"Home Office": Çdo të enjte, fluturime nga Londra në Prishtinë. Tani, edhe drejt Tiranës
Nga Londra Muhamed Veliu
Autoritetet britanike të emigracionit vazhdojnë me intensitet dëbimin e emigrantëve ilegalë nga vendi. Sipas raportit më të fundit rreth çështjeve të azilkërkuesve, vërehet se në top-listën e të dëbuarve qëndrojnë shqiptarët. Kështu, për tremujorin e tretë të këtij viti janë dëbuar përmes Kosovës 405 azilantë shqiptarë, ndërsa në aeroportin "Nënë Tereza" në Tiranë janë sjellë 140 persona. Është hera e parë që në këtë raport përfshihen edhe të dëbuarit në Tiranë, pasi tashmë funksionon Marrëveshja e Ripranimit, nënshkruar mes qeverisë shqiptare dhe asaj të Anglisë.
Mekanizmi i dëbimit
Autoritetet britanike të emigracionit, kanë marrë me qira avionë, me të cilët kryejnë dëbimet e emigrantëve ilegalë nëpër vendet e tyre të origjinës. Burime të besueshme pranë "Home Office" kanë treguar për "Shqip" mekanizmin e dëbimit. "Çdo të enjte ka fluturime nga një aeroport i Londrës për në Prishtinë, ku në bordin e avionit 80-vendësh mbarten emigrantët. Tani është shtuar edhe një fluturim tjetër drejt Tiranës. Kjo linjë, posaçërisht për dëbimet, ka disa vite që funksionon", shprehet burimi. Sipas tij, në vitet e mëparshme zhvilloheshin fluturime çdo javë. "Kjo ishte e garantuar. Ndërsa tani pritet kur numri i shqiptarëve të mbledhur në Qendrat e Detencionit arrin në 80, ose avioni mund të ngrihet edhe me 60 veta. Fillimisht, që në orët e para të mëngjesit furgonë me azilantët e dështuar nisen nga të gjitha Qendrat e Detencionit për në aeroport. Pasi merret dokumentacioni shoqërues, ata, të shoqëruar nga grupi i sigurimit, futen në avion. Nëse gjatë këtij procesi dikush refuzon t‘u bindet urdhrave, merret me forcë".
Policë për të dëbuar emigrantët
Më shumë se 400 oficerë policie janë transferuar në Departamentin e "Immigration Service", pra Shërbimit të Emigracionit për të rritur numrin e të dëbuarve nga Anglia. Këtë iniciativë të re të qeverisë së Bler e bëri publike vetë sekretari i Brendshëm, Xhon Reid, i cili tha se nga tani e tutje 360 oficerë policie do të jenë në dispozicion të Zyrës së Emigracionit për t‘u marrë me emigrantët ilegalë. Në strukturën e re policore, që do të merret me dëbimin e emigrantëve, do të jenë 360 oficerë policie dhe 40 eprorë komandues.
Krijoni Kontakt