Një nga tragjeditë më të bukura të antikitetit, “Medea”, edhe pse shumë e njohur për subjektin e saj, për herë të parë ngjitet sot në skenën e teatrit.
Katarsis përmes Medeas
Është një e marrosur prej dashurisë, e lënduar nga tradhtia dhe hakmerret atje ku dhemb më shumë. Konsiderohet si një nga figurat më të tmerrshme femërore të mitologjisë. Një vëllavrasëse, por mbi të gjitha, një fëmijëvrasëse. Ajo është Medea, gruaja e bukur e Jasonit, që braktisi gjithçka për të, vendin, shtëpinë, vrau vëllanë, për të qenë e huaj në një vend të huaj. Një nga tragjeditë më të bukura të antikitetit “Medea”, edhe pse shumë e njohur për subjektin e saj, për herë të parë ngjitet në skenën e teatrit. Me mbështetjen e Ambasadës së Greqisë, “Atelier 31” guxon të shkelë në një tokë, të konsideruar të minuar nga regjisorët shqiptarë. Dhe jo më kot. Antikiteti është një nga dobësitë e teatrit shqiptar, mungon eksperienca dhe deri më sot nuk janë gjendur ata regjisorë që t’i dalin për zot veprave të antikëve të mëdhenj grekë. Pas sprovës së një viti më parë, “Atelier 31” dhe regjisori Mikel Kalemi merr përsipër të ngjisë në skenë një tragjedi edhe më të vështirë se “Antigona” e Sofokliut, e cila u përball me publikun një vit më parë. Bëhet fjalë për “Medean”, tragjedinë e Euripidit, e cila ka mbledhur rreth vetes një kast të zgjedhur aktorësh si Ema Andrea në rolin e Medeas, Vasjan Lami në rolin e Jasonit, Roza Anagnosti, Ahmet Pasha, Saimir Braho, Vangjel Toçe, si dhe aktorë të tjerë të rinj. Skenografia dhe kostumografia i është besuar Genc Shkodranit, ndërsa muzika Endri Sinës. Vepra që ngjitet sot në skenën e Akademisë së Arteve është rezultat i një pune njëvjeçare, jo fort të lehtë. Vetë aktorët e pranojnë se iu është dashur të shfletojnë shumë, për të kuptuar thelbin e tragjedisë greke, por edhe për të kuptuar më mirë karakteret, e mbi të gjitha, mënyrën e komunikimit. Komunikimi me spektatorin nuk është ai i zakonshmi dhe fjala ka më shumë peshë se në çdo zhanër tjetër, ndërkohë që eksperienca në këtë fushë është e vogël. Megjithatë ka shumë pasion. “Antikiteti grek është një nga pasionet e jetës sime. Më vjen keq që vepra të tilla nuk janë shfaqur tek ne, nuk e dimë si tingëllojnë në gjuhën shqipe, por në të njëjtën kohë më vjen edhe mirë, pasi do të jem unë ai që do bëj një gjë të tillë. Më është dashur të studioj shumë, të vizitoj vende antike në Greqi dhe të ndjek festivale të ndryshme teatrosh. Personalisht jam kanalizuar në këtë zhanër dhe shpresoj ta vazhdoj edhe në të ardhmen”, - thotë regjisori Mikel Kalemi. Për të sjellë një vepër sa më besnike origjinalit, por edhe lehtë të përthithshme nga spektatori, regjisorit dhe aktorëve u është dashur të gërmojnë dhe të gjejnë elementë, që depërtojnë thjesht tek publiku. Të gjejnë një mesatare të artë mes tragjedisë antike dhe veprës realiste. Tek Medea nuk është parë vetëm gruaja e marrë, hakmarrësja, vrasësja, por edhe njeriu që ndien, që përplaset mes dashurisë dhe urrejtjes, tradhtisë dhe ndjenjave mëmësore. Medea është e ikura, braktisësja e vendit të saj drejt një të panjohure më të mirë, drejt një të ardhmeje që e kanë menduar qindra shqiptarë të ikur. Ndaj dhe aktorja Ema Andrea thotë se me këtë rol, ajo kërkon të “zhveshë” Medean nga paragjykimet. Por jo vetëm kaq. “Jasonin mund ta gjejmë edhe në ditët tona, ndaj dhe jam munduar të bëj një gërshetim mes Jasonit të Euripidit dhe jasonëve të kohëve moderne”, - thotë aktori Vasjan Lami. Për ambasadorin grek në Tiranë, ngjitja e kësaj vepre në skenën shqiptare është sigurisht një ngjarje e rëndësishme në kalendarin kulturor shqiptar. Sipas tij është i rëndësishëm fakti që artistët e “Atelier 31” gjejnë brenda teksteve të shkruara 2500 vjet më parë elementë dhe gjëra të tilla, që iu interesojnë atyre dhe artdashësve.
Shekulli
Krijoni Kontakt