Bashkë me një komshi plagoset edhe i nipi. Zhduken dy autorët
Masakër te Pusi i Mezinit, vritet i forti Shpëtim Muka
Vlore / Qemal Biraku
Kanë lëvizur gjatë gjithë ditës të maskuar me kapele dhe syze dielli të errëta. Askujt në lagjen Pusi i Mezinit nuk i shkonte ndërmend, se në mesditë do të bëheshin dëshmitarë të një masakre.
Me automatikun me fishek në gojë, pranë dritares së Mercedesit, dy të rinjtë që kishin si objektiv një vrasje të menduar në detaje nuk kanë lëvizur nga lagjja deri në orën 15:00, pikërisht kur edhe Shpëtim Muka do të dilte nga shtëpia e tij. Ky ishte edhe shënjestrat e tyre, të cilën nuk do ta humbitnin, qoftë edhe duke shënuar dy viktima të tjera përveç tij. Trupi i bërë shoshë, i një njeriut të njohur si mjaft problematik për policinë e Vlorës, do të qëndronte për dy orë në vendngjarje, derisa policia të kryente të gjitha veprimet. Sipas pistës së parë të hetuar nga policia, kjo vrasje ka lidhje me ekzekutimin e Leonora Ramës, pasi Muka është edhe daja i vrasësit të saj.
Ekzekutimi
I veshur me rroba ushtarake, Shpëtim Muka ka dalë nga banesa e tij në lagjen Pusi i Mezinit, rreth orës 15:00. Ka përshkuar rreth 8 metra dhe është ulur në pragun e një ndërtese përballë shtëpisë së tij. Brenda pak sekondash, ai është gjendur nën shoqërinë e Ervin Shehut, 24 vjeç, banor i lagjes dhe nipit të tij, Ervis Zahaj, 19 vjeç. E ndërkohë që mes tre shokëve ka nisur muhabeti, asnjë nuk e ka pasur mendjen te Mercedesi i ri që u ka kaluar përpara. Sapo automjeti ka përshkuar disa dhjetëra metra është kthyer sërish, në atë mënyrë që dritarja e pasagjerit këtë radhë të ishte nga ana e tre personave të ulur në pragun e gurtë. Këtë radhë me një shpejtësi të madhe, Mercedesi ka ardhur në drejtim të tyre, ka frenuar zhurmshëm dhe një grykë automatiku ka vjellë zjarr mbi ta. Menjëherë Shpëtim Muka dhe Ervin Shehu janë shtrirë përdhe të larë në gjak, ndërkohë që Ervis Zahaj ka pasur mundësi të vrapojë në drejtim të shtëpisë. Por “killerat” nuk janë të treguar të pavëmendshëm dhe kanë hapur zjarr edhe ndaj 19-vjeçarit. Fatmirësisht, ai vetëm sa është plagosur në kofshën e djathtë dhe ka mundur të futet brenda në shtëpi. Brenda pak sekondave, Mercedesi i zi është zhdukur pa lënë gjurmë.
Hetimet
Megjithëse furgonët e policisë, që mbërritën shumë shpejt në vendngjarje, transportuan Shehun dhe Zahajn drejt spitalit, Shehu nuk ka arritur të mbijetonte nga dy plumbat që kishte marrë, njëri në kokë dhe njëri në gjoks. Trupi i Shpëtim Mukës ka qëndruar përreth dy orë në vendngjarje, derisa janë kryer të gjitha veprimet hetimore. Ekspertët e Mjekësisë Ligjore kanë numëruar 12 plumba në trupin e 41-vjeçarit. Sipas burimeve policore, përtokë kishte shumë pak gëzhoja, pasi pjesa më e madhe e tyre kishin rënë brenda në automjet. E ndërkohë që në vendngjarje vazhdonin veprimet, në radiot e policisë ka qarkulluar lajmi se automjeti i vrasësve është gjetur. Një gjurmë vaji, e cila ka rrjedhur nga dëmtimi i stotokartit, (në momentin kur është marrë kthesa me shpejtësi për t’u kthyer të objektivi), ka tradhtuar dy bashkëpunëtorët në këtë masakër. Burimet nga policia janë të bindur se pikërisht dy ka qenë numri i tyre, mbasi në automjetin e braktisur pranë fshatit Bestrovë janë gjetur dy pistoleta, dy kapele, dy palë syze, dy palë doreza dhe një automatik. Por, ekspertët e Kriminalistikës janë gjithashtu të bindur, se përveç dy ekzekutorëve ka edhe persona të tjerë të implikuar në ngjarje, të cilët së pari kanë sinjalizuar për daljen nga shtëpia e Mukës, si dhe së dyti kanë kryer transportimin e dy vrasësve, pasi kanë braktisur makinën në Bestrovë. Brenda një kohe rekord, nga Tirana ka mbërritur edhe një helikopter me 10 trupa të RENEA-s, të cilët kanë nisur gjurmimin e autorëve, por pa mundur t’i kapin.
Motivet
Përcaktimi i pistës së parë për hetimin e kësaj ngjarjeje nuk ka qenë aspak i vështirë për policinë. Shpëtim Muka ishte daja i Armando Zahajt. Djaloshi 16-vjeçar, më 11 nëntor vrau oficeren Leonora Rama, në shenjë hakmarrjeje për vrasjen e të vëllait në Spanjë, ku sipas tij i implikuar ishte djali i Leonorës. (Pra, Muka ishte njëkohësisht edhe daja i të riut të vrarë në Spanjë). Madje edhe Ervis Zahaj, i plagosur, ishte vëllai i Armandos, djali që ekzekutoi oficeren. Kjo pistë, duke marrë në konsideratë edhe numrin e viktimave, ngriti në këmbë të gjithë policinë e Vlorës, duke marrë njerëz në pyetje dhe mbrojtje njëkohësisht. Por të dhënat që arritën të grumbullonin ishin shumë të pakta. Përveç kësaj piste, policia nuk la pa hetuar edhe dy pista të tjera. E para, sipas policisë mund të ketë lidhje me konfliktet e panumërta të Shpëtim Mukës gjatë viteve. Atij i janë vrarë edhe tre vëllezër vite me parë. E dyta mund të ketë lidhje me kërcënimet që u ka bërë Shpëtim Muka tri familjeve vlonjate, të cilat dyshohen se janë të përfshira në vrasjen e nipit të tij në Spanjë, Slejdi Zanaj. Megjithatë, deri tani, policia ende nuk ka arritur të dalë me një komunikatë zyrtare në lidhje me motivin e masakrës së djeshme në “Pusin e Mezinit”.
2 persona
mendohet që të kenë marrë pjesë direkt në ekzekutimin e Shpëtim Mukës në lagjen Pusi i Mezinit, ndërkohë që persona të tjerë kanë ndihmuar në survejimin e viktimës dhe transportin e vrasësve më pas
12 plumba
janë numëruar nga policia në trupin e Shpëtim Mukës, pas breshërisë së derdhur nga Mercedesi i zi. Ndërkohë që i vrari tjetër Shehu, kishte një plumb në kokë dhe një në gjoks
2 pistoleta
janë gjendur në Mercedesin që kishin braktisur autorët e vrasjes, bashkë me një automatik, dy palë doreza, dy palë syze, dy kapele dhe një numër të konsiderueshëm fishekësh
Ekzekutimi i oficeres Leonora Rama
Mesditën e 11 nëntorit, Leonora Rama, 47 vjeçe, qëllohet për vdekje me 6 plumba pistolete, teksa po ecte në qendër të Vlorës me të bijën dhe një kushërirën e saj. Oficerja e marinës ishte ndjekur në të gjitha lëvizjet që kishte kryer atë të shtunë nga autori i krimit, 16-vjeçari Armando Zanaj. Adoleshenti kishte vënë një maskë në kokë e syze për të mos u dalluar nga fytyra dhe kur i është afruar kalimtarëve ka qëlluar Ramën. Ai është larguar, pasi ka zbrazur mbi gruan të gjithë plumbat, në sy të vajzës së viktimës dhe dëshmitarëve të shumtë të krimit. Policia e Vlorës arriti të zbulonte në kohë shumë të shkurtër se autori ishte vëllai i një të riu të vrarë në Barcelonë. Si ekzekutor i Slejdi Zanajt dyshohej Sokoli, djali i Leonora Ramës dhe sipas hetuesve, vrasja e gruas ndodhi për hakmarrje. Vetë adoleshenti, i arrestuar 5 orë pas vrasjes ka pranuar vrasjen për të marrë gjakun e të vëllait.
Kush ishte Shpëtim Muka
Shpëtim Muka, 41 vjeç, ishte një personazh i njohur në lagjen “11 Janari”, ose siç njihet ndryshe “Pusi i Mezinit”. I martuar dhe baba i tre fëmijëve, Shpëtim Muka ka qenë “mysafir” me dhjetëra herë në qelitë e paraburgimit të Vlorës. Sipas skedarëve të këtij institucioni, ai ka qenë shpesh herë i dyshuari kryesor për disa vrasje të ndodhura në Vlorë, por që asnjëherë nuk janë zbardhur. Gjithashtu, ai ka qenë edhe person i përfshirë në mjaft konflikte. Disa vite më parë, atij i janë vrarë tre vëllezër, ndërkohë që pak kohë më parë në Spanjë i ekzekutohet edhe nipi. Madje, pas kësaj vrasje, policia bën të ditur se ai kishte kërcënuar për hakmarrje tri familje vlonjate, që mund të kishin gisht në këtë ekzekutim.
Ekzekutimi në Barcelonë, shpallet në kërkim i dyshuari, bllokohen dy makinat e krimit
“Vrasjet në Vlorë pas sherrit në Spanjë”
Policia: Seriali filloi pas atentatit për drogën në Barcelonë
Ekzekutimi i një shqiptari në Barcelonë të Spanjës dyshohet të jetë shkaku i vrasjeve që kanë ndodhur së fundi në Vlorë.
Pasi kanë verifikuar me imtësi zinxhirin e ngjarjeve, hetuesit e policisë kanë zbuluar edhe motivin për të cilin dyshohet se ka filluar konflikti. Burime zyrtare të policisë thanë se rreth një muaj më parë në kryeqytetin spanjoll është vrarë një shqiptar nga Vlora. Ky person rezulton të jetë i afërm me njërin prej personave të vrarë dje në qytetin e Vlorës. Motivi i dyshuar i krimit të ndodhur një muaj më parë mendohet se ka qenë rivaliteti mes disa shqiptarëve për të dominuar zonat ku ushtrohet veprimtari e paligjshme. Sipas burimeve zyrtare të policisë shqiptare, të cilat i referohen kontakteve me policinë spanjolle, një grup shqiptarësh u përplasën rreth një muaj më parë në Barcelonë për një rast të trafikimit të drogës. Një person mbeti i vrarë për shkak të këtij konflikti, ndërsa vetëm pak ditë më vonë në Vlorë ndodhi vrasja e oficeres, që sipas policisë ishte hakmarrje për ekzekutimin që kishte ndodhur në Spanjë. Burimet zyrtare nga policia dhe Ministria e Brendshme thanë se autorët e ngjarjes në Barcelonë dhe Vlorë janë skeduar nga policia spanjolle, pasi dyshohet se janë marrë me veprimtari të paligjshme në fushën e trafikut të lëndëve narkotike. “Vrasja e ndodhur në Barcelonë të Spanjës rreth një muaj më parë dyshohet se ka pasur si motiv rivalitetin ose ndërhyrjen në zonat e kontrolluara të trafikut”, janë shprehur burimet zyrtare nga policia shqiptare. Sipas tyre, në bashkëpunim me policinë spanjolle po punohet për përcaktimin e saktë të rolit që kanë pasur në ngjarje shqiptarët me qëndrim në Barcelonë. Policia nuk preferoi të japë të dhëna rreth personit të dyshuar për trafik, por tha se ai është shpallur në kërkim nga Interpoli dhe se pas vrasjes së ndodhur në Barcelonë i janë bllokuar dy makina, një “BMW” e bardhë dhe një “Peugeot” blu.
Konflikti
Mediat spanjolle i kanë kushtuar një hapësirë të konsiderueshme vrasjes së oficeres së Marinës, Leonora Rama në Vlorë. Sipas gazetës “ABC” të Barcelonës, djali i oficeres më 26 tetor 2006 kishte vrarë një shqiptar me qëndrim në Spanjë. Ngjarja kishte ndodhur në rrugën B 140 në kryeqytetin spanjoll, ku policia tha se ka pasur shkëmbim zjarri mes disa shqiptarëve të skeduar në disa veprimtari të dyshimta. Policia spanjolle u ka thënë mediave se shkak i vrasjes së shqiptarit dyshohej se ishin konfliktet e lindura nga shpërndarja e lëndëve narkotike brenda Spanjës. Gazeta “ABC” e Barcelonës nuk sqaron cila palë kishte qenë e përfshirë në trafikun e drogës, por ajo thotë se vrasja që ndodhi më 26 tetor sipas hetuesve ka pasur si motiv konfliktet e lindura për shkak të aktivitetit në fushën e trafikimit të drogës dhe shfrytëzimit të prostitucionit. Gazeta spanjolle ka thënë se policia e Barcelonës ka nisur drejt Shqipërisë një dosje, në të cilën kërkohet informacion për më shumë se tetë persona. Këto të dhëna sipas gazetës kërkohen me qëllim hetimin e plotë të vrasjes së një shqiptari nga Vlora më 26 tetor 2006 në kryeqytetin spanjoll. Policia shqiptare ka konfirmuar se po shkëmben informacione intensive me homologët spanjollë, me qëllim përcaktimin e saktë të personave që janë implikuar në veprimtari të paligjshme, si dhe rolin e të dyshuarve në serialin e ekzekutimeve që ka filluar në Barcelonë dhe është zhvendosur më pas në qytetin e Vlorës. tr.so.
1 muaj
më parë një shqiptar nga Vlora është vrarë nga bashkëkombas të tij në kryeqytetin spanjoll. Policia tha se vrasja kishte për motiv trafiqet
2 makina
janë bllokuar nga policia njërit prej personave të implikuar në vrasjen e shqiptarit në Spanjë. I dyshuari është shpallur në kërkim nga Interpoli
Alibia, Sokol Rama në policinë e Barcelonës
Dje paradite, Sokol Rama është paraqitur në policinë e Barcelonës. Sipas ligjeve vendase gjykata ka vendosur detyrim paraqitje, pasi ai është një ndër të dyshuarit e vrasjes së Slajdi Zahajt. Pikërisht dje, gjatë kohës që breshëritë e automatikut i merrnin jetën dajës dhe plagosnin vëllain e viktimës së Spanjës, Rama është paraqitur në policinë e Barcelonës, duke faktuar kështu edhe alibinë e tij, që nuk ka gisht në vrasjen e Shpëtim Mukës, siç mund të dyshohej pas ekzekutimit të së ëmës.
Panorama
Krijoni Kontakt