Ndërroi jetë kompozitorja Dhora Leka
Takimi i fundit me publikun shqiptar qe në marsin e këtij viti, me operan shqiptare "Një jetë në stuhi"
Kompozitorja e njohur Dhora Leka, krijuese e këngëve partizane, ka ndërruar jetë të mërkurën në moshën 83-vjeçare në Tiranë. Dje në mesditë, trupi i të ndjerës u vendos në hollin e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, ku personalitetet më të larta të vendit, njerëz të njohur të muzikës dhe kulturës shqiptare kryen homazhe në nderim të kësaj figure të spikatur të kompoziconit shqiptar të Luftës Nacional Çlirimtare.
Dhora Leka, e cila në vitet 1935-40 të shekullit të kaluar kishte mësuar muzikë dhe luante bukur në piano, u lidh në qytetin e Korçës me grupet antifashiste dhe u angazhua familjarisht në luftën Nacional- Çlirimtare. Në vitet 1942-44, Dhora Leka kompozoi këngët partizane (asaj i përkasin gati 50 për qind e këtyre këngëve), ndërsa në vitet e regjimit komunist ajo u arrestua dhe më pas u burgos dhe u internua. Mbas viteve 1990, Dhora Leka megjithëse e moshuar ndjeu respektin për veprën e saj në vitet e Luftës.
Takimi i fundit me publikun shqiptar, qe në marsin e këtij viti me operan shqiptare "Një jetë në stuhi", me libret dhe muzikë të shkruar prej saj bazuar në romanin "Një vjeshtë me stuhi" të shkrimtarit Ali Abdihoxha.
"Një vjeshtë me stuhi" ishte pika e referimit artistik të kompozitores Dhora Leka, përfaqësuese e rezistencës kundër regjimit diktatorial në Shqipëri që nga vitet '40 të shek. XX-të e deri në fund të tij. Kjo vepër e frymëzuar nga lufta për liri ishte fryt i një pune shumëvjeçare gjatë viteve të persekutimit të regjimit monist. Vepra përfaqëson të vetmin krijim muzikor të kompozuar në kushtet e mungesës së lirisë dhe dhunës në Shqipëri", e ka cilësuar këtë vepër Zhani Ciko, drejtor i TKOB-it. E vlerësuar edhe në forume ndërkombëtare "Këngët e rezistencës" të krijuara nga Dhora Leka kanë një cilësi të lartë krijuese dhe janë konsideruar si kompozime autentike dhe me vlera të mirëfillta artistike, sikundër edhe i kanë rezistuar kohës.
Në nderim të kësaj figure të spikatur të kompoziconit shqiptar në hollin e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, ku ishte vendosur trupi i së ndjerës, dje kanë bërë homazhe Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Bujar Leskaj, përfaqësues të forcave të ndryshme politike, njerëz të njohur të muzikës dhe kulturës shqiptare.
RD
Krijoni Kontakt