Banka Botërore jep të dhënat për korrupsionin në shëndetësi


Raporti, 87% e pacientëve para nën dorë mjekëve



Zirina Llambro

T’u japësh para nën dorë bluzave të bardha në spitale është kthyer tashmë pjesë e mentalitetit të qytetarëve shqiptarë.

Madje edhe ata që rrallëherë kanë shkuar për të marrë trajtim mjekësor, dinë të të thonë përmendësh tarifat përkatëse që kanë sanitarja, infermierët apo shefat e shërbimit. E për të kuruar këtë plagë madhore në sistemin publik pak gjë është bërë. Sipas raportit të Bankës Botërore “Investim në Shëndetësi”, pagesat nën tavolinë zënë më shumë se 25% të totalit të të ardhurave në sektorin e shëndetësisë. Në vendet e Evropës qendrore dhe lindore si Bullgaria, Rumani e Hungaria, treguesit për këtë fenomen janë më të ulët. Në raport thuhet se 87% e të intervistuarve nga specialistët kanë pranuar t’u kenë dhënë para doktorëve të spitaleve publike dhe 86% referojnë t’u kenë dhënë para edhe infermiereve. Survejimi konkludon që në publikun e gjerë mbizotëron opinioni që një pagesë e tille është e nevojshme për të marrë trajtimin e duhur, madje më shumë se 1/4 e të anketuarve deklaruan që mjeku kishte aluduar se nuk do t’i mjekonte, në qoftë se ata nuk do të paguanin. Shumica deklaruan, se ata kishin paguar pa ua kërkuar këtë gjë mjekët. Këto të dhëna dëshmojnë qartë për krizën morale që ka përfshirë shëndetësinë shqiptare, ku misioni i mjekut nga një mision human duket se është kthyer në një mision biznesi. Vetëm një gjë mbetet e pandryshueshme: nëse xhepin e ke bosh, në spitalet tona të merr lumi. Dhe ajo që tingëllon më qesharake është se në çdo prezantim që u bëhet këtyre strukturave i mëshohet thënies: shërbimi falas ndaj pacientit, në një kohë që vetëm falas nuk trajtohesh në spitalet tona. Nga ana tjetër, asnjë masë ndëshkuese nuk është marrë ndaj mjekëve që abuzojnë me detyrën, për t’u bërë shembull për të tjerët. Madje strukturat përgjegjëse që merren me penalizimin e tyre janë thuajse inekzistente në këtë drejtim. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, ekziston një presion i madh ndaj pacientëve për të denoncuar rastet e mitmarrjes. Rastet e pacientëve që janë tërhequr, ndonëse fillimisht kanë qenë të vendosur për të denoncuar mjekët abuzues me detyrën, janë të shumta.


Maternitetet

Rreth 78% e mjekëve në maternitetet shtetërore dhe 30% në sektorin privat marrin para nën dorë pas kryerjes së një aborti nga gratë dhe vajzat, ndërsa në këmbim të “bakshishit” ato u kërkojnë të mos hapin kartela për heqjen e fëmijës. Të dhënat i raporton studimi më i fundit i ISHP për “Nënraportimin e abortit” në vendin tonë. Sipas këtij studimi, pjesa më e madhe e mjekëve i drejtojnë pacientët në klinikat private, çka ka çuar në uljen e numrit të aborteve të kryera në maternitete. Në maternitet e vendit gjithashtu vihet re edhe një shtim i rasteve të lindjeve me operacion, ndërkohë që ndonëse nuk pranohet zyrtarisht, këto lloj lindjesh kushtojnë minimalisht 200 mijë lekë të vjetra.

Personeli

Për 100 mijë banorë shqiptarë ka rreth 3 herë më pak mjekë dhe dy herë e gjysmë më pak infermierë, se 25 vendet anëtare të BE. E ndërsa numri është i ulët, personeli është i shpërndarë jo mirë në rrethet e vendit. Në shumë prej këtyre rretheve ka mungesa të theksuara të shërbimit mjekësor, kurse në Tiranë ka shumë të tillë. Ndonëse nga drejtuesit e shëndetësisë janë bërë shpesh deklarata për rishpërndarjen e mjekëve në rrethe për të “liruar” disi frymëmarrjen e spitaleve të kryeqytetit, shumë pak prej tyre kanë shkuar në zonat ku shërbimi mjekësor ka mungesa. Por nga ana tjetër, po ndërmerren një sërë projektesh për të shtuar numrin e infermierëve në spitale, sidomos në shërbimet ku numri i tyre është i ulët.

Gazeta Panorama
01-11-2006