Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 3
  1. #1
    Administratore Maska e Fiori
    Anëtarësuar
    27-03-2002
    Vendndodhja
    USA
    Postime
    3,016

    Çfarë do të përfitojë biznesi vendas - Tregëtia e lirë (CEFTA)

    .
    .

    Nënshkruhet CEFTA, ja çfarë do të përfitojë biznesi vendas

    Bizneset shqiptare do të kenë më shumë lehtësira, pas nënshkrimit të Marrëveshjes të vetme për Tregtinë e Lirë për Europën Qendrore (CEFTA)


    Marrëveshja e përbashkët e Tregtisë së Lirë midis vendeve të Europës Qendrore dhe asaj Juglindore, CEFTA, është nënshkruar dje në Bruksel. CEFTA integron 32 marrëveshjet e tregtisë së lirë, që ekzistojnë në rajonin tonë, në një të vetme. Në këtë marrëveshje marrin pjesë Shqipëria, Bullgaria, Bosnja Hercegovina, Kroacia, Moldavia, Mali i Zi, Rumania, Serbia, Maqedonia, si dhe Kosova. Kjo marrëveshje është cilësuar si një nga më modernet në fushën e tregtisë së lirë, për shkak se për herë të parë në një marrëveshje të tillë, harmonizohen rregullat e tregtisë në rajon dhe përfshin një gamë më të gjerë, si shërbimet, e drejta e autorit etj. Bizneset shqiptare do të kenë më shumë lehtësira pas nënshkrimit të Marrëveshjes të vetme për Tregtinë e Lirë për Europën Qendrore (CEFTA). Kjo marrëveshje pritet të sjellë mundësi më të shumta, jo vetëm për eksportet shqiptare drejt vendeve të rajonit, por dhe do të nxisë investimet vendase. Për më shumë informacion, "Shekulli" i është drejtuar ekspertit në fushën e shkëmbimeve tregtare Ilir Ciko.

    Çfarë të re do të sjellë për biznesin shqiptar, nënshkrimi i një Marrëveshjeje të vetme për Tregtinë e Lirë për Europën Qendrore (CEFTA)?
    Së pari, besoj se asgjë për t'u trembur. Arritja e një Marrëveshjeje të vetme të Tregtisë së Lirë në rajon, në thelb nuk është një tentativë për një liberalizim të mëtejshëm tarifor të tregtisë midis vendeve të rajonit, ashtu sikurse gabimisht perceptohet shpesh. Kjo gjë tashmë është e arritur në një masë të mirë, nëpërmjet Marrëveshjeve dypalëshe të Tregtisë së Lirë, por, kryesisht edhe në sajë të hapjes së tregjeve të këtyre vendeve si pasojë e proceseve të tjera reformuese në të cilat ato janë përfshirë, siç mund të jenë anëtarësimi apo pjesëmarrja në OBT, negocimi me Bashkimin Europian me synim final anëtarësimin në të ardhmen, hapja e tregjeve për zhvillim ekonomik etj. Ajo çka CEFTA synon të arrijë është relativisht e thjeshtë, pasi objektivi parësor është shkrirja e një liste të gjatë marrëveshjesh dypalëshe në një marrëveshje të vetme, e cila do të lexohet më thjesht e njësoj nga të gjithë investitorët e huaj në të gjithë rajonin, duke e lehtësuar e stimuluar ardhjen e tyre në të. CEFTA, ka të bëjë me përgatitjen e një tregu të hapur midis vendeve të rajonit, për ta bërë atë të aftë të kërkojë nesër integrimin e tij në ekonominë europiane, pjesë e së cilës çdo vend i rajonit aspiron për të qenë. CEFTA, sjell një risi mjaft të rëndësishme për investitorët e huaj e kryesisht ata evropianë, kalimin në rregullat e origjinës së produkteve nga kumulimi bilateral që ekziston në raportet tregtare midis çdo vendi të rajonit dhe BE, në kumulimin diagonal, i cili bën të mundur që produkte të përftuara nga lëndë të para nga vende të ndryshme të rajonit të marrin origjinën e tij. Kjo gjë sjell mundësi të larta përfitimi nëpërmjet shfrytëzimit të potencialeve komplementare që ekzistojnë në vendet tona, të cilat pritet të nxisin investimet nga bizneset vendase, e sidomos nga ato të huaja që synojnë tregjet evropiane dhe shtrirjen e aktivitetit në rajon. Për këto arsye, mendoj se e rëndësishme është të theksohen avantazhet e mësipërme, që Shqipëria do të përfitojë nga arritja e kësaj marrëveshjeje. Përsa i përket shqetësimit lidhur me rinegocimin e tarifave doganore për produktet e shkëmbyera ndërmjet vendeve të rajonit, me duhet të përsëris që kjo është një çështje tashmë thuajse e ezauruar nëpërmjet marrëveshjeve ekzistuese të tregtisë së lirë. Pavarësisht se gjasat janë që nuk do të shkohet në një stad të mëtejshëm liberalizimi tarifor (por do të vazhdojnë të zbatohen angazhimet e marra në MTL-të ekzistuese), nëse një gjë e tillë mund të kërkohet në të ardhmen, biznesi shqiptar do të duhet të bashkëpunojë me qeverinë dhe gjithë aktorët e përfshirë në këtë proces, për të pasqyruar në çdo hap nevojat konkrete që ekonomia shqiptare ka. Dhe në këtë drejtim, veçanërisht për produktet që përdoren si lëndë e parë e industrive shqiptare, ka potenciale ku mund të punohet edhe më tej pozitivisht.

    Duke iu referuar të dhënave dhe shifrave, si ka ecur tregtia me Maqedoninë e Kosovën për 8 mujorin e parë te vitit, krahasuar me vitin e kaluar?
    Kosova është i vetmi vend, me të cilin Shqipëria ka një bilanc tregtar pozitiv, pavarësisht se shkëmbimet tregtare janë në nivel jo shumë të kënaqshëm, ato arritën në rreth 31 milion Euro për vitin 2005 (1.2 për qind e tregtisë së jashtme të Shqipërisë) nga të cilat 22 milion Euro kanë qenë eksportet nga Shqipëria në Kosovë. Gjatë 6-mujorit të parë të këtij viti, vihet re një tendencë e uljes së eksporteve drejt Kosovës (-19për qind) dhe një rritje e konsiderueshme e importeve nga Kosova (122 për qind), kjo krahasuar me 6-mujorin e parë të vitit të kaluar, pavarësisht se bilanci tregtar mbetet ende pozitiv dhe Kosova renditet si destinacioni i katërt më i rëndësishëm për eksportet shqiptare. Ky ndryshim në shkëmbimet tregtare, vjen si pasojë e rënies së eksporteve në disa produkte si vezët, pijet freskuese, produktet e çelikut etj., si dhe rritjes së importeve nga Kosova për produkte si gjedhet, patatet, drithërat dhe disa produkte hekuri e çeliku. Përsa i përket Maqedonisë, shkëmbimet tregtare i kalojnë tashmë i kalojnë 40 milion Euro në vit, por me një bilanc tregtar negativ pasi, p.sh., në vitin 2005 eksportet shqiptare ishin rreth 8.3 milion Euro, ndërsa importet nga Maqedonia rreth 32 milion Euro. Struktura e mallrave të shkëmbyera midis dy vendeve është përgjithësisht e diversifikuar, p.sh., produktet bujqësore përbëjnë rreth 25për qind të importeve nga Maqedonia, ndërkohë që i njëjti tregues është rreth 10 për qind për eksportet shqiptare. Por, në raport me Maqedoninë, ashtu sikurse dhe me vendet e tjera të rajonit, konstatohet një rritje e shpejtë e shkëmbimeve tregtare, ashtu si ilustrohet dhe nga shifrat e 6-mujorit të parë të vitit 2006, të cilat tregojnë një rritje me mbi 19për qind te eksporteve shqiptare dhe me rreth 84 për qind të importeve nga Maqedonia. Gjithsesi Maqedonia është partneri ynë i 6-të përsa i përket destinacionit të eksporteve shqiptare dhe i 12-ti përsa i përket importeve, duke përbërë rreth 1.8 për qind të shkëmbimeve tregtare të Shqipërisë.

    Si ka ecur tregtia me vendet e rajonit, që nga koha kur janë nënshkruar MTL-të, gjithmonë, duke iu referuar dhe zhvillimeve të fundit të biznesit shqiptar?
    Analiza e shkëmbimeve tregtare me vendet e rajonit gjatë viteve të fundit, dëshmon për një zhvillim tepër të shpejtë dhe me ritme shumë më të larta se me partnerët e tjerë tregtarë të Shqipërisë. Gjithsesi, nuk duhet harruar se tregtia me rajonin përbën më pak se 10 për qind të tregtisë së jashtme të Shqipërisë dhe duke filluar nga viti i ardhshëm, 2 prej vendeve që mbulojnë mbi gjysmën e kësaj tregtie do të jenë anëtarë të Bashkimit Europian, e për pasojë, BE do të jetë sërish edhe më e rëndësishme përsa i përket orientimit të tregtisë së jashtme. Megjithëse shkëmbimet tregtare me vendet e rajonit kanë pësuar një rritje të lartë gjatë viteve të fundit (si në importe ashtu dhe në eksporte), mendoj se merita nuk i takon vetëm lidhjes apo efekteve të marrëveshjeve të tregtisë së lirë. Në fakt, nga eksperienca botërore në asnjë rast nuk provohet se MTL mund të japin të vetme efekte të tilla. Në rastin e rajonit tonë, mendoj se zhvillimet tregtare vijnë në radhë të parë si pasojë e një klime shumë më të përmirësuar të bashkëpunimit midis vendeve, mbylljes së konflikteve të dekadës së shkuar, lëvizjes shumë më të lirë të njerëzve, hapjes në përgjithësi të tregjeve por dhe zhvillimit ekonomik të vendeve tona dhe po kështu, harmonizimit të tyre me integrimin europian, të cilin çdo vend e aspiron. Të mos harrojmë që, nëse mbas 10 vitesh synojmë të jemi pjesë e ekonomisë europiane, kjo në radhë të parë nënkupton që duhet të jemi pjesë e ekonomisë së rajonit, e cila e integruar do të gjejë vendin e saj në familjen europiane.


    Bizneset nuk kane bashkëpunuar për CEFTA-n
    Nënshkrimi i Marrëveshjes për krijimin e një zone të përbashkët të Tregtisë së Lirë për Europën Qendrore, CEFTA, mund të kthehet në një autogol për Shqipërinë. Ekspertët që po negociojnë detajet teknike të kësaj marrëveshje, e cila pritet të hyjë në fuqi në 1 janar të vitit të ardhshëm, kanë lëshuar së fundmi alarmin se biznesi shqiptar nuk po bashkëpunon në hartimin e listave me produktet, për të cilat Shqipëria duhet të kërkojë kuota për eksport ato për të cilat duhet të kërkohet mbrojtje. "Me tepër problematik kanë qenë organizmat dhe shoqatat e agrobiznesit. Duke para ndjeshmërinë e produkteve bujqësore në kuadër të tregtisë së lirë, unë mendoj se vet biznesi duhet të ishte angazhuar më shumë në këtë proces," u shpreh për "Biznesin" Ilir Kodra, negociator i palës shqiptare për krijimin e CEFTA-s.


    Shekulli

  2. #2
    Perjashtuar
    Anëtarësuar
    07-11-2006
    Postime
    54
    E paskan kopjuar dhe NAFTA-n edhe ne Europe tani. Shume ka per te perfituar biznesi shqiptar.....

  3. #3
    Administratore Maska e Fiori
    Anëtarësuar
    27-03-2002
    Vendndodhja
    USA
    Postime
    3,016
    Tregtia e Lirë, Serbia dhe Bosnja refuzojnë CEFTA-n

    Ka rrezik, që Marrëveshja Tregtare e vendeve të Ballkanit të mos jetë funksionale, po qe se Bosnje-Hercegovina dhe Serbia, gjatë dy javëve të ardhshme, nga fqinjët e tyre nuk marrin subvencione që ndërlidhen me taksat doganore për duhan dhe ushqim. Këto janë kushtet që këto vende kanë vendosur për të nënshkruar marrëveshjen. Ndërsa, përsa i përket Shqipërisë, nuk ka pasur asnjë kërkesë për mbrojtjen e produkteve vendëse, në një kohë që deficiti tregtar me vendet e CEFTA-s i kalon 131.8 milionë dollarët, për pjesën e parë të këtij viti. Zyrtarët e këtyre vendeve (Bosnje-Hercegovina dhe Serbia) theksojnë se, për mungesë të masave më të mira mbrojtëse për industrinë e tyre, nuk do ta nënshkruajnë Marrëveshjen për Tregti të Lirë të vendeve të Evropës Qendrore (CEFTA), e cila trajtohet si terren i përshtatshëm për përgatitjen e vendeve që të integrohen në Evropë. Serbia, vendi më i madh në tregun prej 29 milionë konsumatorësh, kërkon të mbrojë sektorin e saj të cigareve, i cili ka tërhequr më shumë se 1 miliard dollarë investime të huaja, nga kompanitë, si “Philip Morris” dhe “British American Tobacco”. Aktualisht, ky vend aplikon taksë të ulët doganore për importin e cigareve, vetëm 15 për qind, kurse prodhuesit e vet i mbron nëpërmjet akcizës. Vlatko Sekuloviç, anëtar i ekipit serb të negociatave për Marrëveshjen Tregtare, thotë se nuk është e ndershme që nga Beogradi të kërkohet ulja e taksës doganore, përderisa të tjerët nuk bëjnë asnjë lëshim. Sekuloviçi shton, se Kroacia duhet ta ulë barrën prej 38 për qind, nëpërmjet së cilës mbron Fabrikën e saj të Cigareve në Rovinj, që ka monopolin në këtë vend. Zagrebi zyrtar e ka refuzuar këtë kërkesë. “Që të hapim tregun, këtë duhet ta bëjnë edhe vendet e tjera. Qëllimi ynë, duhet të jetë harmonizimi i rregullave të qarta për industrinë e duhanit në tërë rajonin”.

    Marrëveshja, nënshkrimi me kushte

    Rumunia dhe Bullgaria do të tërhiqen nga CEFTA në janar, kohë kur ato anëtarësohen në BE. Atëherë, Kroacia dhe Maqedonia mbesin nënshkrueset e vetme. Anëtarët e ardhshëm: Shqipëria, Bosnja e Hercegovina, Serbia, Mali i Zi, Moldavia dhe Kosova, kanë kohë deri më 19 dhjetor, kur është ceremonia e nënshkrimit, të bëjnë ratifikimin e marrëveshjes. Dulko Hasiç, negociues nga Bosnja, thotë se vendi i tij do të ketë më shumë dëme nëse i bashkohet marrëveshjes, sesa të mbetet jashtë saj; meqenëse fermerët do të ballafaqohen me konkurrencë të pandershme. Sipas tij, Kroacia dhe Serbia që i subvencionojnë prodhimet e tyre, bëjnë pengesa jodoganore, madje bllokojnë edhe tranzitin e mallrave të Bosnjës për Maqedoni dhe Slloveni. Nënshkrimi nga Sarajeva, kushtëzohet me faktin që Bosnjës t’i lejohet që, së paku edhe për dy vjet, të mbajë taksë doganore për disa artikuj, siç janë mishi dhe prodhimet e qumështit, kërkesë kjo që është refuzuar. “Do të ishte turp, po të mos arrijmë marrëveshjen. Por, nëse Kroacia nuk lëshon pe, ne nuk do të jemi pjesë e marrëveshjes”. Marrëveshja e CEFTA-s, prej 370 faqesh, do t’i zëvendësojë 31 marrëveshje bilaterale.

    Tregtia, thellohet deficiti me rajonin

    Kosova është i vetmi vend me të cilin Shqipëria ka një bilanc tregtar pozitiv, pavarësisht se shkëmbimet tregtare janë në nivel jo shumë të kënaqshëm, ato arritën në rreth 31 milion euro për vitin 2005 (1.2% e tregtisë së jashtme të Shqipërisë) nga të cilat, 22 milion euro kanë qenë eksportet nga Shqipëria në Kosovë. Por, gjatë 6-mujorit të parë të këtij viti, vihet re një tendencë e uljes së eksporteve drejt Kosovës (-19%) dhe një rritje e konsiderueshme e importeve nga Kosova (122%), kjo, krahasuar me 6-mujorin e parë të vitit të kaluar, pavarësisht se bilanci tregtar mbetet ende pozitiv dhe Kosova renditet si destinacioni i katërt, më i rëndësishëm për eksportet shqiptare.



    Maqedonia

    Përsa i përket Maqedonisë, shkëmbimet tregtare i kalojnë tashmë 40 milion euro në vit, por me një bilanc tregtar negativ pasi, p.sh., në vitin 2005 eksportet shqiptare ishin rreth 8.3 milion euro, ndërsa importet nga Maqedonia rreth 32 milion euro. Por në raport me Maqedoninë, ashtu sikurse dhe me vendet e tjera të rajonit, konstatohet një rritje e shpejtë e shkëmbimeve tregtare, ashtu si ilustrohet dhe nga shifrat e 6-mujorit të parë të vitit 2006, të cilat tregojnë një rritje me mbi 19% te eksporteve shqiptare dhe me rreth 84% të importeve nga Maqedonia. Gjithsesi, Maqedonia është partneri ynë i 6-të, përsa i përket destinacionit të eksporteve shqiptare dhe i 12-ti përsa i përket importeve, duke përbërë rreth 1.8% të shkëmbimeve tregtare të Shqipërisë.

    Bullgaria

    Volumi tregtar për 6-mujorin e parë të këtij viti me Bullgarinë, ka qenë rreth 52.5 milionë dollarë, nga të cilat vetëm 2.6 milionë dollarë kanë qenë eksporte, ndërsa rreth 50 milionë dollarë kanë qenë importe.

    Rumania

    Përsa i përket Rumanisë, importet për pjesën e parë të vitit shkojnë në 25.9 milionë dollarë, ndërsa eksportet janë vetëm 357.2 mijë dollarë.

    Kroacia

    Edhe me Kroacinë, raporti i tregtisë së jashtme është në një vlerë të madhe negative. Vetëm 248.4 mijë dollarë janë eksportet e vendit tonë, gjatë 6 muajve të parë të këtij viti, ndërsa importet kanë mbërritur në 17.3 milionë dollarë.

    Serbia dhe Mali i Zi

    Në vitin 2005, importet nga Serbia dhe Mali i Zi, kanë qenë rreth 22.1 milionë dollarë kundrejt 5.5 milionë dollarë, që kanë qenë eksportet ndaj këtyre vendeve.

    Bosnja e Hercegovina

    Me këtë vend, volumi tregtar gjatë këtij 6-mujori ka mbërritur në 4 milionë dollarë, nga të cilat, 2.8 milionë dollarë kanë qenë importe dhe 1.2 milionë dollarë kanë qenë eksportet.



    Përgatitën Ermelinda Kurra/Julian Llupo për Shekullin

Tema të Ngjashme

  1. Nisma e kryeministrit Berisha: Shqiperia, 1 €
    Nga DYDRINAS në forumin Portali i forumit
    Përgjigje: 170
    Postimi i Fundit: 31-01-2014, 18:08
  2. Hapja e nje biznesi ???
    Nga Demnos në forumin Ekonomi & biznes
    Përgjigje: 2
    Postimi i Fundit: 31-03-2009, 09:31
  3. Biznesi shqiptar:200milion euro per Albtelekomin
    Nga dodoni në forumin Ekonomi & biznes
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 24-10-2006, 23:48
  4. Biznesi i vogël, si mund të niset?
    Nga Davius në forumin Ekonomi & biznes
    Përgjigje: 1
    Postimi i Fundit: 18-05-2006, 23:20
  5. Biznesi shqiptar duhet të privilegjohet në privatizim
    Nga dodoni në forumin Ekonomi & biznes
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 16-01-2004, 05:59

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •