Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 5
  1. #1
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,122
    Postimet në Bllog
    17

    Masakra e Vlorës, arrestohet në Madrid, Spanjë, Sokol Rama

    Bashkë me një komshi plagoset edhe i nipi. Zhduken dy autorët


    Masakër te Pusi i Mezinit, vritet i forti Shpëtim Muka

    Vlore / Qemal Biraku

    Kanë lëvizur gjatë gjithë ditës të maskuar me kapele dhe syze dielli të errëta. Askujt në lagjen Pusi i Mezinit nuk i shkonte ndërmend, se në mesditë do të bëheshin dëshmitarë të një masakre.

    Me automatikun me fishek në gojë, pranë dritares së Mercedesit, dy të rinjtë që kishin si objektiv një vrasje të menduar në detaje nuk kanë lëvizur nga lagjja deri në orën 15:00, pikërisht kur edhe Shpëtim Muka do të dilte nga shtëpia e tij. Ky ishte edhe shënjestrat e tyre, të cilën nuk do ta humbitnin, qoftë edhe duke shënuar dy viktima të tjera përveç tij. Trupi i bërë shoshë, i një njeriut të njohur si mjaft problematik për policinë e Vlorës, do të qëndronte për dy orë në vendngjarje, derisa policia të kryente të gjitha veprimet. Sipas pistës së parë të hetuar nga policia, kjo vrasje ka lidhje me ekzekutimin e Leonora Ramës, pasi Muka është edhe daja i vrasësit të saj.

    Ekzekutimi
    I veshur me rroba ushtarake, Shpëtim Muka ka dalë nga banesa e tij në lagjen Pusi i Mezinit, rreth orës 15:00. Ka përshkuar rreth 8 metra dhe është ulur në pragun e një ndërtese përballë shtëpisë së tij. Brenda pak sekondash, ai është gjendur nën shoqërinë e Ervin Shehut, 24 vjeç, banor i lagjes dhe nipit të tij, Ervis Zahaj, 19 vjeç. E ndërkohë që mes tre shokëve ka nisur muhabeti, asnjë nuk e ka pasur mendjen te Mercedesi i ri që u ka kaluar përpara. Sapo automjeti ka përshkuar disa dhjetëra metra është kthyer sërish, në atë mënyrë që dritarja e pasagjerit këtë radhë të ishte nga ana e tre personave të ulur në pragun e gurtë. Këtë radhë me një shpejtësi të madhe, Mercedesi ka ardhur në drejtim të tyre, ka frenuar zhurmshëm dhe një grykë automatiku ka vjellë zjarr mbi ta. Menjëherë Shpëtim Muka dhe Ervin Shehu janë shtrirë përdhe të larë në gjak, ndërkohë që Ervis Zahaj ka pasur mundësi të vrapojë në drejtim të shtëpisë. Por “killerat” nuk janë të treguar të pavëmendshëm dhe kanë hapur zjarr edhe ndaj 19-vjeçarit. Fatmirësisht, ai vetëm sa është plagosur në kofshën e djathtë dhe ka mundur të futet brenda në shtëpi. Brenda pak sekondave, Mercedesi i zi është zhdukur pa lënë gjurmë.

    Hetimet
    Megjithëse furgonët e policisë, që mbërritën shumë shpejt në vendngjarje, transportuan Shehun dhe Zahajn drejt spitalit, Shehu nuk ka arritur të mbijetonte nga dy plumbat që kishte marrë, njëri në kokë dhe njëri në gjoks. Trupi i Shpëtim Mukës ka qëndruar përreth dy orë në vendngjarje, derisa janë kryer të gjitha veprimet hetimore. Ekspertët e Mjekësisë Ligjore kanë numëruar 12 plumba në trupin e 41-vjeçarit. Sipas burimeve policore, përtokë kishte shumë pak gëzhoja, pasi pjesa më e madhe e tyre kishin rënë brenda në automjet. E ndërkohë që në vendngjarje vazhdonin veprimet, në radiot e policisë ka qarkulluar lajmi se automjeti i vrasësve është gjetur. Një gjurmë vaji, e cila ka rrjedhur nga dëmtimi i stotokartit, (në momentin kur është marrë kthesa me shpejtësi për t’u kthyer të objektivi), ka tradhtuar dy bashkëpunëtorët në këtë masakër. Burimet nga policia janë të bindur se pikërisht dy ka qenë numri i tyre, mbasi në automjetin e braktisur pranë fshatit Bestrovë janë gjetur dy pistoleta, dy kapele, dy palë syze, dy palë doreza dhe një automatik. Por, ekspertët e Kriminalistikës janë gjithashtu të bindur, se përveç dy ekzekutorëve ka edhe persona të tjerë të implikuar në ngjarje, të cilët së pari kanë sinjalizuar për daljen nga shtëpia e Mukës, si dhe së dyti kanë kryer transportimin e dy vrasësve, pasi kanë braktisur makinën në Bestrovë. Brenda një kohe rekord, nga Tirana ka mbërritur edhe një helikopter me 10 trupa të RENEA-s, të cilët kanë nisur gjurmimin e autorëve, por pa mundur t’i kapin.

    Motivet
    Përcaktimi i pistës së parë për hetimin e kësaj ngjarjeje nuk ka qenë aspak i vështirë për policinë. Shpëtim Muka ishte daja i Armando Zahajt. Djaloshi 16-vjeçar, më 11 nëntor vrau oficeren Leonora Rama, në shenjë hakmarrjeje për vrasjen e të vëllait në Spanjë, ku sipas tij i implikuar ishte djali i Leonorës. (Pra, Muka ishte njëkohësisht edhe daja i të riut të vrarë në Spanjë). Madje edhe Ervis Zahaj, i plagosur, ishte vëllai i Armandos, djali që ekzekutoi oficeren. Kjo pistë, duke marrë në konsideratë edhe numrin e viktimave, ngriti në këmbë të gjithë policinë e Vlorës, duke marrë njerëz në pyetje dhe mbrojtje njëkohësisht. Por të dhënat që arritën të grumbullonin ishin shumë të pakta. Përveç kësaj piste, policia nuk la pa hetuar edhe dy pista të tjera. E para, sipas policisë mund të ketë lidhje me konfliktet e panumërta të Shpëtim Mukës gjatë viteve. Atij i janë vrarë edhe tre vëllezër vite me parë. E dyta mund të ketë lidhje me kërcënimet që u ka bërë Shpëtim Muka tri familjeve vlonjate, të cilat dyshohen se janë të përfshira në vrasjen e nipit të tij në Spanjë, Slejdi Zanaj. Megjithatë, deri tani, policia ende nuk ka arritur të dalë me një komunikatë zyrtare në lidhje me motivin e masakrës së djeshme në “Pusin e Mezinit”.


    2 persona
    mendohet që të kenë marrë pjesë direkt në ekzekutimin e Shpëtim Mukës në lagjen Pusi i Mezinit, ndërkohë që persona të tjerë kanë ndihmuar në survejimin e viktimës dhe transportin e vrasësve më pas
    12 plumba
    janë numëruar nga policia në trupin e Shpëtim Mukës, pas breshërisë së derdhur nga Mercedesi i zi. Ndërkohë që i vrari tjetër Shehu, kishte një plumb në kokë dhe një në gjoks
    2 pistoleta
    janë gjendur në Mercedesin që kishin braktisur autorët e vrasjes, bashkë me një automatik, dy palë doreza, dy palë syze, dy kapele dhe një numër të konsiderueshëm fishekësh


    Ekzekutimi i oficeres Leonora Rama

    Mesditën e 11 nëntorit, Leonora Rama, 47 vjeçe, qëllohet për vdekje me 6 plumba pistolete, teksa po ecte në qendër të Vlorës me të bijën dhe një kushërirën e saj. Oficerja e marinës ishte ndjekur në të gjitha lëvizjet që kishte kryer atë të shtunë nga autori i krimit, 16-vjeçari Armando Zanaj. Adoleshenti kishte vënë një maskë në kokë e syze për të mos u dalluar nga fytyra dhe kur i është afruar kalimtarëve ka qëlluar Ramën. Ai është larguar, pasi ka zbrazur mbi gruan të gjithë plumbat, në sy të vajzës së viktimës dhe dëshmitarëve të shumtë të krimit. Policia e Vlorës arriti të zbulonte në kohë shumë të shkurtër se autori ishte vëllai i një të riu të vrarë në Barcelonë. Si ekzekutor i Slejdi Zanajt dyshohej Sokoli, djali i Leonora Ramës dhe sipas hetuesve, vrasja e gruas ndodhi për hakmarrje. Vetë adoleshenti, i arrestuar 5 orë pas vrasjes ka pranuar vrasjen për të marrë gjakun e të vëllait.


    Kush ishte Shpëtim Muka

    Shpëtim Muka, 41 vjeç, ishte një personazh i njohur në lagjen “11 Janari”, ose siç njihet ndryshe “Pusi i Mezinit”. I martuar dhe baba i tre fëmijëve, Shpëtim Muka ka qenë “mysafir” me dhjetëra herë në qelitë e paraburgimit të Vlorës. Sipas skedarëve të këtij institucioni, ai ka qenë shpesh herë i dyshuari kryesor për disa vrasje të ndodhura në Vlorë, por që asnjëherë nuk janë zbardhur. Gjithashtu, ai ka qenë edhe person i përfshirë në mjaft konflikte. Disa vite më parë, atij i janë vrarë tre vëllezër, ndërkohë që pak kohë më parë në Spanjë i ekzekutohet edhe nipi. Madje, pas kësaj vrasje, policia bën të ditur se ai kishte kërcënuar për hakmarrje tri familje vlonjate, që mund të kishin gisht në këtë ekzekutim.



    Ekzekutimi në Barcelonë, shpallet në kërkim i dyshuari, bllokohen dy makinat e krimit

    “Vrasjet në Vlorë pas sherrit në Spanjë”
    Policia: Seriali filloi pas atentatit për drogën në Barcelonë


    Ekzekutimi i një shqiptari në Barcelonë të Spanjës dyshohet të jetë shkaku i vrasjeve që kanë ndodhur së fundi në Vlorë.

    Pasi kanë verifikuar me imtësi zinxhirin e ngjarjeve, hetuesit e policisë kanë zbuluar edhe motivin për të cilin dyshohet se ka filluar konflikti. Burime zyrtare të policisë thanë se rreth një muaj më parë në kryeqytetin spanjoll është vrarë një shqiptar nga Vlora. Ky person rezulton të jetë i afërm me njërin prej personave të vrarë dje në qytetin e Vlorës. Motivi i dyshuar i krimit të ndodhur një muaj më parë mendohet se ka qenë rivaliteti mes disa shqiptarëve për të dominuar zonat ku ushtrohet veprimtari e paligjshme. Sipas burimeve zyrtare të policisë shqiptare, të cilat i referohen kontakteve me policinë spanjolle, një grup shqiptarësh u përplasën rreth një muaj më parë në Barcelonë për një rast të trafikimit të drogës. Një person mbeti i vrarë për shkak të këtij konflikti, ndërsa vetëm pak ditë më vonë në Vlorë ndodhi vrasja e oficeres, që sipas policisë ishte hakmarrje për ekzekutimin që kishte ndodhur në Spanjë. Burimet zyrtare nga policia dhe Ministria e Brendshme thanë se autorët e ngjarjes në Barcelonë dhe Vlorë janë skeduar nga policia spanjolle, pasi dyshohet se janë marrë me veprimtari të paligjshme në fushën e trafikut të lëndëve narkotike. “Vrasja e ndodhur në Barcelonë të Spanjës rreth një muaj më parë dyshohet se ka pasur si motiv rivalitetin ose ndërhyrjen në zonat e kontrolluara të trafikut”, janë shprehur burimet zyrtare nga policia shqiptare. Sipas tyre, në bashkëpunim me policinë spanjolle po punohet për përcaktimin e saktë të rolit që kanë pasur në ngjarje shqiptarët me qëndrim në Barcelonë. Policia nuk preferoi të japë të dhëna rreth personit të dyshuar për trafik, por tha se ai është shpallur në kërkim nga Interpoli dhe se pas vrasjes së ndodhur në Barcelonë i janë bllokuar dy makina, një “BMW” e bardhë dhe një “Peugeot” blu.

    Konflikti
    Mediat spanjolle i kanë kushtuar një hapësirë të konsiderueshme vrasjes së oficeres së Marinës, Leonora Rama në Vlorë. Sipas gazetës “ABC” të Barcelonës, djali i oficeres më 26 tetor 2006 kishte vrarë një shqiptar me qëndrim në Spanjë. Ngjarja kishte ndodhur në rrugën B 140 në kryeqytetin spanjoll, ku policia tha se ka pasur shkëmbim zjarri mes disa shqiptarëve të skeduar në disa veprimtari të dyshimta. Policia spanjolle u ka thënë mediave se shkak i vrasjes së shqiptarit dyshohej se ishin konfliktet e lindura nga shpërndarja e lëndëve narkotike brenda Spanjës. Gazeta “ABC” e Barcelonës nuk sqaron cila palë kishte qenë e përfshirë në trafikun e drogës, por ajo thotë se vrasja që ndodhi më 26 tetor sipas hetuesve ka pasur si motiv konfliktet e lindura për shkak të aktivitetit në fushën e trafikimit të drogës dhe shfrytëzimit të prostitucionit. Gazeta spanjolle ka thënë se policia e Barcelonës ka nisur drejt Shqipërisë një dosje, në të cilën kërkohet informacion për më shumë se tetë persona. Këto të dhëna sipas gazetës kërkohen me qëllim hetimin e plotë të vrasjes së një shqiptari nga Vlora më 26 tetor 2006 në kryeqytetin spanjoll. Policia shqiptare ka konfirmuar se po shkëmben informacione intensive me homologët spanjollë, me qëllim përcaktimin e saktë të personave që janë implikuar në veprimtari të paligjshme, si dhe rolin e të dyshuarve në serialin e ekzekutimeve që ka filluar në Barcelonë dhe është zhvendosur më pas në qytetin e Vlorës. tr.so.


    1 muaj
    më parë një shqiptar nga Vlora është vrarë nga bashkëkombas të tij në kryeqytetin spanjoll. Policia tha se vrasja kishte për motiv trafiqet
    2 makina
    janë bllokuar nga policia njërit prej personave të implikuar në vrasjen e shqiptarit në Spanjë. I dyshuari është shpallur në kërkim nga Interpoli


    Alibia, Sokol Rama në policinë e Barcelonës

    Dje paradite, Sokol Rama është paraqitur në policinë e Barcelonës. Sipas ligjeve vendase gjykata ka vendosur detyrim paraqitje, pasi ai është një ndër të dyshuarit e vrasjes së Slajdi Zahajt. Pikërisht dje, gjatë kohës që breshëritë e automatikut i merrnin jetën dajës dhe plagosnin vëllain e viktimës së Spanjës, Rama është paraqitur në policinë e Barcelonës, duke faktuar kështu edhe alibinë e tij, që nuk ka gisht në vrasjen e Shpëtim Mukës, siç mund të dyshohej pas ekzekutimit të së ëmës.

    Panorama

  2. #2
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,122
    Postimet në Bllog
    17
    Kërkim ndërkombëtar për Sokol Ramën

    TIRANË- Pas ekzekutimit të Shpëtim Mukës e Ervin Shehut mesditën e 30 nëntorit, përveç dëshmisë së të mbijetuarit, policia e Vlorës ka në dorë edhe një tjetër provë të rëndësishme. Sipas grupit hetimor në qytetin bregdetar, në makinën e braktisur nga të dyshuarit si ekzekutorë është gjetur edhe një kapele, e brenda saj flokët e njërit prej tre pjesëmarrësve në atentat. Drejtuesit e policisë lokale thanë dje për “Shekullin” se fijet e flokut janë dërguar për analizën e ADN-së, që ka përcaktuar autorë të vrasjeve në shumë raste, dhe përgjigja e ekspertëve nuk do të vonojë. Po ashtu, postblloqet e shumtë të policisë në rrugët e qytetit kanë nën kontroll të gjitha hyrjet e daljet, me qëllim kapjen e autorit. “Krehjet” në mjaft zona, pas informacioneve të marra në rrugë operative, mendohet ta shpien policinë në strehën e të dyshuarve për vrasjen e bujshme të tre ditëve më parë. Shefi i komisariatit të Vlorës, Milahim Pira, pohon se policia do të jetë shumë shpejt në vendin e duhur. “Masa e parë që u mor ishte shpallja në kërkim e Sokol Ramës, ndërsa tanimë fotoja e tij disponohet nga pikat e kalimit kufitar si dhe nga policitë e të gjitha qarqeve. Të dhënat operative ia kemi dërguar edhe Interpol Tiranës dhe pritet që të shpallet edhe kërkim ndërkombëtar”,- u shpreh Pira, shef i komisariatit të Vlorës. Ndërkohë, në qytetin ku brenda një muaji ndodhën tri vrasje të bujshme ka përqendrim të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, kurse Reparti Special i RENEA-s është në gatishmëri, në pritje të një lëvizjeje të mundshme.

    ***

    Ekspertët kriminalistë janë treguar të vëmendshëm në këqyrjen e vendit të ngjarjes, ku kanë administruar të gjitha objektet e gjetura në të. Më pas ata kanë bërë kontroll të imtë në automjetin e braktisur në afërsi të zonës së Bunavisë, që mendohet se i përket të dyshuarve si atentatorë, ku edhe kanë gjetur një tjetër provë të rëndësishme. “Pas dëshmisë së pakontestueshme të të plagosurit Edvin Zanaj, se ekzekutori i dajës dhe fqinjit të tij ishte Sokol Rama, ne kemi në dorë tashmë edhe një tjetër provë materiale, flokët e gjetur në kapelen e 24- vjeçarit”, -deklaroi shefi i komisariatit të Policisë së Vlorës, Milahim Pira. Sipas tij, dëshmia e Zanajt është një ndihmë e madhe për policinë, pasi ky i fundit e ka njohur saktësisht atentatorin, të cilin dikur e ka pasur mik, pasi ishte me fytyrë të zbuluar, e vetëm në kokë kishte kapele. Dëshmia e tij, përputhej me provën që inspektorët gjetën në makinën e braktisur në rrugën Vlorë-Bunavi. Fillimisht, dëshmia e Edvin Zanajt është marrë me rezerva, por pas verifikimit të saj me sendet e gjetura në makinën e krimit, grupi hetimor e quajti dëshminë e tij të pakontestueshme. Kjo solli shpalljen e kërkimit të sforcuar nga prokuroria të të dyshuarit Sokol Rama, që mendohet të këtë hyrë ilegalisht në Shqipëri rreth 15 nëntorit.

    ***

    “Po punojmë për kapjen e të dyshuarit si autor i kësaj vraseje. Fotoja e Sokol Ramës ndodhet në duart e të gjitha policive lokale. Disponojmë të dhëna operative të rëndësishme që nuk i publikojmë për arsye të ruajtjes së fshehtësisë së operacionit”, -vijoi për “Shekullin” komisari i Vlorës, Pira. Në një nga këto bën pjesë edhe hyrja e Ramës në mënyrë ilegale në Shqipëri, pak ditë pas vrasjes së të ëmës, Leonorës. Policia vendore zotëron edhe të tjera informacione të rëndësishme që mund të çojnë në zbulimin e vendndodhjes së Sokol Ramës dhe bashkëpunëtorëve të tij, por për arsye të konspiracionit të procesit të kërkimit uniformat blu nuk shprehen për këto të dhëna. Të dhënat operative dhe informacionet i janë dërguar edhe Interpolit, i cili pritet të shpallë në kërkim ndërkombëtar të dyshuarin, për t’i prerë rrugën e një largimi të mundshëm klandestin jashtë Shqipërisë. Nëpërmjet Interpol Tiranës, policia vlonjate ka kërkuar informacion edhe nga kolegët spanjollë dhe janë në pritje të ndonjë të dhëne, por tani për tani nuk kanë marrë asnjë përgjigje. Policia e Shtetit është e gjitha në këmbë pas ngjarjes serialit të vrasjeve në qytetin e Vlorës. Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë të Fierit janë vënë në dispozicion të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Vlorë, ndërsa në pritje të informacionit të sigurt për vendndodhjen e të kërkuarit Sokol Rama, Forcat Speciale të RENEA-s që deri tani nuk janë bërë pjesë e operacionit, janë në gatishmëri për lëvizje të menjëhershme.


    KRONOLOGJIA



    27 shtator 2006

    Vrasja e dyfishtë ka ndodhur në Barcelonë. Sokol Rama mendohet të jetë ekzekutori i Slejdi Zanit, Elidon Nelajt dhe plagosjes së Edmond Rushitajt. Policia e Qarkut Vlorë u njoftua nga kolegët spanjollë për atë që kishte ndodhur. Rama u kap fillimisht nga autoritetet spanjolle për vrasjen e dyfishtë, por më pas, për mungesë provash u la nën masën e detyrim paraqitjes.



    11 nëntor 2006

    Në afërsi të godinës së bashkisë së Vlorës, mbeti e vrarë 47-vjeçarja Leonora Rama. Armando Zanaj u dyshua dhe rezultoi të ishte autori i kësaj vrasjeje. Zanaj u ndalua rreth 3 orë më pas dhe pranoi se ishte ai vrasësi i oficeres së marinës. Policia e Vlorës tha se adoleshenti e kishte qëlluar viktimën me 4 plumba të një pistolete tip TT


    30 nëntor 2006

    Kanë mbetur të vrarë pranë shtëpisë së tyre në vendin e quajtur Pusi i Mezinit, 41- vjeçari Shpëtim Muka dhe Edvin Shehu, ndërsa u plagos Edvin Zanaj, vëllai i ekzekutorit të Leonora Ramës. Policia ka shkuar në vendngjarje dhe u vu në ndjekje të automjetit tip “Benz” të vjedhur, i cili u gjet i braktisur në rrugën Vlorë-Bunavi. I dyshuar për këtë ngjarje është Sokol Rama

    Panorama

  3. #3
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,122
    Postimet në Bllog
    17
    “Si u vranë dy shqiptarët në Barcelonë”

    Agjentët e “Civil Guard”, të cilët kanë investiguar vrasjen e shqiptarëve në shtatorin e vitit të kaluar në Barberà të Vallès në Barcelonë, e kanë njohur 16-vjeçarin, vëllanë e një prej emigrantëve të vrarë nga Sokol R. Sipas gazetës spanjolle “El Pais”, agjentët kanë konfirmuar se 45-vjeçarja Leonora Rama është qëlluar me pesë plumba në sytë e vajzës së saj 15-vjeçare. Sipas “El Pais”, dyshohet se autori i vrasjes është Arming Zanaj, vëllai i Elvis Zanaj, një nga emigrantët e vdekur në Barberà të Vallès. Ndërkohë, sipas versionit të disa personave, ai e ka vrarë gruan 45-vjeçare sepse ajo ishte nëna e Sokol Ramës, një nga të dyshuarit për vdekjen e vëllait të tij. Sokol Rama tashmë është identifikuar nga agjentët e “Civil Guard” në Barcelonë. Ndërsa dy të vrarët, Elvis Zanaj, 24 vjeç dhe Nico Delaj, 30 vjeç, sipas gazetës ishin të përfshirë trafik ndërkombëtar të lëndës narkotike. Sipas burimeve nga “Civil Guard”, mësohet se po hetojnë për të vërtetuar këtë informacion. Ndërkohë, dëshmitarët që kanë qenë të pranishëm në historinë e vitit të kaluar në Barcelonë, ku janë vrarë dy emigrantët, pohojnë se autorët e vrasjes kanë qenë me një makinë të bardhë dhe i kanë qëlluar në orën 14:00, në një distancë të afërt.

    Tirana Observer

  4. #4
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    07-12-2006
    Postime
    124
    Qekur paska policia shqiptare ne dispozicion ADN te shtetasve?
    Me se do i krahasojne ate tre fijet e flokut?
    Mos jane perralla te tipit CSI?
    A ka ndonje ligh ne Shqiperi per ADN e shtetasve?

  5. #5
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,122
    Postimet në Bllog
    17
    Sokol Rama arrestohet në Madrid

    Vrasja e Shpetim Mukes

    Policia spanjolle zbulon bazën e të kërkuarit shqiptar në Madrid. Arrestohet së bashku me mikun e tij 23-vjeçar
    Rama, "strumbullari" i zinxhirit hakmarrës që i mori jetën nënës së tij, Leonora dhe Shpëtim Mukës


    SPANJË- Protagonisti i zinxhirit hakmarrës që filloi në Barcelonë të Spanjës dhe u zhvendos me disa atentate në Vlorë është arrestuar dy ditë më parë në Madrid. Lajmi për arrestimin e Sokol Ramës dhe mikut të tij 23-vjeçar, Elis H. është publikuar në agjencitë e lajmeve spanjolle, të cilat citojnë si burim informacioni Ministrinë e Brendshme. Hetimet për Sokol Ramën dhe shqiptarin tjetër të ndaluar filluan në shtator të vitit të kaluar, kur dy shqiptarë u akuzuan për atentatin me armë në Barbera of Valle's në Barcelonë. Rama dhe 23-vjeçari tjetër shqiptar akuzohen nga drejtësia spanjolle për vrasjen e Slejdi Zanajt dhe Niko D.si dhe plagosjen e Edmond Rushitit, krim ky që kishte si motiv luftën për kontrollin e zonave të prostitucionit në Barcelonë.

    ***

    Sipas mediave spanjolle, Sokol Rama, është ndaluar më 27 mars në Madrid, së bashku me një tjetër shqiptar 23-vjeçar, Elis H. Ata akuzohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë vrarë në Barcelonë Slejdi Zanin dhe Niko. D. Duke iu referuar hetimeve të policisë spanjolle, Rojet Civile zbuluan se dy të rinjtë shqiptarë fshiheshin në një banesë në Madrid, çka edhe inicioi një operacion policor të quajtur "Niko". Hetuesit verifikuan se dy të rinjtë kishin marrë masa të mëdha sigurie, përfshirë këtu edhe disa pajisje zbulimi dhe kërkimi që u gjendën në vendstrehimin e tyre në kryeqytetin spanjoll.Pas operacionit të realizuar nga grupe speciale të Rojes Civile spanjolle, në shtëpinë e të arrestuarve u gjet një pistoletë e kalibrit 38, shumë fishekë, para dhe dokumente false shqiptare.

    ***

    Dy të ndaluarit më 27 mars në Madrid, Sokol Rama dhe miku i tij shqiptar numërojnë një sërë ngjarjesh të mëparshme kriminale të ndodhura në Shqipëri. Rreth 15 ditë pas vrasjes së ndodhur në Barcelonë, në qytetin e tyre të lindjes në Vlorë, u ekzekutua nëna e Sokol Ramës, Leonora. Oficerja e Marinës u vra në qendër të qytetit, ndërkohë që autori i këtij krimi, Armando Zanaj, u shpreh se e kreu krimin për të marrë hakun e vëllait të vrarë në Spanjë. Kur Sokol Rama mësoi vrasjen e së ëmës, dyshohet se urdhëroi vrasjen e xhaxhait të Slejdi Zanajt, Shpëtim Mukës dhe plagosjen e nipit të tij, Edvin Zanaj. Si policia shqiptare ashtu edhe ajo spanjolle nuk kanë mundur të sigurojnë prova të mjaftueshme për të implikuar Sokol Ramën direk në atentatin ndaj Shpëtim Mukës, por dyshohet se ai është urdhëruesi i krimit. Ndërkaq, pas ekzekutimit të ndodhur më 30 nëntor në Vlorë, policia e këtij qyteti shpalli në kërkim Sokol Ramën. Edhe pse në dukje u bashkëpunua me Interpolin, vendstrehimi i Sokol Ramës nuk u zbulua deri më 27 mars, kur ai u arrestua në një apartament të mirësurvejuar në kryeqytetin spanjoll, Madrid.Përgatiti: a.bogdani

    KRONOLOGJIA

    27 shtator 2006

    Vrasja e dyfishtë ka ndodhur në Barcelonë. Sokol Rama mendohet të jetë ekzekutori i Slejdi Zanit, Elidon Nelajt dhe plagosjes së Edmond Rushitajt. Policia e Qarkut Vlorë u njoftua nga kolegët spanjollë për atë që kishte ndodhur. Rama u kap fillimisht nga autoritetet spanjolle për vrasjen e dyfishtë, por më pas, për mungesë provash u la nën masën e detyrim paraqitjes

    11 nëntor 2006

    Në afërsi të godinës së bashkisë së Vlorës, mbeti e vrarë 47-vjeçarja Leonora Rama. Armando Zanaj u dyshua dhe rezultoi të ishte autori i kësaj vrasjeje. Zanaj u ndalua rreth 3 orë më pas dhe pranoi se ishte ai vrasësi i oficeres së marinës. Policia e Vlorës tha se adoleshenti e kishte qëlluar viktimën me 4 plumba të një pistolete tip TT

    30 nëntor 2006

    Kanë mbetur të vrarë pranë shtëpisë së tyre në vendin e quajtur Pusi i Mezinit, 41- vjeçari Shpëtim Muka dhe Edvin Shehu, ndërsa u plagos Ervin Zanajt, vëllai i ekzekutorit të Leonora Ramës. Polica ka shkuar në vendngjarje dhe u vu në ndjekje të automjetit tip "Benz" të vjedhur, i cili u gjet i braktisur në rrugën Vlorë-Bunavi. I dyshuar për këtë ngjarje është Sokol Rama

    Shekulli

Tema të Ngjashme

  1. El Clásico: Real Madrid 2 - 6 Barcelona
    Nga no name në forumin Sporti nëpër botë
    Përgjigje: 165
    Postimi i Fundit: 04-05-2009, 11:30
  2. El Clásico: FC Barcelona vs Real Madrid CF
    Nga Davius në forumin Sporti nëpër botë
    Përgjigje: 131
    Postimi i Fundit: 03-04-2006, 05:56
  3. Real vs Barça
    Nga Davius në forumin Sporti nëpër botë
    Përgjigje: 158
    Postimi i Fundit: 10-02-2006, 03:57
  4. Real Madrid vs FC Barcelona
    Nga Davius në forumin Sporti nëpër botë
    Përgjigje: 79
    Postimi i Fundit: 12-04-2005, 09:21
  5. Vlore ..dizet e di ..dizet e tre.
    Nga Brari në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 2
    Postimi i Fundit: 09-12-2002, 09:56

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •