Berisha: Të përndjekurit, 2000 lekë për ditë burgu
( 26/04/07)
Qeveria ka vendosur dje që masa e dëmshpërblimit për ditë burgu të të burgosurve politikë të regjimit diktatorial të Enver Hoxhës, të ndahet në dy grupe: për ata që janë dënuar nga viti 1944-1954 dhe për grupin tjetër të të përndjekurve. Këshilli i Ministrave diskutoi dje këtë projekt të rëndësishëm i përgatitur tashmë nga ekspertët dhe që parashikon shpërblime të ndryshme për shtresa të ndryshme.
Kështu për vitet 1944-1954, të përndjekurit dhe të persekutuarit pas “telave me gjëmba”, tha Berisha, do të marrin 1000 lekë të reja, ndërsa për vitet e tjera 1954-1991 shpërblimi të jetë 2000 lekë të reja për ditë burgu.
Historiku
Sipas shpjegimeve që jepen edhe në relacionet përmbledhëse për ligjin, në vitin 1944-1954 kanë qenë të internuar në kampet e Beratit dhe të Tepelenës, që quhen edhe si “kampet me tela”, rreth 2500 qytetarë. Këto do të përfitojnë dëmshpërblim, por ata që janë internuar pas vitit 1954, sipas projektligjit të qeverisë nuk do të dëmshpërblehen.
Fatura e shpërblimit të kësaj shtrese do të jetë e lartë për qeverinë shqiptare. Duke e konkretizuar këtë me një shembull dhe rast konkret, do të duhet që qeveria shqiptare të kompensojë një nga figurat kryesore të klerit katolik dhe letërsisë shqiptare At Zef Pëllumbin, në një shumë të madhe. Ai ka bërë 30 vjet burg dhe është i kategorisë që përfiton 2000 lekë të reja për ditë burgu. Shpërblimi që duhet t’i japë qeveria At Zef Pllumbit është rreth 21,900,000 të reja. Ndërsa Musine Kokalari, e cila u burgos pas 1944 u dënua me 16 burgim dhe 22 vjet internim, përfiton dëmshpërblim vetëm për 16 vitet e burgut dhe jo për pjesën kur është internuar, gjatë të cilit ajo vdiq.
Por në Shqipëri, sipas shifrave të persekutuar të formave të ndryshme që kanë atë status që përfitojnë nga dëmshpërblimi i qeverisë janë 23 mijë, nga këta rreth 6023 janë të pushkatuar. Ndërsa numri i të persekutuarve që nuk përfitojnë nga ky dëmshpërblim, që janë persekutuar në forma të ndryshme, janë rreth 100 mijë.
Në fakt ka pasur një debat të hapur mes qeverisë shqiptare dhe disa të përndjekurve politikë lidhur jo vetëm me projektligjin, por edhe faktin që në këtë projektligj të mos përfshihen spiunët e regjimit komunist që kanë qenë në gjirin e të burgosurve dhe të internuarve si dhe bashkëpunëtorëve të fashizmit. Prandaj të përndjekurit kanë kërkuar që pas miratimit të ligjit të ri të ngrihet një komision i cili do të shqyrtojë se cilët nga ato njerëz, që janë në gjirin e të persekutuarve nuk e përfitojnë dëmshpërblimin. Ndërsa meraku i qeverisë ka qenë që në mesin e të persekutuarve të mos jenë bashkëpunëtorët e gjermanëve dhe italianëve.
Sipas kërkesës së të persekutuarve për ta bërë një gjë të tillë, pra për të indetifikuar të spiunët e regjimit duhet të hapen dosjet e regjimit komunist. Qeveria nga ana e saj ka marrë informacionin e duhur se në bazë të vendimeve të marrë nga Gjykata Ndërkombëtare e krimece të Luftës së Dytë Botërore, si të Nurenbergut apo të ndonjë gjykate tjetër, asnjë shqiptar nuk është konsideruar bashkëpunëtor të fashizmit dhe të nazizmit.
Ky projektligj hartohet në kohën që Berisha u premtoi shoqatave të ndryshme të të përndjekurve dhe persekutuarve politikë. Ky premtim i tij erdhi pas një debati që këto shoqata patën me zëvendëskryeministrin Ilir Rusmalin. Këto shoqata kanë punuar me një grup pune, i cili është drejtuar nga vetë Rusmali. Ky grup pune ka marrë parasysh të gjitha kërkesat dhe propozimet e bëra nga shoqatat e ndryshme të të përndjekurve. Por pas një pune intensive vetë Rusmali i ka dërguar të gjithë anëtarëve të këtyre shoqatave nga një formular, i cili duhej plotësuar. Në këtë formularë, përveç të tjerave zëvendëskryeministri kërkonte të dinte nga këta anëtarë se “cili mendoni ju se do të ishte mënyra më e mirë e dëmshpërblimit tuaj”. Kjo gjë i ka nevrikosur të gjithë këto shoqata, të cilat kërcënuan Berishën se nëse nuk i merr parasysh kërkesat e tyre do të hidhen në protesta në mbarë vendin. Sipas drejtuesve të tyre, me këtë veprim të Rusmalit ata kanë kuptuar se gjithë ajo punë e bërë në grupin e ngritur për këtë çështje nuk është marrë parasysh asnjë sugjerim i tyri.
Krijoni Kontakt