Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 8
  1. #1
    .... ...
    Anëtarësuar
    30-01-2005
    Postime
    4,049

    Angry Festat, fillon “çmenduria” e rritjes së çmimeve

    (Marre nga Shekulli)

    Çdo fundviti, shqiptarët përballen me “çmendurinë” e rritjes së çmimeve në treg. Rriten çmimet e gjelave të detit, rriten çmimet e ushqimeve tradicionale të darkës së Vitit të Ri, rriten çmimet e lodrave për fëmijë, rriten veshjet e mbrëmjeve, e rriten ndopak për inerci edhe çmimi i ndonjë produkti tjetër, që s’ka lidhje fare me Vitin e Ri. Për rritjen e çmimeve, tregtarët ia “hedhin topin” njëri-tjetrit. Tregtarët me pakicë, shprehen se çmimet janë rritur nga shumica, ndërkohë që grosistët shprehen se: “Janë tregtarët me pakicë ata që spekulojnë me çmimet”.

    Drejtori i Tatimeve, Alfred Prifti, ka dalë dje në një konferencë për shtyp dhe u ka bërë thirrje të gjithë tregtarëve. “Mos spekuloni me çmimet, lërini njerëzit të gëzojnë siç duhet Vitin e Ri”,- ka thënë dje Prifti, duke ju drejtuar të gjitha bizneseve, si të vogla ashtu edhe të mëdha. “Ne jemi duke hyrë në Evropë dhe mbajtja e çmimeve nën kontroll për Vitin e Ri, është pjesë e saj”,- ka vazhduar Prifti.

    Tregtarët, të nxitur nga mania për të patur fitime sa më të larta, nuk kanë lënë pa rritur çmimet e pothuajse të gjitha produkteve. Kështu, gjatë ditës së djeshme, në Tiranë ka qenë pothuaj e pamundur të gjeje një palë këpucë mbrëmjeje me më pak se 8 mijë lekë, ndërkohë që i njëjti mall, para një muaji tregtohej me rreth 6 mijë lekë. Sipas një studimi në treg, të bërë dje nga gazetarët e “Shekullit”, rritje në çmime kishte pasur edhe për elektro-shtëpiaket, fishekzjarrët dhe lodrat për fëmijë. Me rastin e festave, dhuratat më të mëdha bëhen për fëmijët dhe rritja e çmimeve nuk kishte si të mos i prekte edhe këto produkte.

    Produktet ushqimore

    Artikujt e konsumit të gjerë dhe kryesisht ushqimorët, gjatë fundvitit nisin një rritje të pashpjegueshme dhe menjëherë pas kalimit të festave, pësojnë menjëherë rënie të theksuar. Kjo, sipas specialistëve të ekonomisë, nuk ka të bëjë fare me doganat apo me pikat e futjes së këtyre mallrave nga jashtë, por me psikologjinë e tregtarëve në Shqipëri. Mallrat që importohen nga jashtë, sipas doganave, kanë një rënie çmimi në muajin dhjetor, pasi grosistët në vendet fqinje, bëjnë ulje shumë të mëdha me rastin e festave. Ky fenomen i bie që të ndodhë vetëm në vendin tonë dhe ka lidhje me grosistët dhe importuesit, që nisin të rrisin çmimet me pretendimin që të fitojnë sa më shumë, duke përfituar nga festat dhe nga dëshira për të shpenzuar e konsumatorëve. Si për ironi, edhe pse çmimet e ushqimeve dhe të artikujve të tjerë të konsumit kanë filluar ngjitjen në tabelën e çmimeve, doganat shqiptare kanë njoftuar heqjen apo bërjen zero, pothuajse, për të gjitha artikujt ushqimorë, industrialë dhe bujqësorë që importohen nga tregu evropian.

    Rritja e çmimeve, pse vetëm tek ne?

    “Çmenduria” e rritjes së çmimeve, ndodh vetëm në Shqipëri. Asnjëherë nuk është dëgjuar që në Amerikë, apo në ndonjë shtet tjetër të Evropës, të rriten çmimet me rastin e festave.

    Midis strategjisë së uljes së çmimeve në prag të festave dhe asaj të ngritjes së tyre, kompanitë e shitjes me pakicë zgjedhin të parën, sepse fitimi nga ajo u rezulton më i madh, dhe sepse, parë nga një këndvështrim afatgjatë, u intereson të përforcojnë instinktet blerëse të konsumatorit. Ndërsa kompanitë shqiptare nuk zgjedhin të njëjtën strategji, për arsyen e thjeshtë se po të ulin çmimet, fitimet do t’u pakësohen në vend që t’u shtohen. Dhe, në përgjithësi tregtarët kudo në botë, synojnë t’i shtojnë fitimet, jo t’i pakësojnë. Por, ndryshe nga kompanitë amerikane apo evropiane, kompanitë shqiptare kanë zgjedhur fitimet afatshkurtra dhe jo ato afatgjata.

    Marrim një shembull mjaft të thjeshtë të logjikës ekonomike. Është e kuptueshme se në Shqipëri, ashtu si në çdo vend tjetër të botës, ka familje të varfra, të mesme dhe të pasura. Ato të pasurat nuk ndikohen nga çmimet, sado të larta qofshin ato; të varfrat, sado të ulen çmimet, nuk blejnë dot më shumë se një dhuratë në vit për fëmijët e tyre; ndërkohë që ka familje të mesme, që sa më i ulët të jetë çmimi, aq më shumë dhurata do të blejnë. Pra, nëse çmimet do të ishin të ulëta, me rastin e festave, edhe shitjet do të ishin më të mëdha, sepse shtresa e mesme e popullsisë është gjithmonë shumica dhe forca kryesore në blerje.

  2. #2
    .... ...
    Anëtarësuar
    30-01-2005
    Postime
    4,049

    Tregtarët që rrisnin çmimet, do tatohen më shumë

    (Marre nga Shekulli)

    Qeveria dhe rregullat e ekonomisë së lirë të tregut, kanë dështuar sërish përpara mentalitetit të tregtarëve shqiptarë të pakicës dhe shumicës. Çmimet fundore për mallrat e konsumit, kryesisht ushqimet, janë ngritur si gjithmonë në prag të festave të fundvitit. Prej disa ditësh, në mënyrë të njëtrajtshme dhe në kohë të njëjtë, pothuajse prej të gjithë tregtarëve të pakicës, janë ngritur çmimet e frutave, perimeve dhe disa lloje ushqimesh. Zëvendësministri i Financave, në lidhje me këtë fenomen tashmë traditë, la të kuptojë se shteti do të garantojë thjesht zbatimin e rregullave të tregut në ekonominë e lirë. Florjon Mima, një ditë pas deklaratës së drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve në lidhje me rritjen e çmimeve, tha se rritja është abuzive dhe e qëllimshme nga tregtarët. Mima, pasi ka marrë në analizë zhvillimet ekonomike, si kursin e këmbimit të monedhave, çmimet e referencave, si dhe çmimet në rajon, tha se nuk ka arsye që të ketë rritje të çmimeve të mallrave ushqimore dhe joushqimore. “Por, fatkeqësisht ne ndodhemi para një fakti, ku kryesisht importues dhe grosistë të mallrave ushqimore dhe fruta-perimeve, kanë rritur çmimet e tyre dukshëm, duke rënduar mbi kurrizin e konsumatorëve”,- u shpreh zëvendësministri. Mima, tha dje se të gjitha strukturat e Ministrisë së Financave do të dalin në tregjet e pakicës dhe shumicës, për të kontrolluar deklaratat e xhiros së tregtarëve.

    Kontrolli

    Në një situatë normale të ekonomisë së lirë, në tregjet e ndryshme, strukturat qeveritare duhet të sigurojnë kushtet e konkurrencës së lirë dhe moskrijimin e monopoleve, dhe nuk mund të ndërhyjnë direkt për përcaktimin e çmimeve. Në prag të fundvitit, Drejtoria e Tatimeve, ajo e Doganave dhe Ministria e Financave, do të ushtrojnë kontrolle të imtësishme në deklaratat e shitjeve të tregtarëve dhe mbi këto do të tatojë tregtarët. “E gjithë Policia Tatimore, rreth 300 veta në të gjithë territorin e Republikës, por edhe rreth 1200 inspektorë të tjerë, edhe sot që është ditë feste janë në terren, po mbajnë shënimet e tyre, në mënyrë që deklaratat e muajit dhjetor të këtyre tregtarëve të rivlerësohen në rritje, në përputhje me rritjen spekulative të çmimeve. Ky nuk është kërcënim, është thjesht një premtim dhe një zotim para qytetarëve të ndershëm, në mënyrë që ata t’i presin festat e fundvitit të qetë, si gjithë të tjerët”,- tha dje Mima, duke shpjeguar skemën e kontrollit.

    Abuzimi

    Para se të shprehej për këtë detyrë të tatimorëve, Mima, shpjegoi se nuk ka asnjë arsye që tregtarët, qoftë të shumicës, qoftë të pakicës, të rrisin çmimet. Duke folur për çmimet e referencës, kursin e këmbimit të dollari dhe euros në ditët e fundit, Florjon Mima tha se situata që është krijuar në tregje është tërësisht abuzive. “E kemi analizuar me shumë kujdes fenomenin që nga momenti i aplikimit të çmimit të referencës, të cilat janë ndaluar të përdoren nga sistemi doganor, kursi mjaft i favorshëm i këmbimit euro-lekë dhe dollar-lekë dhe na rezulton që për të njëjtat mallra, çmimet duhej të vinin në ulje me supozimin që do të ruheshin të njëjtat marzhe fitimi. Fatkeqësisht, konstatojmë se disa tregtarë kanë rritur çmimet në mënyrë spekulative. Jam këtu për t’u bërë me dije atyre, por edhe për të siguruar konsumatorët, që qeveri e taksave të ulëta, nuk do të thotë të mbështesë spekulatorët dhe abuzuesit me çmime, por në të kundërt, do të bëjmë ç’është e mundur dhe do të ndërmarrim çdo iniciativë në respekt të ligjit, për të garantuar që ata që fitojnë më shumë në mënyrë spekulative dhe abuzive, të paguajnë tatime disa herë më të larta”,- u shpreh Mima.

    Tregtarët, jomoralë në vendosjen e çmimeve

    Në fillim të deklaratës së tij, Florjon Mima ka bërë një thirrje të bazuar në moral, për vendosjen e çmimeve, por edhe këtë vit, konsumatorët shqiptarë do ta mbyllin fundvitin me çmime të rritura brenda natës, nga 10 deri në 50, apo më shumë për qind. “Ka një kod moral që shoqëron të gjithë shoqëritë e civilizuara në prag të festave, që tregtarët, grosistët të ulin çmimet e mallrave në mënyrë që populli, qoftë ai me të ardhura mesatare apo të ulëta, të gëzojë njësoj si të tjerët. Fatkeqësisht, kemi dy ditë që po vëmë re një rritje spekulative për një grup mallrash që u përmendën më sipër dhe unë jam këtu, për të bërë prezent masat që Ministria e Financave dhe strukturat e saj, janë duke ndërmarrë për të vënë nën kontroll abuzivizmin dhe spekulimin me çmimet”,- tha dje Mima. Zëvendësministri ka vënë në dukje, se tatimet për tatimpaguesit e vegjël dhe kategoritë e tjera, janë ulur që prej disa muajsh.

    Rriten dhe çmimet e produkteve joushqimore

    Drejtori i Tatimeve, Alfred Prifti, ka dalë para dy ditësh në një konferencë për shtyp dhe u ka bërë thirrje të gjithë tregtarëve, që të mos abuzojnë në prag të festave. “Mos spekuloni me çmimet, lërini njerëzit të gëzojnë siç duhet Vitin e Ri”,- ka thënë Prifti. Në kërkesën e tij, drejtuar të gjitha bizneseve, si të vogla ashtu edhe të mëdha Prifti tha se kjo nuk është situatë normale. “Ne jemi duke hyrë në Evropë dhe mbajtja e çmimeve nën kontroll për Vitin e Ri, është pjesë e saj”,- tha Prifti. Tregtarët, të nxitur nga mania për të patur fitime sa më të larta, nuk kanë lënë pa rritur çmimet e pothuajse të gjitha produkteve. Kështu, gjatë ditës së djeshme, në Tiranë ka qenë pothuaj e pamundur të gjeje një palë këpucë mbrëmjeje me më pak se 8 mijë lekë, ndërkohë që i njëjti mall, para një muaji tregtohej me rreth 6 mijë lekë. Sipas një studimi në treg, të bërë dje nga gazetarët e “Shekullit”, rritje në çmime kishte pasur edhe për elektro-shtëpiaket, fishekzjarrët dhe lodrat për fëmijë. Me rastin e festave, dhuratat më të mëdha bëhen për fëmijët dhe rritja e çmimeve nuk kishte si të mos i prekte edhe këto produkte.

    Asnjë tregtar, nuk pranon rritjen e çmimeve

    Të gjithë janë të ndershëm, por askush nuk mban përgjegjësi për rritjen e çmimeve. Kjo përshtypje të krijohet pas bisedave me tregtarët e shumicës dhe pakicës në tregjet e Tiranës. Në të gjitha pikat e shitjes së fruta-perimeve, asnjë prej tregtarëve që u pyetën dje, nuk pranoi se ka ndërmarrë vetë rritje të çmimeve. Po kështu edhe në pikat e shumicës, ku frutat dhe perimet shpërndahen në mëngjes herët. Asnjë prej tregtarëve nuk tregon “rrugën” se nga kalon çmimi i mallrave, por thjesht të tregojnë kartonët me numrat e shkruar si mos më keq, ku tregohen çmimet. “Janë tregtarët e pakicës ata që spekulojnë me çmimet. Ne këto çmime që kemi pasur, kemi ende”,- thotë buzë derës së kamionit, një prej tregtarëve të shumicës, pa pranuar të tregojë çmimin e shitjes. Pothuajse të njëjtën fjali, po të artikuluar më shpejt, e dëgjon në tregjet e pakicës. “Janë tregtarët e shumicës qe kanë rritur çmimet”,- thotë me dialektin korçar, një tregtar pranë Sheshit “Avni Rustemi”. Ndërkohë, shtëpiaket që përballen me çmimet, thonë se ka një rritje të dukshme. Përllogaritjet tregojnë se çmimet janë rritur nga 10 deri në 50 për qind. “Janë rritur çmimet e frutave dhe bulmetrave. Fruta-perimet, me nga njëqind apo tre-katërqind lekë të vjetra. Çmimi i djathit e gjalpit, me 500 lekë të vjetra”,- tha dje një blerëse, te tregu pranë Sheshit “Avni Rustemi”

  3. #3
    i/e larguar
    Anëtarësuar
    09-11-2005
    Vendndodhja
    France ...
    Postime
    6,159
    Sa milion lek ??? duhet me bo festat ne shqiperi amani o ........... te shkretet ata qe jan atje thuaj .....

  4. #4
    Fine Wine Maska e ildushja
    Anëtarësuar
    06-12-2002
    Vendndodhja
    Rr. A Kasemi, N'ajër
    Postime
    832
    Ju rrofshin gjelat e detit ka 60 mij leke copa.. do i pjekin me furnell...
    A ka shtet ky vendi jone??????????
    "and..nothing makes us so lonely... as our own secrets..."-Nebelstern

  5. #5
    ► ☆☆☆ ◄
    Anëtarësuar
    26-10-2005
    Vendndodhja
    Mëmëdhe
    Postime
    4,834
    Po mi si nuk ka,por vetem ne letra

    Ne jemi para europes,se mar vesh pse themi qe do vemi drejt saj pasi o bojme lek ne o nuk bo njeri si ne

  6. #6
    .... ...
    Anëtarësuar
    30-01-2005
    Postime
    4,049

    Policia Tatimore, kontrolle mbi abuzimet e tregtarëve

    (Marre nga Shekulli)

    Inspektorët e Policisë Tatimore dhe punonjës të tjerë të administratës tatimore, kanë ushtruar dje kontrolle mbi tregtarët e pakicës dhe shumicës. Me qëllim parandalimin e abuzimeve në çmimet e mallrave të konsumit të gjerë dhe ushqimeve, punonjës të Policisë Tatimore po kontrollojnë çdo deklaratë dhe faturë, me qëllim krahasimin më pas me çmimet e shitjes. Besnik Gjidra, drejtori i Përgjithshëm i Policisë Tatimore, tha dje për “Shekulli” se që prej dy ditësh, kanë nisur kontrollet të tregtarët. Gjidra, tha se ende nuk ka një rezultat të këtyre kontrolleve, por shumë shpejt, pasi të mbarojnë festat mund të dilet në një përfundim, nëse në treg ka abuzime apo jo. Ai u shpreh dje pasdite për gazetën, se kontrollet janë në tregjet e mëdha dhe te importuesit e mëdhenj.

    Qëllimi kryesor i tatimorëve, është që të parandalojnë rritjen abuzive të çmimeve dhe kjo do të arrihet nëpërmjet ndjekjes së rrugës nga kalojnë mallrat. Duke nisur që nga referencat, hyrja në doganat shqiptare e deri te pika fundore e shitjes, pra konsumatori do të ketë kontrolle nga tatimorët. Nëpërmjet deklaratave, faturave tatimore dhe vëzhgimeve në terren, synohet krijimi i një skeme të qartë, e cila do të parandalojë abuzimin. Besnik Gjidra, tha dje se kontrollet kryhen në tregjet e çdo rrethi. “Në çdo rreth kemi nisur kontrollet. Të gjitha degët e tatimeve, po kontrollojnë me maksimumin e numrit të punonjësve që kanë. Do të kontrollohet në bazë të faturave që ata kanë. Kontrolle ka në tregjet kryesore, ku dyshohet që ka abuzime me çmimet, abuzime në mënyrë jo ligjore. Kontrollet bëhen në lidhje me atë çka deklarohet dhe çka ka aktualisht ne treg”,- tha dje Gjidra për “Shekullin”. Kryetatimori shpjegoi se, dje ishte dita e dytë e kontrolleve në tregjet e shumicës dhe pakicës. Pas dy ditë punë, ai u shpreh për “Shekulli” se është ende herët që të arrihet në një përfundim të qartë, nëse ka abuzime dhe në çfarë mase janë ato. “Ende nuk ka rezultat, pasi ka vetëm dy ditë që kontrollohet. Përsa i përket afatit të kontrollit, do të shikojmë çfarë ka rezultuar nga kontrollet, por deri në fund të këtij viti kemi programuar kontrolle”,- tha dje Gjidra.

    Fenomeni

    Prej disa ditësh, çmimet fundore në tregjet e ushqimeve janë rritur. Pothuajse në të gjitha tregjet e vendit vihet re ky fenomen, por në përmasa të ndryshme. Çmimet e shumë produkteve ushqimore janë rritur nga 10, deri në 50 për qind. Frutat, perimet, produktet e gatshme dhe gjysmë të gatshme, kanë pësuar rritje brenda një jave. Tregtarët ia faturojnë njëri-tjetrit rritjen e çmimeve. Si importuesit e mëdhenj ashtu dhe tregtarët e pakicës, shprehen se rritja e çmimeve ka ardhur prej diku tjetër dhe nuk është krijuar në pikën e tyre të shitjes.

    Skema

    Kontrolli do të nisë që nga subjektet e mëdha prodhuese dhe importuese. Do të kontrollohen të gjitha faturat e shitjes dhe zhdoganimit të mallrave. Sipas asaj çka kanë shpjeguar dje punonjës të Policisë Tatimore, do të kontrollohen faturat që subjektet tregtare lëshojnë për njëri-tjetrin. Po kështu, do të ketë vendosje penalizimesh financiare, për të gjithë subjektet që nuk bëjnë të ditur apo nuk afishojnë çmimet e shitjes së produkteve. Po kështu, do të ketë një përllogaritje mbi çmimet që do të vihen re në të gjitha pikat e shitjes. Kështu, nëse një tregtar ka aplikuar një çmim, që është i afishuar mbi produkt, do të bëhet tatim mbi atë çmim dhe jo mbi çmime që mund të deklarohen nga ai. Para pak ditësh, së pari drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve dhe më pas zëvendësministri i Financave, bënë thirrje që tregtarët të mos abuzojnë dhe deklaruan kontrollet që kanë nisur nga tatimorët.

  7. #7
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    26-09-2003
    Vendndodhja
    varavingo
    Postime
    1,084
    Matrapazet e flliqur shtrydhin familjet e varfera. Familjet e F. Nanos dhe S. Berishes nuk blejne dhurata per vitin e ri ne Shqiperi por bejne shopping neper dyqanet dhe butiket e evropes. Kta jane matrapaz se kurr smund ti quash biznesmeana.

    Do i zej haku i fuakras. Kurr skane per te pa hajer.

  8. #8
    Cfare paradoksesh ka ne ate vend o zot. Gjithe bota i ul cmimet perpara dhe gjate festave nga 25-35 % ndersa ne Shqiperi i cojne ne qiell

Tema të Ngjashme

  1. Fillon Kreshma e Madhe
    Nga I KTHYERI në forumin Komuniteti orthodhoks
    Përgjigje: 23
    Postimi i Fundit: 28-02-2023, 01:24
  2. Bursa Shqipëtare
    Nga Gerrard në forumin Ekonomi & biznes
    Përgjigje: 17
    Postimi i Fundit: 08-05-2007, 00:55
  3. Katalog i Kodikëve Kishtarë Mesjetarë të Shqipërisë
    Nga Albo në forumin Komuniteti orthodhoks
    Përgjigje: 100
    Postimi i Fundit: 02-02-2005, 00:19
  4. Shqiptaret dhe festat kombetare :
    Nga Kryeplaku në forumin Aktualitete shoqërore
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 14-12-2004, 06:49
  5. Prodhuesit rrisin cmimin e bukes ne Shqiperi
    Nga Brari në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 10
    Postimi i Fundit: 14-02-2004, 14:21

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •