Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 1
  1. #1
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    24-12-2004
    Postime
    96

    Vetëm Me Gjykim Të Drejtë, Dhe Me Ndërmarrje Adekuate, Arrihet Zgjidhja E Qendrueshm

    VETËM ME GJYKIM TË DREJTË, DHE ME NDËRMARRJE ADEKUATE, ARRIHET ZGJIDHJA E QENDRUESHME

    Letër e hapur Asociacioneve ndërkombëtare: OKB-së dhe KS të OKB-së, BE, NATO-së, Grupit të Kontaktit, SHBA-ve (Senatit dhe Kongresit Amerikan) dhe individëve përgjegjës të disave prej këtyre asociacioneve: Kryenegociatorit për Çështjen e Kosovës, z. Marti Ahtisarit dhe Havier Solanos, sekretar për punët e jashtme të Evropës.

    "Shqiptarët kanë një identitet të fortë historik e kulturor evropian dhe synim të përhershëm kanë integrimin e plotë në qytetërimin perendimor. Injorimi i mëtejshëm i Çështjes shqiptare dhe legalizimi i aktit të kryer, nënkuptojnë përsëritjen e krimeve historike të diplomacisë ndërkombëtare ndaj kombit shqiptar".
    Nga Memorandumi i Forumit të Intelektualëve Shqiptar të Kosovës.

    Të nderuara shkëlqësi,
    Po ju drejtohem Juve me lutjen që të ndani një copë kohë, sa për ta lexuar këtë letër, në të cilën, (unë, si pjesëtar i kombit shqiptar, i një kombi të vjetër Ilirik, me fat tragjik, i cli, për shkak të mostrajtimit adekuat në të kaluarën, gjendet edhe sot e kësaj dite në objektivat trajtues si të individëve, ashtu edhe të mekanizmave të ndryshëm ndërkombëtar, njëherit edhe në trajtimin tim. Dhe, jam i vetëdijshëm, se nuk do të them asgjë të re, kur dihet se të gjitha të dhënat, për shkaqet e raporteve të këtilla në mes shqiptarëve dhe fqinjëve të tyre, u janë të njohura asociacioneve ndërkombëtare, por, pasi që, gjykimet dhe ndërmarrjet e derisotme, nuk ishin adekuate, ato raporte vetëm sa janë ashpërsuar edhe më tepër. Andaj, unë, me vërejtjet e mia, po ju drejtohem Juve, me dëshirën, që ato të jenë në funkcion të korrigjimit të qendrimit të asociacioneve ndaj të vërtetës dhe të drejtës, që u mohohet disa popujve për ta gëzuar dhe përjetuar lirinë, në mes të cilëve gjenden edhe shqiptarët. Gjithashtu dëshiroj, që vërejtjet e mia të jenë edhe në funkcion të riradhitjes dhe zgjidhjes së sërishme të çështjeve problemore, sipas peshës së problemeve, në mënyrë që të bëhen kthesa pozitive, në favor të mirëqenjes mbarënjerëzore. Gjithashtu, do të përpiqem në mënyrë më objektive, që trajtesës sime, të mos i vijë era njëanshmëri. Pra, tehun e vërejtjeve të mia e kam të drejtuar kundër njëanshmërisë, sepse, konsideroj, se, mu ajo njëanshmëri e ka mbyllë rrugën e arsyeshmërisë, për t'ia hapur rrugën interesit vetanak, mosmarrëveshjeve, mospajtimeve dhe ngatërrimit të problemeve. Andaj, duke qenë se shqiptarët ishin dhe janë edhe sot viktimë e gjykimit jo të drejtë, do të ndalem fragmentarisht nëpër disa udhëkryqe e prita, me të cilat është ballafaquar populli shqiptar në etapa të ndryshme të civilizimit njerëzor, frytin e të cilave udhëkryqe e prita, shqiptarët e kanë përjetuar me tragjizëm shekullor.
    Nga historia e intërpretuar deri më sot, jo vetëm nga shqiptarët, por edhe nga shkencëtarë, publicistë, udhëpërshkrues, diplomatë, misionarë e vëzhgues, kemi mësuar, se përpjekjet, sakrificat dhe luftërat e popullit shqiptar, me të tjerët, kanë qenë vetëm të karakterit mbrojtës dhe çlirimtar, siç ishte edhe Lufta e fundit e popullit shqiptar kundër okupatorit serb, e cila u zhvillua në trojet shqiptare. Gjithashtu, dihet nga historia, se populli shqiptar, jo vetëm që është solidarizuar me popujt liridashës, por edhe u ka ndihmuar atyre (grekëve, italianve, maqedonve e të tjerëve) në çlirimin dhe shtetformimin e tyre.
    Dua të theksoj, se luftërat e shqiptarëve nuk ishin vetëm rezultat i lakmisë dhe tendencave hegjemoniste të fqinjëve, por ishin edhe rezultat i gjykimit jo të drejtë të Çështjes Shqiptare nga Fuqitë e mëdha dhe nga Qendrat e Vendosjes, të cilat, e ndanë Tokën shqiptare në pesë thela, për ta dobësuar fuqinë mbrojtëse dhe për t'ia lënë shqiptarëve frontin e hapur me katër popujt fqinjë: me Serbinë, Malin e Zi, Maqedoninë dhe me Greqinë.
    Tani, kur, për kolonializmin flitet si për një kohë të kaluar tani më edhe në vendet afrikane, në Ballkan, gjegjësisht në Evropë, ende veprojnë forcat hegjemoniste e neokolonialiste, duke u shërbyer me mentalitetin mesjetar, me të cilin mentalitet, bëhen përpjekje, që ta kthejnë prapa rrotën e historisë, me propagandë fund e krye gënjeshtare, nën të cilën rrotë gjendet edhe Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Serbisë, bashkë me Parinë fetare të ortodoksisë serbe, tendencat e të cilave, ende po i konzumon dhe mbështetë Faktori Ndërkombëtar, duke u influencuar prej dy-tre anëtarëve përbërës të Faktorit Ndërkombëtar.
    Tani, kur, për të vërtetën dhe për të drejtën e popujve të shtypur, informacioni merret jo më vetëm nga qarqet e sundimtarëve, por, edhe nga burimi, prej ku rrjedhin dhe shfaqën pakënaqësitë, mospajtimet dhe diskriminimi. Andaj, sot, shqiptarët, me të drejtë e presin atë korrigjim qendrimi dhe ndërmarrje adekuate nga Faktori Ndërkombëtar. Dhe, sa më parë që të ndërmerren masat adekuate ndaj çështjeve problemore, siç është ky në mes shqiptarëve dhe fqinjëve të tyre, aq më të vogla do të jenë pasojat dhe e kundërta. Sa më i gjatë të jetë hezitimi i ndërmarrjeve ndaj çështjeve problemore, aq më të rënda do të jenë pasojat dhe aq më të vogla do të jenë gjasat e normalizimit të marrëdhënjeve në mes popujve të armiqësuar. Si pasojë e hezitimit, do të jetë edhe komprometimi i mekanizmave ndërkombëtarë, tok me zhgënjimet, dëshpërimet dhe me humbjet e mëdha edhe materiale. Pra, gjykimi i drejtë i Çështjes shqiptare, i bazuar në argumente shkencore dhe ndërmarrja adekuate ndaj agresorit, sot, jo vetëm që do ta zgjidhte Çështjen shqiptare, por do ta stabilizonte edhe tërë Ballkanin. Madje, edhe do ta fisnikëronte vetëdijën e oligarkisë serbe deri në atë masë, sa të heqë dorë nga tendencat hegjemoniste e kolonialiste, me të cilat, i ka krijuar edhe vetës dëme të pallogaritshme.
    Përndryshe, insistimi me aq ngulmë i Faktorit Ndërkombëtar, drejtuar shqiptarëve, që serbëve në Kosovë t'u sigurohen kushte e siguri, nuk është i drejtuar në adresë të saktë, sepse, shqiptarët nuk janë ata, që do të mund t'ua hiqnin serbëve nga koka ndjenjën e supërmacionit, të urrejtjes dhe të të privilegjuarit, me të cilat, serbët janë mësuar të jetojnë. Pra, thënë shkurt e qartë, se serbët janë ata, që me krime e diskriminim e kanë vrarë bashkëjetesën e me të edhe sigurinë e vetë. Andaj, Faktori Ndërkombëtar, nga serbët e Kosovës duhet kërkuar aso sjelljesh e veprimesh, që do të premtonin mundësi për bashkëjetesë, e jo nga shqiptarët. Dua të theksoj më ketë rast, se jeta e gjatë e shqiptarëve nën sundimin diskriminues serbosllav, e ka nxjerrë konkludimin se: "Për serbët, barazia çmohet si padrejtësi".
    Kushti tjetër i Faktorit Ndërkombëtar që u imponohet shqiptarëve për ta pranuar, e që kundërmon erë njëanshmërie, është ai, që thotë se:
    "Shqiptarët, për ta fituar pavarësinë, duhet të zotohen se nuk do të bashkohen me asnjë shtet fqinj". Është fjala për (me Shqipërinë). Kusht ky, që nënkupton prap vazhdimin e konfliktit në mes shqiptarëve dhe serbëve.
    Sepse, shihet qartë, se këtë kusht, Serbia ia ka imponuar faktorit ndërkombëtar, me qëllim, që një ditë, kur ta sheh të mudshme, ta sulmojë dhe ta okupojë prap Kosovën, sepse, të ndarë, do ta ketë më lehtë ta pushtojë. Një kusht i tillë, pra, nuk do t'i kontribonte zgjidhjes së Çështjes së Kosovës, as të shqiptarëve në tërësi. Përkundrazi, do ta ndërlikonte edhe më tepër, duke e lënë prap fitilin e luftës të kurdisur, edhe pse dihet, se Kosova kurrë nuk ka qenë e Serbisë, por ka qenë e okupuar dhe e diskriminuar, madje me bekimin edhe të fuqive të mëdha, të cilat e ndanë Kosovën, si edhe pjesët tjera, (që gjenden sot nën juridiksionin e Maqedonisë, të Greqisë, të Serbisë, të Malit të Zi). Lëshim tjetër i faktorit ndërkombëtar ndaj çështjes së Kosovës, është të emërtuarit e popullatës së Kosovës si multietnike, në të cilën jetojnë hiç më shumë se 10% të të gjitha pakicave. Ndërsa serbë në Kosovë ka vetëm 5% dhe kërkojnë që të konsiderohen si entitet shtetformues. Ku është parë apo dëgjuar, që dhjetë përqindshi i një popullate të një vendi, ta bëjë të quhet multietnike?!! Një qendrim i tillë supërtolerant dhe "zemërgjërë" i Bashkësisë Ndërkombëtare ndaj Serbisë, ta imponon pyetjen: Mos vallë, Bashkësia Ndërkombëtare, me këto detyrime e kushte që po ia shtron sot Kosovës, don ta fisnikërojë demokracinë në Evropë ? Njëanshmërinë mohuese të Bashkësisë Ndërkombëtare ndaj Çështjes së Kosovës dhe të shqiptarëve, si dhe supërtolerancën ndaj agresorit serb, e vërteton edhe lejimi i mbajtjes së referendumit të serbëve, madje edhe për serbët e Kosovës në Kosovë, me tendencën, tani më të njohur , për ta mbajtur edhe më tej Kosovën të okupuar, kur dihet se Kosova kurrë nuk ka qenë e Serbisë. Ky fakt pohohet dhe pranohet madje edhe nga disa intelektualë e politikaj serbë.
    Kësaj manovre ogurzezë, ç'ti thuhet tjetër, veç se, :"Ti them sa s'em ka thënë". Që don të thotë: Ta mbajmë referendumin ne serbët, për okupim, sa s'e kanë mbajtur shqiptarët për pavarësi. Por, t'ua përkujtojmë, se shqiptarët e patën mbajtur referendumin dhe, në mënyrën më civilizuese e shprehen mospajtimin e tyre kundër zullumit serbomadh, por e tërë ajo revoltë e shqiptarëve, nuk hasi në përkrahje të plotë nga Bashkësia Ndërkombëtare, derisa u detyruan t'i rrokin edhe armët, krismat e të cilave ia nxorën gjumin edhe Faktorit Ndërkombëtar -NATO-s, e cila i erdhi në ndihëm Kosovës, gjegjësisht UÇK-së dhe e dëboi falangën serbe nga Kosova.
    Njëanshmëria tjetër e faktorit ndërkombëtar ndaj çështjes shqiptare, është moslejimi i formimit të ushtrisë as i dy ministrive, asaj të mbrojtjes, dhe i ministrisë së punëve të jashtme të Kosovës, mekanizma këto të domosdoshme për një shtet. Dhe pakuptimësia bëhet aq më apsurde, mu tani, kur bëhen përpjekje për ta bashkuar Europën, me synimin që ajo të bëhet një Union i fortë në pikëpamje ekonomike, politike dhe ushtarake, shqiptarëve u predikohet, duke u thënë: "se përspektiva e tyre në të ardhmën do të jetë në Evropën e Bashkuar". Por, lind pyetja, se si do t'i rrinë për shtati Evropës ato copa tokash shqiptare të ndara? Dhe, sa do të jetë bindës dhe i qendrueshëm ai predikim, kur për Evropën thuhet, se bashkimi do të krijojë ardhmëri më të lumtur, kur dihet se në Evropë gjenden edhe shqiptarët e ndarë dhe të lënë në kthetrat e katër hegjemonistëve fqinjë? Kur dihet gjithashtu, se padrejtësitë e përsëritura e kanë katandisur popullin shqiptar aq, sa, ai sot, më shumë gjendet i "syrgjynosur" nëpër të katër anët e botës, se sa në vendin e vetë.
    Andaj, drejtësia do të thoshte: Të bashkohen dhe të shërohen njëherë gjymtyrët e tokave shqiptare, pasi që edhe ato janë në një territor unik evropian, e mandej, të bashkuar, të inkuadrohen në Unionin evropian. Ajo ka qenë dhe është aspiratë e përhershme e shqiptarëve. Këtë aspiratë të përhershme e vën në dukje, madje në mënyrë të theksuar, edhe Forumi i Intelektualëve Shqiptarë të Kosovës, në Memorandumin e vetë, dërguar asociacioneve ndërkombëtare, në të cilin, në mes tjerash thuhet:
    " Shqiptarët kanë një identitet të fortë historik e kulturor evropian dhe synim të përhershëm kanë integrimin e plotë në qytetërimin perendimor. Injorimi i mëtejshëm i çështjes shqiptare dhe legalizimi i aktit të kryer, nënkuptojnë përsëritjen e krimeve historike të diplomacisë ndërkombëtare ndaj kombit shqiptar".
    Andaj themi, se do t'ishte fat për njerëzimin, sikur shkenca t'i printe politikës dhe diplomacisë. Kjo për arsyen e thjeshtë, sepse shkenca, në të shumtën e rasteve ushqehet me parimin matematikor dhe me logjikën e shëndoshë të drejtësisë.
    Edhe realiteti po dëshmon se: mu për shkakun, pse nuk janë përfillë argumentet shkencore, sidomos ato që kanë të bëjnë me historinë dhe drejtësinë, janë krijuar mospajtime, të cilat janë manifestuar me konflikte, gjakderdhje e me mjerimin njerëzor.
    Lidhur me këtë, do ta përkujtoja një mendim të akademikut tonë të shquar Esat Stavilecit, kur thotë: "Njerëzit që e njohin historinë dhe i kuptojnë përvojat e historisë, në politikë sillen më realisht, jo që t'i vëjnë në pyetje interesat e popullit të vetë, veçse pikërisht të kundërtën, që ato interesa t'i mbrojnë me mençuri"...
    Kur dihet se vetëm të dhënat e sakta e bëjnë shkencën shkencë, dhe mbi bazën e saj zgjidhën çështjet problemore politike dhe diplomatike, atëherë ajo zgjidhje do të jetë e qendrueshme dhe jetëgjatë. Andaj, nisur nga ai parim, që politika dhe diplomacia të udhëhiqen nga të dhënat shkencore, fjalën po ua lëmë disa shkencëtarëve dhe ekspertëve të njohur eurobotërorë, të cilët janë marrë dhe merren edhe sot me historinë e raporteve në mes popujve të Ballkanit dhe me çështjen shqiptare, me shpresën se këta shkencëtarë dhe ekspertë do të influencojnë në kuptimin pozitiv për përkrahjen e të drejtës shqiptare për vetëvendosje:
    Svein Monesland, ekspert i gjuhëve sllave dhe baltike, ndër të tjera thotë: "Padrejtësia që i është bërë këtij populli (shqiptarëve) të lashtë evropian, nuk mund të gjendet në analet e asnjë populli tjetër në truallin e Evropës". Dhe me një rast tjetër thotë: "Populli shqiptar...në të vërtetë është popull i ndarë i Evropës. ...E drejtë e pamohueshme e këtij populli është që të bashkohet sipas vullnetit të vetë".
    Vadham Peacock, ish konzul anglez në Pjesën Veriore të Shqipërisë, në librin e tij "Albania the Fundling State of Evrope" (1914), veç tjerash, nxjerrë këtë konstatim: "Bota duhet ta dijë se shqiptarët që do të mbetën jashtë kufijve të natyrshëm të Shqipërisë, d.m.th. kufijve të saj etnikë, nuk do të rrinë të qetë, por, do të punojnë gjithnjë, që të bashkohen me vllëzërit e tyre, në shtetin e tyre etnik".
    Dr. Zhorzh Prevallakis, ekspert i Sorbonës, kur flet për çështjen e pazgjidhur të shqiptarëve në Ballkan, ndër të tjera thotë:"Moszgjidhja integrale e problemit strukturor shqiptar, gjegjësisht mosmbulimi unik shtetëror i hapësirës shqiptare në Ballkan nën një juridiksion kombëtar, realisht i la të hapura kërcënimet për stabilitetin dhe sigurinë rajonale. Gazeta "Bujku" e 12. 07. 1997.
    Jonathan Eyal, Drejtor i Institutit Mbretëror të Ushtrisë së përgjithshme në Londër dhe analist i njohur i problemeve në Ballkan, ndër të tjera thotë: "Politika, që Kosova duhet të ketë autonomi brenda Serbisë, nuk ka kurrfarë gjasash të këtë sukses". Më tutje Eyal thotë; "Populli i Kosovës vuajti gjatë shtatëdhjetë vjetëve të fundit, në radhë të parë, për shkak se dikush në Perendim vendosi për fatin e tij. Nuk kemi ndryshim të madh në këtë aspekt as sot".
    Ndërsa Bogdan Deniqi, profesor i sociologjisë në Universitetin e Citys-së të Nju Jorkut, me prejardhje jugosllave, ndër të tjera thotë:"Shumica e shqiptarëve nuk kanë hyrë me vullnet në bashkësinë jugosllave. Territori i tyre (shqiptarëve) është pushtuar në luftrat ballkanike, ndërsa plebishit as që ka pasur ndonjëherë". Dhe, i pyetur: -"Në bisedën joformale, shpesh dëgjohet fjala, se shqiptarët në Jugosllavi janë ardhacakë, dhe si të tillë, duhet të pajtohen që të jetojnë në atdhe të huaj ", Deniqi ndër të tjera thotë: "E unë them se Kosova është atdhe i huaj për serbët, sepse, ata kur kanë ardhur në Kosovë, i kanë gjetur shqiptarët. Shqiptarët aty kanë lindur. Aty kanë jetuar të parët e tyre". Nga "Danas-i" i Zagrebit i dt. 20.06.1989, f. 12, 13, 14.
    Dhe dy a tri, ndër të shumtat, konstatime të njohësve të çështjes shqiptare nga shqiptarët:
    Dr. Blerim Reka, ekspert i marrëdhënjeve ndërkombëtare, ndër të tjera thotë: "Dosja tragjike shqiptare 84 vjeçare, e shkruar në arkivat policore, gjygjësore dhe ushtarake të Beogradit, është një faktum i bollshëm i akteve dhe i veprimeve represive të një shteti ndaj tërë një populli, që konform doktrinës komparative juridike ndërkombëtare, justifikon të drejtën e vetëvendosjes së shqiptarëve në Kosovë, si popull, i cili, sistematikisht, gati një shekull u keqtrajtua nga shteti serb".
    "Gazeta "Bujku" e 1 qershorit 1996, f.3.
    Ismail Kadare, shkrimtar, në intërvistën dhënë "Zërit" (javor), ndër të tjera thotë: "Nuk duhet të harrojmë, që Shqipëria është i vetmi vend në Evropë, që më shumë se gjysmën e popullsisë dhe të tokave i ka jashtë kufijve të saj". Dhe, më tutje vazhdon Kadare: "Çështja e Kosovës është treguesi më i qartë, se në botën e sotme, ndonëse flitet shumë për të drejtën e për moralin, në fakt janë ende zotërues padrejtësia dhe amoraliteti.
    Kosova është ndër AKUZAT më të MËDHA që i bëhen kësaj bote në mbarim të shekullit XX".
    Këto dhe shumë konstatime tjera, të shoqëruara me aktivitete e lëvizje çlirimtare të shqiptarëve, për ta sendërtuar aspiratën shekullore, për Liri e Pavarësi, u adresohen këtyre mekanizmave e individëve me lutjen, që tani, kur po flitet dhe negociohet për statusin juridik e politik të Kosovës, ta ngrisin zërin, duke e gjykuar drejtë Çështjen shqiptare në tërësi, që ajo të kurorëzohet me LIRI e PAVARËSI të plotë, për t'u siguruar paqja dhe stabiliteti, vlera këto, që do ti hapnin rrugën zhvillimit dhe prosperitetit, e me të edhe mirëqenjës së njerëzimit në rajon dhe më gjerë.
    Pra, po e përfundoj këtë artikull me deshirën më të madhe, që në zgjidhjen e çështjeve problemore, siç është kjo e Kosovës, të dominojë zëri i arsyes, zëri i së vërtetës dhe zëri i së drejtës !




    P.S.
    I lutem redaksisë s'Uaj, që për hirë të aktualitetit që përmban ky artikull, me të cilin ju kam drejtuar asociacioneve ndërkombëtare dhe individëve përgjegjës për shqyrtimin dhe zgjidhjen e Çështjes shqiptare, ta përktheni në gjuhën angleze, pasi që unë nuk e di gjuhën angleze, dhe ta publikoni në faqën t'Uaj të intërnetit.
    Që më parë ju falenderon dhe ju përshëndet përzemërsisht

    Hamzë Gashi
    Ndryshuar për herë të fundit nga Iliron_Eagle : 12-11-2006 më 11:42
    Verdana]Bota sillet për ti dhënë marramendje njerzimit që t'mos e kuptojnë jetën! ! !. . .(nga unë)

Tema të Ngjashme

  1. Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë
    Nga drini_në_TR në forumin Kulturë demokratike
    Përgjigje: 106
    Postimi i Fundit: 08-02-2013, 09:44
  2. Shteti dhe Individi ne Islam.
    Nga Klevis2000 në forumin Komuniteti musliman
    Përgjigje: 13
    Postimi i Fundit: 17-12-2005, 08:55
  3. Merjemja a.s, Nëna e Isait (Jezusit)
    Nga Klevis2000 në forumin Komuniteti musliman
    Përgjigje: 1
    Postimi i Fundit: 30-03-2005, 08:17
  4. Debat mes anti liberalëve dhe liberalëve
    Nga liridashes në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 1
    Postimi i Fundit: 22-03-2005, 19:26
  5. Të drejtat e njeriut në Islam
    Nga ORIONI në forumin Komuniteti musliman
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 02-02-2005, 17:11

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •