Marrëveshja me BE: Përfitojnë automjetet e reja. Dogana ishte 2%

Nga sot dogana e makinave do të bëhet zero për qind

Nga nesër një makinë e re që do të hyjë nga vendet e Bashkimit Evropian nuk do të paguajë taksë doganore.

Më datë 1 dhjetor, Shqipëria është e detyruar të zbatojë Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, e cila përjashton nga taksat rreth 83 për qind të produkteve që vijnë nga BE. Marrëveshja e tregtisë së lirë nuk përfshin makinat e përdorura. Tarifa e tyre do të vazhdojë të jetë 15 për qind. Nga marrëveshja nuk do të ulen ose reduktohen taksat e tjera si TVSH. Aktualisht tarifa doganore për makinat e reja është 2 për qind. Sipas doganave, nga marrëveshja përfitojnë vetëm makinat e reja, pasi kjo është një politikë e përbashkët e Bashkimit Evropian dhe Shqipërisë për ruajtjen e ambientit dhe nxitjen e tregtisë. Sipas të dhënave nga doganat, nga marrëveshja me Bashkimin Evropian do të përfitojnë tarifa doganore 0 për qind pjesa më e madhe e produkteve. Aktualisht Shqipëria rreth 68 për qind të tregtisë e bën me vende të Bashkimit Evropian. Rreth 83 për qind e këtyre produkteve do të hyjnë e dalin nga kufijtë e Shqipërisë pa tarifë doganore. Për pjesën tjetër të produkteve, ata sensitive, do të ketë sërish tarifa doganore. Bëhet fjalë 17 për qind të prodhimeve industriale, që kanë të bëjnë shumica me industrinë ushqimore, e cila ka linjat e veta në tregun shqiptar. Për këto produkte do të përdoret një strategji tjetër e përshkallëzimit të liberalizimit të tarifave doganore. Për pesë vjet tarifat doganore do të zvogëlohen respektivisht, nga 40 për qind në vitin e parë, në 60 për qind në vitin e dytë, në 80 për qind në vitin e tretë, 90 për qind në vitin e katërt dhe do të reduktohen përfundimisht në vitin e pestë. Marrëveshja ishte parashikuar të hynte në fuqi në 1 korrik, por pas bisedimesh ajo u shty deri më 1 dhjetor. Efekti në buxhet parashikohet të jetë rreth 160 milionë euro.


50 per qind
kanë pësuar rritje çmimet e referencave për konfeksionet që do vijnë nga Turqia dhe Kina. Kjo pritet të sjellë rritje të këtyre mallrave në tregun shqiptar

Panorama