Dhuna komuniste apo vetëm "dosjet"

Meksi: "Hapje e dosjeve", domethënë njohja me materialet e Sigurimit dhe të tjerëve për ta do të jetë e dhimbshme

Aleksandër Meksi

Në parathënien e librit të saj "Gulag", që për vitin 2004 ka marrë çmimin prestigjioz "Pulitzer" në SHBA, autorja Anne Applebaum çuditet, por edhe trishtohet, se në Evropë partitë e majta nuk kritikojnë dhunën dhe terrorin stalinist në vendet e Evropës Lindore në të njëjtën mënyrë si dënohet dhuna dhe terrori i nacional-socialistëve të Hitlerit apo i fashistëve të ish-socialistit Musolini. Kjo është më se e vërtetë dhe në përmasa më të mëdha ndodh edhe te e majta shqiptare, e cila jo vetëm nuk e ka dënuar dhe kritikuar regjimin komunist, por mban të njëjtën gazetë, "Zëri i Popullit", të njëjtën anëtarësi, madje rrëzave krenohet me luftën e saj dhe "sukseset e ndërtimit të Shqipërisë së re, kështjellës së vetme të socializmit në Evropë". Ju do të thoni që ata janë nostalgjikë të komunizmit. Po, është e vërtetë, dhe ne e kemi trajtuar para disa vitesh në një shkrim me titull "Nostalgjia e kinemasë apo...", ku fjalën e kishim për filmat me komunistë e armiq të klasës, priftërinj katolikë, ballistë, bejlerë e tregtarë, agjentë të imperializmit anglo-amerikan, të cilët shfaqeshin rregullisht në televizionin "Klan", që deri vjet ishte tërësisht militant i majtë.

Në rimarrjen e kësaj teme të rëndësishme për shqiptarët, që do të ndikojë në ndarjen e tyre nga e kaluara komuniste, ndikoi diskutimi i sivjetshëm në Këshillin e Evropës për dënimin e krimeve të komunizmit, si dhe rezoluta që u miratua atje. Por, në jetën politike shqiptare, në mediat e shkruara dhe ato televizive, kërkesat për një gjë të tillë kanë qenë përherë të vazhdueshme, si rezultat i konstatimit se metoda e praktika të asaj kohe dhe njerëz me atë mentalitet janë pengesë në rrugën e përparimit social-ekonomik dhe integrimit në qytetërimin evro-atlantik. Në këtë kuptim, ndonjë këshillë nga ata që nuk i njohin ngërçet e jetës sonë, si dhe ata që na pengojnë, na duket e gabuar.

Rezoluta e Këshillit të Evropës pa mëdyshje thekson se regjimet komuniste totalitare të Evropës ish-komuniste karakterizoheshin nga dhunime masive të të drejtave të njeriut: vrasje, ekzekutime individuale dhe kolektive, vdekje në kampet e përqendrimit, vdekje nga uria, internime dhe dëbimet, tortura, punë skllavëruese dhe forma të tjera të terrorit fizik masiv, dhunimit të lirisë së ndërgjegjes, të lirisë së shprehjes, të shtypit, ashtu dhe të pluralizmit politik.

Të gjitha këto krime justifikoheshin me teorinë e luftës së klasave dhe diktaturës së proletariatit.

Por, Rezoluta thekson se rënia e regjimeve komuniste nuk u shoqërua me hetim ndërkombëtar të krimeve të tyre dhe se autorët nuk u vunë përpara gjyqit nga ana e bashkësisë ndërkombëtare.

Në të njëjtën kohë Rezoluta vëren se mungon ndërgjegjësimi mbi krimet e regjimeve komuniste, prandaj nuk është bërë edhe distancimi i së majtës nga këto krime. Ajo, Rezoluta, nënvizon se njohja e këtyre krimeve, sidomos nga të rinjtë, do të shmangë përsëritjen e dukurisë në të ardhmen. Kjo është dhe arsyeja për të cilën Asambleja Parlamentare e KE-së kërkon rikonsiderimin e historisë së komunizmit dhe të kaluarën e tij, krahas dënimit të krimeve.

Shqyrtimi i dhunës dhe i krimeve gjysmëshekullore të komunizmit në Shqipëri kërkon, detyrimisht, njohjen dhe dokumentimin e tyre. Gjatë këtyre viteve, kryesisht njerëz dhe gjithë rrethi i tyre familjar që kanë vuajtur burgjeve, internimeve etj., kanë botuar libra me mjaft vlerë në këtë drejtim. Po përmendim disa prej tyre: At Zef Pëllumbi, Arshi Pipa, Ahmet Bushati, Sami Repishti, Agim Musta, Uran Kalakula, Fatos Lubonja, Maks Velo e shumë e shumë të tjerë. Megjithatë, fjala është për dokumentimin e plotë e shkencor mbi bazën e fakteve, domethënë akteve zyrtare të shtetit komunist, materialeve të PPSH-së, materialeve dokumentare të Sigurimit të Shtetit, akteve të hetuesive dhe gjykatave, të sistemit të burgjeve, si dhe çdo gjë tjetër që dëshmon këtë dhunë në aspektin e politikave, veprimeve konkrete (zbatimin e tyre), si dhe të dhënave numerike. Një vend të rëndësishëm përfshijnë edhe dëshmitë e dhimbshme të vuajtësve të kësaj dhune. Kjo është një punë e mirëfilltë kërkimore, pa të cilën nuk do të jenë të dokumentuara përpara opinionit publik dhe politikës shqiptare dhuna dhe krimet e komunizmit, politikat, strukturat dhe njerëzit e krimit. Vetëm atëherë shqiptarët do të njohin dhe vlerësojnë historinë, vetëm atëherë nostalgjikët dhe veglat e krimit nuk do të flasin sheshit për "heroizmat" dhe turpet e tyre, vetëm atëherë shpirtrat e vrarë do të kenë disi qetësi.

Këtë synim kishte propozimi ynë (gazeta "Shqip" 29.10.06) për krijimin e Arkivit Historik të ish-Ministrisë së Punëve të Brendshme, i cili, krahas atij të ish PPSH-së, do të mundësojë për këdo këto studime. Këtë qëllim, në një tjetër këndvështrim, kishte dhe profesor Sami Repishti me propozimin e tij në peticionin drejtuar Presidentit Moisiu, për një Qendër dokumentacioni shqiptar për krimet e komunizmit, e cila, ndryshe, duhet të ishte një qendër kërkimore për këtë periudhë dhe këtë qëllim. Mendoj se shteti shqiptar, në formën më të mirë e të përshtatshme, mund t‘i realizojë këto detyra që propozohen. Vetëm me kërkime të organizuara e të planifikuara dhe me programe të hapura, si për gjithë kërkimet shkencore për periudha të ndryshme, mund të kemi rezultate të prekshme dhe me saktësi shkencore për krimet e komunizmit dhe dhunën e terrorin gjatë gjysmëshekullit në Shqipëri. Vetëkuptohet që këto studime dhe rezultatet e tyre duhet t‘i bëhen të njohura publikut, të përfshihen në tekstet shkollore të të gjitha niveleve, dhe atëherë mund të kemi, veç informimit, edhe një ndërgjegjësim të përgjithshëm. Kjo punë, krahas spastrimit nga gënjeshtrat e propagandës së deridjeshme, që përsëritet sot nga nostalgjikët, do të garantojë mospërsëritje të së kaluarës, në themel të së cilës ishte intoleranca për të tjerët, mohimi i lirisë së ndërgjegjes, mendimit, fjalës, shtypit, të shoqëruara me dhunë dhe terror deri çnjerëzor dhe që zgjatën gjysmë shekulli.


* * *


Nuk duhej dije dhe përvojë e madhe për të kuptuar nevojën për pastërti të figurës së atyre që do të hidhnin themelet e shtetit demokratik, domethënë të mos ishin peng i së kaluarës, përgjegjës për krime e dhunë, dhe të mos ishin hartues politikash e bartës të mentaliteteve prapanike e komuniste. Kështu, qysh në vitin 1991 mundëm të sigurojmë ligjet e Gjermanisë, Çekosllovakisë e Hungarisë për problemin në fjalë, të pastërtisë së figurës (lustracionit) dhe të dosjeve të ish-policisë politike dhe të çdo organi tjetër burim të dhunës totalitare. Mbi bazën e tyre, qysh në muajt e parë të qeverisë demokratike u hartua prej meje dhe juristëve të kualifikuar projektligji për këtë qëllim. Ndonëse ligji u miratua në vitin 1995, të gjithë punonjësit që ishin në strukturat bazë të shtetit, ashtu edhe në vartësi të qeverisë, veç tyre dhe policia e ushtria, u kontrolluan për pastërti figure. Është e kuptueshme që kjo punë erdhi duke u përmirësuar e saktësuar, sepse varej dhe nga marrja në dorëzim dhe përpunimi i arkivit të ish MPB-së. Ky studim u bë në vitet ‘93-‘94, gjatë të cilave dhe më vonë nuk emërohej në poste, sipas ligjit, dikush që nuk verifikohej për të kaluarën e tij, domethënë nëse kishte punuar në ish-Sigurimin e Shtetit, a ishte bashkëpunëtor sekret i tij etj.

Çdo gabim që mund të ketë ndodhur ka qenë ose çrregullim kërkimi në regjistra, ose për arsye që mbetën për t‘u shqyrtuar. Neve dhe titullarëve nuk na është thënë e vërteta.

Dhe një detaj tjetër që vlen të njihet: Kur hartoheshin listat e deputetëve të 22 marsit 1992, u kërkuam të gjithë kandidatëve të firmosnin një deklaratë personale që nuk kanë punuar ose nuk kanë qenë në shërbim të ish-Sigurimit të Shtetit. Kush gënjeu, sigurisht që diku mori garanci.

Mbi bazën e përvojës së huaj dhe projektligjit të përgatitur, qeveria paraqiti fillimisht në shtator 1995 ligjin për "Gjenocidin dhe krimet kundër njerëzimit kryer në Shqipëri gjatë sundimit komunist për motive politike, ideologjike dhe fetare".

Qysh në preambulën e tij thuhet se ky ligj paraqitet që "...të përshpejtojë çështjet penale që lidhen me krimet kundër njerëzimit për motive politike, ideologjike, klasore dhe fetare, organizuar dhe kryer nga shteti komunist në kundërshtim me të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, nëpërmjet dhunës fizike e psikike, montimit, falsifikimit ose manipulimit të të dhënave, duke sjellë, për pasojë, vrasje, burgosje, internime, dëbime, si dhe rrënimin masiv të institucioneve dhe objekteve të kultit". Dy nenet e para të ligjit ngarkonin prokurorinë, që në përputhje me dispozitat penale dhe procedurale në fuqi të fillonte hetimin e krimeve të komunizmit. Ndërsa neni pasues përcaktonte mjaft qartë që nuk mund të zgjidhen në organet qendrore e lokale e as të emërohen në administratën e lartë të shtetit, në sistemin gjyqësor e masmedia deri në fund të vitit 2001, ideatorët e zbatuesit e krimeve të komunizmit, ish-anëtarët e KQ të PPSH-së, ish-ministra e ish-deputetë të Kuvendit Popullor, ish-kryetarët e Gjykatës së Lartë e të Prokurorisë së Përgjithshme, ish-sekretarët e parë të rretheve, ish-punonjësit dhe ish-bashkëpunëtorët e Sigurimit. Janë pikërisht parimet që u paraqitën më me hollësi në ligjin për kontrollin e figurës së zyrtarëve, me synim mbrojtjen e shtetit demokratik.

Nuk dua të zgjatem, por theksoj se, ndryshe nga çfarë servirin mediat, mbi bazën e ligjit antigenocid u dënuan drejtues të lartë të shtetit komunist, kur ndaj tyre arrihej të ngrihej një akuzë për gjenocid (jo për kafe), me gjithë protestat e ish-komunistëve që mbetën në politikë dhe përkrahësve të tyre në të majtën perëndimore, që siç thamë qysh në hyrje, nuk e dënojnë edhe sot komunizmin. Kaq e vërtetë është kjo, sa që të gjithë ata, pas "revolucionit të dytë demokratiko-popullor të vitit ‘97", dolën nga burgu, madje morën dhe dëmshpërblim (shpërblim?), ndërkohë që viktimat e panumërta të dhunës së regjimit komunist vazhdojnë të mbeten me shpresën te Zoti.

Tani le të shqyrtojmë kalimthi ligjin Nr. 8043, dt.30.11.1995 "Për kontrollin e figurës së zyrtarëve dhe personave të tjerë që lidhen me mbrojtjen e shtetit demokratik". Thelbin e këtij ligji, i cili në publik quhej Ligji i Dosjeve, e përbëjnë dy nenet e para, në të cilat: Neni 1 rreshton organet dhe funksionet për të cilat ligji përcakton kushte për të shërbyer në to, ndërsa Neni 2 kushtet që duhet të përmbushen (në këndvështrimin e ligjit) për të shërbyer në to.

Nenet e tjera të ligjit trajtonin komisionin e kontrollit të figurës dhe detaje të ndryshme teknike, ndër të tjera atë (Neni 3) se Kryeministri mund të lejojë, për raste të veçanta që Ministri i Mbrojtjes, i Brendshëm dhe kryetari i SHIK-ut të mbajë në punë njerëz të tillë.

Ata që nuk lejohej të punësoheshin si punonjës me status politik e civil, janë zyrtarët e lartë të PPSH-së, anëtarët e qeverisë, deputetë e drejtues të drejtësisë, punonjës të Sigurimit të Shtetit dhe strukturave të tjera të MPB-së, bashkëpunëtorët sekretë, denoncuesit, dëshmitarët rëndues dhe ata që kanë mbaruar shkollën e Sigurimit, gjyqtarë e të tjerë në procese speciale politike, si dhe agjentë të shërbimeve të huaja.

Sot ridel dhe njëherë pas rezolutës së Këshillit të Evropës nevoja për dënimin publik të dhunës komuniste, e cila në Shqipërinë e vogël mori përmasa monstruoze deri dhe brenda familjes, me vrasje të shumta, burgime, internime, punë të detyruar, mohim të të drejtave më elementare, me shfaqje dhe veprime të turpshme për racën njerëzore si lufta e kllasave etj. Kohët e fundit, analistë e njerëz të shumtë janë shprehur në shtyp e media elektronike për këtë problem realisht të rëndësishëm, duke dhënë opinionet e tyre dhe propozime për çfarë duhet bërë veç dënimit të dhunës, për mospërsëritjen. Por, disa syresh e kanë reduktuar këtë problem tejet kompleks vetëm te çështja e hapjes së dosjeve, me të cilën ata nënkuptojnë vetëm dosjet e bashkëpunëtorëve sekretë të Sigurimit. Kjo nuk është një gjë e mirë dhe është një zgjidhje tendencioze për të mënjanuar nga pastrimi apo kontrolli i figurës përgjegjësit kryesorë të dhunës komuniste.

Për të majtën shqiptare, ata që i shërbyen partisë dhe Sigurimit si bashkëpunëtorë sekretë, siç rezulton nga Platformat e Sigurimit të Shtetit dhe praktikat e vënies në jetë të tyre, janë të ndarë në dy grupe. Ata që ishin anëtarë e kandidatë partie, së bashku me patriotë besnikë e të sprovuar, pra që i shërbenin çështjes së partisë dhe të shtetit; si dhe ata që u rekrutuan mbi baza vullnetare (ndonjë syresh nuk dinte mirë se çfarë bënte), dhe grupi i dytë, ata që ishin të rekrutuar mbi baza detyrimi (deri me dhunë fizike, arrest dhe kërcënime), pas "rrethanave shtrënguese". Kështu, e majta i quan, si dje dhe sot, të parët "heronj të heshtur", të cilët i respekton për "punën" e tyre në mbrojtje të partisë e të shtetit, ndërsa të dytët spiunë, që duhet vazhduar të dhunohen, sepse janë nga radhët e armikut të klasës.

Për demokratët, siç e përmenda dhe në një shkrim të mëparshëm (gazeta SHQIP, 30.10.06 ose shiko www.aleksandermeksi.com), ata janë vetëm shkalla e fundit e piramidës së dhunës dhe krimit komunist, të cilës i shërbyen në dëm të të tjerëve. Për këtë arsye vazhdojmë të mbetemi të mendimit se në të gjitha kategoritë e kësaj piramide nuk mund të jenë punonjës të emëruar me status civil e politik. Ata, po e pranojmë, mund të jenë deputetë të zgjedhur vetëm drejtpërdrejt nga populli, pra vetëm në zona njëemërore, por vetëm pasi opinioni publik të njihet me veprimtarinë e tyre në shtetin komunist dhe strukturat e tij të dhunës.

Kur flasim për bashkëpunëtorë sekretë, kuptohet që ata duhet të shmangen nga postet e mësipërme edhe për të mos qenë objekt shantazhi, apo të keqpërdoren në heshtje nga operativët e djeshëm dhe menaxherët e sotëm të tyre, që shërbejnë si dikur për punë të liga. Vetëkuptohet që e majta ata që i quan "heronj të heshtur" mund t‘i përdorë në politikë duke dëshmuar edhe një herë se është vazhduese politike e PPSH-së dhe se nuk e dënon të kaluarën kriminale të saj.

Unë kam mundur të njihem vetëm me projektligjin e PD-së për këtë problem dhe vërej me keqardhje se idetë e politikave nostalgjike të Partisë Socialiste takohen në këtë projektligj. Projektligji i paraqitur nga PD-ja përjashton nga nëpunësia shtetërore ish-anëtarët e byrosë politike të KQ-së, por jo anëtarët e plenumit të KQ-së të PPSH, organ i cili miratonte politikat e dhunës, përjashton anëtarët e qeverisë e disa si këta, përjashton drejtuesit e Sigurimit të Shtetit, por jo operativët dhe hetuesit që ishin shumica e sigurimit dhe pjesa më aktive e tij, ata që ushtronin drejtpërsëdrejti dhunë e mbanin kontakt me viktimat, përjashton prokurorët dhe gjyqtarët e proceseve politike speciale (prej tyre janë gjallë vetëm ata që dënuan shokët e Enverit në vitet ‘70-‘80). Pra, dënohen më shumë viktimat sesa autorët. Është njëlloj sikur Nurembergu të dënonte ushtarët, të cilët, dihet mirë, që në rast se nuk zbatonin urdhrat, vriteshin. Nuk ka turp më të madh për një parti që mburret se lufton komunizmin e nostalgjinë për të.


* * *


Mendimi im i shprehur dhe më lart është se ato kategori: plenumi i KQ-së, anëtarët e qeverive puniste, sekretarët e PP-së së rretheve, punonjësit e Sigurimit të Shtetit, përfshirë dhe hetuesit, si dhe bashkëpunëtorët sekretë të tyre, që janë gjithë hartues ose zbatues të politikave të dhunës, nuk duhet lejuar të punojnë në poste të emëruara si nëpunës me status civil ose politik, për shtetin e ri demokratik. Këto vite tranzicioni, që kanë kaluar, përvoja e drejtpërdrejtë e ime me problemin, ose dhe gjykime e konkluzione të mëvonshme, më kanë forcuar bindjen se një gjë e tillë është e domosdoshme në të mirë të Shqipërisë, por dhe në të mirë të tyre.

Në jetë njerëzit bëjnë gabime dhe faje dhe për to ka peng, përgjegjësi dhe pendesë. Koha që kaloi tregoi qartë se shqiptarët janë më shumë konservatorë sesa të ndryshueshëm, e kanë të vështirë të pranojnë gabimet dhe kur vendosin brenda tyre të mos i përsërisin, e kanë të vështirë të mbajnë qëndrim për gabime dhe faje ndaj të afërmve e njerëzve të klanit, i harrojnë lehtësisht ato duke i hedhur pas krahëve pa pendesë (as dhe si ajo që në mesjetë shlyej me lutje në manastire a teqe ose blihej me flori). Prandaj dhe për disa vite këto norma duhet të jenë ligjore. Vetëm atëherë Shqipëria del e fituar.

Sigurisht, përpara se Kuvendi i Shqipërisë të shqyrtojë këto projektligje, do të ishte mirë që jo vetëm deputetëve, por edhe publikut t‘i viheshin përpara ligjet dhe përvojat në këto aspekte të vendeve lindore ish-komuniste, në mënyrë që të mos trembemi se po shkelim të drejtat e njeriut. Në fund të fundit, për emërime ka dhe kufizime e norma. Për shembull, për t‘u pranuar në polici duhet të jesh nën një moshë të caktuar dhe më i gjatë se 1,70 m dhe për këtë askush nuk ka kundërshtuar, se po shkelen të drejtat e njeriut. Kjo vlen dhe për "protestuesit" tanë të djeshëm dhe të sotëm dhe përkrahësit e tyre nga e majta perëndimore, që nuk e ka njohur ferrin komunist shqiptar dhe çka mund të bëjë marrëzia e fundamentalizmit politik, për të cilin këto vite treguan se nuk shërohet, është pengesë për përparimin e vendit dhe plagët e shkaktuara prej tij nuk harrohen lehtë.

Le t‘i rikthehemi më konkretisht çështjes së "hapjes së dosjeve", që lidhet me personat me të kaluar në piramidën e sipërpërmendur të dhunës komuniste. Për mua është jashtë çdo dyshimi që atyre të mos t‘u lejohet punësimi në postet e mësipërme. Unë nuk do të kisha ndonjë kundërshtim thelbësor edhe që lista e plotë e bashkëpunëtorëve sekretë të Sigurimit, operativëve, hetuesve politikë, drejtuesve të strukturave të ndryshme të ish-MPB gjatë gjithë kohës, denoncuesve dhe kallëzuesve, personelit gjyqësor dhe dëshmitarëve, ekspertëve të proceseve politike, të bëhej publike, por duhet llogaritur tronditja që mund të shkaktojë, për shkak të numrit të madh të tyre dhe të personave të lidhur me ta. Këta në fakt janë grupi i personave që do të kenë kufizime punësimi. Sido që të vendoset, këto lista dhe këtë shqyrtim duhet ta bëjë komisioni, anëtarët e të cilit nuk duhet të caktohen vetëm nga qeveria, por dhe nga Presidenti, Kuvendi dhe Këshilli i Lartë i Drejtësisë.

Po kaq të rëndësishme janë dhe listat e viktimave të kësaj veprimtarie kriminale, domethënë listat e personave të kallëzuar e denoncuar, të përpunuar, të dënuar politikë (hetim dhe gjyq), të internuar dhe dëbuar, domethënë dosjet që atyre iu hapi shteti komunist, përfshirë këtu dhe dosjet personale të kuadrit. Me që nuk është hulumtuar deri tani në këtë aspekt, mbetet për më vonë evidentimi i përmendjes së individëve në strukturat qendrore, lokale e të bazës së PPSH-së. Çdonjëri prej tyre, kur pas kërkesës së tij, vihet në dijeni se për të ka të dhëna në arkivat e përmendura më lart, ka të drejtë të njihet me to.

Unë vazhdoj të jem i mendimit që për shumë njerëz kjo "hapje e dosjeve", domethënë njohja me materialet e Sigurimit dhe të tjerëve për ta do të jetë e dhimbshme, traumatizuese dhe do të shkaktojë konflikte si brenda rrethit të marrëdhënieve të tyre të djeshme e të sotme, ashtu dhe me të tjerë. Unë sot jam si gjithë qytetarët, pa asnjë përgjegjësi (veç asaj qytetare) dhe prandaj e kam të lehtë të shprehem ndofta i shkujdesur për pasojat sociale dhe politike të një hapi të tillë. Por, në se duam t‘i shmangim në të ardhmen ato, atëherë duhet të respektojmë sot, kur kanë kaluar 16 vite tranzicion, të drejtën e pakontestueshme dhe ligjore të viktimave që të njohin shkakun apo shkaktarët e fatit të tyre të keq, duke u njohur me dosjet e tyre, ose kurdoherë që ju përmendet emri në regjistra të Sigurimit e gjetkë. Dhe jo vetëm kaq, por dhe për prindërit e fëmijët e vet. Madje dhe për motrat e vëllezërit kur ata nuk kanë trashëgimtarë.

Të dyja këto veprime, njohja me dosjet e krijuara për ta nga viktimat e dhunës komuniste, si dhe hartimi i listave të gjithë komponentëve të piramidës së hartuesve dhe zbatuesve të dhunës, që do të mënjanohen nga disa poste në administratën e emëruar dhe në mediat kryesore, janë vetëm njëra anë e çështjes. Detyra tjetër është dokumentimi i kësaj veprimtarie të dhunshme, studimi shkencor i kohës së regjimit të komunistëve, botimi i këtyre studimeve dhe mënjanimi nga tekstet e historisë i shtrembërimeve të saj. Jam gjithashtu i bindur se do gjenden shqiptarë, që sido që të jetë do ta kryejnë këtë detyrë fisnike.

Të gjitha këto masa do t‘i hapin rrugë përparimit dhe demokratizimit të vendit.

Nga ligji nr. 8043, datë 30.11.1955


"Për kontrollin e figurës së zyrtarëve dhe personave të tjerë që lidhen me mbrojtjen e shtetit demokratik"



Neni 1


Organet dhe funksionet për të cilat ky ligj përcakton kushtet për të shërbyer në to janë:


Deputetë në Kuvendin Popullor të Republikës së Shqipërisë
Presidenti i Republikës, të zgjedhurit nga parlamenti dhe të emëruarit nga Presidenti i Republikës
Anëtarë të qeverisë, sekretarë shteti, zëvendës të tyre, drejtorë të përgjithshëm dhe drejtorë të drejtorive të dikastereve, si dhe të barazuarit me ta në struktura të tjera shtetërore
ç) Në Presidencë, në administratën e Kuvendit Popullor dhe të Këshillit të Ministrave, të ministrive dhe institucioneve të tjera qendrore, të Gjykatës Kushtetuese, të Gjykatës së Kasacionit, të Shërbimit të Kontrollit të Shtetit, të Prokurorisë së Përgjithshme edhe në rangje më të ulëta se ato që përmenden në pikën "c", nëse nga titullari gjykohet në interes të mbrojtjes së shtetit dhe të dhënave të tij zyrtare

dh) Guvernatorë, zëvendësguvernatorë dhe drejtorët e Bankës së Shqipërisë

Në Forcat e Armatosura të Republikës se Shqipërisë për oficerët, funksioni organik i të cilëve përfshin grada të larta (gjeneral, kolonel), komandantët e njësive të pavarura
Prefektët, kryetarët dhe anëtarët e këshillave të rretheve, kryetarët e bashkive e komunave
Në Shërbimin Informativ Kombëtar (SHIK), në Shërbimin Informativ Ushtarak (SHIU) dhe në Shërbimin Informativ të Rendit (SHIR)
Në Gardën e Republikës
Shefa të komisariatit, shefa të policisë, punonjës të policisë kriminale dhe degëve të tjera speciale
Gjyqtarë, ndihmësgjyqtarë, prokurorë dege, oficerë në policinë gjyqësore
Në përfaqësitë diplomatike të Republikës së Shqipërisë
Në RTSH, në ATSH si drejtues dhe redaktorë
Gazetarë dhe punonjës me detyrë të lartë në gazetat me tirazh mbi 3000 kopje
Në funksione drejtuese në bashkësitë ekonomike, në institucionet shtetërore financiare dhe të sigurimeve, si në bankat shtetërore
Rektorë dhe drejtorë në universitete dhe shkolla të larta



Neni 2

Për të shërbyer në organet dhe në funksionet e përmendura në Nenin 1 të këtij ligji, duhet që personi gjatë gjithë periudhës 28.11.1944 deri më 31.03.1991


të mos ketë qenë anëtar ose kandidat i Byrosë Politike, sekretar, anëtar i Komitetit Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë, sekretar i Parë i Komitetit të Partisë së Punës së Shqipërisë në rrethe dhe nivele analoge, punonjës i sektorit për Sigurimin e Shtetit në Komitetin Qendror të PPSH, me përjashtim të rasteve kur ka vepruar kundër vijës zyrtare, ose është larguar vetë në mënyrë publike
të mos ketë qenë anëtar qeverie, anëtar i Këshillit Presidencial, kryetar i Gjykatës së Lartë, prokuror i Përgjithshëm, deputet para zgjedhjeve të 31 marsit 1991, me përjashtim të rasteve kur ka vepruar kundër vijës zyrtare ose është larguar vetë në mënyrë publike
të mos ketë punuar si oficer në Sigurimin e Shtetit (legal a ilegal), në repartet e ndjekjes e të ruajtjes së personaliteteve
të mos ketë qenë i regjistruar në materialet e Sigurimit të Shtetit si bashkëpunëtor (informatorë, agjentë, rezidentë a strehues), ose të mos ketë bashkëpunuar në mënyrë të ndërgjegjshme me Sigurimin e Shtetit (të mos ketë qenë zotërues i një apartamenti të vënë në dispozicionin e Sigurimit të Shtetit)
të mos ketë qenë denoncues, dëshmitarë i rremë ose rëndues në procese politike në dëm të të pandehurit
të mos ketë punuar si oficer në strukturën e kampeve dhe burgjeve me të dënuar politikë
të mos ketë mbaruar Shkollën e Lartë të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe analogëve të saj të mëparshëm në profilin e Sigurimit, ose kurse tremujore e lart po në këtë profil, si dhe analogët e tyre jashtë shtetit
të mos ketë marrë pjesë si hetues, prokuror, gjyqtar a ndihmës gjyqtar në procese politike speciale
të mos ketë qenë ose të jetë bashkëpunëtor i ndonjë shërbimi të huaj të zbulimit ose analog i tyre



gazeta shqip