Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 2
  1. #1
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    05-12-2006
    Postime
    172

    Kriptokrishtërimi në Shqipëri

    KRIPTOKRISHTËRIMI NË SHQIPËRI

    Një vështrim i shkurtër historik dhe roli i tij i rëndësishëm në substratin kulturor të Shqiptarëve

    IMZOT JOAN PELUSHI

    I

    Për fenomenin e Kriptokrishtërimit janë bërë shumë pak studime në Ballkan dhe akoma më pak në Shqipëri, ndonëse Shqipëria ka qenë një vend ku ky fenomen ka qenë më i përhapur se në çdo vend tjetër. Kriptokrishtërimi, ashtu siç e thotë edhe vetë termi, është ai fenomen, ku individë, familje, grupe apo krahina të ndryshme shpallnin publikisht se e kishin lënë krishtërimin, ndërsa privatisht vazhdonin ta praktikonin atë. I dukshëm ky fenomen ishte sidomos në ato vende, kur kthimi nuk ndodhte nga një predikim i fesë nga misionarë paqësorë, por kur popullsia detyrohej nga rrethana të ndryshme të merrte fenë e imponuar nga forca të jashtme dhe kur të qenët në fenë e parë paraqiste një rrezik të madh.
    Ky fenomen është studjuar nga historia, etnografia, antropologjia, psikologjia dhe shumë shkenca të tjera, nga që ka ndikuar shumë në formimin kultural të popujve të ndryshëm. Shumë popuj, ndonëse me të njëjtën fe, kanë patur shumë ndryshime ndërmjet tyre, jo vetëm si rezulatat i ndryshimeve të kushteve historike, por edhe nga masa e asimilimit të fesë së re dhe nga mënyrat e ndryshme të kthimit në atë. Elementë, shpesh herë jo shumë të dukshëm, të fesë së vjetër luanin një rol të rëndësishëm në formimin e kulturës së re, sidomos kur feja e re nuk identifikohej krejtësisht me kulturën vendase. Kjo ka ndodhur me shumë fe, por në këtë artikull do të ndalemi vetëm në fenomenin e kriptokrishtërimit, domethenë fenomenin që u shfaq në vendet e krishtera të pushtuara nga islami. Ndonëse fenomeni në kuptimin klasik është vetëm kur ruhet vetëdija e të qenurit në fenë e parë, prandaj edhe quhet kriptokrishtërim-i krishterë i fshehtë, përsëri do të ishte me interes jashtëzakonisht të madh të shihet edhe një aspekt tjetër i kriptokrishtërimit, ai kur vetëdija humbet, por ruhen shumë elementë të fesë së parë, ndonëse shpesh edhe në mënyrë të pavetëdijshme. Rreth këtij aspekti të fundit nuk janë bërë studime të hollësishme.
    Ky fenomen është parë mjaft herët. Individë dhe grupe kriptokrishterësh pati pothuaj në të gjitha vendet e krishtera të pushtuara nga arabët, të cilët dalëngadalë pothuajse u asimiluan krejtësisht. Gjithashtu raportohet për këtë fenomen në ishullin e Kretës, kur ai u pushtua nga saraçenët (825-961) , në Kaukaz, Siri, etj. Por, fenomeni në mënyrën më të dukshme, u shfaq në Azinë e Vogël, kur ky vend i krishterë filloi të pushtohej nga turqit myslimanë. Rasti i Nikeas është një rast shumë i njohur. Në vitin 1338, banorët e Nikeas, të cilët ishin kthyer në myslimanë, u penduan dhe i kërkuan Patrikut Joan XIV t’i pranonte përsëri në kishë. Me pushtimin e Ballkanit nga turqit filloi të shfaqej edhe këtu fenomeni i kriptokrishtërimit, si tek Ortodoksët, ashtu edhe tek Katolikët. Fenomeni u paraqit pothuaj në të gjithë territorin e Ballkanit, ndonëse jo me të njëjtin intensitet. Kështu që në Qipro dhe në Kretë kemi linovamvakët, në Serbi šarenët, në Shqipëri laramanët dhe në Greqi rastin e vallakadhes . Gjithashtu në Bullgari dhe në Bosnje islamizimi që zuri vend më shumë tek sekti i Bogomilëve ruajti për një kohë shumë elementë të fesë së mëparshme. Të gjithë emrat që tregojnë kriptokrishterët në këto vende, si linovamvaki, mesokertidhes, paramesi, dvoeverie, dipistia, šareni, laramani etj, tregojnë pikërisht njerëz që ishin në mes të dy feve.

    II

    Në Shqipëri, fenomeni i kriptokrishtërimit, në dallim nga vendet e tjera ballkanike, ku ky fenomen ishte më i rallë, është shumë më i përhapur. Kriptokrishtërimi ishte i pranishëm sidomos në kohën e persekutimit kundër të krishterëve. Atë e shohim si në Veri ashtu edhe në Jug, si tek katolikët ashtu edhe tek ortodoksët. Kurdoherë ai shoqërohet me procesin e islamizimit. Por ky proces ishte i ndryshëm në periudha të ndryshme. Në fillim të pushtimit duket se otomanët nuk po përdornin forcën për t’i kthyer shqiptarët në islamizëm. Këtë e shohin në rregjistrin e timareve të Shqipërisë së Jugut dhe të Mesme (1431-1432), ku vetëm 30% e tyre zotërohej nga turq dhe të tjerët nga zotërit vendas. Atje shihen edhe spahinj, që janë vëllezër; një është i krishterë dhe tjetri mysliman. Padyshim, ai që ishte mysliman duhej të ishte më i privilegjuar, por përsëri nuk ishte e detyrueshme të ishe mysliman për të patur të drejtën e zotërimit të timarit.
    Deri në fillim të shekullit XVII popullsia e krishterë ishte dominuese. Por ky shekull do të ishte një nga periudhat më tragjike në historinë e popullit shqiptar, sepse ishte shekulli i një ndryshimi radikal në përbërjen e popullsisë shqiptare, duke sjellë ndryshime të mëdha në kulturën dhe psiken e tyre. Mendohet se në këtë shekull u kthyen në myslimanë rreth treqind mijë shqiptarë. Arsyet kryesore ishin: përbuzja, keqtrajtimi, diskriminimi, sistemi i rëndë fiskal, si edhe dëshira për të patur përfitime. Por, nuk përjashtohen edhe arsye të tjera, personale apo kolektive, si edhe karakteri dhe psikologjia e shqiptarëve. Një shkak tjetër i rëndësishëm ka qenë edhe shkatërrimi i madh i kulturës së krishterë që u bë gjatë luftrave shqiptaro-turke në shekujt XV-XVI, në të cilat u shkatërruan kisha e manastire, biblioteka dhe kronika, që do të ishin mjaft të vlefshme, jo vetëm për studimet e sotme historike, por edhe për ruajtjen e ndërgjegjes historike të shqiptarëve. Vendi mbeti thuajse pa klerikë dhe ata që mbetën, shpesh ishin të pakualifikuar. Një pjesë e popullsisë kthehej vetëm për shkak të disa grindjeve me klerin.
    Gjatë këtij kthimi jo të gjithë ishin bërë myslimanë përnjëherë. Gjithashtu kishte shumë familje, që kishin anëtarë nga të dy fetë. Në shumë raste kthehej vetëm kryetari i familjes, i cili kishte marrëdhëniet fiskale me autoritetet turke. Në vendet ku islami zuri vend më shumë, ishte më kompakt dhe ku aktiviteti i klerit myslyman ishte më i madh, si p.sh. në Shqipërinë e Mesme, procesi i kriptokrishtërimin nuk zgjati për një kohë të gjatë. Ndërsa në zonat veriore dhe jugore procesi vazhdoi më gjatë. Po ashtu kalimi nga kthimi formal në praktikimin e besimit kërkoi disa breza. Gjatë kësaj kohe praktikat e mëparshme vazhdonin të mbaheshin dhe mbetën si një faktor i rëndësishëm në substratin kulturor të popullit shqiptar.

    III

    Procesi i islamizimit në veriun e Shqipërisë ndoqi një rrugë pak më të ndryshme se ajo e Shqipërisë së Jugut. Në vitin 1610 popullsia katolike në Shqipërinë e Veriut në krahasim me atë myslimane ishte dhjetë me një. Në një dokument të arkivit të Vatikanit, të publikuar nga F. Cordignano thuhet se: “…të gjithë shqiptarët dëshirojnë të çlirohen nga zgjedha turke dhe këtë ata mund ta bëjnë vetë, sepse vetëm një tridhjeta e tyre janë turq (myslimanë) dhe të tjetrët të krishterë.” Cordignano mendon se dokumenti është shkruar në fund të shekullit XVI, ose në fillim të shek. XVII. Gradualisht numuri i myslimanëve fillon e shtohet. Shkaqet janë të ndryshme, por më të dukshmet ishin: shtypja, dëshira për t’i shpëtuar taksave dhe për të patur përfitime të ndryshme, si dhe mungesa e madhe e priftërinjve. Por, një pjesë e madhe e të kthyerve në islamizëm, e mbanin përsëri fenë e parë. Këtë e vërteton edhe urdhëri perandorak i 5 nëntorit 1568, në të cilin tregohet se banorët e krahinës së Pukës, ndonëse ishin kthyer formalisht në myslimanë, nuk i respektonin urdhërimet e islamit, por vazhdonin t’i kryenin me përpikmëri shërbesat e krishtera: martesat i bënin në kishë, fëmijët i pagëzonin në fillim me prift, pastaj u vinin një emër mysliman, ose u vinin dy emra një të krishterë dhe një mysliman dhe vajzat i martonin me të krishterë.
    Përmendja e parë e kriptokrishtërimit tek katolikët vjen prej vitit 1610, por fenomeni padyshim duhet të ketë ekzistuar edhe më parë. Në relacionin e kryepeshkopit të Tivarit, Marin Bicit, drejtuar papës Pavli V, jepet një përshkrim i gjendjes fetare të Shqipërisë së Veriut dhe të Mesme nën pushtimin turk. Mbasi ka hasur në shumë të krishterë, që për t’i shpëtuar taksave ose për arsye të tjera, ishin kthyer myslimanë dhe përsëri e kishin mbajtur besimin e krishterë në zemrat e tyre, ai shkruan: “Dhe me këta të mjerë, që në zemër të tyre besojnë se, prej frikës ndaj njerëzve, mund të ushtrojnë muhametizmin, duke mbajtur në zemër besimin e krishterë janë të mbushura shtetet otomane, sidomos në Shqipëri.” (italikët tonat) Po ashtu, edhe në relacionin e kryepeshkopit të Tivarit, Pjetër Mazrekut, drejtuar Prop. Fide shkruhet: “Ky (Hasi, krahinë në veri-lindje) banohet nga një numër i pakufi shqiptarësh nështetas të turkut, në mënyrë që, me qenë se dukagjinasit nuk duan të quhen vasalë të turkut as për titull të vasalazhit, as për detyrë të haraçit, kështu që këta (të Hasit) kaq fort qenë marrë me të keq sa që shumë ose pothuaj të gjithë (sikurse e kemi shënuar gjetiu) janë bërë turq (myslimanë), duke ndryshuar vetëm emrin, pa patur ndërmend që ta mohojnë fenë me zemër.” (italikët tonat) Po të njëjtën gjë shkruan edhe At Grigor Mazrreku në relacionin e tij (1650-51) dërguar Kongregacionit të shenjtë, për gjendjen fetare në rrethinat e Prizrenit: “Në të gjitha fshatrat gjenden të krishterë, në mos burra, gra. Ata që kanë mohuar besimin pendohen shumë për gabimin e bërë dhe thonë se kemi humbur mëshirën e Zotit dhe kurrë nuk mund të nxjerrim mëshirë, sepse kemi bërë faj kaq të madh, që me qenë felëshues; që është mëkati kundër Shpirtit të Shenjtë. Disa thonë, e janë shumë, se me zemër jemi të krishterë, vetëm kemi ndryshuar emrin, sepse nuk mundemi të pagujmë taksat e vendosuri mbi ne nga turqit.” (italikët tonat) Edhe në relacionin e kryepeshkopit të Tivarit, Imzot Vinçens Zmajeviq (1703), jepen dëshmi të shumta për praninë e kriptokrishterëve kudo në Shqipërinë e Veriut dhe të Mesme. Shqiptarët i quanin kriptokrishterët e veriut laramana.
    Shekulli i XVII ishte shekulli kur popullsia katolike në Veri po pakësohej dhe po rriteshin të kthyerit në myslimanë dhe të kriptokrishterë. Shkaqet ishin si ekonomike, ashtu edhe social-politike. Sistemi taksor i ispenxhës dhe i xhizjes ishte një barrë e rëndë për të krishterët nën sundimin turk. Gjithashtu këto detyrime taksore u bënë një mjet shtrëngues për t’i detyruar të krishterët të pranonin fenë myslimane. Për t’i shpëtuar këtyre, të krishterët shpesh shpalleshin myslimanë, por duke praktikuar në fshehtësi besimin e krishterë. Por tek ata vazhdonte praktika e përmendur më sipër: ata i bënin martesat sipas ritit të krishterë dhe fëmijët i pagëzonin me prift, pastaj u vinin emra myslimanë; po ashtu një pjesë e madhe e tyre i vinin dy emra, një të krishterë dhe një mysliman dhe vajzat e tyre i martonin me të krishterë. Martesat ndërfetare, ku në pjesën më të madhe gratë e mbanin besimin e krishterë, si edhe vetëdija e të qenurit më parë të krishterë, në shumicën e rasteve ishin një faktor i rëndësishëm për krijimin e një marrëdhënie të mirë ndërmjet anëtarëve të dy feve.
    Faktorët politikë ndikuan gjithashtu për të rritur presionin e kthimit. Perandoria otomane, në luftë me Venedikun dhe perandorinë Austriake, dy vende katolike, i shikonte katolikët shqiptarë si kundërshtarë. Me rritjen e shtypjes u rrit edhe fenomeni i kriptokrishtërimit. Ky u bë një problem për klerin katolik dhe për këtë arsye pati shumë diskutime, se si duhej të trajtoheshin kriptokrishterët: A duhej t’i jepeshin sakramentet atyre apo jo? Sinode të ndryshëm provincialë dhe Kongregacioni Propoganda Fide vendosën të mos u jepnin kriptokrishterëve sakramentet. Këta të fundit, sidomos ata që ishin në rrethinat e Pejës, Gjakovës dhe Prizrenit u zemëruan shumë nga ky vendim dhe filluan t’i persekutonin katolikët më shumë edhe sesa i persekutonin vetë myslimanët. Aktet e Kuvendit të Arbërit, i mbajtur në 1703, japin të dhëna të rëndësishme për gjendjen fetare të Shqipërisë së Veriut dhe mbi shkaqet e kthimit të fesë dhe të problemit të kriptokrishterëvë.
    Kriptokrishterët vazhduan të ekzistojnë në veri në shumë zona. Në raportin e kryepeshkopit Pjetër Shala të vitit 1834 thuhet: “Kyepeshkopata e Shkupit ka: 732 familje katolike, 5778 shpirtra dhe janë shpërndarë 452 kungime. Kryepeshkopata ka 1200 (njëmijë e dyqind) familje kriptokatolike të cilëve u është ndaluar të marrin pjesë në sakramentet e shumta, për shkak se ata vetë ose të parët e tyre, për t’iu shmangur tatimeve dhe reprezaljeve të ndryshme u detyruan të merrnin emra muhamedanë”. Ndërsa peshkopi i Lezhës, Imz. Ivan Topich shkruante se numuri i familjeve kriptokrishtera ishte tre mijë. Kur sulltani shpalli lirinë e besimit në reformat e Tanzimatit (1839-1846), disa fshatra në veri të Shkupit vendosën të mos rrinin më të fshehur por ta shpallnin hapur besimin e tyre të krishterë. Për këtë veprim të tyre ata u persekutuan mizorisht. Prania e kriptokrishterëve në zonat për rreth Shkupit dëshmohet edhe në 1893 dhe në rrethinat e Pejës në 1911 dhe madje në Kosovë edhe në ditët tona.
    Gjithashtu vlen të përmendet rasti i Lurës, ku përzierja dhe bashkëjetesa ndërmjet të krishterëve dhe myslimanëve është më e dukshme se në çdo vend tjetër të veriut të Shqipërisë. Madje atje ka edhe familje, ku një pjesë është e krishterë dhe pjesa tjetër myslimane. Ndërmartesat atje janë më të shpeshta se në çdo vend tjetër të Shqipërisë. Pothuaj e gjithë Lura i feston festat e mëdha të të krishterëve dhe të myslimanëve, në të cilat përfshihen anëtarët e të dy besimeve. Raportohet se familja Doci e përbërë nga 31 anëtarë, 14 prej tyre ishin myslimanë dhe 17 të tjerët të krishterë. Kanë jetuar në këtë përbërje deri në 1966. Familje të tilla ka patur shumë, të cilat i kryenin ritet fetare sipas përkatësisë së anëtarëve. Kjo përbashkësi dhe afërsi e gjatë krijoi një tolerancë dhe mirëkuptim të ndërsjelltë dhe nuk lejonte “huajësimin” e tjetrit. Një faktor i rëndësishëm në këtë bashkëjetesë ishte se zakonet, traditat, etika, psikologjia dhe mentaliteti është pothuaj i njëllojtë tek të dy përkatësitë fetare. Jo vetëm në Lurë, por edhe Nikaj e Mërtur në dioqezën e Pultit dhe në Selitë, Bajzë dhe Bishkash, në kryepeshkopatën e Durrësit, kleri raporton për martesat e përziera edhe në fillim të këtij shekulli. Po ashtu edhe në Pejë, Gjakovë, Drenicë dhe tek shqiptarët e Malit të Zi. Një studim i bërë për popullsinë e Maqedonisë Perëndimore, e cila është kryesisht shqiptare, tregon për praninë e madhe të kriptokrishterimit jo të vetëdijshëm. Festa të ndryshme përmbajnë gjurmë krejtësisht të dukshme të festave të krishtera dhe të rujtjes së mentalitetit dhe etikës së krishterë. Ndonëse në Lurë ky fenomen është më i dukshëm, ai shihet pothuaj në të gjithë territorin ku banojnë shqiptarë dhe, sidomos në substratin kulturor të të gjithë shqiptarëve.

    IV

    Në kohën e pushtimit dhe mbas pushtimit turk, Shqipëria e Jugut dhe e Mesme ishte pothuaj e gjitha e besimit ortodoks; kështu që situata ishte pak më e ndryshme nga ajo në veri. Meqenëse shumica më e madhe e popullsisë së krishterë nën sundimin otoman ishte ortodokse, Mehmeti II, për të siguruar përkrahjen e tyre, e shpalli veten mbrojtës të tyre dhe për këtë qëllim i dha Patrikut Ekumenik të Stambollit të gjithë të drejtat që kishte patur më parë. Madje në sistemin turk të mileteve, Patriku mori edhe një pjesë të pushtetit temporal mbi ortodoksët e perandorisë. Duke mos patur ndonjë frikë nga një sulm i një fuqie të jashtme ortodokse, turqit treguan një tolerancë relative ndaj të krishterëve ortodoksë, madje kështu ata mund të shfrytëzoheshin më mirë se “besimtarët e vërtetë”. Por edhe kjo tolerancë nuk duhet idealizuar. Presioni për t’u kthyer në myslimanë ishte vazhdimisht i pranishëm, ndonëse në fillim përdorimi i forcës për të realizuar këtë ishte më i kufizuar. Në shekullin XVI të krishterët përbënin shumicën e popullsisë në të gjithë jugun e Shqipërisë. Në defterin e botuar nga H. Inalxhik, dëshmohet se rreth vitit 1510 në qarkun e Vlorës ishin 1206 familje myslimane dhe 14304 të krishtera, në qarkun e Gjirokastrës vetëm 53 familje myslimane dhe 12257 të krishtera. I njëjti raport duhet të ishte në pjesën më të madhe të Shqipërisë së Jugut.
    Presioni për kthim filloi të rritet në shekullin e shtatëmbëdhjetë dhe sidomos mbas luftrave ruso-turke të shekullit të tetëmbëdhjetë. Turqit filluan të shikonin në popullsinë ortodokse një aleat të rusëve dhe e shtuan përpjekjen për kthimin e detyruar. Dekadenca e perandorisë dhe korruptimi i pushtetarëve krahinorë e shtonte akoma më shumë shtypjen dhe presionin. Mungesa e madhe e priftërinjëve ishte gjithashtu një tjetër faktor për kthimin në masë. Por gjithmonë arsyeja kryesore ishte keqtrajtimi, diskriminimi dhe tatimi. Kështu që shumë të krishterë për t’i shpëtuar keqtrajtimit dhe taksave filluan të ktheheshin në myslimanë. Kthimi i ortodoksëve në islamizëm mori përmasa të mëdha në shekullin XVIII. Procesi i kthimit, ashtu si edhe në veri, bashkëshoqërohej shpesh me atë të kriptokrishtërimit. Një prift-murg nga Voskopoja, Nektar Tërpo (1685?-1732?), më vonë igumen në manastirin e Ardenicës, shkroi një libër të titulluar Një Libër i quajtur Besim, ku i bën thirrje ortodoksëve të Shqipërisë që të ruajnë besimin e të parëve. Në atë libër At Nektar Tërpo i kundërvihet gjithashtu fenomenit të kriptokrishtërimit. Ai i qorton rëndë të gjithë ata që iu “japin fëmijëve një emër turk (mysliman) për të mos paguar taksat” . Për të përballuar presionin e taksave të vëna nga turqit, ai i porosit të krishterët të punojnë më shumë, të kursejnë më shumë, të shmangin lluksin dhe të hanë më pak. Gjithashtu për At Nektarin është e papranueshme që ata gjatë ditës të jenë si myslimanë dhe ndërkohë të mbajnë praktikat e krishtera, të bëjnë kryqin në fshehtësi dhe të shkojnë në kishë gjatë natës. “Kryej të gjitha detyrimet e tua të krishtera haptas, në dritën e diellit, që gjithsecili të të shohë që po shkon në kishë ndërsa je akoma gjallë.” Një episod nga jeta e At Nektar Tërpos na e sjell më të gjallë procesin e dhimbshëm të kthimit, i cili shkaktonte jo rrallë trazira dhe grindje, si familjare, ashtu edhe sociale. Ditën e Krishtlindjes 1742, ai po vizitonte fshatin Dragoti në krahinën e Elbasanit. “Duke hyrë në kishë”, tregon ai më vonë, “gjeta rreth njëqind e njëzet gra dhe rreth pesëmbëdhjetë burra. U hidhërova shumë për shkak të numurit të vogël të burrave. I kisha pyetur më parë dhe më kishin thënë se të gjithë të tjerët (mjerisht!) ishin bërë myslimanë. Unë iu thashë atyre atë që Perëndia më frymëzoi t’iu thosha.” I zemëruar At Nektari foli kundër islamit. Mbas shërbesave, disa myslimanë po prisnin jashtë dhe, kur ai doli ata iu sulën dhe e rrahën pa mëshirë, aq shumë, sa që dora e tij mbeti e dëmtuar përgjithmonë. Ai tregon se dhjaku i kishës u sul për ta ndihmuar, por të gjitha gratë i dolën para dhe nuk e lanë. At Nektari shkruan se ato bënë mirë, ngaqë kjo do të kishte shkaktuar akoma më shumë trazira në fshat. Madje prifti i devotshëm i ndaloi të krishterët të hakmerreshin për këtë. Dhe kjo po ndodhte ndërmjet njerëzish të afërt.
    Një tjetër valë e kthimit ndodhi gjatë sundimit të Ali Pashë Tepelenës. Shumë fshatra të Gjirokastrës, Tepelenës, Përmetit, Vlorës e Sarandës u kthyen në këtë kohë, sidomos mbas masakrës që ai bëri ndaj të krishterëve ortodoksë në Shën Vasil dhe Nivicë-Bubar, në 1798. Një pjesë e madhe e këtyre fshatrave, të kthyer nga frika, e ruajtën përsëri besimin e krishterë. Gjatë udhëtimit të tij nëpër Shqipëri, në shekullin XIX, udhëtari dhe studjuesi francez Ami Boué shkruan për ekzistencën e kriptokrishterëve në krahinën e Labërisë, të cilët ndonëse mbanin emra myslimanë, në fshehtësi ishin ortodoksë. Në Labëri, sidomos në Dukat, kemi gjithashtu shumë martesa ndërmjet të krishterëve dhe myslimanëve, gjë që krijonte një lidhje ndërmjet tyre dhe e mbante të gjallë vetëdijen e të qenurit të krishterë. Ndonëse në pjesën më të madhe të krahinës së sipërpërmendur vetëdija e të qenurit i krishterë sot pothuajse ka humbur, përsëri vetëdija se ishin të krishterë është mjaft e fortë dhe në disa raste haset edhe sot një lloj pranimi i krishtërimit. Akoma edhe sot, ruhen jo vetëm mbiemra të krishterë, por edhe emra.
    Kthimi i sipërfaqshëm nuk kishte krijuar ndryshime të mëdha në popullsinë e Shqipërisë së Jugut. Të krishterët dhe myslimanët nuk dallonin shumë nga njëri-tjetri. Një udhëtar anglez, J. C. Hobhouse, i cili e vizitoi Shqipërinë e Jugut së bashku me Lord Bajronin, shkruan kështu: “Nuk ka dyshim se të krishterët që mund të quhen shqiptarë... janë krejtësisht të padallueshëm nga myslimanët.” Islamizimi nuk solli ndryshime të rëndësishme në mënyrën e jetesës, në zakonet, ndërtimet, gjendjen e gruas dhe në mentalitetin e banorëve të Shqipërisë së Jugut.
    Rasti i Shpatit është mjaft i njohur, si brenda Shqipërisë, ashtu edhe jashtë saj. Kjo mund të dëshmohet nga literatura e madhe që është shkruar për këtë, duke filluar nga shekulli XIX. Fshatarët e kësaj krahine për të shmangur pagimin e taksave ishin shpallur si myslimanë dhe po kështu shikoheshin edhe nga autoritetet turke. Ne nuk e dimë me saktësi kohën se kur këto fshatra u bënë kriptokrishterë, por ka shumë mundësi ndoshta në kohën e luftrave ruso-turke. Udhëtarja e dëgjuar Edit Durham shkruan për kriptokrishterët e Shpatit: “Malësia e Shpatit në afërsi të Elbasanit banohet nga një popullsi malësorësh të cilët në shumë aspekte, u ngjasin malësorëve të Veriut dhe qëndrojnë pjesërisht të pavarur. Ata nga të krishterët konsiderohen si të krishterë të fshehtë. Në zonën që vizitova nuk pashë asnjë kishë apo xhami. Dhe secili kishte dy emra. Përballë një myslimani quhej Sulejman, përballë një të krishteri Kostandin. Në rast se u kërkoheshin taksa, sepse si të krishterë nuk duhej të bënin shërbimin ushtarak, e refuzonin këtë me arsyetimin se kishin emra myslymanë dhe nuk kishin kisha. Si pasojë duhet të rekrutoheshin në ushtri, por atëherë ata hiqeshin si të krishterë. Dhe turqit në më të shumtën e rasteve nuk i trazonin.” Në vitin 1846, me dekretimin e lirisë së besimit nga sulltani, shpatarakët e shpallën veten publikisht si të krishterë. Kjo pati për ata pasoja dhe u bënë disa arrestime. Problemi i tyre u zgjidh përfundimisht, në shpalljen e pavarësisë në 1912, kur ata e deklaruar veten zyrtarisht të krishterë ortodoksë, megjithë përpjekjet që ishin bërë për t’i kthyer në katolikë.

    V

    Një tjetër fenomen i rëndësishëm për problemin që po flasim është edhe prania masive e Bektashinjve në Shqipëri. Në asnjë vend tjetër të Ballkanit nuk u përhap Bektashizmi si në Shqipëri. Bektashizmi është një sekt panteist islam i dalë nga Islami Shiá , i themeluar nga Haxhi Bektashi, një mistik persian, i lindur në Nishapur, në 1248. I frymëzuar nga një mistik tjetër, Ahmed Jeseviu, ai shkoi dhe u vendos në Sulixhe Karayjyk, në Azinë e Vogël dhe aty themeloi teqenë e tij. E përmendëm këtë për të treguar se trevat dhe doktrinat në të cilat u mbrujt Haxhi Bektashi, ishin treva ku ndërthurreshin kontaktet ndërmjet krishtërimit, islamit, budizmit, shamanizmit dhe shumë mbetjeve të doktrinave të ndryshme mistike e gnostike. Bektashinjtë ishin mjaft tolerantë dhe të hapur me jomyslimanët. Mospasja e një doktrine të dogmatizuar e bënte të lehtë pranimin e të tjerëve dhe nuk nxiste fanatizmin. Pikat e përbashkëta me krishtërimin e bënin atë si një lloj ure të kalimit të të krishterëve në islamizëm. Një provë e kësaj është edhe lidhja me jeniçerët, të cilët vinin nga të krishterët. Afërsia ndërmjet praktikave të bektashinjve dhe të krishterëve duhet të studjohet akoma më shumë. Kjo do të shpjegonte më qartë arsyen e përhapjes së bektashizmit tek ne. Bektashijtë kanë një strukturë hierarkike të ngjashme me të krishterët: Gjyshi-Peshkopi, Babai-Ati (prifti), Dervishi-Dhjaku. Ndarja në gjyshata është e njëjtë me ndarjen në peshkopata (gjysh-gjyshatë, peshkop-peshkopatë). Ata kanë një lloj mirosje (krezmimi) që bëhej me ujë trëndafili; një kungatë me verë, bukë dhe djathë; një lloj rrëfim-pendimi i shoqëruar me një lloj urate ndjese dhe diçka të ngjashme me çkishërimin. Gjithashtu bektashinjtë ishin më liberalë me ndalimet kuranore, si pirja e alkolit dhe mbajtja e ramazanit. Të krishterët duhej të ndjeheshin më familjarë duke pranuar bektashizmin, sepse edhe nuk hynin në konflikt me islamizmin zyrtar dhe në të njëjtën kohë mund të mbanin shumë nga praktikat e tyre. Po ashtu prania e ikonave, nderimi i shumë shenjtorëve ortodoksë, ndonëse shpesh me emra të tjerë, mund të ishte për të krishterët deri në një farë mase një qetësim për ndërgjegjen e tyre.
    Sipas traditës bektashiane përhapja e tyre në Shqipëri fillon në shekullin XV, por evidenca e parë historike për ekzistencën një teqeje (ajo e Kaninës) vjen në shekullin XVII. Një përhapje të madhe bektashizmi pati në kohën e Ali Pashë Tepelenës, i cili ishte edhe vetë bektashi, sidomos në Jugun e Shqipërisë dhe në Krujë. Në Veri ai u luftua shumë nga Bushatllinjtë, të cilët i shikonin dervishët bektashinj si agjentë të Ali Pashës. Të ndjekur nga Turqia, ata e bënë Shqipërinë qëndrën e tyre. Përsa i përket numurit të tyre nuk ka statistika të sakta, por në vitin 1933, kryegjyshi Sali Niazi Dedej, në një bisedë me studjuesin e njohur të bektashizmit, J.K Birge, tha se ata ishin në Shqipëri rreth 200.000, një numër i madh për popullsinë e atëhershme shqiptare, rreth 20% e popullsisë.

    VI

    Në procesin e islamizimit para shqiptarëve nuk ishin shtruar alternativa radikale. Siç e kemi theksuar më sipër, pranimi i islamit nuk erdhi kryesisht si rezultat i një bindjeje të brendshme dhe autoritetet turke shpesh mjaftoheshin vetëm me një pohim të jashtëm. Kështu që besimi i ri, që ishte më shumë i imponuar, nuk u ngul thellë dhe nuk solli ndryshim të madh kulturor, etik dhe psikologjik në mënyrën e të jetuarit dhe të menduarit, ndonëse nuk mund të përjashtohen disa ndryshime, që ishin të pashmangshme.
    Ndonëse për këtë duhen bërë studime akoma më të detajuara, përsëri ne kemi shumë fakte për ta mbështetur këtë. Ndërmjet krahinave të Sulit dhe Himarës së krishterë dhe Labërisë dhe Skraparit (ku kriptokrishtërimi dhe bektashizmi ishin të pranishëm) nuk kishte ndryshime rrënjësore. Kjo mund të thuhet edhe për Mirditën dhe Matin, Pukën dhe Dibrën, etj. Shqiptarët e kthyer në islamizëm ruajtën shumë nga besimi dhe etika e tyre e mëparshme e krishterë, ngaqë ato ishin rrënjosur thellë dhe vazhdonin përsëri të ndikonin jetën dhe zakonet. Monogamia mbeti përsëri; rrallë mund të kishte ndonjë bigami dhe pothuaj kurrë poligami, për arsyen sepse shihej si diçka jo etikisht e rregullt. Ndonëse mentaliteti shqiptar u ndikua nga fatalizmi lindor, përsëri u ruajt individualiteti psikologjik dhe ideja e dëshira e përpjekjes për ndryshime.

    Ne e dimë nga historia se pranimi i vullnetshëm i një feje tjetër, shoqërohet me një ndryshim radikal social-kulturor. Shumë popuj para dhe mbas krishtërimit paraqiten krejtësisht të ndryshëm. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me popujt që përqafuan fe të tjera. Ndërsa në Shqipëri, megjithë ndyshimet që solli kthimi në masë në islamizëm, i cili krijoi një ndarje fetare ndërmjet shqiptarëve dhe dëmtoi deri diku unitetin kulturor, përsëri nuk u bë një huajësim i plotë ndërmjet tyre. Kjo i atribuohet shkaqeve që kemi shtjelluar gjatë këtij artikulli: kthimi i sipërfaqshëm, lidhja e gjakut ndërmjet tyre, ndërmartesat, bashkëfestimi i disa festave fetare, kriptokrishtërimi dhe prania e bektashinjve. Këto ishin jo vetëm një pengesë për mos shpërthimin e fanatizmit, por edhe për mos krijimin e ndryshimeve radikale dhe dy ndërgjegjeve kulturore krejtësisht të ndryshme.
    Ndryshuar për herë të fundit nga Albo : 20-12-2006 më 22:51

  2. #2
    i/e regjistruar Maska e Akili-A
    Anëtarësuar
    06-11-2006
    Postime
    2,962
    Shume interesante si analize.........
    eshte nje kendveshtrim qe nuk e ka prekur njeri kaq thelle.....

Tema të Ngjashme

  1. Si mund të ulet ndikimi grek në shqipëri ?
    Nga Anton në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 192
    Postimi i Fundit: 14-08-2011, 17:46
  2. Esse dhe artikuj të muslimanëve
    Nga ORIONI në forumin Komuniteti musliman
    Përgjigje: 35
    Postimi i Fundit: 09-12-2010, 09:31
  3. Kryepeshkopi Anastas ende pret nënshtetësinë shqiptare
    Nga Arrnubi në forumin Toleranca fetare
    Përgjigje: 130
    Postimi i Fundit: 19-08-2009, 07:39
  4. Guerilasit e LANC
    Nga Tannhauser në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 28
    Postimi i Fundit: 21-04-2007, 14:12
  5. Debat mes anti liberalëve dhe liberalëve
    Nga liridashes në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 1
    Postimi i Fundit: 22-03-2005, 19:26

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •