KUR POPULLI NIS TË VETËVENDOS
Wednesday, 29 November 2006
Theksime nga konferenca e sotme për shtyp
Një ditë para demonstratës sonë të 28 nëntorit 2006, UNMIK-u sajonte kërcënime ndaj vetes. Thoshte se burimet e kërcënimeve janë të besueshme por i linte ato të jenë anonime. Mbase, njëmend ishin të besueshme pasi që këto kërcënime ia bënin vetvetes. Qëllimi i tyre sigurisht që ishte përhapja e frikës dhe panikut te qytetarët, rrjedhimisht terrorizimi i tyre. Në vendet normale dhe demokratike, qytetarët ankohen te pushteti për kërcënime ndërkaq në Kosovë pushteti absolut ankohet te qytetarët se kinse na qenka kërcënuar!
Zëdhënësi i SHPK-së bëri disa shpifje. Së pari, tha se në demonstratë ishin vetëm 2.000 veta, ndonëse bëhet fjalë për disa dhjetëra mijëra. Së dyti, tha se policia intervenoi tek UNMIK-u meqë aty u rrezikua jeta e njerëzve, pasi që blloku i betonit u rrëzua dhe u krijua hapja për hyrje. Asnjë njeri nuk u lëndua ose rrezikua në demonstratën tonë. Po të ishim të interesuar që të hynim në ndërtesat e pushtetit kjo s'do të ishte kurrfarë sfide e problemi për masën protestuese. Ky nuk ishte synimi ynë. Bile aktivistët e VETËVENDOSJE!-s veprimi i parë që bënë me të mbërrijtur para selisë qendrore të UNMIK-ut ishte vendosja e zinxhirëve dhe mbyllja me dry e hyrjes së këtij regjimi antidemokratik. Ne veçsa sulmuam murin e UNMIK-un që paraqet demonstrim të pastër të fuqisë despotike. Dhe, po të donim të hynim në ndërtesën e UNMIK-ut këtë s'do ta bënim duke i larguar blloqet e rënda të betonit por duke kapërcyer grilat vetëm pak metra më tej. Këso akuze, çfarë ishte kjo e SHPK-së, ose vjen nga dikush që është idiot ose nga dikush që të tillë i konsideron teleshikuesit, pra publikun kosovar. Me këtë qëndrim të saj, SHPK-ja hapur u doli në mbrojtje hajnave dhe kolaboracionistëve. Ajo nuk po i mbron qytetarët prej vjedhjeve, por po e mbron pushtetarët vjedhës. SHPK-ja nuk po i akuzon e sulmon 'Rojet e Urës' dhe strukturat e Serbisë në Kosovë, por neve që po kërkojmë vetëvendosje për popullin e Kosovës! Kulmi i mjerimit të tyre është se ata fare nuk morën pjesë në intervenimin kundër nesh! Ishin policët ndërkombëtar ata që përdorën sprej dhe gaz lotsjellës kundër demonstruesve. Pra, SHPK-ja u doli në mbrojtje policëve ndërkombëtar të cilët vepruan dhunshëm kundër demonstruesve, duke gënjyer edhe që policia i shpërndau demonstruesit. Për më shumë se 20 minuta pas gazit lotsjellës ne ende ishim aty. Demonstruesit u shpërnanë vetëm atëherë kur u realizua plotësisht skenari i demonstratës. Gjuajtja me shishe me bojë ishte plani ynë. Populli i mllefosur gjuajti edhe me gurë. Ne plotësisht e kuptojmë këtë zemërim të popullit dhe marrim përgjegjësi për veprimet e tij. Ne jemi pjesë e këtij populli që mbijetoi nëpër shekuj dhe nuk u nënshtrua asnjëherë. Nëse SHPK-ja mendon se në të ardhmen mund ta keqinformojë popullin apo ta sulmojë e dëmtojë Lëvizjen VETËVENDOSJE!, ajo gabohet shumë rëndë. Populli po vetëdijësohet dhe ne po forcohemi. Do të ballafaqohemi gjithnjë e më ashpër. Deri në fund. E fundi është fund i këtij pushteti dhe mekanizmave të tij.
Zyrtar partish e 'institucionesh' folën për pronën e dëmtuar dhe shfaqën brengat e tyre për djersën e popullit! Ata të cilët e keqpërdorën këtë djersë për vite të tëra dhe vazhdojnë të zhyten pandalshëm në korrupsion gjithnjë e më të thellë kanë fytyrë që tash të flasin për atë popull dhe kontributin e tij. Ata që vodhën e po vjedhin ankohen për të vjedhurin dhe në emër të tij! Çfarë pafytyrësie! Ngjyra e kuqe dhe xhamat e thyer ishin dënimi minimal dhe vërejtja e fundit për këto 'institucione' që i bëjnë vendase projektet e huaja kundër popullit të Kosovës.
Shumë media elektronike dhe të shkruara nuk paraqitën faktet e demonstratës por qëllimet e tyre për ruajtjen e status quo-së në Kosovë. Sigurisht se rasti më eklatant ishin mediat e Veton Surroit: gazeta Koha Ditore dhe KTV-ja. Redaktorët e tyre pa dyshim se duan ta përgatisin terrenin për sulmin e pushtetit kundër Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Mbase, asgjë e çuditshme: Veton Surroi, në konsistencë me veprimet e tij në vitet e 90-ta negocion me Serbinë, duke ia dhuruar asaj trashëgiminë kulturore ortodokse të Kosovës dhe gjithnjë e më shumë komuna të tjera të reja serbe.
Pa marrë parasysh shpifjet dhe presionet, VETËVENDOSJE!-a dhe vetëvendosja nuk ndalen. Ato janë vetë populli. Ne i falenderojmë të gjithë demonstruesit për guximin dhe vetëdijen e lartë. Ishte kjo demonstrata më e organizuar dhe e fuqishme. Mirupafshim, në demonstratën e ardhshme.
Lëvizja VETËVENDOSJE!
Më poshtë i keni 5 arsyet ku tregohen shkaqet e sulmit të IPVQ-ve dhe UNMIK-ut prej popullit të Kosovës. Këto 5 arsye u vendosën nëpër objektet e këtyre institucioneve pas dënimit të ekzekutuar.
Për IPVQ-të:
5 ARSYET
Ju i pranuat, dhe kështu legalizuat të gjitha dokumentet më të dëmshme që e cenojnë seriozisht të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen e këtij vendi dhe popullit të tij (Marrëveshjen e Rambujesë, Rezolutën 1244, Kornizën Kushtetuese, Raportin e Kai Eides, etj.).
Ju e pranuat pa kusht negocimin e vullnetit të popullit të Kosovës.
Ju e tjetërsuat kulturën dhe historinë tonë, duke ia falur atë Serbisë, agresorit më të egër që e kemi provuar ndonjëherë.
Ju ia falët armikut shekullor 1/3 e territorit të Kosovës, për t'ia trasuar rrugën dhe forcuar pozitën strategjike Serbisë në luftën e ardhshme për riokupimin e Kosovës.
Ju i pranuat të gjitha kërkesat e Serbisë në mënyrë që ajo të vendos se ku dëshiron t'i kthejë serbët në Kosovë, për t'ia mundësuar kështu rikolonozimin e Kosovës për të pestën herë.
Prandaj Ne ju sulmuam
Ju sulmuam për t'u çliruar
POPULLI I KOSOVËS
Për UNMIK-un:
5 ARSYET
Ju e mbrojtët institucionalisht Serbinë në Kosovë.
Ju e uzurpuat dhe monopolizuat tërë hapësirën politike, ekonomike e sociale të Kosovës, për t'ia mohuar kështu popullit të Kosovës vullnetin për liri dhe interesat për zhvillim.
Ju ua mohuat të drejtën qytetarëve të Kosovës për të qenë qytetarë duke i shndërruar ata, pa i pyetur fare, në banorë.
Ju i korruptuat gjykatat dhe policinë duke i detyruar ata të punojnë për ju e jo për mbrojtjen dhe sigurinë e qytetarëve.
Ju ia mohuat popullit të Kosovës që ta ketë qeverinë e vet, e drejtë kjo minimale që e kanë edhe territoret autonome, duke i uzurpuar dhe shantazhuar IPVQ-të e krijuara nga vetë ju.
Prandaj Ne ju sulmuam
Ju sulmuam për t'u çliruar
POPULLI I KOSOVËS
Krijoni Kontakt