Si u retushua ajo ngjarje në vitin 1988, kur u ribotua nga Akademia e Shkencave, duke fshirë fare kontributin e aleatëve

E vërteta e betejës së Mushqetasë

Partizanët përvetësuan çdo meritë duke manipuluar historinë

Dashnor Kaloçi

Plot 62 vjet më parë, më 14 nëntor të vitit 1944, një kolonë e madhe gjermane e karrocuar, që tërhiqej nga Greqia dhe lëvizte në aksion rrugor Elbasan-Tiranë, u godit me një zjarr të dendur nga aviacioni aleat anglo-amerikan, dhe pothuaj u shkatërrua plotësisht, duke lënë me qindra ushtarë e oficerë të vrarë, si dhe mjaft material ushtarak, plaçkë e armatime të ndryshme që ajo dispononte. Kjo ngjarje, e cila me të drejtë është konsideruar si një nga humbjet më të mëdha të forcave naziste të Hitlerit në Shqipëri, gjatë atyre ditëve u pasqyrua gjerësisht edhe në buletinet e luftës të forcave partizane të Ushtrisë Nacionalçlirimtare të Enver Hoxhës, ku vihej në dukje edhe roli vendimtar i aviacionit aleat, që bëri të mundur asgjësimin e forcave gjermane në betejën e Mushqetasë. Ndryshe nga sa ndodhi në të vërtetë në Mushqeta dhe sa u shkrua asokohe në buletinet e luftës së partizanëve, ashtu siç u veprua me të gjithë historiografinë e regjimit komunist të Enver Hoxhës, edhe kjo ngjarje u glorifikua, shtrembërua e u manipulua në të gjitha aspektet e saj. Madje u arrit deri aty, sa në ribotimin e buletineve të luftës në librin "Bashkimi" dhe buletinet e tij (qershor-nëntor 1944) të botuar nga Akademia e Shkencave në Tiranë në vitin 1988, roli i aviacionit anglo-amerikan jo vetëm në Mushqeta, por edhe në beteja të tjera ku ato morën pjesë aktive, u fshi krejtësisht, apo u përmend shkarazi vetëm me një fjali. Por kjo gjë, pra, injorimi dhe mohimi që i është bërë kontributit të forcave aleate anglo-amerikane në luftën për çlirimin e Shqipërisë gjatë viteve 1940-1944, është më flagrant në betejën e Mushqetasë dhe atë për çlirimin e Tiranës, ku ata patën rol vendimtar. Në këtë shkrim ne po japim të plota dhe pa asnjë ndryshim disa nga buletinet e luftës (të ribotuar në vitin 1988), që u kushtohen betejave të Mushqetasë dhe asaj për "Çlirimin e Tiranës", ku nuk përmendet fare roli i aleatëve anglo-amerikanë, për të cilat në ditët në vijim, gazeta "Shqip" do të bëjë publike me dhjetëra dokumente arkivore që nuk e kanë parë kurrë dritën e botimit. Po kështu, lidhur me këto ngjarje, krahas këtyre burimeve të forcave partizane, po japim edhe një nga dëshmitë e ish-kryeministrit shqiptar, Ibrahim Biçaku, njeriut që shpëtoi Tiranën nga masakra që donin të bënin gjermanët në shenjë hakmarrjeje për humbjet që pësuan në Mushqeta.


Në Krrabë

Më 14 nëntor një kolonë prej 3000 vetësh (Grupi i luftimit "Steyrer" (Shtajer) që përbëhej nga reparte të Korpusit XXII dhe të Divizionit 133, që tërhiqeshin nga Greqia) shoqëruar prej një sasie të madhe automjetesh, karro dhe kuaj lëvizte nga Elbasani në Tiranë, në drejtim të kryeqytetit. Forca të Brigadës së IV S, të Brigadës së VIII S, dhe të Brigadës së VII S, u bënë një pritë të shëndoshë në afërsi të Mushqetasë. Sulmi filloi i ashpër. Në orën 17.00 forcat tona, në të njëjtën kohë, shtërnguan hallkën e hekurt të rrethimit. Kur u gdhi 15 nëntori, të gjitha forcat armike u rrethuan plotësisht. Gjermanët duke parë vdekjen e sigurt, pasi vunë në përdorim të gjitha armët dhe tanket, u hodhën në sulm për të thyer hallkën. Por më kot. Partizanët thyen të gjitha tentativat e armikut dhe pasi nuk pranuan të dorzohen, u përqëndrua mbi ta i gjithë zjarri. Luftimi ka qenë shumë i ashpër dhe në afërsi. Pas një ditë luftimesh të ashpra të gjitha forcat kundërshtare shpartallohen dhe asgjësohen. Në fushë të betejës mbetën përmbi 1000 të vrarë, midis të cilëve shumë oficera. Mbi 200 të tjerë po ndiqen prej forcave tona në pyjet e Mushqetasë e Bërzhitës. U zu një sasi e madhe robërish, ndër të cilët 3 oficerë, material i panumërt, 400 kuaj e mushka, 30 makina, 1 autoblindë në gjendje të mirë, karro të pacenuara të mbushura me material, pushkë e një sasi e madhe municionesh, që akoma nuk është numëruar. Hollësirat më vonë. Po në këtë kohë, forcat e Brigadës së IV S e të Brigadës së VIII S asgjësuan midis urës së farkës dhe urës së Erzenit një fuqi gjermane që e ndihmuar nga 4 tanke që kish mundur të delte nga hallka e rrethimit Mushqeta. Një pjesë e tyre prej 100 vetësh që mundën të arrinin në Tiranë, pësoi po të njëjtin fat nga forcat e Brigadës së I S të cilat i shfarosën plotësisht.

("Buletini i Luftës Nacionalçlirimtare i Tiranës", Viti I, nr.41 18 nëntor 1944)

Beteja e Mushqetasë

Po të krahasojmë shpartallimin që pësuan hitlerianët në betejën e fundit, e cila i dha çlirimin kryeqytetit, me atë që pësuan në Mushqeta, ky i fundit ia kalon. Nuk kanë pësuar asgjësim të tillë hitlerianët në vëndin tonë. Ushtria jonë heroike i ka rrëzuar gjithmonë planet e armikut, qysh prej ofensivës së tij në stil të gjerë e deri në planin e fundit të tyre që synonte ta bënte vëndin tonë si bazë tërheqjeje. Veprimet për dështimin e planeve hitleriane e tradhtare të çdo natyre, janë faqe të lavdishme të historisë sonë që e prunë gjendjen në këtë ditë fatlume për popullin. Por beteja e Mushqetasë, duke u marrë vetëm në kuadrin e situatës së sotme dhe të humbjeve armike, qoftë për manovrimin e forcave tona, qoftë për humbjet e armikut në gjendjen e tij, të dëshpëruar e qoftë për çlirimin e plotë të atdheut tonë, është një nga më të mëdhatë e më deçizive, në mos më e madhja e betejave të fundit që dha si përfundim shpëtimin e Tiranës. Duke lexuar vetëm komunikatën ose duke shkruar për grushtin që hëngri armiku në këtë betejë nuk mund të forcojmë një ide të qartë mbi ç‘është bërë në Mushqeta. Kush shikon fortinat e Bashkisë dhe të Xhamisë së Vjetër, makinat e djegura rrugëve, kufomat dhe materialin e lënë nga armiku në Tiranë, mendon se s‘ka se si të ketë disfatë ndryshe; por kur të shkosh gjatë rrugës Tiranë-Elbasan, s‘të duken gjë humbjet që pësoi brenda në qytet armiku. Duke filluar prej Pallatit të Ri deri në Bërzhitë, pandeh se kjo është disfata më e madhe që flitet kaq shumë sidomos kur shikon, përveç makinave të shkatërruara dhe kuintalët me dinamit që armiku i ka lënë mbi urë të Erzenit dhe të Farkës, se s‘iu dha koha që t‘i hidhte në erë. Shikon këtu me rradhë makina të shkatëruarra, karro, kuaj, kufoma. Thua me vete se kjo do të jetë disfata më e madhe e armikut. Si të kesh kaluar këtë zonë të del përpara një pirg kuajsh dhe karrosh, makina të rëna në hendek, automjete në gjëndje të mirë, karro plot me plaçka që i kanë rrëmbyer hitlerianët në Greqi e Shqipëri, e armatime që s‘ti kanë parë sytë. Mund të numërosh materialet e trupat gjer në Bërzhitë, por këtej e tutje të humbet numri qoftë edhe duke ecur ngadalë. Hidh sytë më të djathtë dhe më të majtë, rrëke gjaku me të vërtetë. Kërma, armatime e mjete shumë të rënda të vërvitura me furi larg xhadesë si nga ndonjë fuqi fizike e jashtëzakonëshme, që nuk ta kap mëndja se qysh ka ngjarë. Pandeh se mund të vazhdojë kjo kasaphanë vetëm deri sa të arrish në të hyrë të rrugës, sado e madhe që të ketë qenë lufta. Sa arrin në të kthyer të rrugës, pirgjet bëhen më të shpeshta. Automjetet e karrot duket sikur kanë dashur të shtyjnë njëra tjetrën. Material i rrëzuar, përhapur dendur e parregull sikur të kishte rënë ndonjë tërmet i fortë nga ata që rrafshojnë. Më tutje, rrugës në brinjën e kodrave të vogla buzë lumit, katër topa të kalibrit të madh fushor janë lënë në vënd me tyta që duket se goditin njëri tjetrin, megjithëse u përdorën kundër Ushtrisë sonë në të gjitha drejtimet. Pak më tutje mbushet numri i kuzhinave lëvizëse për një divizion. Makinat bartëse me gjithë rimorkio, karro të gjata, makina me mitraloza kundërajrorë ngrehur në drejtim të qiellit, topa të vegjël, mitraloza të lehtë dhe të rëndë, vetura, pushkë dhe sende medicinave e një përshesh gjërash të çdo ngjyre dhe lloji. Midis tyre dallohet një jastëk foshnje, që sigurisht është rrëmbyer prej armikut në ndonjë familje të Elbasanit. Prapë kufoma e kuaj të vrarë dhe rrëke gjaku më të mëdha. Lart brinjës e kopshteve, anës lumit, shihen kuaj që i kanë shpëtuar kësaj kasaphane. Thuhet se ka edhe mjaft armiq të fshehur që po i dorzojnë katundet përreth. Ecën më tej, një kapiten i vrarë brenda në makinë, automjeti i zhuritur krejt, motoçikleta të lëshuara rrugës dhe e njëjta skenë si më parë. Ecën akoma nëpër rrugë të kufizuara nga materiali, automjetet bartëse në rrugica, në xhade dhe ngec në një brryl të pjerrët poshtë në të djathtë ku derdhet edhe një përrua i vogël. Materiali e trupat janë stivosur rëndë e në mënyrë të çrregullt. Kuajt e shtrirë dhe kufomat të lënë përshtypjen se këtu ka vepruar thika e jo plumbi. Përroi duket si kanal kasaphane, brenda në të një armik i vrarë ka rënë në ujë. Kapërcen më tutje, përsëri e përsëri vazhdon e njëjta skenë. Kuaj, kufoma, e automjete dhe karro të panumëruara, material lufte dhe plaçka të grabitura. Xhadeja duket lara lara sikur në të të kenë rënë blozat e qytetit. Kalon më tej, topa të tjerë, armatime dhe municione. Në një karro flamuri me kryq të thyer, futur brenda si një plaçkë e vjedhur sa mezi dallohet. Të jep pasqyrën e gjendjes së sotme të Gjermanisë naziste, e cila kërkon të fsheh qëllimet kriminale të saj, tashi që rrebeshi i lëshuar kundër popujve paqedashës e të pafajshëm iu kthye për kokë. Ndodhja e flamurit afër fundit të këtij vargu të gjatë mozaik të tregon, nga një anë, goditjen e fortë dhe të rrufeshme të Ushtrisë sonë, e cila i bëri armiqt që të mos dinin nga t‘ia mbanin, deri sa të braktisnin flamurin nën të cilin raca superiore e Hitlerit do të vendoste rendin e ri në Evropë e pastaj në botë. Nga ana tjetër kjo vërteton se hitlerianët janë katilë të degjeneruar, pa kurrfarë principi e shenje. Dy kilometra më tej katundit Ibë, dy tanke të shkatërruara të lënë përshtypjen sikur kolona armike nuk shkonte drejt Tiranës, por drejt Elbasanit. Nuk plotësohet me kaq kjo skenë. Gjatë gjithë zonës që janë zhvilluar luftimet, më të djathtë dhe më të majtë të rrugës, në pyll dhe në gropa, shihen kufoma dhe materiale që nuk duken pa i kërkuar. Ashpërsia e betejës ka lënë shenjat e saj nëpër faqet e shtëpive që ndodhen anës rrugës, të cilave plumbat u kanë dhënë pamjet e tokës së butë pas një breshërie. Shumë makina janë bërë tërë vrima dhe toka anës xhadesë ngjeshur si me inat. Kur kalon andej nuk të besohet të kenë qenë vetëm 2000-3000 ushtarë armiq. Në bazë të materialit dhe të mjeteve transportuese, llogariten të paktën një divizion i motorizuar. Plaçka është aq e shumtë sa të lë përshtypjen jo të një ushtrie, por të hordhive të egra në kohën e barbarëve. Sikur të kishin mbërritur këto forca në Tiranë, kryeqyteti nuk do të ishte çliruar kaq shpejt e kaq mirë. Shpartallimi i tyre shpëtoi Tiranën nga rreziku i shkatërrimit dhe i masakrave në masë. Kur krahason mjetet e shumtë dhe të rënda të armikut, ushtrinë e tij të madhe që marshonte dhe natyrën e vendit, pozitat e forta të armikut, armatimet e pozicionet tona, çuditesh si qe e mundur të shpartallohen të gjithë këto forca vetëm nga tre batalionet e Brigadës së 4-t S, të tre kompanive të Brigadës së 17-të dhe disa reparte të Brigadës së 8-të. Pa tjetër aftësisë së Komandës sonë i shtohet heroizmi i pashoq i partizanëve, që kanë ditur të vënë pa kursyer gjokset e tyre kundër topave për të mbrojtur popullin. Ushtria jonë heroike, duke parë se ç‘katastrofë do të ishte për popullin, kalimi i këtyre bishave që s‘lenë pas vetes veçse gjak e gërmadha, u hodhën me vetmohim si kurdoherë dhe i shtrinë përdhe bishat e tërbuara para se të kryenin qëllimin e tyre të zakonshëm. Ushtria jonë, bijtë e popullit, që çliroi pjesën më të madhe të vendit, qe gati dhe në këtë rast të vepronte siç duhej në një luftë të pabarabartë që zgjati 36 orë, duke asgjësuar armikun. Beteja e Mushqetasë është e rrallë në çdo pikëpamje.

("Buletini i Luftës Nacionalçlirimtare" i Tiranës. Viti I, nr.45 22 nëntor 1944)



Ibrahim beu i telefonoi në Berlin, Kajter-it, pasi gjermanët do pushkatonin 100 për 1


"Kryeministri Biçaku shpëtoi Tiranën nga hakmarrja për Mushqetan"


Ndryshe nga sa është shkruar vazhdimisht për afro gjysmë shekulli me radhë nga historiografia e regjimit komunist të Enver Hoxhës, "Beteja e Mushqetas" ka edhe anën tjetër të medaljes. E cila bëhet e ditur si nga dëshmitarë okularë që kanë ndjekur nga afër atë ngjarje, ashtu edhe nga dokumentet arkivore apo kujtimet e ish-ushtarakëve gjermanë dhe anglo-amerikanë, që rastësia i çoi të përplaseshin mes tyre në një vend të huaj. Nga të gjitha këto burime, bëhet e ditur se goditja dhe humbjet e mëdha që patën trupat gjermane në Mushqeta nuk erdhën nga forcat partizane (që gjithsesi ishin pozicionuar në pritje të autokolonave gjermane që tërhiqeshin nga Greqia), por nga aviacioni aleat anglo-amerikan, i cili kreu disa inkursione ajrore bombardimi gjatë gjithë aksit rrugor Elbasan-Tiranë, ku lëvizte autokolona gjermane. Kjo gjë erdhi pas kërkesës urgjente në radio që i bëri Shtabi i Përgjithshëm i Enver Hoxhës Komandës së Aleatëve për Mesdheun në Bari të Italisë, e cila menjëherë autorizoi forcat e saj ajrore për goditjen ndaj gjermanëve në zonën e Mushqetas. Si rezultat i atij bombardimi, pati humbje të konsiderueshme jo vetëm në forcat gjermane (flitet për qindra të vrarë), por nga zjarri i avionëve aleatë mbetën të vrarë dhe shumë partizanë që i kishin zënë pritë autokolonës gjermane. Por me gjithë goditjen e avionëve anglo-amerikanë dhe pritës të forcave partizane, një pjesë e forcave gjermane (sipas buletineve të luftës së partizanëve, flitet për 100 forca) arritën të çajnë rrethimin dhe të futeshin në Tiranë. Këto forca në kryeqytet i priste kapiteni Leader, komandanti i garnizonit gjerman të Tiranës (kishte 320 forca nën komandë) për t‘u bashkuar dhe për të udhëtuar më pas në drejtim të Shkodrës. Me të hyrë në Tiranë, komanda gjermane dhe ajo e autokolonës që u godit në Mushqeta i komunikuan Kryeministrit Ibrahim Biçaku se në bazë të ligjeve të luftës që ata kishin, do të pushkatonin 100 civilë të pafajshëm për një ushtar të tyre të vrarë. Kryeministri Biçaku u lidh menjëherë në telefon me Berlinin, duke komunikuar me mikun e tij të ngushtë, gjeneralin Fon Kajter, shef i Shtatmadhorisë së ushtrisë naziste të Hitlerit. (Ibrahim Biçaku me Fon Kajterin njiheshin që në Luftën e Parë Botërore, kur Kajteri, që shërbente si nënkolonel në radhët e austro-hungarezëve në Shqipëri, i kërkoi Aqif Pash Elbasanit dhe i mori djalin e tij, Ibrahimin, për ta shkolluar në Vjenë). Shefi i shtabit të Hitlerit iu përgjigj pozitivisht lutjes së mikut të tij shqiptar, Biçakut, të cilin e kishte mbajtur për 8 vjet në shtëpinë e tij në Vjenë, duke urdhëruar prerë komandantin e garnizonit të Tiranës, kapitenin Leader: "Zbatoni urdhrin e Kryeministrit shqiptar". Të gjitha këto, Ibrahim bej Biçaku i dëshmonte në burgun e Burrelit (ku vuajti 18 vjet) dhe pyetjes së disa prej bashkëvuajtësve të tij se përse ai u dorëzua vetë te partizanët dhe nuk iku nga Shqipëria bashkë me gjermanët që i ofruan avion personal, ai iu përgjigjej: "Braktisja e atdheut, sidomos në çaste kritike, asht ma i randi faj".




Ngjarjet e 62 viteve më parë sipas buletineve të luftës


Partizanët: Ja si luftuam për çlirimin e Tiranës


Me gjoksin e saj UNÇ qëndron mburojë e çeliktë për popullin dhe për qytetin e Tiranës

Shtabi i korparmatës I të UNÇ komunikon:

Luftimet për çlirimin e Tiranës

Më 11 nëntor filloi sulmi vendimtar kundër sistemit mbrojtës të armikut. Lufta u ndez e furishme në të gjitha sektorët. Partizanët me heroizëm dhe me shpejtësi vërviten mbi telat me gjemba dhe në mes të një breshërie plumbash, veçojnë kazermat "28 Nëntori". Pas një rrahje të fortë të artilerisë sonë dhe pas një lufte të ashpër gjithë natën, forcat e Brigadës së IV S dhe të Brigadës së VIII S shpërthejnë vijën e fortifikuar të armikut dhe në mes të Kishës së Shën Prokopit dhe të kazermave, hyjnë në thellë në Tiranën e Re, duke mbërritur në fushën e Shallvares. Natën po të kësaj date, çlirojnë pallatet e mëdha të nënpunsave të kazermave pranë tyre, kapërcejnë Lanën dhe u afrohen godinave të ministrive. Megjithëse armiku vuri në përdorim tanke, autoblinda dhe të gjithë armët, sulmi i partizanëve ishte i pandalshëm. Humbjet e armikut janë të mëdha. Nga ana e brigadës së IV S dhanë jetën për çlirimin e popullit, zëvëndëskomandanti i batalionit të V komunisti Haki Serani, komisari politik i kompanisë, Llazar Kovaçi, komandanti i togës, Guri Podgozhani, komandanti i skuadrës, Ali Lura, Zenun Golloborda, partizani trim, Shaqir Saliu dhe disa të plagosur. Po këtë natë forca të tjera të Brigadës së IV S, pasi rrahën rëndë me artileri pozitat e armikut, i afrohen pallatit të Luogotenencës dhe kodrës sunduese. Nën një zjarr të rreptë të të gjithë armëve, njësi të lehta, kapërcyen telat me gjemba, sulmuan me granata, kërcyen llogoren armikut, vunë në heshtje disa mitraloza dhe, brenda një kohe të shkurtër, e detyruan atë të mbyllet në fortinën prej çimentoje. Humbjet e armikut nga errësira e natës nuk ishte e mundur të saktësoheshin. Nga ana jonë, në sulm me granata mbi llogore të armikut, ra heroikisht, partizani i vjetër, i riu komunist, Ligor Koçi. Në përleshje me granata brenda llogoreve të armikut, u dalluan në mes të tjerëve, zëvëndëskomandanti i kompanisë, Murat Lapi, i cili hodhi më tepër se 23 granata në llogore dhe kapi me sulm të rrufeshëm 2 topa 65/17 mm. Gjithashu u shqua komandanti i togës, Ali Tajari, që, në ballë të shokëve u hodh i pari në llogoret e armikut. Po në këtë kohë, forcat e Brigadës së I S sulmuan kodrat e Fuat Beut (kodrat ku sot ndodhet Qyteti i Studentit. Shënimi ynë), të cilat pas një përpjekje të ashpër, i shtinë në dorë, duke shtërnguar mbeturinat e hitlerianëve të handakosur, të mbyllen brenda një ndërtese. Me shpejtësi kapërcyen rrugën e Elbasanit, ku në të dy anët e saj ngritën barrikada e pozicione, dhe iu afruan pallatit të vjetër të Ahmet Zogut. Armiku pati humbje të mëdha. Vetëm brenda një sektori të ngushtë u gjetën 13 kufoma gjermanësh. Nga ana jonë vetëm 7 të plagosur. Në sektorin prej Pazarit të Vjetër deri në pallatin e maternitetit, forca të tjera të Brigadës së I S me heroizmin dhe shkathtësinë që i karakterizon, dhe pasi goditën me zjarr të dëndur fortinën para Bashkisë, kapërcyen bulevardin në drejtim të shtypshkronjës "Atdheu" dhe të Hotel "Bristol". Forcat partizane arritën në hotelin "Rexhina", Banka e Punës, hotel "London" dhe vazhduan përpara deri në rrugën e Shkodrës, në afërsi të Burgut të Vjetër, ku kapën ndërtesën e Shkollës "Hasan Vogli". Forca të tjera të Brigadës sulmuan me ashpërsi fortinën prapa Xhamisë së Vjetër dhe fortinën para Bashkisë, përmirësuan pozitat e tyre dhe iu afruan sahatit në rrugën "28 nëntori". Armikut iu shkaktuan dëme të mëdha. Nga ana jonë dha jetën për çlirimin e atdheut në sheshin "Skënderbej", komandanti i kompanisë, Estref Osoja. Fuqi të tjera të brigadës së I S kapën me sulm pallatin e ish-Legatës Italiane, ku u luftua me ashpërsinë më të madhe, kat më kat dhe odë më odë si dhe ish-pallatin e princeshave të Zogut. Luftimet u zhvilluan shumë të rrepta. Humbjet e armikut nuk dihen. Nga ana jonë tre të plagosur. Po në këtë kohë forcat e kësaj brigade sulmuan fortinën në krye të bulevardit dhe kapërcyen në rrugën e Brrakës, prej nga përparuan deri në rrugën "Pariani" dhe spastruan krejt lagjen. Sulmet vazhdojnë. Përpara partizanëve shembet çdo qëndresë e armikut. Me gjoksin e saj Ushtria Nacionalçlirimtare qëndron mburojë e çeliktë për popullin dhe për qytetin e Tiranës. Ditët e qëndresës së bishës hitleriane në kryeqytet janë të numëruara.

("Buletini i Luftës Nacionalçlirimtare" i Tiranës. Viti I, nr. 315 nëntor 1944)

Kështu u luftua për çlirimin e Tiranës

Te Kodra e Kuqe tanku armik bën shkatërrime të mëdha dhe dëmton keq pasurinë e popullit tonë. Shaqir Bala nga Tirana dhe Nikolla Lena nga Pogradeci, me iniciativën e tyre dolën nga pozicionet dhe vendosën mitralozin në mes të rrugës. Që aty hapën zjarr kundër tankut nga 30 m. Gjermanët të tërbuar nga heroizmi i shokëve tanë që iu ekspozuan vdekjes me aq guxim, dalin nga tanku dhe sulmojnë që t‘i kapin ata të gjallë. Nazistët nuk e kishin llogaritur guximin dhe vullnetin partizan. Shumica e tyre ranë të vdekur ose të plagosur, nga plumbat e mitrolozit partizan. Tankisti duke parë të vriteshin shokët e tij nazistë, lëshon me furi tankun përpara. Lufta vazhdoi e afërt, gjoksi partizan me tankun armik, deri sa shokët ranë nga predhat e topit armik. Në pozitat tona në Burgu i ri ishte plagosur një shok. Maksut Rexhepi nga Luma qëlloi me pushkë kundër-tank pozicionet e armikut dhe lehtësoi tërheqjen e shokut të plagosur. Ndërkohë arritën 8 tanke për të hapur rrugën e tërheqjes së gjermanëve të rrethuar në Burgun e Ri. Detyra e shokut në këtë rast ishte e rëndë. Skuadra po rrethohej plotësisht Maksuti me pushkën kundër-tank qëlloi armiqtë pandërprerje dhe lehtëson kalimin e shokëve. Heroizma e madhe i kushton jetën. Si kaluan të gjithë shokët, Maksuti, duke vazhduar zjarrin mbi tanket armiq, vritet prej tyre. Një nga skuadrat tona hyri thellë në vijat e armikut, duke mbërritur deri në hotel "Elbasani". Kur u fut brenda kuptoi se në dhomën tjetër gjendeshin gjermanët nëpër pozicione. Për gjashtë orë rresht skuadra jonë heroike luftoi dhomë më dhomë, me pushkë e granata, duke hedhur mbi 50 granata. U vranë shumë armiq. Në ndihmë të skuadrës së rrethuar shkuan tri skuadra të tjera, të cilat rrethuan hotelin dhe filluan ta mitralojnë. Jorgji Thanasi nga Leskoviku, hidhet i pari me granata në dorë kundër nazistëve, shpërthen rrethimin, shpëton shokët dhe mbetet vetë i vrarë.

("Buletini i Luftës Nacionalçlirimtare" i Tiranës, Viti I, nr.45, 22 nëntor 1944)