Kryesocialisti Edi Rama, fton kryeministrin të garojë më 17 dhjetor
Rama: Berisha të kandidojë përballë meje
“Le të garojë Berisha për Bashkinë e Tiranës më 17 dhjetor dhe të shohim kush do të fitojë”
A.Rama
Rama fton Berishën në garë më 17 Dhjetor
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ftoi dje kryeministrin Sali Berisha të garojë përballë tij në sfidën e pritshme të 17 Dhjetorit. Edi Rama tha në fund të emisionit “Opinion”, se ai është i gatshëm dhe do të zbatojë vendimin e opozitës dhe anëtarësisë së PS-së për kandidimin në Tiranë. “Unë jam i gatshëm dhe pres vendimin përfundimtar të opozitës e të anëtarësisë së partisë për të konkuruar për bashkinë e Tiranës”, - tha Rama duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve për mundësinë e kandidimit të tij të tretë për postin e kryebashkiakut. Ndërsa duke hedhur poshtë deklaratat e Berishës se ai ka frikë nga zgjedhjet, prandaj kërkon shtyrjen e zgjedhjeve ai tha “ Le të garojë Berisha për Bashkinë e Tiranës më 17 dhjetor dhe të shohim kush do të fitojë, kë do të votojë populli dhe të mbyllet një herë e mirë kjo histori.”
Reformimi
Gjatë debatit të zhvilluar me gazetarët e ftuar në emisionin “Opinion”, kreu i PS-së, nënvizoi faktin se reformimi i partisë, duhet parë si një i tërë e jo i fragmentuar.
Sipas tij, PS është një forcë politike e jo një ndërmarrje, që t’u thotë njerëzve të shmangen për të bërë reformën. “Reformimi është kapilar, nuk është ndërmarrje PS. Nuk mund t’i thuash tjetrit: “hapu ti”. Ne kemi bërë reformim esencial të PS-së në 10 qytetet kryesore”, - tha Rama për këtë çështje. Ashtu si edhe në daljet e tij publike të vazhdueshme, Rama ishte tepër i ashpër e kritik ndaj qeverisjes aktuale e sidomos ndaj kryeministrit Berisha. Ai theksoi se kur mori detyrën e kreut të PS-së, ka kërkuar falje publike për të gjitha ato që socialistët nuk mundën të bëjnë gjatë qëndrimit në pushtet. Por sipas Ramës, tashmë, pas 1 viti qeverisje nga demokratët, ai pohon me bindje të plotë se kjo qeverisje, as që mund të krahasohet me asnjë prej qeverive socialiste. Ndër të tjera ai i konsideroi të pasakta shifrat e publikuara nga Berisha gjatë analizës vjetore të qeverisë, duke i konsideruar ato të fryra dhe jashtë realitetit. Rama në thelb e konsideroi Berishën si gënjeshtar, e për këtë iu referua deklaratave që ai ka bërë para ardhjes në pushtet, dhe atyre që kanë ndodhur përgjatë 1 viti. “Anullimi i privatizimit të Albtelekomit, që konsiderohej privatizim kriminal, është gënjeshtër. Nuk është anulluar. Ngriti grupin e pavarur për të hetuar si është realizuar ky proces dhe sot raportin e këtij grupi nuk e njeh askush, as ata që punojnë në atë kompani. EFT, e ka akuzuar si kompani jo serioze, dhe tani ka lidhur kontrata me të. Kemi një kryeministër që në mënyrë të vazhdueshme i ka bërë atentate Kushtetutës. Nuk garantohesh ti si shtetas qe askush të mos vijë të cënojë në atë vend ku ti qëndron e punon prej 30 vjetësh. Presioni ndaj presidentit, hedh poshtë edhe ato shifrat, është pengmarrje. Kjo kompani akoma sot nuk ka një akt pezullimi. Shteti të merr peng dhe ti të mos kesh të drejtë apeli, këto ndodhin në regjime që nuk kanë të bëjnë me demokracinë”, - tha Rama duke renditur disa nga kritikat e tij për qeverinë. Ndërkaq nismën Shqipëria 1 euro, ai e cilësoi si ndër ato nisma që shpallen për të mbuluar dështimet.
29/09/2006
Shekulli
Krijoni Kontakt