Renditja e Hapjes (Boot Order) - Ky opsion të lejon të ndryshosh renditjen e pajisjeve prej të cilave mund të hapet kompjuteri. Në gjendjen normale kompjuteri hapet nga hard disku, por hard disku mund të jetë i dëmtuar, prandaj mund të duhet të ndryshosh renditjen që kompjuteri të hapet prej një diskete flopi ose një CD-je. Kompjuteri do i kontrollojë pajisjet e renditura sipas radhës, dhe do hapet nga e para që është saktë. Në gjendjen normale hard disku mund të jetë i pari, por nëse kompjuteri nuk ndizet nga hard disku, duhet të vendosni flopin ose CD-në para hard diskut.
Statusi i Num-Lock - Ky opsion kontrollon nëse butoni num-lock në tastierë është i aktivizuar apo jo kur niset kompjuteri. Por të njëjtën gjë mund ta bëni edhe në Windows, pa hyrë në BIOS, duke ndjekur hapat e shpjeguar
këtu.
Tastiera USB (USB Keyboard ose vetëm USB) - Nëse keni tastierë që përdor portën USB të kompjuterit (kabëll me kokë të fllashkët), ky opsion duhet të jetë i aktivizuar (enabled). Nëse keni tastierën origjinale që erdhi bashkë me kompjuterin, nuk është nevoja të ndryshoni gjë se ky opsion do jetë aktivizuar nga kompania.
Fjalëkalimi (Password) - Ky opsion u lejon të vendosni një fjalëkalim në BIOS. Ky fjalëkalim del para fjalëkalimit të Windows dhe i ndalon përdoruesit e tjerë të ndryshojnë BIOS, të fshijnë Windows, të instalojnë Windows të ri, etj. Për kompjuterat e shtëpisë fjalëkalimi i BIOS nuk është i nevojshëm, por nëse kompjuteri është në një ambjent publik, fjalëkalimi i BIOS mund t'u hyjë në punë. Nëse vendosni një fjalëkalim në BIOS, tregoni kujdes të mos e harroni sepse është tepër i vështirë për t'u hequr.
Konfigurimet e Parazgjedhur - Nëse doni të riktheni konfigurimin origjinal të BIOS, ose keni problemi me pajisjet, mund të zgjidhni një prej opsioneve përkatëse më poshtë:
1. Parazgjedhjet e Fabrikës (Factory Defaults) - Ky është konfigurimi i zgjedhur nga kompania që ka prodhuar kompjuterin dhe rekomandohet për gjendjen normale të kompjuterit.
2. Parazgjedhjet Optimale (Optimized Defaults) - Ky konfigurim zgjedh opsionet në atë mënyrë që kompjuteri të jetë sa më i shpejtë, por mund të shkaktojë probleme sepse i shfrytëzon pajisjet në maksimum.
2. Parazgjedhjet e Padëmshme (FailSafe Default) - Ky konfigurim zgjedh opsionet në atë mënyrë që kompjuteri të ketë shans sa më të vogël për të patur probleme. Këtë konfigurim duhet ta përdorni në ato raste kur kompjuteri nuk arrin të hyjë në Windows ose nxjerr ndonje mesazh në sfond blu. Ky opsion mund të çaktvizojë disa pajisje ose i konfiguron ato që të punojnë më ngadalë. Pasi të zgjidhni problemin, këshillohet që të zgjidhet Parazgjedhja e Fabrikës.
Krijoni Kontakt