Presidenti do të shpallë nesër datën e zgjedhjeve lokale
Zgjedhjet, Moisiu mes datës 20 dhe 21 janar
Presidenti i Republikës, Alfred Moisiu, do të firmosë të shtunën dekretin për datën e zgjedhjeve lokale.
Sipas burimeve zyrtare pranë Presidencës, kreu i shtetit do të shpallë më datën 2 dhjetor vendimin e tij përpara medias gjatë një konference për shtyp. Numri një i shtetit është ende në pritje të ndonjë kompromisi të minutës së fundit mes partive politike për datën e zgjedhjeve dhe pse duket e parealizueshme për shkak të hapësirës së shkurtër kohore. Ndërkohë që shpallja e datës së zgjedhjeve vjen në një kohë kur partitë politike nuk kanë arritur asnjë progres në realizimin e reformës zgjedhore. Kuvendi ka parashikuar që më datën 4 dhjetor dhe kryesisht brenda javës së ardhshme, të përfundojë reformën zgjedhore. Shpallja e datës së zgjedhjeve pritet të rrisë trysninë ndaj partive politike për përfundimin e reformës zgjedhore. Kjo për shkak se pozita dhe opozita kanë shkelur dhe këtë radhë thirrjet e rekomandimet e ndërkombëtarëve për kryerjen sa më parë të reformës zgjedhore. Komisioni Evropian në një deklaratë të lëshuar ditë më parë u kërkonte partive politike që reforma zgjedhore të përfundonte më 30 nëntor. Afat ky që është shkelur nga partitë e të gjithë spektrit politik.
Data e zgjedhjeve
Presidenti është në mëdyshje për të vendosur si datë zgjedhjesh, 20 apo 21 janarin. Shkak i kësaj janë bërë zgjedhjet parlamentare në Serbi, të cilat janë përcaktuar më datën 21 janar. Përballë këtij zhvillimi, Moisiu ka menduar që votimet të mos mbahen në të njëjtën ditë me ato serbe, duke hedhur si një ide datën 20 janar, të shtunën. Por kjo mund të shkaktojë polemika dhe kontestime nga palët politike, pasi nga tradita e zgjedhjeve në Shqipëri, ato janë mbajtur përherë të dielave. Përballë kësaj mëdyshjeje presidenti mund të “detyrohet” që datën e zgjedhjeve ta dekretojë 21 janarin. Kjo për të shmangur kontestimet që mund të kenë partitë politike më datën 20 janar. Gjithsesi vendimi përfundimtar pritet të shpallet të shtunën më 2 dhjetor. Presidenti ka si limit të fundit kushtetues datën 6 dhjetor për të shpallur datën e zgjedhjeve. Në bazë të afateve kushtetuese, 21 janari është data e fundit ku mund të zhvillohen zgjedhjet lokale shqiptare.
Negociatat
Përpara shpalljes përfundimtare të datës së votimeve lokale, kreu i shtetit ka zhvilluar disa takime me përfaqësues të partive politike me synim gjetjen e një konsensusi politik. Por palët politike kanë pasur dhe kanë këndvështrime të ndryshme për kohën e zhvillimit të tyre. Partia Socialiste si forca kryesore e opozitës kërkon shtyrjen e zgjedhjeve për në pranverë, duke kërkuar që ato të mbahen jo në stinën e dimrit, për shkak të kushteve të papërshtatshme. Demokratët si përfaqësues të maxhorancës janë shprehur kategorikisht kundër shtyrjes së zgjedhjeve lokale, duke kërkuar që të mbahen sipas afateve kushtetuese. Qëndrimet e palëve u bënë të ditura gjatë një tryeze të përbashkët politike që u zhvillua me iniciativën e presidentit. Kjo tryezë nuk solli një konsensus, duke bërë që data e zgjedhjeve të mbetej peng dhe për shkak të mosrealizimit të reformës zgjedhore, e cila u pasua me dështimin e komisionit të posaçëm të reformës zgjedhore. Kjo do të jetë hera e parë që partitë politike hyjnë në zgjedhje pa përfunduar brenda afateve kohore reformën zgjedhore, çka mund të cenojë standardet zgjedhore të kërkuara nga ana e ndërkombëtarëve. Edhe pse janë zgjedhje lokale, zyrtarë të lartë të KE-së dhe të NATO-s i kanë bërë thirrje klasës politike shqiptare se këto votime shihen si një test i rëndësishëm për arritjen e standardeve të kërkuara, si dhe do të ndikojë në proceset e anëtarësimit të Shqipërisë në BE dhe në NATO. Ndërkohë që këto votime pritet të monitorohen nga një numër i konsiderueshëm i vëzhguesve të OSBE-së dhe ODHIR-it. Në ditën e votimit pritet të jenë 430 vëzhgues gjithsej, ku 30 prej tyre do të cilësohen si afatgjatë dhe pjesa tjetër si afatshkurtër.
Berisha: Moisiu të shpallë shpejt datën
Kryeministri Sali Berisha ka komentuar dhe ato që, sipas tij, kanë lidhje me vonesat në shpalljen e datës së zgjedhjeve. “Caktimi i datës së zgjedhjeve është prerogativë kushtetuese e presidentit. Nuk ka asnjë lidhje me qeverinë. Kam dëgjuar disa herë, me të drejtë, që KQZ ka shprehur shqetësime për këtë. Gjithashtu, shqetësim për shtyrjen e deklarimit të datës së zgjedhjeve, në mënyrë të përsëritur ka shprehur edhe faktori ndërkombëtar, sepse është e vërtetë që ligjërisht mund të jesh korrekt me afatin ligjor. Në këtë aspekt, sa më shpejt të ishte shpallur data, aq më e lehtë do të ishte edhe përgatitja e KQZ-së, aq më e lehtë do të ishte edhe ardhja e grupeve ndërkombëtare. Por kjo nuk i përket qeverisë, qeveria ka detyrën e vet. KQZ është e pavarur, institucionet ndërkombëtare po kështu. Janë ato që duhet të flasin për veten e tyre. Jo unë”, deklaroi Berisha. Kryeministri ka dhënë garancinë e tij si përfaqësues i maxhorancës për të realizuar reformën zgjedhore. “Një javë më parë, na është kërkuar që të ulemi sërish, me zotin Beja dhe zotin Bufi për amendamentet e dorëzuara dhe ne e pritëm me kënaqësi këtë, të zotuar se do të votojmë gjithçka që është përcaktuar në marrëveshjen e fundgushtit dhe dokumentin “non paper” të dorëzuar nga OSBE-ja. Por PS-ja është ndarë në dy rryma, njëra prej të cilave është e vendosur që me çdo kusht të prishë zgjedhjet dhe tjetra të marrë pjesë normalisht në zgjedhje. Cila rrymë do të mbizotërojë, nuk jam në gjendje ta them”, theksoi kryeministri. Ndërsa për mundësinë e bojkotit të zgjedhjeve nga opozita, Berisha theksoi se “qëndrimi i PS-së për mua është i pamundur të parashikohet. Por si do të vazhdojë dhe çfarë vendimesh do të marrë zoti Rama, i cili, dhe ju jeni dëshmitarë, e ka shqipëruar të paktën pesë mijë herë deri më sot fjalën bojkot të zgjedhjeve, këtë nuk e di. Këtë e di vetëm ai. Qeveria nuk e ka në dorë të imponojë opozitën”.
Xhafaj: Po hyjmë në një proces të delegjitimuar
“Nuk mund të pranojmë të hyjmë në një proces zgjedhor pa pasur garanci për mosdeformimin e votës”. Kështu deklaroi dje nënkryetari i komisionit të Ligjeve, socialisti Fatmir Xhafaj. Ai insistoi në miratimin e 41 amendamenteve të paraqitur nga ana e socialistëve. “Të gjitha amendamentet e propozuara nga grupi i deputetëve të PS-së janë në përputhje të plotë me rekomandimet e ODIHR-t, të bëra pas zgjedhjeve të vitit 2003 dhe atyre të vitit 2005, por gjithçka mbetet te vullneti i maxhorancës, nëse do t’i miratojë apo jo”, theksoi Xhafaj. Për ish-ministrin e Drejtësisë, “nëse zhvillimi i zgjedhjeve bëhet në javën e tretë të janarit, që është edhe data që përflitet sot për mbajtjen e zgjedhjeve, kjo do të ishte gati e pamundur me këtë infrastrukturë zgjedhore, gjë që do të thotë shkurt, se ne do të hyjmë në një proces të delegjitimuar”. “Kështu, ne nuk mund të pranonim të hynim në një proces zgjedhor me lista të cunguara, thjesht dhe vetëm për të plotësuar një kriter formal, ose të hynim me certifikata të falsifikuara. Ne duam të gjendet një sistem certifikatash që japin garanci për mosdeformim të votës”, deklaroi Xhafaj.
Meta, apel Moisiut për datën e zgjedhjeve. Rama: Data që shpallet, jodatë
Opozita: Jo zgjedhje me këto lista dhe certifikata
Opozita nuk do pranojë zhvillimin e zgjedhjeve pa lista të rregullta dhe certifikata të garantuara.
Në një tryezë urgjente të mbledhur dje pasdite në selinë rozë, krerët e opozitës i bënë apel presidentit të shfrytëzojë të gjitha hapësirat e mbetura për të arritur një konsensus me forcat politike për datën e zgjedhjeve. “Kjo datë që shpallet pa lista dhe pa certifikata është praktikisht një jodatë. Ju siguroj se në këtë mënyrë ne nuk mund dhe nuk do të kemi zgjedhje, pasi nuk mund të bëhemi sehirxhinjtë e kësaj farse elektorale”, tha Edi Rama pas tryezës së krerëve të opozitës. Tryeza e mori spunton nga njoftimi se Presidenti i Republikës, Alfred Moisiu, do të shpallë datën e zgjedhjeve ditën e shtunë, pa arritur një konsensus mes forcave politike për shtyrjen e tyre për shkak të reformës zgjedhore të papërfunduar. Krerët e partive opozitare e mohuan nga ana e tyre opsionin e bojkotimit të zgjedhjeve, por u shprehën se qëndrimi i tyre do të bëhet më i qartë në ditët e ardhshme. Por kreu socialist u shpreh i vendosur se opozita nuk do lejojë të zhvillohen zgjedhje me elementë komprometues. “Ne nuk do lejojmë të zhvillohen zgjedhje të kompromentuara qysh në fillim dhe të dalin rezultatet të bazuara në certifikata të dyshimta në lista të dyshimta dhe nën një trysni si kjo e kësaj maxhorance që mishëron kryekëput politikën e vjetër, që na kujton përditë të shkuarën e palavdishme dhe ankthet e zgjedhjeve të 26 majit apo të zgjedhjeve që zhvillohen brenda PD-së dhe që ne refuzojmë ta konsiderojmë si pjesë të mundshme të kulturës sonë politike”, tha Rama. Nga ana e tij kreu i LSI-së, Ilir Meta, u shpreh se misioni i presidentit është garantimi i standardeve zgjedhore. “Ky është një apel që i bëjmë edhe presidentit, në mënyrë që edhe këto orë apo ditë që i kanë mbetur në dispozicion t’i shfrytëzojë për të nxitur politikën që t’i kushtojë vëmendje për përmbajtjen e zgjedhjeve, pasi nuk mund të quhet i përfunduar as misioni i presidentit, thjesht duke pasur shqetësimin apo angazhimin për të zbatuar formalisht një procedurë të caktuar kushtetuese”, tha Meta.
Panorama
Krijoni Kontakt