"Ne kemi jetuar me shqiptarë, dhe do vazhdojmë të jetojmë!"


Peja llogaritet ndër komunat më të suksesshme në Kosovë, përsa i përket kthimit të të zhvendosurve. Në vitin 2005 janë kthyer 600 të zhvendosur, ndërsa deri në tetor të vitit 2006, 242 të tjerë. Janë ndërtuar 155 shtëpi për komunitetin serb dhe 25 të tjera për komunitetin rom.

Fshatrat Brestovik, Cigë dhe Lëvosh të komunës së Pejës, janë kryesisht të banuara nga komuniteti serb. Pas vitit 1999, serbët e këtyre fshatrave u zhvendosën tërësisht në Mal të Zi dhe në Serbi, ku jetuan deri në vitin 2004, kur u ndanë fondet prej tre milion e gjysmë eurosh për implementimin e projekteve për kthim me të cilat planifikohej ndërtimi i 90 shtëpive si dhe ngritja e infrastrukturës, - "40 prej të cilave në Brestovik, 22 në fshatin Cigë dhe 19 në Levosh. Pas kësaj, me mjete të Bashkesisë Evropiane u ndërtuan edhe 40 shtëpi të tjera"-thotë
përfaqësuesi i Brestovikut, Miodrag Dashic.

Fshati Brestovik shtrihet shtatë kilometra larg nga Peja. Por, fakti se një pakicë serbe këtu jeton mes komunitetit shqiptar, këtu nuk përbën ndonjë problem. Ata bashkëjetojnë në një fqinjësi të mirë duke u bërë që edhe këtu jeta të rrjedh normalisht; një jetë e relativisht e varfër, si kudo në Kosovë.

"Jetojmë normalisht, në varfëri sigurisht"-thotë Miodrag Dashic, përfaqësues i Brestovikut, sipas të cilit në të 70 shtëpitë e ndërtuara në Brestovik, jetojnë vetëm 45 familje. Por, për dallim në këtë rast nuk është mungesa e sigurisë ajo që serbët e këtij fshati i pengon të kthehen në vendbanimet e veta.

Miodrag Dashic tregon arsyen e vërtet të ngurimit të bashkëkombasve të tij për kthim: "Për shkak te situatës ekonomike në Kosovë, e cila është kaotike. Ne nuk i kushtojmë vëmendje politikës. Por, sa na përket neve, këtu jemi mjaft të sigurt dhe nuk kemi problem me këtë çështje". Edhe e ëma e tij 73 vjeçare, Angjelina Dashic është e lumtur pse është kthyer: "Ndjehem mirë. S'ka jetë pa çerdhen tënde!"

Miodrag Dashic thotë se ata janë të pranuar shumë mirë nga komuniteti shqiptar: "Mund të them se për dy vjet nuk kemi pasur asnjë problem. Ata na kanë pranuar mirë dhe ne kemi qenë korrekt me ta, sic kemi jetuar dikur". Të njëjtën pohon edhe Leposava, amvisë dhe nënë e katër fëmijëve. E kthyer ne vitin 2004 ajo flet me admirim për bashkëjetesën me shqiptarët, e cila sipas saj, do duhej të ishte shembull për çdo vend në Kosovë. Ajo është e lumtur me jeten në fshatin e saj dhe thotë se me t'u rregulluar situata ekonomike si për shqiptarët poashtu edhe për serbët, fëmijët e saj do të vinë këtu jo vetëm për festa por që të jetojnë këtu përgjithmonë. "Jam e lumtur dhe porosis secilin bashkëkombas që të kthehet në shtepinë e tij. Përse duhet të jetojnë në shtepinë e huaj, kur mund të jetojnë në të veten?"

Përfaqësuesi i fshatit Brestovik, Miodrag Dashic, kthimin e serbëve e 80 përqind të serbëve e konsideron sukses për fshatin e tij: "Janë kthyer rreth 80 për qind, që është një sukses. Por, me t'u rregulluar situata ekonomike, ata do të kthehen. Sepse, shumica tashmë kanë gjetur veten, janë punësuar, shkojnë në shkollë, gjëra të cilat ne këtu ende nuk i kemi".

Por, përkundër faktit se ky fshat ka shkollë, fëmijët serb shkollohen në një shtëpi-shkollë, e cila sipas z.Dashic, nuk ka kushte për punë: "Kishim disa mosmarrëveshje, por jo me shqiptarët, meqënëse ministria e Kosovës ka pranuar që fëmijët tanë të mësojnë me planprogram të Serbisë. Por, jozyrtarisht kam kuptuar se ministria e Serbisë ka treguar mirëkuptim dhe se fëmijët tanë mund të shkojnë në shkollë me fëmijët shqiptar. Dhe, unë e përkrah këtë".

Sa i përket statusit të Kosovës, as kjo bashkësi nuk është e sigurt në është pavarësia është zgjidhja e duhur edhe për ta. Por, Leposava Dashic, një gjë është e sigurt: "Ne kemi jetuar me shqiptarë dhe edhe më tej do të jetojmë. Leviz lirshëm, ia sa erdha nga tregu. Kështu kam bërë që prej se kam ardhur. Unë nuk iu frigohem shqiptarëve dhe as ata mua. Përse? Kam jetuar dhe do të jetoj me ta edhe më tej. Dhe apeloj te populli im që të kthehet në vendlindje. E, sa për situatën ekonomike, ajo është gjithandej e njëjtë. Asgjë nuk vjen në pjatë përnjëherësh. Duhet të presim pak që të bëhet mirë për të gjithë, pa dallim!"

Ndërkohë parashikohen projekte të reja për vitin 2007, ku parashihet kthimi i 40 familjeve serbe dhe i 15 familjeve rome dhe ashkalij.

Reportazh nga Ajete Beqiraj

Deutsche Welle