gaz ballkan

--

Që biodiversiteti i Liqenit të Ohrit të mos shkatërrohet!



Autori i Lajmit: Red.

Liqeni i Ohrit gjendet në juglindje të Shqipërisë. Shtrihet në territoret e Shqipërisë dhe Maqedonisë, duke shërbyer edhe si territor lidhës ujor ndërmjet dy shteteve tradicionalisht me një fqinjësi shumë të mirë dhe me shumë lidhje gjaku në të dyja anët e liqenit, ku bëjnë pjesë qytetet Pogradec-Ohër-Strugë. Sipërfaqja e liqenit është 363 km2, prej së cilës ne kemi 111 km2, domethënë më shumë se një të tretën e tij. Ky liqen, me të drejtë, është shpallur vlerë botërore dhe hyn në trashëgiminë botërore. Administrohet nga UNESCO, e cila dhe ka financuar për programe dhe projekte për mbrojtjen e pastërtisë së liqenit, për ruajtjen e specieve që jetojnë dhe popullojnë Liqenin e Ohrit, ku veçohet familja e koranit (Salmo Lenica), belushka (Salmothymus Ohridanus), si dhe familja e krapit (Cyprinus Caripio Line) e shumë të tjera të rëndësishme. Ky liqen është me të vërtet më i bukuri në botë. Dhe jo vetëm kaq, por ky liqen është burimi i jetës për dy popuj; atë shqiptar e atë maqedonas. Pse? Sepse uji i tij është furnizuesi kryesor për pirjen e banorëve në të dyja anët e tij. Sepse është ky burim i madh që ndriçon, i jep dritë këtyre vendeve tona, është ky burim që ujít mijëra hektarë tokë bujqësore, që i kthen në vende me prodhime të begata. Por ajo që duam të shkruajmë, ajo që duam të shprehim, ajo që kërkojmë është ndihma e të gjithë shqiptarëve, mbase për të shpëtuar këtë liqen nga dora barbare e shkatërrimtarëve të veshur me pushtete të pamerituara përfaqësimi, si deputeti Fatmir Xhafa dhe ministra faqezinj, që është detyra e shtetit të zbulojë çfarë interesash përfshihen pas këtyre veprimeve të justifikuara në dukje, por kriminale dhe me pasoja shumë të dënueshme dhe përjetësisht të pandreqshme për ne, banorët e kësaj treve pa dallim feje dhe kombësie. “Pse?” - do të thotë cilido, që dëshiron të dijë për çështjen, që kërkojmë ndihmë. Ky liqen është i përjetshëm. Përveç sa thamë më lart, është një burim i pashtershëm i prodhimit të shijshëm të atij peshku, që popullon këto ujra dhe që, po t’i llogaritësh në sipërfaqen prej 3630 hektarë sipërfaqe ujore, bëjnë me mijëra e mijëra tonelata peshk, prodhimi vjetor, prej të cilit peshku përfaqësues i ujrave të ëmbla është familja e krapit. Këtij krapi autokton të Liqenit të Ohrit, i pazëvendësueshëm në shije me asnjë krap të së njëjtës familje që popullojnë liqenet e Shkodrës, Prespës apo dhjetëra rezervuarve në të gjithë vendin. Pra, është ky peshk që e bën Pogradecin e rrethinat e tij të preferuara për turizmin vendor; është aktiviteti i gjuetisë së peshkimit burim punësimi për qindra e qindra familjarë e kryefamiljarë, që jetojnë e mbijetojnë me ushtrimin e këtij profesioni. E në funksion të popullimit të liqenit me rasat peshku të familjes së koranit e krapit funksiononin dy ekonomi për rritjen e rasatit të Koranit në fshatin Lin, e cila vlen të theksohet, sepse aty bëhet një punë shumë e mirë, falë edhe investimit të shtetit dhe UNESCO-s dhe duhet thënë se kjo ekonomi rritje shërben si distributor për të populluar liqenin në vazhdimësi çdo vit. Një dorë e zezë, përfaqësues i faqezinjve qeveritarë me veprime, në dukje dashamirëse, kanë marrë një vendim me nr. 74, i firmosur në maj 2005, ku Ministria Ndërtimit, Territorit e Turizmit me Ministrinë e Bujqësisë e Ushqimit përpilojnë këtë akt normativ, me anën e të cilit, me një të rënë të lapsit eliminojnë ekonominë e rritjes së rasatit të krapit me vendndodhje Zagorçan (me sipërfaqe 9 ha), e cila shërbente si ekonomi e rritjes së lirë për popullimin e liqenit të Ohrit me rasat krapi, duke ia kaluar Ndërmarrjes së Ujësjellës-Kanalizimeve, që kjo të shërbejë si pika fundore e kolektorit për derdhjen e ujrave të zeza. Dhe rasati i krapit për popullimin e Liqenit të Ohrit, në një sasi prej 300 000 krerë, do të ngarkohet (me një urdhër peshku) Ekonomia e Rritjes së Rasatit në Zagorçan, që është i vetmi në të dyja anët e liqenit, të transferohet në Zvezdë të Korçës. Duke qenë mundësia që dekantori i kolektorit të ndërtohet pa e cënuar këtë ekonomi, mbasi ekziston një sipërfaqe toke shtetërore joproduktive, që s’u është ndarë anëtarëve të kooperativës, e bashkëngjitur me ekonominë e rritjes së rasatit, që fare mirë mund të shërbejë si pjesa fundore e kolektorit. I madhi Didëro thoshte: “Natyra nuk ka bërë përsosmërira, por dora e saj shekullore ka mundur t’i korrigjojë gabimet”. Dhe në rastin tonë, liqeni i Ohrit kishte lagunën e tij, Blatën e Starovën, ku, një pjesë e saj, e ndodhur mbi Volorekën (Driloni), me atë shtresë të tokës torfike moçalore, e populluar me shumë bimë kallamash, e mbrojtur nga erërat e ftohta dhe e eskpozuar nga dielli, ishte vendstrehimi dhe dimërimi i krapit dhe në pranverë (prill-maj). Aty riprodhoheshin (hidheshin) vezët, të cilat kishin kushte ideale mbase për t’u ushqyer mbas çeljes. Në sajë të ushqimit të bollshëm, të nevojshëm në atë fazë, sikurse është planktoni dhe lloj-lloj gjallesash të tjera bimore e shtazore, dhe prej këtej, kur arrinin një peshë mbi 5-10 g, drejtoheshin për më ujrat e bollshme dhe të pastra të liqenit. Thoshte Lasgushi “i gjorë”: “Thonë të huajt për Vjenën se është e bukur dhe se këtë e ka bërë dora e njeriut, se ata nuk kanë parë bukurinë e Pogradecit, që e ka bërë me duart e tij Zoti vetë” dhe, mbase, Lasgushi “shpëtoi” që vdiq, se po të ishte gjallë do shihte se çfarë janë në gjendje të bëjnë me duart e mendjen e njerëzve. Vite më parë, aty nga viti 1966, pogradecari i nderuar Niko Nikolla shkruante te revista “Hosteni” një shkrim që e titullonte: “A mund të zihet peshk në pazarin e Korçës?”, ku fshikullonte padrejtësitë, që bëheshin asokohe, kur peshku gjuhej në liqenin e Pogradecit dhe peshk nuk gjeje në pazarin e Pogradecit, por në atë të Korçës. Besoj se ai, i ndjeri Niko, sa qe gjallë s’e mori vesh se tashti duhet që liqeni i Ohrit, liqeni i Pogradecit të tij të dashur, duhet të popullohet me rasat krapi të rritur në Zvezdë të Korçës. Mbase duhet të vijnë nga Korça për t’u mësuar edhe notin pogradecarëve!

Koço Pihoni


Ky lajm është publikuar: 24/02/2006