Zyra për Mbrojtjen e Qytetarëve në bashkëpunim me shoqatën Transparency International ka bërë publik Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2006.
Raporti sjell lajme të mira për Shqipërinë e cila duket se ka një pozicion më të mirë se sa vitin e kaluar në renditjen e vendeve me korrupsionin më të lartë në botë.
Raporti për vitin 2006 përfshin 163 vende dhe Shqipëria renditet në vendin e 111. Vitin e kaluar raporti përfshinte 158 vende dhe Shqipëria ishte në vendin 126 të renditjes botërore të vendeve sipas nivelit të korrupsionit.
Megjithëse shënohet se në Shqipëri gjatë vitit të fundit ka shënuar rritje lufta kundër korrupsionit, raporti vëren se në Shqipëri në vitin 2006 nuk është dënuar ndonjë zyrtar i lartë për shkak të korrupsionit.
Lufta kundër korrupsionit është një nga kuajt kryesore të betejës së qeverisë së djathtë të kryeministrit Sali Berisha.
Ai nuk e ka harruar premtimin e fushatës elektorale që e solli në pushtet një vit më parë për ta zhvilluar pandërprerje këtë luftë.
Por opozita ka rezerva të thella për sinqeritetin e kryeministrit dhe mënyrën se si ai po e lufton korrupsionin.
Ndër sektorët më të prekur nga korrupsioni në Shqipëri mbeten gjykatat, shëndetsia dhe në përgjithësi qytetarët paguajnë nën dorë për shumicën e shërbimeve që marrin në zyrat e administratës shtetërore.
Krijoni Kontakt