun e
    njohim atëherë kur ndjejmë se ai është ekzistencialisht i huaj për ne dhe
    se, në rastin më të skajshëm mund të angazhohemi në luftë kundër tij. Pra,
    armiku zbulohet në rrethana konkrete prej pjesëmarrësve:

    Vetëm pjesëmarrësit aktualë mund ta njohin, kuptojnë dhe gjykojnë në mënyrë
    të saktë rrethanën konkrete dhe të vendosin mbi rastin e skajshëm të
    konfliktit. Secili nga pjesëmarrësit është në pozitën për të gjykuar nëse
    kundërshtari i tij ka për qëllim të mohojë mënyrën e jetesës së tjetrit dhe
    prandaj ai duhet ta zmbrapsë apo luftojë atë me qëllim që të ruajë trajtën e
    vet të ekzistencës (po aty: 27).

    Shmiti nuk e ka fjalën për armiq vetjakë, por për armikun publik, atëherë
    kur "potencialisht një kolektiv luftarak njerëzor përballet me një kolektiv
    të ngjashëm" (po aty: 28). Në përballjen e mundshme me armikun lindet
    politika. Politika nuk ka për qëllim luftën, por mundësia e luftës shkakton
    mendimin dhe sjelljen politike, sepse nga "kjo mundësi më e skajshme jeta
    njerëzore merr tensionin specifik politik" (po aty: 35). Atëherë kur
    njerëzit shtyhen prej rrethanave në një pozitë kur ndoshta do t'u duhet të
    japin jetën e tyre apo të marrin jetën e armikut, pikërisht grupimi i tyre
    me të ngjashmit për të zmbrapsur rrezikun e përbashkët i jep përmbajtje
    politike sjelljes së tyre dhe institucioneve që ata themelojnë, d.m.th.
    shteteve. Në këtë mënyrë politika ka përparësi ndaj ligjshmërisë dhe kjo e
    fundit bazohet mbi vendimin politik që merret në rrethanën e jashtëzakonshme
    kur ligjet janë të pezulluara.
    Mundësia e konfliktit me armikun zbulon natyrën e kolektivit, sepse pyetja
    "kush jemi ne?" (miqtë) gjen përgjigje nëse arrijmë t'i përgjigjemi pyetjes
    tjetër: "Për cilat bindje jemi gati të vdesim?" (Valk, 2002: 43). Nëse
    mendimtarë të tjerë me "miq" kuptojnë atë grupim të njerëzve që me anë të
    arsyes kërkojnë të zbulojnë të Mirën, apo arritjen e rendit shoqëror më të
    drejtë, "miqtë" e Shmitit grupohen për një shpallje të ekzistencës së tyre
    si kolektiv (po aty: 50).

    Lidhja e Prizrenit si shfaqje e kombit shqiptar

    Ideja e kombit shqiptar kishte kohë që artikulohej prej intelektualëve, më
    së shumti nëpër kolonitë e shqiptarëve dhe të arbëreshëve, por hera e parë
    kur kombi shqiptar u shfaq si një kolektiv politik në trojet etnike
    shqiptare ishte Lidhja e Prizrenit. Nënshkrimi i Traktatit të Shën-Stefanit
    tregoi se Perandoria Osmane nuk ishte më në gjendje të ofronte mbrojtje të
    trojeve shqiptare. Përballë rrezikut të sulmit sllav në veri dhe lindje dhe
    paraqitjes së pretendimeve greke në jug, shqiptarët nisën të
    vetëorganizoheshin për mbrojtje. Thirrja e Kongresit të Berlinit nga Fuqitë
    e Mëdha të Evropës u dha kohë shqiptarëve dhe mundësi që të paraqisnin edhe
    ata mendimet dhe kërkesat e tyre mbi ndryshimin e kufijve evropianë të
    Perandorisë. Fiset e veriut kishin nisur tashmë të lidheshin me
    njëri-tjetrin përballë përparimit të ushtrive serbe dhe malazeze (Skëndi,
    2000: 44), mirëpo rrezikimi njëherazi i të gjithë popullsive shqiptare në
    kufi me shtetet ballkanike i bashkoi për herë të parë shqiptarët në një
    kolektiv për të përballuar armiqtë e tij. Noël Malkolmi mund të ketë të
    drejtë kur shkruan se shumica e krerëve të fiseve dhe krahinave që u
    mblodhën në Prizren më 1878 e shihnin mbledhjen e tyre veçse si një zgjatim
    të kuvendeve të mëparshme ndërfisnore për të shuar gjakmarrjet dhe mbrojtur
    lirinë e tyre ndaj rrezikut të jashtëm dhe se pak prej tyre kishin dijeni
    mbi planet nacionaliste të Komitetit të Stambollit (Malcolm, 1998: 219),
    mirëpo ata në atë ditë ishin grupuar në kërkim të miqve sepse e ndjenin
    kërcënimin e ekzistencës së tyre. Me anë të kundërshtimit të armiqve, tashmë
    shqiptarët kishin filluar të artikulonin idenë e kombit, si një kolektiv i
    vetëm përballë kolektivëve të tjerë, kombin si një "miqësi politike" të
    shqiptarëve.
    Le të shohim disa prej dokumenteve të hartuar prej udhëheqësve shqiptarë në
    prag dhe gjatë Lidhjes së Prizrenit. Përfaqësuesit e popullsisë shqiptare të
    Shkodrës, Podgoricës, Shpuzës, Zhabjakut, Tivarit, Ulqinit, Grudës,
    Kelmendit, Hotit dhe Kastratit i dërgojnë nga qyteti i Shkodrës më
    08.05.1878, një protestë ambasadorit francez në Stamboll, ku midis të
    tjerash shënojnë:

    Fqinjët tanë malazezë, me anë të sulmeve të vazhdueshme kundër qyteteve tona
    na kanë detyruar prej shekujsh të jetojmë në gjendje mbrojtjeje të
    përhershme dhe nëpërmjet veprimeve të tyre të egra kanë bërë që të mos kemi
    asnjë lloj sigurie. Ne katolikët dhe myslimanët, vëllezër që prej shekujsh
    dhe që jetojmë në bashkësi interesash e zakonesh, kemi qenë gjithnjë të
    bashkuar për t'u rezistuar akteve të kusarisë [të malazezëve] dhe kemi
    derdhur lumenj gjaku për të mbrojtur qytetet dhe fshatrat
    tona...Shkurtimisht, ne e shohim rrezikun që na kërcënon dhe sa të vdesim
    nesër të poshtëruar dhe të skllavëruar, pëlqejmë të asgjësohemi sot duke
    mbrojtur nderin dhe lirinë tonë, prandaj kemi vendosur të mos biem në
    skllavërinë e Malit të Zi (Pollo & Pulaha, 1978: 12-13).

    Në një protestë tjetër drejtuar Kongresit të Berlinit më 15.06.1878 nga
    popullsia e Podgoricës, Shpuzës, Zhabjakut, Grudës e Kuçit theksohet dallimi
    që ekziston midis vendasve dhe malazezve: "...nën presionin që i bëri Rusia
    shtetit të lartë osman, madhëria e tij padishahu ynë, u detyrua që të na
    lëshojë nën sundimin e malazezve barbarë, të cilët qysh prej katër shekujsh
    janë armiqtë tanë" (po aty: 30). Armiqësia e shqiptarëve shprehej edhe ndaj
    serbëve e bullgarëve. Popullsia e Prizrenit më 24.05.1878 i shkruan
    ambasadorit francez në Stamboll:

    Në të gjitha viset e vendit tonë ose të fqinjëve, që janë pushtuar, serbët e
    bullgarët kanë shkatërruar dhe kanë marrë nëpër këmbë siç nuk është parë më
    parë kurrë ndonjëherë, pasuritë tona, shtëpitë tona, fëmijët tanë dhe nderin
    tonë...prandaj do të ishte një veprim jonjerëzor dhe i padrejtë që në t'i
    liheshim [në dorë] një qeverie dhe një administrate sllave dhe bullgare, të
    cilat nuk kanë asnjë afri me ne dhe kanë treguar [me kohë] armiqësitë e tyre
    (po aty: 16).

    Nëse në citimin e mësipërm shkruesit e protestës nuk pranojnë asnjë qeveri
    që "nuk kanë asnjë afri me ne", në protestën e shqiptarëve të Stambollit
    drejtuar Kongresit të Berlinit kundër pretendimeve territoriale greke,
    flitet në emër të kombit shqiptar si një subjekt, si një kolektiv i
    dallueshëm qartë prej kolektivëve të tjerë dhe me një atdhe integral:

    Ne protestojmë kundër copëtimit të atdheut tonë të dashur. Humbja e vendeve
    aq të shtrenjta për qënien tonë kombëtare, si Janina, Narta dhe Preveza, nuk
    do të jetë për ne përveç një dënim me vdekje. Ne do të pranojmë më mirë të
    vdesim bashkë me gratë dhe me fëmijët tanë se sa të nënshtrohemi. Populli
    shqiptar është i vendosur të ngrihet si një trup i vetëm, kundër lëshimit
    qoftë edhe të një pëllëmbe toke të vendlindjes (po aty: 37-38).

    Ndër vendimet e para të Lidhjes së Prizrenit ishte shpallja e një bese të
    përgjithshme që ndalonte gjakderdhjen mes shqiptarëve dhe përqendronte
    vëmendjen dhe energjitë e tyre ndaj armikut të jashtëm (Myzyri, 1994: 100;
    Skëndi, 2000: 46). Një interpretim të kohës për këtë besë na e jep Sami
    Frashëri në artikullin e botuar më 05.07.1878 në shtypin e Stambollit:

    Ata kanë marrë vendim të prerë dhe njëri-tjetrit i kanë dhënë besën se [në
    rast pushtimi] do të luftojnë për të çliruar atdheun derisa të mos mbetet
    qoftë edhe një njeri i vetëm. Madje kanë hapur edhe listat në të cilat po
    regjistrohen të gjithë ata që janë të armatosur. Po ashtu kanë hequr dorë
    nga hasmëritë e vjetra e nga gjaqet që kishin mes veti dhe janë pajtuar të
    gjithë me njëri-tjetrin (S. Frashëri, 2000: 98).

    Nga ky citim kuptojmë se bëhet fjalë për një mobilizim dhe përgatitje të
    ethshme për luftë kundër armikut dhe besa është shpallur si një mjet paqtimi
    brendashqiptar në funksion të luftës së mundshme. Sipas Kristo Frashërit,
    mbledhja e parë e Lidhjes më 10.06.1878 mori katër vendime të rëndësishme.
    Besa e përgjithshme vinte e treta, ajo paraprihej nga vendimi që të
    njoftohej Kongresi i Berlinit me anë të një peticioni popullor që asnjë
    shteti të huaj nuk do t'i jepej asnjë pëllëmbë tokë, nga vendimi për
    ngritjen e një fuqie të armatosur nën komandën e Lidhjes dhe pasohej nga
    vendimi për barazinë politike dhe juridike të mbarë shqiptarëve, pavarësisht
    nga përkatësia e tyre fetare (K. Frashëri, 1997: 92-93). Mendojmë se besa
    luan në këtë rast një rol qendror si një mekanizëm ndërmjetës për shfaqjen e
    subjektit politik shqiptar. Në malësitë shqiptare besa rregullonte
    marrëdhëniet shoqërore fisnore dhe ndërfisnore. Në fillim mbledhja e krerëve
    në Prizren u quajt "besëlidhje", pra një bashkim fisesh kundër armikut të
    jashtëm, përpara se të merrte më vonë emërtimin "Lidhja Shqiptare" (Omari &
    Luarasi, 1997: 76), si pasojë e shtrirjes së besës në të gjitha krahinat
    shqiptare. Gjithashtu barazia politike e juridike e të gjithë shqiptarëve e
    ka burimin te tradita e besës, e cila në të drejtën zakonore të viseve të
    veriut "nuk i përkiste një kaste të vogël kalorësish, një elite, por ishte
    një institucion që zbatohej gjerësisht në jetën e popullit" (po aty: 13).
    Besa kështu vendoste atë barazi politike mes shqiptarëve që në shtetin
    modern sigurohet me anë të konceptit të "qytetarit". Besa e përgjithshme e
    Lidhjes në funksiononin e një armëpushimi të gjakmarrjeve e grindjeve
    vetjake shënon për herë të parë shqiptarët si subjekt politik përballë
    armiqve, ajo ndan sferën e brendshme (të paqes dhe rendit) prej asaj të
    jashtme (të luftës dhe kaosit) si edhe sferën private (gjakmarrjet dhe
    mosmarrëveshjet vetjake e fisnore) prej asaj publike (shqiptarët si
    kolektiv).
    Gjithashtu besa shënon edhe atë që Shmiti e quan "gjendje e
    jashtëzakonshme", me fjalë të tjera pezullimin e ligjeve dhe normave që
    rregullojnë jetën e zakonshme si pasojë e shfaqjes së një kërcënimi të
    jashtëm. Shmiti thotë se "sovrani është ai që vendos mbi të
    jashtëzakonshmen" (Schmitt, 2005: 5) dhe kjo duhet kuptuar se sovrani vendos
    se kur ekziston gjendja e jashtëzakonshme dhe se çfarë duhet bërë për ta
    eliminuar atë (po aty: 7). Me besëlidhjen e tyre në Prizren, krerët
    shqiptarë tregonin se diçka e jashtëzakonshme po u ndodhte të gjithë
    shqiptarëve dhe se u takonte së pari atyre të vendosnin se si duhej zgjidhur
    kjo rrethanë dhe jo Portës së Lartë. Lidhja e Prizrenit po merrte përsipër
    atributet e sovranit, që deri atëherë i takonin Sulltanit. Besa e
    përgjithshme i anashkalonte institucionet e shtetit osman ndërkohë që
    bashkonte në një kolektiv shqiptarët, gegë a toskë, myslimanë a të krishterë
    qofshin. Këtu duhet shënuar se Shmiti gjendjen e jashtëzakonshme e dallon
    prej gjendjes së urgjencës. Kjo e fundit kërcënon atributet e subjektit dhe
    jo vetë subjektin. Kur ekzistenca e subjektit si i tillë kërcënohet,
    atëherë kemi të bëjmë me gjendje të jashtëzakonshme (Lazar, 2006: 259).
    Gjendja e krijuar pas Traktatit të Shën-Stefanit për Portën e Lartë ishte
    urgjente, sepse viheshin në dyshim zotërimet e saj në Ballkan, por jo vetë
    Perandoria si subjekt, përderisa Perandoria ishte nënshkruese e Traktatit
    dhe u ftua të merrte pjesë në Kongresin e Berlinit. Ndërsa shqiptarët e
    interpretuan si gjendje të jashtëzakonshme, sepse, siç e pamë te protestat e
    tyre, pushtimi i tokave të tyre nga shtetet ballkanike ishte çështje
    ekzistenciale e kombit. Përballë armiqve, Lidhja e Prizrenit afirmoi kombin
    shqiptar si subjekt.
    Marrëdhëniet e Lidhjes së Prizrenit me Portën e Lartë ishin të ndërlikuara.
    Kur morën vesh për pranimin nga ana e shtetit osman së lëshimeve të
    territoreve shqiptare, popullata e zemëruar e Prizrenit i vuri Portës vulën
    e tradhtisë (Shpuza, 2000: 82). Nga ana tjetër duke i patur duart e lidhura,
    Porta e Lartë e nxiti mbledhjen e krerëve shqiptarë në Prizren, duke dashur
    t'i jepte asaj një karakter islamik. Për këtë shkak shpeshherë argumentohet
    se dokumentet e para të Lidhjes, Kararnameja (Vendimet) dhe Talimati
    (Urdheresat) kanë përmbajtje pro-sulltanore e islamike, jo kombëtare
    shqiptare. Në fakt një analizë e vëmendshme e këtyre teksteve brenda
    kontekstit të zhvillimeve të kohës, arrin në përfundimin se në to interesat
    e Portës paraqiteshin dytësore përballë interesit për të mbrojtur trojet
    etnike prej pushtimit të fqinjëve dhe se referimet te sheriati nënkuptojnë
    respektimin e ligjeve në fuqi. Interesante është thirrja e parimeve të
    sheriatit për të garantuar jetën dhe pasurinë e të gjithë shqiptarëve
    jomyslimanë në emër të vëllazërimit të përgjithshëm përballë armiqve të
    njëjtë (po aty: 104-121).
    Në të gjithë veprimtarinë e saj, Lidhja e bënte dallimin midis shqiptarëve
    dhe osmanëve, apo turqve. Për të dhënë një shembull, Lidhja Shqiptare në
    Gjirokastër në gusht të vitit 1880 merr vendimin se në rast se turqit ua
    lëshojnë tokat shqiptare grekëve, atëherë do të formonte një qeveri
    provizore. Nëpunësit e administratës aktuale osmane do të liheshin në punë
    vetëm në qoftë se ishin shqiptarë, pa dallim feje (Pollo & Pulaha, 1978:
    112). Me fjalë të tjera, do të zbatohej parimi nacionalist që të qeverisurit
    duhet të kenë të njëjtin identitet me ata që qeverisin. Organet e Lidhjes
    vepronin paralelisht me ato osmane, në disa vende duke i zëvendësuar krejt
    këto të fundit. Në fazën e fundit të Lidhjes kur u shpall autonomia dhe u
    formua qeveria e përkohshme, ndaj osmanëve u kalua në veprime të hapura
    armiqësore, si ndaj pushtuesve fqinjë. Kjo erdhi si pasojë e dorëzimit të
    Ulqinit Malit të Zi, ku vullnetarët shqiptarë u përleshën me ushtrinë e
    Dervish Pashës. Taksat mblidheshin për llogari të Lidhjes dhe në vilajetin e
    Kosovës u ngritën gjykatat shqiptare që përdornin sheriatin dhe jo
    legjislacionin në fuqi osman. Parapëlqimi i sheriatit prej gjykatave
    shqiptare nuk duhet parë si parapëlqim fetar, sepse me sheriat kuptohej
    sistemi i vjetër ligjor osman, përpara reformave përqendruese të Tanzimatit,
    i cili lejonte trajtat e autonomisë vendore dhe në këtë rast "ka rëndësi
    fakti se 'sheriati' nuk u zbatua në interes të Perandorisë Osmane, por të
    revolucionit çlirimtar" (K. Frashëri, 1997: 379).
    Lidhja u kujdes që të mos hynte në konflikt me të gjithë armiqtë në të
    njëjtën kohë. Për sa ishte e mundur dhe meqenëse interesat e dy palëve
    përputheshin, Lidhja nuk dëshironte përballjen e hapur me Portën. Nisur nga
    kjo rrethanë dhe të tjera pas saj në historinë moderne të shqiptarëve,
    Hysamedin Feraj nxjerr parimin themelor të politikës shqiptare:

    ...shqiptarët asnjëherë nuk janë ndodhë në situatë ekzistenciale historike
    për të zgjedhur ndërmjet së mirës dhe të keqes, por vetëm ndërmjet të keqes
    dhe me të keqes: kush angazhohej për 'të mirën', çlirimin nga të gjithë
    pushtuesit, sunduesit, armiqtë hynte në aventurë politike që kërcënonte
    ekzistencën e shqiptarëve; kush bashkohej me më të keqen, me pushtuesin
    sundimtarin, armikun më të rrezikshëm kundër armikut më pak të rrezikshëm,
    po ashtu kërcënonte ekzistencën e shqiptarëve. E mirë mbetej vetëm angazhimi
    për 'të keqen' më të vogël: bashkimi me pushtuesin sundimtarin më pak të
    rrezikshëm kundër armikut më të rrezikshëm, e pastaj çlirimin edhe prej tij.
    Kjo situatë ekzistenciale politike e shqiptarëve si qenësues politik përbën
    metafizikën, parimin fillestar, arhenë në të cilën mund të nxirren të gjitha
    parimet e tjera për shpjegimin situacionalist të politikës shqiptare (Feraj,
    1998: 86-87).

    Ajo që thekson Feraj është se sapo shqiptarët e bënë zgjedhjen midis miqve
    dhe armiqve në një rrethanë reale ku kërcënohej ekzistenca e tyre, duke u
    shfaqur kështu si një kolektiv politik, ata duhej të zgjidhnin edhe midis
    armikut dhe armikut. Këtë dilemë ai e quan "metafizika politike shqiptare".
    Me fjalë të tjera mund të shprehemi se në Lidhjen e Prizrenit u bë dallimi
    midis "miqve" (kombi shqiptar), "mikut të përkohshëm" (Porta e Lartë, për sa
    kohë që ajo kishte armiq të përbashkët me shqiptarët) dhe "armikut"
    (shovinistët fqinjë).
    Dyzimi i Lidhjes për qëndrimin ndaj "mikut të përkohshëm" ishte një nga
    arsyet e shkatërrimit të saj. Kuvendi i Lidhjes në Dibër më 20.10.1881 doli
    me dy rezoluta drejtuar sulltanit. Krahu i moderuar kërkonte prej sulltanit
    një vilajet të vetëm me autonomi të kufizuar, kurse krahu radikal kërkonte
    me një ton paralajmërues krijimin e vilajetit shqiptar me autonomi të gjerë.
    Radikalët kërkonin edhe formimin e një qeverie të përkohshme, diçka që i
    dukej e pamundur krahu të moderuar (K. Frashëri, 1984: 284-285; 1997: 372).
    Pas dorëzimit të Ulqinit dhe shpalljes së qeverisë shqiptare, ushtritë
    osmane e shtypën Lidhjen dhe arrestuan shumë prej krerëve të saj.
    Megjithatë, Lidhja e Prizrenit mbeti si pikë referimi e politikës kombëtare
    shqiptare.

    A janë shqiptarët subjekt politik?

    Shqiptarët shpallën pavarësinë nga Perandoria Osmane, por shtetet
    ballkanike dhe Fuqitë e Mëdha e reduktuan shtetin shqiptar në një hinterland
    për të mbrojtur portet e Adriatikut e të Jonit. Copëtimi i trojeve etnike
    solli problemin e qenësimit të kombit shqiptar si subjekt politik. Karl
    Shmiti thotë që një popull të ekzistojë në sferën politike duhet që ai të
    jetë i aftë, qoftë në rrethana të skajshme, ta bëjë vetë dallimin midis
    miqve dhe armiqve: "atëherë kur ai nuk e ka më kapacitetin ose vullnetin ta
    bëjë këtë dallim, ai pushon së ekzistuari politikisht" (Schmitt, 1996: 49).
    Mund të mendohet se për shqiptarët nën pushtim nuk do të kishte dyshime në
    përcaktimin e armikut, me të cilin në rastin e skajshëm do të shkohej në
    konflikt, por kjo nuk mund të merret gjithmonë si e dhënë. P.sh. elita
    politike shqiptare në ish-Jugosllavi gjatë shpërbërjes së federatës tregoi
    pavendosmëri në përcaktimin e qartë të kërkesës politike së cilët shqiptarët
    do t'i përmbaheshin me çdo kusht. Ukshin Hoti pak më vonë do të shkruante:

    Partitë politike në Kosovë i artikulonin qëllimet politike kryesisht përmes
    shprehjeve në kondicional: 'në qoftë se', 'nëse' dhe 'po qe se...atëherë'.
    në qoftë se p.sh. do të ruhet integriteti territorial i Jugosllavisë,
    atëherë do të luftohet për një republikë të barabartë sovrane në Jugosllavi;
    në qoftë se do të lejohej prishja e kufijve të brendshëm, atëherë do të
    luftohet për një republikë shqiptare në Jugosllavi, e nëse nuk do të ketë
    Jugosllavi, atëherë do të ketë Shqipëri edhe për shqiptarët në Kosovë! Fort
    bukur! Mirëpo për cilin opsion duhet luftohet? (Hoti, 1996: 142; kursivi
    ynë).

    Ajo që do të thotë Hoti është se shqiptarët nuk po vepronin si subjekt
    politik, si një kolektiv, por po përshtateshin ndaj rregullimeve
    institucionale që i përcaktonin subjektet e tjera politike. Edhe pas luftës
    së viteve 1998-1999, elita politike shqiptare në Kosovë duket se republikën
    e pret dhuratë nga të tjerët, Beogradi dhe faktorët ndërkombëtarë, kur dihet
    se i pari kurrë nuk do të pranojë vullnetarisht të heqë dorë nga Kosova dhe
    se faktorët ndërkombëtarë do të detyrohen kësisoj të marrin parasysh
    vullnetin e tij. Adem Demaçi qysh në fillimet e viteve 1990 paralajmëronte:
    "Bota sheh a janë më të gatshëm shqiptarët të flijohen për lirinë e tyre,
    apo serbët për t'i mbajtur të okupuar këta dhe po shohim se më të vendosur
    janë serbët" (cituar nga Baleta, 1995: 7). Megjithëse u betuan e u
    stërbetuan se statusin e Kosovës do ta vendosnin brenda vitit 2006,
    ndërkombëtarët e shtynë vendimin dhe nuk ka asnjë siguri se nuk do ta
    shtyjnë përsëri. Ministri i jashtëm i Serbisë këtë shtyrje e brohoriti si
    fitore për Serbinë. A ka ndonjë fuqi politike në Kosovë që ta brohorasë si
    fitore të shqiptarëve?
    A e ka ndihmuar shteti shqiptar subjektifikimin politik të kombit? Nga vetë
    pozita e dobët, për pjesën më të madhe të ekzistencës së vet, Shqipëria e
    ka patur të pamundur t'i deklaronte shtetet fqinje "armiq konvencionalë" të
    shqiptarëve, sipas termit të Shmitit (Slomp, 2005: 508-509). Ruajtja me çdo
    kusht e paqes me fqinjët është parë si kusht themelor për ruajtjen dhe
    fuqizimin e shtetit shqiptar, më mënyrë që kur të vinte çasti i
    përshtatshëm, ky i fundit të vepronte si subjekt për zgjidhjen e çështjes
    shqiptare, ashtu si shteti i Piemontit ndihmoi për bashkimin e Italisë. Më
    qartë këtë argument e ka paraqitur Mitat Frashëri më 1921, në trajtën e disa
    tezave:

    1. Kosova asht tokë shqiptare.
    2. Kosova nuk e shpëton Shqipninë, Shqipnia e shpëton Kosovën.
    3. Pra, ne dim me shpëtue Kosovën, duhet ma par me forcue Shqipninë, se
    anija do nji hu që të lidhet.
    4. Për me forcue Shqipninë duhet që të ketë paqe.
    5. Për me pas paqe, duhet me jetue mirë me fqinjët.
    6. E shoh një punë kriminale me u dhanë kosovaret shpresë të kotë dhe me i
    marr në qafë.
    7. Duhet me i bindë kosovarët si me jetue urtë e me ruejtë interesat e tyre
    në rrugë të nomit [ligjit] (M. Frashëri, 1997: 279-280).

    Mirëpo shteti shqiptar deri tani nuk ka qenë në gjendje ta luajë rolin e
    Piemontit dhe për këtë është kujdesur politika e fqinjëve tanë, të cilët
    nëse nuk bien në një mendje mbi ndarjen e Shqipërisë, ishin në një mendje që
    shteti shqiptar duhet mbajtur përherë i dobët. Nëse Mitat Frashëri ishte i
    sinqertë në shpresën e tij se Shqipëria një ditë do të vepronte si subjekt
    politik shqiptar, tezat e tij u morën dhe u përdorën pikërisht prej atyre që
    kërkojnë t'ia mohojnë këtë rol Shqipërisë dhe që për miq të shqiptarëve kanë
    deklaruar fqinjët, qoftë edhe me anë të parullës "rruga e Shqipërisë për në
    Evropë kalon nga Athina", apo "Millosheviçi siç di të bëjë luftën, bën edhe
    paqen", ose ata që janë mjaftuar vetëm me një "hapësirë demokratike për
    shqiptarët në Ballkan". Prandaj Ukshin Hoti u thotë shqiptarëve të Kosovës
    që t'i heqin shpresat nga "shteti amë": "...ne shqiptarët e Kosovës, që
    dikur e kemi luajtur rolin e dorës së parë në themelimin e shtetit shqiptar,
    tani iniciativën për bashkim ua kemi lënë atyre të cilëve u mbetet që
    fillimisht të modernizohen, ndërsa në ndonjë të ardhme edhe të bashkohemi!
    (Hoti, 1996: 197). Ndërsa Hysamedin Feraj shkon më tej kur u thotë
    shqiptarëve në Kosovë të supozojnë se Shqipëria nuk ekziston fare si shtet:
    "Çka do të bënte Kosova sikur të mos ekzistonte shteti shqiptar? A do të
    pranonte të jetonte nën sundimin serb, apo do të përpiqej për fitimin e
    pavarësisë politike?" (Feraj, 1997: 115). Megjithatë, nëse ndiqet kjo
    logjikë duhet bërë kujdes nga kurthi i të quajturit të Kosovës një subjekt
    tjetër joshqiptar. Rexhep Qosja ka shkruar se tentativat për krijimin e një
    "kombi kosovar" kanë ndikime shpërbërëse ndaj identitetit të kombit
    shqiptar. Kosovarizmi zëvendëson shqiptarizmin duke qenë "rrjedhimisht,
    ideologji kundërhistorike me të cilën do të mposhtej përgjithmonë ideja që e
    ka lëvizur historinë e popullit shqiptar prej Lidhjes së Prizrenit e këndej:
    ideja e bashkimit kombëtar" (Qosja, 2006). Në fakt, është Kosova ajo që
    gjatë shek. XX e ka marrë përsipër përfaqësimin si subjekt të kombit:
    "...historia na ka treguar se Kosova tregoi pathyeshmërinë e kombit
    shqiptar, i shërben si mur mbrojtjeje shtetit shqiptar nga rreziku serb, po
    i shërben kombit shqiptar si ushtar pararojë dhe si kundërpeshë ndaj
    kërcënimit të shovinizmit grek" (Baleta, 1995: 21).
    Politikën zyrtare të Shqipërisë gjatë komunizmit mund ta karakterizojmë me
    termat e Karl Shmitit si një "revolucionar global" që luftonte për idealet
    abstrakte te revolucionit proletar botëror dhe që tek kapitalistët dhe
    revizionistët e të gjitha ngjyrave shihte "armiq absolutë" (Slomp, 2005:
    512). Brenda vendit ishte krijuar psikologjia masive se e gjithë bota ishte
    armiqësore ndaj shqiptarëve dhe në këtë mënyrë enverizmi u hiqte shqiptarëve
    aftësinë për të dalluar miqtë nga armiqtë. Pas rënies së komunizmit, elita
    politike thekson vazhdimisht se Shqipëria nuk ka armiq dhe parullën "të
    gjithë janë armiq" e ka zëvendësuar me parullat "nuk kemi armiq", apo
    "gjithë botën i kemi miq". Ndikimi i këtyre parrullave në psikologjinë
    masive është po ai i enverizmit, sepse shqiptarëve u mpihet aftësia për të
    dalluar miqtë nga armiqtë (Feraj, 1999). Prandaj, në Shqipërinë e sotme kemi
    mungesë të politikës, sepse është hequr dorë nga kategoritë klasike të
    politikës: miku, armiku, sovraniteti, interesi kombëtar, reciprociteti,
    agjentë në shërbim të të huajit, etj. (Feraj, 2003: 9-13). Sfera publike
    është zëvendësuar nga ajo private, me politikanët që ndjekin interesat
    vetjake, ato të pasuesve të tyre, apo të vendeve fqinjë, por jo interesat
    kombëtare. Hysamedin Feraj thotë:

    Problemi i Shqipërisë nuk është se ka shumë politikë, po se nuk ka fare
    politikë. Po ashtu thuhet se në Shqipëri duhet ndërtuar "shoqëria civile",
    ndërsa problemi i Shqipërisë është ndërtimi i "shoqërisë politike". Problemi
    i Shqipërisë është se ka vetëm "shoqëri civile", sferë të privates, por nuk
    ka "shoqëri politike". Sigurisht duke mos pasë "shoqëri politike" edhe
    "shoqëria civile" nuk është mirëfilli civile. Por problemi madhor i
    Shqipërisë është ndërtimi i shoqërisë politike dhe jo i shoqërisë civile. Pa
    ndërtimin e një shoqërie politike, Shqipëria nuk mund të dalë nga kriza e
    saj totale (po aty: 19-20).

    Këtu është vendi të ngremë pyetjen se ç'duhet të bëjmë, ose me fjalët e
    Ukshin Hotit, "çka mund të bëhet që shqiptarët të jenë subjekt politik
    ndërkombëtar dhe jo vetëm objekt?" (Hoti, 1996: 261). Përgjigja është se
    duhet të rizbulojmë miqtë dhe armiqtë tanë. Shqiptarët kudo ku ndodhen, në
    Shqipëri, Kosovë, Ish-Republikë Jugosllave të Maqedonisë (IRJM), Mal të Zi,
    Greqi e diasporë duhet të binden se armiqtë i shohin ata si kolektiv dhe për
    t'u mbrojtur sa më mirë duhet edhe ata të veprojnë si kolektiv. Kjo do të
    thotë se miqtë e shqiptarëve në radhë të parë janë vetë shqiptarët. Me
    fuqizimin e faktorit shqiptar, pavarësisht ndarjeve shtetërore, krahinore,
    fetare e gjeografike, shqiptarët do të gjejnë miq ndërkombëtarë. Pa i bindur
    faktorët ndërkombëtarë se kombi shqiptar është faktor pa të cilin nuk mund
    të realizohen interesat gjeopolitike në Ballkan e më gjerë, nuk mund të
    bëjmë miq ndër faktorët ndërkombëtarë.
    Duhet të pyesim veten "ç'do të thotë të jesh shqiptar?" në rrethanat e
    sotme. Përgjigja duhet të jepet jo thjeshtë me anë të miteve të së shkuarës,
    as me anë të ndonjë abstraksioni filozofik, por kryesisht nisur nga
    rrethanat ekzistenciale në të cilat gjendet kombi tani. "Cili është
    shqiptar?" ishte një pyetje vendimtare në vitet 1912-1913, atëherë kur
    caktoheshin kufijtë e shtetit shqiptar. Ishte pyetje që përcaktonte jetën
    dhe vdekjen. Ishte pyetje që në jug të Shqipërisë e bënte Komisioni
    Ndërkombëtar: A duhej marrë për bazë gjuha, siç donin nacionalistët
    shqiptarë, apo feja, siç donin grekët? Një pyetje e tillë shtrohet edhe sot:
    "A janë 'homogjenët' shqiptarë apo grekë?", "A janë himariotët shqiptarë apo
    grekë?", "A janë eshtrat e zhvarrosura në Kosinë të grave dhe fëmijëve
    shqiptarë apo të ushtarëve grekë?". Nga përgjigjet e këtyre pyetjeve varet
    shumëçka. Nuk janë thjeshtë çështje individuale apo të të drejtave të
    njeriut, por të kolektivit të quajtur "shqiptar". Në mënyrë të ngjashme kur
    ambasadorët grekë në Tiranë deklarojnë me cinizëm se përveç atyre në Alpet e
    Veriut, të gjithë shqiptarët janë me prejardhje helene dhe se duhet të
    kthehen sa më parë në etninë dhe fenë e të parëve, apo se çamët nuk u
    përzunë nga trojet e tyre, por ikën vetë, nuk është thjeshtë çështje e
    mohimit dhe e mbrojtjes së vërtetës, por një sulm, një qëndrim armiqësor i
    një kolektivi tjetër kundër shqiptarëve. Ashtu sikundër edhe ligji grek i
    luftës me Shqipërinë nuk është një anakronizëm apo i drejtuar vetëm kundër
    çamëve, por pjesë thelbësore e sulmit kundërshqiptar.
    Le t'i braktisim iluzionet: kemi apo nuk kemi interes të quhemi shqiptarë,
    të tjerët na shohin si të tillë, si një kolektiv. Ata na llogarisin si
    kolektiv edhe kur veprojnë kundër një pjese prej nesh dhe ne duhet të
    reagojmë si kolektiv që të kemi sukses. Spastrimi etnik në Kosovë u drejtua
    kundër shqiptarëve. Në vend që të kërkonin falje për krimet e përbindshme
    dhe t'u përgjëroheshin shqiptarëve për sigurinë e pakicës serbe në Kosovë,
    serbët me arrogancë krekosen se kanë në dorë çelësin e statusit dhe janë në
    sulm për të rifituar atë që humbën. Me anë të "ekstraterritorialitetit" të
    manastireve dhe komunave te reja strategjike me shumicë serbe që po krijohen
    po përgatitet boshnjakëzimi i Kosovës. Shqiptarët duhet të shikojnë se si po
    shkon shtet-formimi në Bosnjë-Hercegovinë, të pyesin nëse mund të quhet ajo
    një shtet sovran dhe pastaj të vendosin nëse është ajo trajtë sovraniteti që
    dëshirojnë për Kosovën. Kushtetuta e vjetër e IRJM, prej së cilës
    sllavomaqedonasit hoqën dorë vetëm nën kërcënimin e armëve të UÇK, i
    trajtonte shqiptarët si pakicë etnike. Nëse partitë shqiptare në IRJM do të
    vazhdojnë të jenë armiq të njëra-tjetrës, atëherë pozita faktike e
    shqiptarëve në atë shtet do të mbesë ajo e qytetarëve të dorës së dytë.
    Greqia ndërsa ua mohon shtetësinë greke çamëve ua dhuron me "bujari" atyre
    që shpreson se do të jenë kolonë e pestë në Shqipëri. Shqiptarët që shpallen
    grekë ta kenë të qartë se qoftë edhe pasivisht, thjeshtë si numër, po i
    shërbejnë shovinizmit grek. Nëse një pjesë e popullatës shpall se nuk e njeh
    armikun, atëherë ata rreshtohen përkrah tij (Schmitt, 1996: 51).
    Në këto rrethana ekzistenciale për kombin, atyre që qahen për mungesë të
    një programi të shtjelluar kombëtar, duhet t'u përsërisim fjalët e Abdi
    Baletës: "Programi i shqiptarëve është me dy fjalë: kemi programin e Lidhjes
    së Prizrenit" (Kabashi & Baleta, 2005: 39). Programi është bashkim,
    organizim dhe mobilizim i të gjithë shqiptarëve që të japin ndihmesën e tyre
    në forma të ndryshme dhe në ballë të ndryshëm kundër armiqve. Të mos
    mendojmë se po shpallëm se nuk kemi armiq, kjo ka për t'i shkurajuar ata:
    "Do të ishte qesharake të besosh se një popull i pambrojtur ka veç miq dhe
    një llogaritje e çmendur të supozosh se ndoshta armiku mund të mallëngjehet
    nga mungesa e qëndresës" (Schmitt, 1996: 53).

    Burimet:

    Baleta, A. (1995) Shqiptarët përballë shovinizmit serbo-grek. Tiranë: Koha.

    Feraj, H. (1997) Pavarësia është e shenjtë. Tiranë: Koha.

    Feraj, H. (1998) Skicë e mendimit politik shqiptar. Tiranë: Koha.

    Feraj, H. (1999) "Kadare kërcënon shqiptarët". Gazeta Rimëkëmbja. Tiranë,
    09.03.1999.

    Feraj, H. (2003). Kriza e përkryer e Shqipërisë. Tiranë: Eurorilindja.

    Frashëri, K. (1984) Abbdyl Frashëri. Tiranë: 8 Nëntori.

    Frashëri, K. (1997) Lidhja shqiptare e Prizrenit (1878-1881). Tiranë: Toena.

    Frashëri, M. (1997) Kthimi i Mitat Frashërit. Tiranë: Phoenix.

    Frashëri, S. (2000) Kush e prish paqen në Ballkan: Publicistika e Sami
    Frashërit turqisht. Pejë: Dukagjini.

    Hoti, U. (1996) Filozofia politike e çështjes shqiptare. Prishtinë.

    Kabashi, B. & Baleta, A. (2005) Vetëm nacionalizmi e shpëton kombin
    shqiptar. Tiranë: Rimëkëmbja.

    Lazar, N. C. (2006) "Must Exceptionalism Prove the rule? An Angle on
    Emergency Government in the History of Political Thought". Politics &
    Society, 34 (2): 245-275.

    Malcolm, N. (1998) Kosovo: A Short History. New York: New York University
    Press.

    Myzyri, H. (red.). (1994) Historia e popullit shqiptar. Tiranë: Shtëpia
    Botuese e Librit Shkollor.

    Omari, L. & Luarasi, A. (red.). (1997) Historia e shtetit dhe e së drejtës.
    Tiranë: Luarasi.

    Pollo, S. & Pulaha, S. (red.). (1978) Akte të Rilindjes Kombëtare Shqiptare
    1878-1912. Tiranë: Instituti i Historisë i Akademisë së Shkencave të RPS të
    Shqipërisë.

    Qosja, R. (2006) "Identiteti shqiptar dhe identiteti kosovar". Gazeta
    Korrieri. Tiranë, 07.02.2006.

    Schmitt, C. (1996) The Concept of the Political. Chicago, London: The
    University of Chicago Press.

    Schmitt, C. (2005) Political Theology: Four Chapters on the Concept of the
    Sovereignty. Chicago, London: The University of Chicago Press.

    Skëndi, S. (2000) Zgjimi kombëtar shqiptar 1978-1912. Tiranë: Phoenix &
    Shtëpia e Librit dhe e Komunikimit.

    Slomp, G. (2005) "The Theory of the Partisan: Carl Schmitt's Neglected
    Legacy". History of Political Thought, 26 (3): 502-519.

    Shpuza, G. (2000) Kuvendime për historinë kombëtare. Tiranë: Dituria.

    Valk, F. V. (2002) "Decisions, Decisions: Carl Schmitt on Friends and
    Political Will". Rockfeller College Review, 1 (2): 38-52.

  2. #2
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,122
    Postimet në Bllog
    17
    Karl Shmiti në esenë Koncepti i politikës shkruan se kategoritë themelore
    politike janë "miku" dhe "armiku" dhe thelbi i sjelljes politike të një
    kolektivi njerëzor është dallimi midis miqve dhe armiqve (Schmitt, 1996:
    26).
    Nuk e kisha degjuar ndonjehere qe politika perkufizohet nga "miq" dhe "armiq" dhe mendoja se politika ne demokraci eshte vetem perfaqesimi i interesave te shumices i shprehur me anen e votes se lire. Kurse ne arenen nderkombetare, politika e jashtme e nje shteti eshte e diktuar ne menyre te drejtperdrejte nga politika e brendshme e tij. Perseri, jane interesat e asaj shumices demokratike qe imponojne jo vetem politikat e brendshme por edhe politikat e jashtme. Dhe per vende te vegjel si Shqiperia, prioritetet e politikes se jashtme jane vetem arritja e objektivave te politikes se brendshme.

    Ata qe e perkufizojne politiken me dashurine dhe urrejtjen e miqve dhe armiqve jane ata njerez qe nuk arrijne te shohin apo vleresojne sic duhet lirine e individit ne nje shoqeri demokratike. Dhe ne menyre gati te pandergjegjshme, ata nuk respektojne as verdiktin e shumices se shprehur me vote pasi mund te bier ndesh me bindjet e tyre personale.

    Perkufizimi i mesiperm i shkon per shtat vetem politikes se rregjimit komunist ne Shqiperi ku per te perligjur izolimin total te vendit, nje njeri sadist si Enver Hoxha injektonte urrejtjen per "armikun imagjinar te popullit" edhe ne mendjet e foshnjave ne barkun e nenes. Dhe breza te tere shqiptaresh u rriten me ate "politiken e urrejtjes" per gjithcka jo-shqiptare.

    Lidhja e Prizrenit si shfaqje e kombit shqiptar
    Nese Lidhja e Prizrenit eshte datelindja e kombit shqiptar, atehere shqiptaret jane nje popull me nje vetedije kombetare 1 shekullore, nje popull i vonuar ne cdo aspekt te jetes. Pa harruar, qe Lidhja e Prizrenit nuk ishte nje nisme e ndermare nga vete shqiptaret, ishte nje nisme e sulltanit te perandorise turke per ti perdorur shqiptaret si koka turku ne mbrojtje te kompaktesise se territoreve te perandorise otomane te kercenuara nga fqinjet malazeze, serbe dhe austriake. Nese Lidhja e Prizrenit mori nje karakter kombetar, kjo eshte mbase per merite absolute te Abdyl Frasherit qe frymen otomane e zevendesoi me frymen kombetare te ketij kuvendi.

    Per mua kombi lindi ne 2 mars 1444 ne Lezhe, ne ate qe njihet ne historine shqiptare si Beselidhja e Lezhes. Eshte mbase hera e pare ne histori qe fiset shqiptare bashkohen se bashku dhe ngrihen mbi interesat e ngushta fisnore per nje interes te perbashket si popull e si komb: mbrojtjen e LIRISE se tyre si popull me nje tradite te lashte.

    Vetem Haxhi Qamilet si Baleta, dhe ata qe u pelqen te citojne ata, u pelqen te anashkalojne mesjeten shqiptare per te perligjur nje "identitet ndryshe" nje identitet te ngritur nga hici, nje identitet qe per ta fillon ne fund te shekullit te XIX dhe jo qe ne shekullin e XV. Keta jane ata qe cdo 28 nentor nuk festojne as lirine dhe as mesazhin e vazhdimesise qe ai flamur dhe ajo dite percjellin per te gjithe brezat e shqiptareve.

    A janë shqiptarët subjekt politik?
    Pyetja e duhur qe duhet te besh per kohen qe jetojme eshte: A jane shqiptaret te lire? A-ja e interesave kombetare te cdo populli eshte liria. Asgje nuk eshte me e shenjte se ajo dhe te gjitha te mirat e tjera jane derivat i saj.

    Mua me kenaqet shpirti kur shoh se shqiptaret sot jane me te lire se kurre ndonjehere tjeter ne historine e tyre dhe e ardhmja premton akoma me shume qe kjo liri te hedhi rrenje ne jeten shqiptare dhe te ridimensionoje cdo aspekt te jetes se shqiptareve dhe popullit shqiptar si nje te tere.

    Ata qe e vene theksin tek "politika" jane ata qe lundrojne kundra-rrymes natyrale te nje populli. Dhe rrymen natyrale te rrjedhes se lumit te nje populli e dikton po liria. Liria per kete kategori njerezish eshte e frikshme pasi ate qe e mbjell dhuna, e shkaterron liria. E pare ne kete aspekt, "politika" per ta nenkupton nje filtrim apo frenim te lirise.

    Ata qe kane nje etje te pashuar per njohjen e historise se shkuar te popullit shqiptar, ndjejne nje mirenjohje te thelle shpirterore per ate lirine e fituar qe ne po trashegojme sot fale sakrificave te qindra brezave para nesh.

    Albo
    Ndryshuar për herë të fundit nga Albo : 09-01-2007 më 13:57

  3. #3
    i/e regjistruar Maska e saimiri-uk
    Anëtarësuar
    13-01-2003
    Vendndodhja
    All over Albania
    Postime
    252
    Sabri, temat ne mendimin tim sa me shkurt pasi njerzit merziten nga gjatesia e shkrimit,
    Nga informacionet e mija e ardhmja e Shqiperise eshte integrimi ne Bashkimin Europian. Tani, Europa dihet qe ka problemet e veta me vendet anetare, si komunikimi, kushtetuta etj etj. BE eshte ne rritje, zhvillim e ndryshim konstant, kur ne te ardhmen nuk ka redesi se cfare gjuhe flet e flamur ngre. Kufinjte do hapen qe njerzit te levizin te lire dhe punojne kudo. Rendesi ka aftesia per te mirekuptuar dhe jetuar paqerisht me te gjitha kombet dhe rracat njerezore.
    Per sa i perket armiqve te Shqiperise ata nuk mund te bejne asgje pa ndihmen tone.
    E kemi te qarte se cfare duhet ne Shqiperi? Kemi rene dakort per pika te ndryshme rreth jetes ne Shqiperi? A ka nje institut mbareshqiptar per koordinimin e shkencave albanologjike? A ka nje qender per studimet strategjike shqiptare mbarekombetare? A e kane te qarte shqiptaret ne cdo ane kufitare se cfare kerkohet nga ata? A kerkojne shqiptaret llogari apo te mbajne dike pergjegjes? A jemi te korruptuar si komb? E kemi qejf me marre dhe dhane rryshfete? A i tallim/diskriminojme njerezit te tjere, te semuret mendore ose fizik, te rinj si pa pervoje e te vjeter pse te thyer?
    A i bejme ne pyetje dhe kerkojme llogari si votues konkurenteve te ndryshem politik? A votojme per kandidatin me te mire? apo votojme per filanin se eshte miku, kushuriri, i njohuri yne ose i filanit e na nxihet faqja po te mos votojme per ta.
    Nuk jam i sigurte qe eshte bere ndonje pune serioze per pyetjet e lartpermendura. Ne mendimin tim brezi i ri qe po del eshte brez palidhje.
    Me sa kam vene re Iliri e ka zhvilluar shume idene qe "te miren e te keqen ta kerkojme tek vetja" qe nuk eshte gje e keqe.
    Mendohuni dhe reflektohuni!
    Ndryshuar për herë të fundit nga saimiri-uk : 10-01-2007 më 04:50

Tema të Ngjashme

  1. Bekoi armiqtë e mi, o Zot
    Nga Kryeengjelli në forumin Komuniteti orthodhoks
    Përgjigje: 54
    Postimi i Fundit: 10-05-2007, 18:17
  2. Shkaqet e mjerimit të Shqipërisë
    Nga Iceberg në forumin Problematika shqiptare
    Përgjigje: 53
    Postimi i Fundit: 19-03-2005, 18:56
  3. Cili është synimi i AKSH-së?
    Nga Faik në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 65
    Postimi i Fundit: 04-12-2003, 04:22
  4. UNMIK-u dhe KFOR-i kanë pezulluar aktivitetet e TMK-së jashtë vendit
    Nga mani në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 14
    Postimi i Fundit: 11-05-2003, 17:04
  5. Akuza ndaj kryebashkiakut Rama
    Nga Vinny_T në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 426
    Postimi i Fundit: 11-05-2003, 16:57

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •