Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 6
  1. #1
    i/e regjistruar Maska e Brari
    Anëtarësuar
    23-04-2002
    Postime
    18,826

    Ndërroi jetë kompozitorja Dhora Leka

    Ndërroi jetë kompozitorja Dhora Leka

    Takimi i fundit me publikun shqiptar qe në marsin e këtij viti, me operan shqiptare "Një jetë në stuhi"


    Kompozitorja e njohur Dhora Leka, krijuese e këngëve partizane, ka ndërruar jetë të mërkurën në moshën 83-vjeçare në Tiranë. Dje në mesditë, trupi i të ndjerës u vendos në hollin e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, ku personalitetet më të larta të vendit, njerëz të njohur të muzikës dhe kulturës shqiptare kryen homazhe në nderim të kësaj figure të spikatur të kompoziconit shqiptar të Luftës Nacional Çlirimtare.

    Dhora Leka, e cila në vitet 1935-40 të shekullit të kaluar kishte mësuar muzikë dhe luante bukur në piano, u lidh në qytetin e Korçës me grupet antifashiste dhe u angazhua familjarisht në luftën Nacional- Çlirimtare. Në vitet 1942-44, Dhora Leka kompozoi këngët partizane (asaj i përkasin gati 50 për qind e këtyre këngëve), ndërsa në vitet e regjimit komunist ajo u arrestua dhe më pas u burgos dhe u internua. Mbas viteve 1990, Dhora Leka megjithëse e moshuar ndjeu respektin për veprën e saj në vitet e Luftës.

    Takimi i fundit me publikun shqiptar, qe në marsin e këtij viti me operan shqiptare "Një jetë në stuhi", me libret dhe muzikë të shkruar prej saj bazuar në romanin "Një vjeshtë me stuhi" të shkrimtarit Ali Abdihoxha.

    "Një vjeshtë me stuhi" ishte pika e referimit artistik të kompozitores Dhora Leka, përfaqësuese e rezistencës kundër regjimit diktatorial në Shqipëri që nga vitet '40 të shek. XX-të e deri në fund të tij. Kjo vepër e frymëzuar nga lufta për liri ishte fryt i një pune shumëvjeçare gjatë viteve të persekutimit të regjimit monist. Vepra përfaqëson të vetmin krijim muzikor të kompozuar në kushtet e mungesës së lirisë dhe dhunës në Shqipëri", e ka cilësuar këtë vepër Zhani Ciko, drejtor i TKOB-it. E vlerësuar edhe në forume ndërkombëtare "Këngët e rezistencës" të krijuara nga Dhora Leka kanë një cilësi të lartë krijuese dhe janë konsideruar si kompozime autentike dhe me vlera të mirëfillta artistike, sikundër edhe i kanë rezistuar kohës.

    Në nderim të kësaj figure të spikatur të kompoziconit shqiptar në hollin e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, ku ishte vendosur trupi i së ndjerës, dje kanë bërë homazhe Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Bujar Leskaj, përfaqësues të forcave të ndryshme politike, njerëz të njohur të muzikës dhe kulturës shqiptare.





    RD

  2. #2
    i/e regjistruar Maska e hope31
    Anëtarësuar
    23-11-2002
    Vendndodhja
    ketu
    Postime
    1,054
    ngushellimet e mia familjes se Dhores
    i nderuar dhe i perjetshem do te jete jeta dhe vepra e saj, ne historine e artit tone
    Fjalet e pa thena nuk lendojne kurre.
    Don't wait for extraordinary circumstances to do good,try to use ordinary situations
    :^proton

  3. #3
    Merr fund drama e heroinës që më pas i humbi të gjitha në luftën për lirinë e të menduarit dhe të shprehjes



    Dhora Leka përcillet me nderim për në banesën e fundit



    Dhurata Hamzai



    Kompozitorja e njohur Dhora Leka ka ndërruar jetë, të mërkurën, në moshën 83 vjeçare në Tiranë. Me largimin e saj nga kjo botë merr fund edhe drama e heroinës shqiptare që më pas i humbet të gjitha në luftën që vijoi për lirinë e të menduarit dhe të shprehjes.





    Malli më ka marrë





    -Për Diellin malli më ka marrë

    Edhe për Hënën dritëzbehtë

    Sa koh’ u bë që s’i kam parë

    Sa koh’ u bë që unë jam vetë!

    Edhe për malet mall’ un’ kam,

    Për lumn’ e fushn’ e detn’ e gjerë,

    Për lulet, pemët, gjith sa jan,

    Të lulëzuar në kët’ pranverë!

    Për këngën malli më ka marrë,

    T’ia them me zjarr si një herë,

    Herë me gaz, herë me të qarë,

    Ashtu si zemra ma ka ndjerë!

    Edhe për ty, sa mall un’ kam

    Të t’shoh, të puth, të ledhatoj,

    Por ti e di q’e ndrydhur jam:

    E s’kam ç’të bëj, veç të ëndërroj.


    Dhora Leka (Izolim Burgu i Vjetër/ Prill 1958)







    Dje në mesditë trupi i të ndjerës u vendos në hollin e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, për t’u përcjellë me nderim nga personalitetet më të larta të vendit, njerëz të njohur të muzikës dhe kulturës shqiptare. Homazhet në hollin e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, u zhvilluan në praninë e Kryetares së Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Bujar Leskaj, përfaqësues të forcave të ndryshme politike, njerëz të njohur të muzikës dhe kulturës shqiptare. Gjithashtu presidenti i Republikës, Alfred Moisiu, bëri homazhe dhe nderoi të enjten kompozitoren e njohur Dhora Leka. Dhora Leka ka qenë një artiste me portret kompleks, për shkak se ajo nis të përfshihet që në vitet 1935-‘40 të shekullit të kaluar, jo vetëm me mësimet e muzikës dhe luante bukur në piano, por nga ana tjetër ajo u lidh në qytetin e Korçës me grupet antifashiste dhe u angazhua familjarisht në luftën Nacional- Çlirimtare. Në vitet 1942-‘44, Dhora Leka kompozoi këngët partizane(asaj i përkasin gati 50 për qind e këtyre këngëve), ndërsa në vitet e regjimit komunist, ajo u arrestua dhe më pas u burgos dhe u internua. Mbas viteve 1990, Dhora Leka megjithëse e moshuar dhe e persekutuar nga pasojat që solli lufta që ajo përkrahu e ndjente respektin për veprën e saj në vitet e Luftës. Takimi i fundit me publikun shqiptar ishte në marsin e këtij viti me operan shqiptare “Një jetë në stuhi”, me libret dhe muzikë të shkruar prej saj, bazuar në romanin e shkrimtarit Ali Abdihoxha. “Një vjeshtë me stuhi” ishte pika e referimit artistik të kompozitores Dhora Leka, përfaqësuese e rezistencës kundër regjimit diktatorial në Shqipëri që nga vitet ‘40 të shek. XX-të e deri në fund të tij. Kjo vepër e frymëzuar nga lufta për liri ishte frut i një pune shumëvjeçare gjatë viteve të persekutimit të regjimit monist. Vepra përfaqëson të vetmin krijim muzikor të kompozuar në kushtet e mungesës së lirisë dhe dhunës në Shqipëri. E vlerësuar edhe në forume ndërkombëtare “Këngët e rezistencës” të krijuara nga Dhora Leka kanë një cilësi të lartë krijuese dhe janë konsideruar si kompozime autentike dhe me vlera të mirëfillta artistike, sikundër edhe i kanë rezistuar kohës. Drejtori i Operas Kombëtare, Zhani Ciko, ka shprehur mendimin se “Një vjeshtë me stuhi” ishte fillimi i inspirimit artistik të kompozitores së veçantë Dhora Leka, kësaj përfaqësuese unikale të të gjithë rezistencave antidikatoriale në Shqipëri që nga vitet ’40 të shek. XX-të e deri në fund të tij”. Ciko e portertizon Dhora Lekën me një temperament krijues shpërthyes, rinor dhe vizionar “i shndërruar i tëri në errupsion tingujsh që në mos e ndezën, e rritën zjarrin e një fenomeni artistik e historik që shpërtheu në luftën çlirimtare – antalogjisë së këngëve partizane, ose më mirë të rezistencës shqiptare”. Sipas Cikos kjo studente e “Nënës mbretëreshë”, e absorbuar e tëra nga fryma patriotike dhe vepruese e shprehu dufin përjetues të epokës në Fletoren me këngë që u përhapën gojë më gojë, si një maj masive nga rripat e majave tek blerimi i luginave, mes stuhise se dimrit e luftës së tejzgjatur. Kolegë të saj kujtuan dje në nderim të Dhora Lekës faktin se megjithë furtunat që kaloi ajo në jetë, vepra e saj muzikore përfaqëson të vetmen mundësi për t’u shprehur në kushtet e mungesës së lirisë dhe dhunës në Shqipëri.





    In memoriam



    Rrëfime të Dhora Lekës; burgjet dhe internimet



    Dhora Leka: Gratë e dënuara dënimin e kryenin jo në burg, sepse atë izolim të dhunshëm Ministria e Brendshme nuk dëshironte ta quante burg, por Punëtoria Qëndrore e Artizanatit pranë MPB. Vitet kaluan njëri pas tjetrit. Në punëtori punonim me tre turne. Qepnim në seri uniforma ushtarake që i duheshin ministrisë. Rrihnim pambuk dhe mbushnim dysheqe e jastëkë. Fillimisht qëndronim bashkë; të dënuarat politike me ato ordinere. Ato ishin disa qindra, ndërsa ne të dënuarat politike, nuk i kalonim 50 vetë. Jetonim në një kapanon e flinim në shtretër dërrase dykatëshe. Dyshekët ishin të mbushur me lecka që i mblidhnim, kur prisnim e qepnim uniforma. Më takoi të fle në një shtrat dykatësh. Poshtë meje flinte e mrekullueshmja Musine Kokalari. Sa herë vinte ndonjë malësore, Musineja gjente rastin ta pyeste se mos ajo dinte ndonjë përrrallë, legjendë apo fjalët e ndonjë kënge “Majëkrahit”. Ajo ishte një specialiste e folklorit të mrekullueshëm dhe më vjen shumë keq se gjithçka nga studimet e saj është zhdukur. Përballë kisha Marie Dvoranin (Medicina), një infermiere partizane e Brig. së I. Maria sot ka botuar disa libra dhe shpesh e kujtojmë njëra-tjetrën në telefon. Gjatë viteve të vështira të burgut, unë para punës së detyruar fizike thurrja vargje në mendjen time, të cilat si lutjet kishtare i përsërisja çdo natë që të mos i harroja. Çdo ditë befasisht kontrolloheshin shtretërit tanë dhe po të të gjenin vjersha të shkruara merrnin masa të rrepta dhe ridënoheshe. Dëshiroj të recitoj njërën prej tyre: “Malli më ka marrë”...
    Për Diellin malli më ka marrë/ Edhe për Hënën dritëzbehtë,/ Sa koh’ u bë që s’i kam parë,/ Sa koh’ u bë që unë jam vetë!// Edhe për malet mall’ un’ kam,/ Për lumn’ e fushn’ e detn’ e gjerë,/ Për lulet, pemët, gjith sa jan,/ Të lulëzuar në kët’ pranverë!// Për këngën malli më ka marrë,/ T’ia them me zjarr si një herë,/ Herë me gaz, herë me të qarë,/ Ashtu si zemra ma ka ndjerë!// Edhe për ty, sa mall un’ kam/ Të t’shoh, të puth, të ledhatoj,/ Por ti e di q’e ndrydhur jam:/ E s’kam ç’të bëj, veç të ëndërroj./
    (Izolim Burgu i Vjetër/ Prill 1958). Gjatë gjithë kohës së burgimit mbi 7 vjetë, pothuaj çdo natë para se të flija, me fanatizëm përsërisja këtë ritual edhe pse ato shtoheshin e shtoheshin. Dhe vetëm pas daljes sime nga ky “varr” mund t’u jepja jetë dhe bashkë me vargjet gjatë internimit i kam përmbledhur në vëllimin “Këngë në shtrëngatë”, këto vargje të këtij libri them me modesti se janë një motërzë e librit: “Këngët e luftës për liri”, që u thurrën gjatë luftës partizane.



    Liri me kusht..!


    Në ato vite që unë kryeja dënimin pata fatin të përfitoj një zbritje të madhe të dënimit nga amnistitë e bëra në nëntoret e viteve 1957-1959-1952, kisha fituar veç amnistive edhe një zbritje të dënimit prej 3 vjet e gjashtë muaj nga puna e kryer dhe tejkalimi i normës ditore, pra në total mbeteshin për të kryer edhe 2 – 3 vjet. Mbas një gjykimi për falje dënimi që nuk e di nga më erdhi peshqesh, sipas vendimit të Gjykatës së Tiranës lirohem me kusht në nëntorin e vitit 1963. Kushti ishte: “Do të më jepej maksimal në rast përsëritje të fajit”, dhe kjo s’ish gjë tjetër veçse sërish unë isha në shënjestër. Kur më thanë: Je liruar! Sigurisht, që më erdhi e papritur. Ishte një çast i shumëpritur dhe emocional dhe papritur pyeta: Po, ku të shkoj? – Ku të duash, - tha ai me indiferentizëm. Vrapova nërpër shkallë. Zemra më rrihte fort. Më dukej e habitshme se si nuk më shoqëronte nga pas polici dhe duart nuk i kisha të lidhura. Mora frymë lirisht. Frymën e mbajta në Punëtorinë Qendrore të Artizanatit. Rojes i kërkova të takoj komandantin e Punëtorisë, Vangjel Rëmbeci, që ishte njëkohësisht edhe përgjegjës për Punëtorinë. Me një frymë i them vendimin e gjykatës. Ai si duket ishte njoftuar për vendimin, më pajisi me një fletë lirimi dhe më drejtoi në degën e Brendshme të Tiranës. Më nxorën ato pak sende personale, një këndez plaçka siç i thonë dhe e mbajta frymën në drejtorinë e Brendshme që vazhdonte të ishte tek “Selvia”. Më pajisën edhe atje zyrtarisht me fletën e lirimit. Me fletëm e lirimit në dorë shkova tek hotel “Donika”. Aty më kërkuan dokumentin e indentitetit dhe i paraqita dokumentin e lirimit nga burgu, por ata më thanë: S’ka vend moj shoqe! Shkoj përsëri me vrap tek “Selvia”, iu them: - Në hotel “Donika” ku u paraqita nuk më pranuan. Ngriti telefonin, s’di me kë foli dhe prerë më tha: - Shkoni, shkoni tek “Donika” u gjend një vend.



    Vazhdon përndjekja në familje..!



    Pasi u sistemova në një dhomë të hotelit dëshira që më pushtoi ishte që sa më parë të takoja nënën time. Ajo banonte në pallatet e Lanës, në një hyrje me vëllanë tim të madh Petron. Çaste mallëngjuese. Trokas në portë por s’më përgjigjet njeri, e shtyj, hyj në korridor dhe bërtas: Nënë, nënë moj! Më duket sikur edhe tashti po e përjetoj atë çast: nënë, nënë e dashur, dhe duart u zgjatën e u përqafuan. Si mbaja dot lotët as unë as ajo. Pasi u gëlltit ajo tha: Shyqyr moj bijë që ia arritëm kësaj dite! Dhe përsëri u gëlltit dhe së fundi e tronditur më tha: Këtu ti s’mund të jetosh, nuk mund të flesh. Djali më ka thënë se ai është anëtar Partie dhe duhet ta kuptojmë këtë gjendje. Ti nuk mund të jetosh në këtë shtëpi, prandaj do ta bëjmë zemrën gur. Mos u mërzit nënë, i thashë dhe u drejtova për në hotel. Mbas disa ditësh “organet kompetente” më komunikuan se isha caktuar të shkoja për të jetuar në Berat. Qëndrimi im në Berat lejohej me lëvizje të kufizuar brenda Beratit, pra, jo internim, por me lëvizje të kufizuar brenda Beratit!



    Arrestohem përsëri..!



    Ngjarjet që vazhduan më pas janë të dhimbshme dhe ndodhën krejt papritur, aq sa edhe sot nuk jam në gjendje t’i shpjegoj. U gjenda në një sallë të madhe plot me aktivistë të Frontit Demokratik. Në Presidiumin e mbledhjes, në një tavolinë të mbuluar me një copë të kuqe, që hijerëndë qëndronte Sekretari i I për Beratin, Piro Gusho, që edhe ai më vonë u akuzua me grupin e sabotimit të naftës dhe u vetëvra. (Por ai s’e përballoi dot situatën dhe vrau veten.) Përbri tij dhe shkrimtari Ismail Kadare që vetëm heshtte. Mua më kishte lajmëruar të merrja pjesë patjetër në këtë mbledhje, kryetari i Këshillit të lagjes. Më habiti këmëngulja e tij. Madje edhe përpara mbledhjes më kujtoi të isha patjetër. Tha e ç’nuk tha kryetari në atë parashtrim të turpshëm dhe e ndieja se sa ngushtë ndihej Ismaili. Mos e kishin marrë për fasadë?! Mos e kishin detyruar si unë që të ishte në sallë prezent?!
    Vite më vonë ia kam shkruar edhe ish-kryetarit të Presidiumit të Kuvendit Popullor, Ramiz Alia, duke i thënë se: - “Asnjë qytetar i Republikës Popullore të Shqipërisë, nuk i ishte nënshtruar një diskriminimi të tillë masiv”. Ju sjell në kujtesë, ishte koha e Revolucionit Kulturor në Kinë dhe dacibaot kishin filluar të mbushnin edhe fasadat e ndërtesave tona në Shqipëri. Më vunë para turmës që thërriste në mënyrë histerike: “Në burg, në burg, armike e pandreqshme, tradhëtare, e shitur”. Kjo turmë në ekstazë histerike më shoqëroi deri në degën e Brendshme. (Këtë e ka përjetuar me dhimbje edhe populli i qytetit të Beratit, dhe sot e kujton, ka dëshmitarë okularë që ta përshkruajnë.)
    Kryetari i degës që quhej Siri, mbiemri nuk më kujtohet, dha urdhër dhe më mbyllën në një qeli të errët. Për të protestuar shpalla grevën e urisë. Të nesërmen kërkova shpjegime, për të gjithë këtë skenë të turpshme.
    - Të lirojmë, - tha i deleguari, por nuk e di nga kush. Përsëriti: - Të lirojmë, por me kusht që ti të pranosh ato ç’ka u thanë në Konferencë.

    - Kurrën e kurrës, - ishte përgjigjia ime e vendosur. Mbas disa orëve më nxjerrin nga biruca, më hipin në gazin e degës dhe më çuan në shtëpi. Nëna ime tërë natën e tmerruar më kishte pritur.
    - Merr rroba për fjetje, - më urdhëroi punonjësi i degës. Kur hyra në dhomë për të marrë ndonjë plaçkë për fjetje, vetëtimthi ngre kapakun e pianos, rrëmbej nga cepi i tastierës vjershat që i mbaja gjithmonë të mbledhura dhe ia fut nënës në gji duke e përqafuar. Hipa në gaz. Nuk e dija drejtimin që do merrte, për mua ishte enigmë. Ku do më çonin vallë?!....



    (Arkiva “TemA, 25 dhjetor 2005)
    Ndryshuar për herë të fundit nga DYDRINAS : 29-12-2006 më 06:32

  4. #4
    i/e regjistruar Maska e Brari
    Anëtarësuar
    23-04-2002
    Postime
    18,826
    Me vjen mire qe Bujar Leskaj.. ministri me i mire i Kultures qe ka pasur ndonjihere Shqiperia.. ky djale Vlore.. i asaj Vlores me shum faqe e probleme.. di te nderoje ata qe duhen nderuar.. nga gjithe hapsira kombetare por dhe nga gjithe profilet e elites se kombit.. pamvaresisht nga ngjyrat..
    Ai di te vleresoje si Rugoven e At Zef pllumbin.. si Dhoren leka.. autoren e kengeve partizane.. po ashtu dhe poetet e pushkatuar.. etjetj..
    Suksese Bujar Leskajt..

    Ngushellime te sinqerta atyre mbeturve gjalle nga rrethi e familja e Dhores.. te genociduar brutalisht nga regjimi kanibal.. stalinist enverist..

    Lavdi dhe njihere Azem hajdarit me shoke qe i dha mundesine At Zefit e Dhores.. e figurave te ngjashme me ta qe ndonse te ardhur nga shtresa te ndryshme shoqerore e politike.. te kishin fatin te thoshin ne pleqeri pas dekadave persekutim.. ato cka i kishin pas ne zemrat e tyre.. dhe tu jape shoqerise mundesine ti nderoje ata martire pa pyetur bodrumet obskurantiste te KQ-se se PPSH-PS-se.. !!

  5. #5
    Urdhri i Enverit: Të shtetëzohet muzika e Dhorës


    Ilo Kosta i kërkon ndjesë publike Dhora Lekës: Autorësinë nuk ta mora unë, ta hoqi partia


    Autori i Lajmit: Prof. As. Dr. Gjergj P. Titani

    Ndodh edhe kështu. Nuk shtetëzoheshin vetëm vilat, manifakturat, dhe florinjtë. Megjithëse një rast i rrallë, Dhora Lekës i është shtetëzuar muzika e saj. Vetë kreu i shtetit të ri komunist shqiptar, me një urdhër që binte ndesh me të gjitha moralet, urdhëroi: “Shtetëzoni muzikën e Dhora Lekës”. Ishte pikërisht koha kur kompozitorja e talentuar dergjej në qelitë e burgjeve. Por si kishte ndodhur. Ilo Kosta, gjithashtu një njeri që ishte marrë me këngët partizane, rrëfen episodin e pabesushëm. Pikërisht në datën 4 gusht të vitit 1991 në faqet e gazetës “Drita”, organ i Lidhjes së Artistëve dhe Shkrimtarëve, duke i kërkuar një falje publike Dhora Lekës, ai shkruan:

    Gazeta Drita 4 gusht 1991

    Letër Zonjës së nderuar Dhora Leka

    Mund t’iu kërkoj të falur?
    Megjithatë….
    E lexova intervistën tuaj, botuar në gazetën “Drita”. Në një vend të saj thoni: “Dhe ajo më shkaktonte dhimbje në zemër, nuk qe se në emisionet e radio-televizionit, kur jepeshin këngët partizane, nuk thuhej “muzika Dhora Leka” edhe pse pati raste siç është ai në revistën “Skena dhe ekrani”, që autori u zëvendësua me një tjetër….
    Kjo më bëri që të kujtoj edhe një herë atë që më kish ndodhur dhjetë vjet më parë, më 1981. Më thirrën në redaksinë e revistës “Ylli”. Aty sekretari i kolegjiumit mu lut që të shkruaja për këngët partizane që kisha bërë unë. Në bisedën paraprake që bëmë, i thashë Nikos se do të shkruaja për tri këngë: “Kushtrimi”, “Lufta e madhërishme”, “Dalëngadalë po vjen behari”, muzikën e dy të parave (ia thekosva vetë) e ka shkruar Dhora Leka, vetëm teksti është i imi. Ndërsa muzikën e së tretës e kisha përshtatur vetë.
    Shkrimi im u botua në numrin 7 të korrikut 1981, me titullin: “Si u shkruan tri këngë partizane”. Aty nga fillimi i shkrimit thuhet, “unë kam shkruar disa këngë partizane (melodi dhe tekste) dhe më poshtë: muzikën e këtyre dy këngëve e paskam bërë unë, Ilo Kosta ,”Përse ta ketë bërë këtë redaksia dhe për ç’interes?” - thashë me vete. Shkova menjëherë në redaksinë e revistës
    -More, ç’keni shkruar ashtu, - iu drejtova sekretarit të kolegjiumit, - si e paskam bërë unë muzikën? Pastaj unë ty të sqarova që në fillim se muzika është e Dhora Lekës.
    -E mo,se s’është ndonjë gjë e madhe, - mu përgjigj ai qetë-qetë pa e prishur terezinë fare.
    -Si mo, nuk është ndonjë gjë e madhe? Po aty është firma ime, - i thashë, - kështu unë qënkam mashtrues, quhem hajdut. Me ç’sy e faqe t’i dal përapra autores, po njerëzve? Por siç dihet shtypi i atëhershëm nuk e kish zakon të bënte korrigjime, megjithatë në këtë rast nuk ishte ndonjë lajthitje e thjeshtë e redaktorit, por çdo gjë ishte bërë me mendje të kthjellët, ndofta me qëllim për të të asgjesuar me gjithsej ty Dhora.
    Meqë ra fjala për asgjesim, po përmendim këtu ca holësi që kam mundur të marr vesh (meqë kam qenë i interesuar). Më 1956, mbas internimit tuaj, u lëshua ky urdhër kategorik nga lart (ka mundësi nga vetë “Zeusi”): “Të gjithë disqet me këngë partizane që kanë muzikën e Dhora Lekës të asgjesohen!”
    Nuk shkoi shumë kohë dhe “Zeusi”, mbasi u mendua edhe një here, lëshoi këtë kundërurdhër: “Të riprodhohen këngët partizane të Dhora Lekës! Në fund të fundit edhe unë nuk e asgjesova vilën e Shefqet Vërlacit, por e shtetëzova, pra muzika e Dhorës të shtetëzohet!..”
    Pas kësaj, filluan të transmetohen këngët e tua në radio-televizion dhe të shtypen dhe në librat e këngëve, mbi të cilat shënohej vetëm emri i autorit të tekstit, ndërsa emri yt nuk u vihej, sepse ti ishe shtetëzuar.
    Ja pra, këtë doja t’iu thoja me këtë letër, e nderuar zonja Dhorë. A mund t’iu kërkoj të falur përsa ka ndodhur jo për fajin tim?
    Megjithatë duke folur hapur botërisht, unë do të lehtësohem nga një brengë e madhe që më ka bërë të vuaj shpirtërisht në këto dhjetë vjet.
    Ju uroj shëndet të plotë
    Ilo Kosta

    Ky lajm është publikuar: 24/10/2005
    Gazeta Ballkan

  6. #6
    i/e regjistruar Maska e Brari
    Anëtarësuar
    23-04-2002
    Postime
    18,826
    shendet pac o ilo Kosta.. e qofsh i nderuar..
    Ja nje burre vertet Fisnik..

    Thx dy Drins..

Tema të Ngjashme

  1. Dr. Ibrahim Rugova - Presidenti i parë i Republikës së Kosovës
    Nga Albanino në forumin Elita kombëtare
    Përgjigje: 2055
    Postimi i Fundit: 27-11-2014, 11:11
  2. Studentja Natali, ndërroi 64 burra për një natë!
    Nga Kinezja në forumin Aktualitete shoqërore
    Përgjigje: 12
    Postimi i Fundit: 14-08-2005, 16:08
  3. Ndërroi jetën Haxhi Hafiz Sabri Koçi
    Nga altin55 në forumin Komuniteti musliman
    Përgjigje: 9
    Postimi i Fundit: 28-07-2004, 15:24
  4. "Danieli" nderroi jete...
    Nga drita në forumin Toleranca fetare
    Përgjigje: 87
    Postimi i Fundit: 25-02-2004, 16:45
  5. Ndërroi jetë Ferdinand Deda
    Nga Eni në forumin Muzika shqiptare
    Përgjigje: 10
    Postimi i Fundit: 03-09-2003, 08:16

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •